Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow KulturĆ« arrow Rėndėsia e njė imazhi
Rėndėsia e njė imazhi PDF Print E-mail
01 Gusht 2007

Astrit Lulushi, SHBA

Diktatorët ngjasojnë, pavarësisht ideologjisë. Ata vijnë në pushtet, shtypin por edhe urrehen të gjithë njëlloj, dhe pësojnë të njëjtin fat, para ose pas vdekjes. Edhe prejardhja e tyre është e ngjashme. Ata krijohen në periudha shoqërore depresive, shfrytëzohen, keqpërdoren, shpërfillen, pësojnë dështime, zhgënjime, ndjehen të pa aftë, shfrytëzojnë vlerat dhe aftësitë e të tjerëve, marrin  pushtet, bëhen të pamëshirshëm dhe në fund qesharakë.

Në Romën e lashtë, kur perandoria ndodhej në krizë, zgjidhej një  diktator me autoritet të pakufizuar, por të përkohëshëm  deri në zgjidhjen e krizës. Diktatori caktohej nga konsulli ose  “praetor”-“prijatar, prijës". Emërimi i tij pranohej me “konsensus”, ang.  e mesm. consenten, nga fr. e vjet. consentir, nga lat. cnsente : com-,  com- + sent, ndjej, dëgjoj, por edhe shkoj, nga gjerm. e vjet. sin(d),  drejtim, nga *sinthaz. *sandaz, dergova. Forma e bashkuar *sent-yo-.  nga lat. sentre, me ndje < “me i shkue (pas) mendërisht” sipas  Pokornit – kuptueshëm, mirëkuptim.

 

Mirëkuptimi i parë mbi një diktator thuhet se ndodhi në Romë rreth  shek. V-IV p.e.s. dhe për këtë shkak mendohet të  kenë qenë  trazirat në rajonet në kufi më perandorinë. Romakët shqetësoheshin në  atë kohë rreth tregëtisë detare, dhe sulmet e anijeve ilire ndaj  atyre romake në Adriatik përbin problem kryesor. Për këtë arsye  konsulli Aulus Postumius Albinus u emërua diktator. Atij iu dha pushtet i  pakufizuar për zgjidhjen e krizës. Nisur nga emri, mendohet  se  Albinus u emërua në këtë post ndoshta sepse mund të ishte me prejardhje  ilire, apo kishte lidhje me rajonet e  trazirave ose ishte njohjës i  cështjeve ilire, sikurse edhe sot, kur të dërguar të posacëm  caktohen njerëz me përvojë e  njohjës të zonës dhe problemit përkatës.  Gjatë asaj periudhe, diktatori emerohej edhe për zgjidhje e   mosmarrëveshjeve të brendëshme si për shembull në rast zgjedhjesh të  vështira ose krizave kushtetuese.(Ch.  Merivale)

Por praktika e caktimit të një diktatorit vazhdoi edhe në kohë  paqeje, derisa për një periudhë u shndërrua në  qesharake. Për  shembull, kur vendi nuk kishte nevojë ose probleme, një herë në vit  romakët caktonin një diktator, detyra e vetme e të cilit ishte rituali i  nguljes së një gozhde në tempullin e Jupiterit. Në këtë ditë  njerëzit mblidheshin e qeshnin, festonin, visheshin me maska e rrobe si  të diktatorit, duke ringjallur kështu një rit të lashtë sic ishte  dita e Karnavaleve apo festa e Dionisit. Por vetëm pak shekuj kaluan dhe  kuptimi i fjalës diktaturë morri përsëri pamjen e saj  të rëndë.  Diktaturë nga. lat. “dictatus”- “thënie në mënyrë të  përsëritur” mori kuptimin “komandë”. Jul Qezari e filloi karrierën  e tij si komandant legjionesh dhe në shek. I të erës sonë u shpall  diktator e më pas diktator për jetë.

Edhe sot, “diktator” ruan të njëjtin kuptim e ndoshta më të  frikshëm. Diktator sot quhet një kryetar shteti i cili ushtron  autoritet  arbitrar mbi jetën e shtetasve të vet dhe nuk mund të hiqet nga  pushteti me mjete ligjore. Megjithëse, vijnë në pushtet nëpermjet  zgjedhjeve, deri në votimet e ardhëshme ata merren me manipulimin e  ligjeve e kushtetutës, korruptimin, mënjanimin ose eleminimin e  kundërshtarëve dhe krijimin e kultit të personalitetit, duke krijuar kështu  kushtet për të qëndruar diktatorë për jetë.  

Për shembull, më 1932, partia Nacional-Socialiste (Na-Zi) siguroi më  shumë vota se partite e tjera në zgjedhjet  parlamentare. Kjo bëri  që presidenti t’a emëronte Hitlerin në postin e kancelarit dhe prej  këndej ai filloi konsolidimin e  pushtetit, eklipsoi udhëheqësit e  tjerë dhe u shpall diktator për jetë apo deri sa vrau veten  përballë kapitullimit më  1945.

Më 1945, Fronti Demokratik në Shqiperi fitoi 93 përqind të votave  në zgjedhjet parlamentare dhe Enver Hoxha u  emërua kryetar shteti. Më  1946 ai eleminoi cdo lloj opozite të ligjshme në parlament, hartoi e  ndryshoi ligje që t’i shërbenin qëndrimit në post dhe e vazhdoi  këtë konsolidim të pushtetit duke burgosur, internuar zhdukur e  pushkatuar cdo lloj kundërshtari brenda ose jashtë partisë-shtet. Në  këtë mënyrë ai u bë diktator për jetë.

Më 1985, Hoxha vdiq natyrshëm. Me porosi të tij vendin e zuri Ramiz  Alia, që me siguri do të kishte mbetur diktator për  jetë, nëse  komunizmit, në vendet nga ishte importuar, nuk do t’i kishte ardhur  fundi. Megjithatë, Alia nuk doli vërtetë i humbur. Më 1991, me vota  të një parlamenti shumë partiak ai arriti të zgjidhej në postin më  të lartë. Nëse Hoxha ka hyrë në histori si diktatori më mizor e  më jete-gjatë, nxënësi i tij, Alia të paktën do të kujtohet si  presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste, njësoj sikur pavarësia e  Shqipërisë të ishte shpallur nga sulltan Hamiti.

Diktatorët, të gjithë pa përjashtim, lënë pas një trashëgimi  të dyfishtë; nga njëra anë janë humbesit e privilegjeve, ata  që  kanë mall ose përkujtojnë cdo përvjetor që diktatori festonte; në  anën tjetër është është shumica, populli. E vetmja  gjë që  diktatori u lë të afërmve, njerëzve, kombit është turpi i palexueshëm,  si njolla e zezë e bojës së derdhur në faqen e librit të  historisë.

Gjendja sot sigurisht ka ndryshuar, por krizat e vazhdueshme politike,  shoqërore, ekonomike-energjitike, rivalitetet cfilitëse mes partive  lënë përshtypjen se njerëzit ndjehen më mirë sesa në të  kaluarën vetëm sepse ata nuk kanë më frikë për të shprehur  pakënaqësinë e tyre. Është fyerje për ata që dhanë jetën e vuajtën gjatë diktaturës, që në listën e  sukseseve të sotme të përfshihen  vetëm liria për të kaluar kufirin, emigruar, apo për të mësuar një  gjuhë të huaj a  për të parë një program televiziv ndryshe nga ai  që ofron televizioni shteteror. Ata që vuajtën, shumica e  popullsisë, u gëzuan më 1991 për ndryshimin e sistemit dhe thelbi i ndryshimit  midis sistemit komunist e kapitalist është prona,  kontrolli,  trajtimi e qëndrimi ndaj saj. Njohja e të drejtës së pronës private  është sukses, por shumë vetë thonë se mënyra se si është ndarë ajo  nuk është e drejtë. Kjo ndoshta duhej të ishte zgjidhur që në  vitet e para të demokracisë dhe të mos lihej për më vonë kur  gjurmët e pronarit të  vërtetë bëhen gjithnjë e më të padukëshme.

Që e kaluara nën diktaturë të kuptohet dhe pastaj të tregohet si e  vetmja rrugë që nuk duhet ndjekur, njerëzit kanë  nevojë për një  pikë vrojtimimi midis të shkuarës dhe të sotmes. Vetëm nga kjo  pikë, duke hedhur sytë majtas e  djathtas, ata mund të bëjnë  krahasimin midis dy kohërave. Dhe pa një imazh pozitiv të gjendjes aktuale,  cdo krahasim me të kaluarën do të dilte i përmbysur. 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive