Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Letersia arrow Biografia (tregim)
Biografia (tregim) PDF Print E-mail
07 Shtator 2007

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Pandeli Simsia

Në çdo fillim të vitit shkollor, nxënësit e asaj shkolle kishin një "merak": Kush do ishte mësuesi i matematikës?
Atyre që u binin të kishin mësues Kiçon ishin me "fat", por edhe më me fat ishin nxënësit e klasës që mësues Kiçoja do t'i kishte nën kujdestari.
Lënda e Matematikës, që për vetë natyrën e saj është e vështirë dhe imponuese, për shumicën e nxënësve bëhet edhe më e vështirë, për shkak të karrakterit të ashpër dhe strikt të mësuesit të matematikës. Por mësues Kiçoja, duke patur një praktikë të tij kishte ditur ta "mposhtëte" karakterin e vështirë të lëndës së mësimit që jepte, duke "triumfuar" mbi atë. I tillë ishte mësues Kiçoja.
Fotografia e tij kishte dalë disa herë në stendë në qendër të qytetit si ndër mësuesit më të mirë.
Mësues Kiçoja ishte edhe familje dëshmori. Djali i xhaxhait të tij ishte vrarë në luftën kundër fashizmit. Në ditën e përkujtimit të dëshmorëve të vrarë Ai ishte ndër të zgjedhurit, kur njerëzit shkonin për të bërë homazhe pranë varreve të dëshmorëve. Dera e shtëpisë së tij atë ditë rrinte e hapur për njerëzit e partisë dhe të qeverisë që i shkonin për vizitë. Megjithatë, mësues Kiçoja kurrë nuk e shfrytëzonte atë privilegj, përkundrazi!
 
Jeta, ka edhe ajo të papriturat e saj.

 

E pabesueshme ishte ajo që i ndodhi mësues Kiços.
Pas disa mbledhjesh të gjata të këshillit pedagogjik të shkollës, sekretari i partisë dhe i dërguari nga komiteti morrën vendimin: "Mësues Kiço pezullohet përkohësisht nga dhënia e mësimit deri në një urdhër tjetër me motivacionin: "Duke mos qenë i sinqertë përpara Partisë, ka fshehur të vërtetat që ajo kërkon të dijë..."
Çfarë kishte ndodhur?
Gruaja e mësues Kiços, Marjeta, kishte një dajë të arratisur nga Shqipëria, i cili ishte vendosur përfundimisht në Sh.B.A. Ajo këtë e kishte dëgjuar nga nëna e saj, pasi kur kishte ndodhur ajo ngjarje, kishte qenë vetëm 5 vjeçe. Pothuajse çdo gjë ishte harruar. Vite më vonë, nipi i gruas së tij, e shfrytëzoi këtë rast. Së bashku me 4 shokë të tjerë kapen nga rojat e kufirit në një fshat kufitar shqiptar, ku arrestohen për tentativë arratisje jashtë atdheut.
 
Pasi u mor vendimi që mësues Kiço të pezullohej përkohësisht nga dhënia e mësimit, disa javë më vonë e thirrën në Komitetin e Partisë të qytetit. Njeriu që i fliste në emër të partisë, Kiçoja e njihte disi, sepse u kishte rrënë në sy të gjithëve ardhja dhe emërimi i tij në Komitetin e Partisë. Ishte një burrë rreth të dyzetave; kishte ardhur nga një fshat para disa vjetësh. Nuk kishte ndonjë diplomë fakulteti; e vetmja "diplomë" e tij ishte se kishte mbaruar një kurs partie në kryeqytet. Kjo ishte edhe "arma" e fortë që mbante ai njeri "intelektual", që i ishte hapur rruga për të ardhur në atë qytet e të punonte në Komitetin e Partisë.
Kiçoja ishte i detyruar të dëgjonte atë njeri injorant që e kishte thirrur në zyrën e tij dhe po i fliste në emër të Partisë  me ato shprehjet bajate që u kishte dalë boja, që sa e sa herë ishin përsëritur nga njerëz dogmatikë e pa kurfarë shkolle, por nuk kishte ç'të bënte. Ishte i detaruar të rrinte para tij, ashtu siç rrinin nganjëherë nxënësit e tij, kur vinin në shkollë pa bërë detyrat.
Zyrtari i fliste herë me tone të ashpra, herë me tone të qeta, pastaj, duke i kujtuar edhe biografinë, i kujtoi Kiços se ishte familje dëshmori dhe ndihmën që i jepte partia.
   - Të drejtën e mësimdhënies nuk po ua heqim, kështu që do punoni atje ku ka nevojë atdheu dhe partia... Do punoni mësues në X fshat.
Kiçoja kur dëgjoi emrin e fshatit u drodh i tëri. U mendua pak, pastaj tha: - Ai është fshat malor, është shumë larg. Mosha ime e ka të vështirë të shkojë deri atje.
Zyrtari që i komunikoi detyrën e re e pa fort në sy, sikur donte t'i thoshte: "Nuk e sheh që partia po j'u ndihmon...?" U mendua pak dhe i tha: - Do shkoni të punoni atje ku j'u kemi caktuar. Si fillim do flini atje si të gjithë arsimtarët e tjerë, më vonë do shohim."
I dha një letër emërimi për drejtorin e shkollës dhe duke i dhënë vetëm majat e gishtave i uroi edhe punë të mbarë.
 
Gjatë rrugës përnë shtëpi Kiçoja ndjehej tepër i mërzitur dhe po mendohej për këtë ters që i zinte rrugën e jetës.
E kishte vendosur që nuk do shkonte. Pasi e bisedoi me gruan dhe dy fëmijët e tij, me djalin Yllin dhe me vajzën Almën, vendosi të shkonte edhe pse ishte në një moshë afër pensionit dhe nuk ia kishte as ngenë dhe as fuqinë rrugëve të gjata dhe jetën e konviktorit.
 
Transferimi i Kiços mësues në fshat u përcoll me diskutime të ndryshme në qytetin e vogël. Familja e Kiços morri njollë të keqe në biografi.
Gruas së Kiços, Marjetës, i ra pesha më e madhe e fajit, meqenëse ishte nipi i saj shkaktari. Nga sekretare në një shkollë të mesme ku ajo punonte, e çuan punëtore tek sera e luleve.
Kishte edhe nga ata njerëz që donin ta "ndihmonin" Kiçon. I thoshin se edhe mund të ndahej nga Marjeta, për t'i shpëtuar kësaj të keqeje që i kishte ardhur andej nga s'e pati pritur. Kiçoja nuk pajtohej kurrë me ato mendimet e atyre njerëzve. Marjeta për Kiçon, ishte bashkëshortja, që e bënte atë të ndjehej njeriu më me fat në jetë. Të dy së bashku gjatë atyre viteve jete kishin kaluar një jetë të bukur bashkëshortore për t'u pasur zili dhe kishin rritur dhe edukuar dy fëmijë shembullorë. Që të dy ishin intelektualë me shkollë të lartë. Ja që erdhi një çast dhe jeta në familjen e tyre të ndryshonte papritur.
 
Puna e mësimdhënies në fshatin malor ishte e vështirë. Ai këtë e kishte provuar njëherë vite më parë. Në atë kohë, sapo kishte lënë bankat e universitetit dhe me diplomën e mësuesit në xhep, e kishin emëruar në një fshat tjetër malor. ishte ajo praktikë e sistemit komunist të asaj kohe, që të emëroheshin mësuesit dhe mjekët e rinj të sapo dalë nga shkolla.
 
   Djali i Kiços, Ylli, pasi mbaroi shkollën e mesme, filloi punë në një ndërmarje të qytetit. Ylli kishte talent të madh për pikturë. Gjithmonë e kishte ëndëruar të vazhdonte shkollën e lartë të artit për pikturë. Kjo dëshirë e tij i ishte prerë në mes nga e "mallkuara" biografi e keqe.
   Ndryshe nga i vëllai, Alma, vajza e Kiços, kishte një talent të jashtëzakonshëm. Ajo shkëlqente në lëndën e matematikës dhe fizikës. Letërsia ishte një tjetër lëndë, ku ajo shkëlqente me një talent të pashembullt rinor.
Në dhomën e saj, në sirtaret e dollapeve, kishte fletore të shumta, kua ajo kishte shkruar proza dhe poezi të ndryshme. Megjithatë, dëshira e saj për të vazhduar shkollën e lartë mbetej matematika.
 
Pas mbarimit të shkollës së mesme, Alma aplikoi për të vazhduar shkollën e lartë. Komisioni e rrëzoi menjëherë kërkesën e saj, duke parë si pengesë kryesore, "biografinë e keqe". Kjo për Almën ishte një goditje shumë e rëndë. Fillimin e atij viti te ri shkollor, Alma e jetoi me dhimbje të madhe. Tek shihte shokët dhe shoqet e saja të shkonin drejt universitetit, ajo sa nuk çmendej nga dhimbja që ndjente për veten e saj. Atë vit ajo ndejti në shtëpi, pa punë dhe pa shkollë. Qnte. Nganjëherë ulej dhe shkruante diçka. Shkruante vjersha dhe për të tjerët. Më vonë e rralloi edhe të shkruarit. oreksi për të ngrënë po i ikte. dalëngadalë filloi të dobësohej. prindërve, tek e shikonin në atë gjendje vajzën e tyre, u pikonte shpirti, por nuk kishin çfarë të bënin dhe nuk e jepnin veten para vajzës. Edhe Alma nga ana e saj, mundohej të mos shfaqte shenja mërzitje para prindërve. Kishte edhe një shpresë tjetër për të shkuar në shkollën e lartë. Të priste deri vitin tjetër e të aplikonte përsëri.
I vëllai ylli, përveçse motër, e trajtonte dhe si shoqe. Ashtu ishin rritur që në fëmijëri. Shpesh herë, mbrëmjeve, në shëtitoren e qytetit dilnin bashkë.
Ditët kalonin, por Almës i dukeshin shumë të gjata, derisa erdhi sezoni për të aplikuar përsëri për në universitet.
Të njëjtat proçedura u përdorën nga Alma, po të njëjtat proçedura përdori edhe komisioni për ta rrëzuar njëherë e përgjithmonë kërkesën e saj.
goditja që ajo pësoi këtë herë ishte përfundimisht fatale. Ajo pak shpresë që e mbante u "këput", duke e rrëzuar përtokë njëherë e përgjithmonë, që ajo të mos ngrihej më.
Pas kësaj gjendja shpirtërore e Almës po keqësohej çdo ditë. Po i fillonin edhe shenjat e para të keqësimit të gjendjes shëndetësore të saj.
   Një natë, kur të gjithë po flinin, Alma në mes të gjumit të thellë, pas mesit të natës, papritur u gjend në mes të dhomës ku flinte. Ishte çuar në jkëmbë, qante dhe bërtiste. Të bërtiturat e saj shqetësuan jo vetëm familiarët, por alarmuan edhe komshijtë përreth. pas pak, në dhomën e saj u grumbulluan shumë njerëz. Prindërit, Kiçoja dhe Marjeta, tek e shihnin në atë gjendje ndjeheshin tepër të shqetësuar. I shqetësuar ishte edhe i vëllai, Ylli. Të gjithë mundoheshin ta qetësonin. Marjeta mes të qarave vinte duart në kokë dhe nuk dinte ç'të bënte për ta qetësuar vajzën e saj. Kiçoja i përlotur, siç rrinte në këmbë, ia merrte kokën në kraharorin e tij dhe mundohej ta qetësonte. Të njëjtat veprime si i ati bënte edhe Ylli.
Në atë dhomë të vogël, në atë orë të natës shihje vetëm dhimbje dhe lot. Disa komshinj që kishin ardhur, të përlotur, shihnin njëri tjetrin në sy, sikur donin edhe ata ta largonin dhimbjen që ndjenin.
Alma, duke mos i kuptuar veprimet e saja që bënte pa vetëdije, vazhdonte të bërtiste e të qante, duke i larguar njerëzit që po mundoheshin ta qetësonin.
Një ambulancë erdhi tek porta e shtëpisë së tyre. Një mjek dhe një infermiere hynë në dhomë. Alma kur i pa, u bërtiti:
   - Po ju kush j'u tha të vini këtu? Çfarë jeni ju, mjekë apo profesorë? Ha ha ha, - filloi të qeshë me zë të lartë.
Të gjithë mbetën të shtangur. Jo vetëm mjeku, por të gjithë njerëzit që ishin në dhomë e kuptuan çfarë sëmundje po kalonte ajo.
   - Do t'i bëj një qetësues, - i tha mjeku Kiços, duke iu afruar Almës me një shiringë në dorë.
   - Jo, jo, - bërtiste ajo. Iu drejtua mjekut  që ndodhej përballë dhe filloi ta qellonte me shkelma.
Më vonë Almën e çuan në spital me makinën ambulancë që kishte ardhur. Në spital mjekët konstatuan sëmundjen e rëndë depresive.
 
Gjatë ditëve në vazhdim, gjendja shëndetësore e saj, herë normalizohej, herë acarohej. Edhe pse kurohej regullisht, shpresat për një shërim së shpejti të saj ishin të pakta. Në momentet, kur sëmundja e caronte shumë, veprimet e saja ishin të rrezikshme.
Kur Alma nuk jepte shenja depresioni prindërit e lejonin të dilte pak jashtë, pranë shtëpisë. Një ditë, kur ajo u duk se ishte e qetë, doli jashtë dhe po rrinte. Disa nxënës dolën nga shkolla dhe gjithësecili morri rrugën drejt shtëpisë. Ajo e përqendroi shikimin e saj tek një vajzë; e shoqëroi me sy, i shkoi nga prapa, e kapi prej flokësh dhe nuk e lëshonte. nxënësja e shkollës e trembur dhe nga dhimbja që ndjeu, bërtiti fort. Disa njerëz të rastësishëm përreth, ndërhynë dhe e shpëtuan vajzën nga "kthetrat" e duarve të Almës. Më vonë, Almën e morrën dhe e izoluan disa muaj në spital.
Me gjithë tatëpjetën që kishte marrë jeta në familjen e Kiços, ishte Marjeta ajo, që kishte filluar ankesat për gjendjen e saj shëndetësore. Ajo ankohej për dhimbje në gjoksin e saj të majtë.
Sëmundja e marjetës e shqetësoi shumë Kiçon. I shqetësuar ishte edhe Ylli. Ç'të bënte Kiçoja? Sëmundja e të shoqes nuk i pëlqente. Mundohej të bënte gjithshka për shërimin e saj.
Marjeta u shtrua në spital, në kryeqytet, larg qytetit ku ata banonin.
 Çdo gjë në shtëpinë e tyre po shkonte drejt shkatërrimit. Një shtëpi me dy meshkuj, me një vajzë të sëmurë dhe me gruan e shtëpisë të shtruar në spital.
Kiçoja mendohej dhe shpesh herë qante si fëmijë, nganjëherë edhe me ngashërim. Herë mendonte Marjetën të shëruar në shtëpi, herë mendonte veten e tij pa grua... Mundohej të mos e shihnin të përlotur fëmijët e tij.
Pas disa muajve që Marjeta ishte shtruar në spital, mjekët thërrasin Kiçon në zyrën e tyre, ku i tregojnë atë, që Kiço e kishte menduar disa herë, por që nuk e dëshironte kurrë dhe nuk e priste kaq shpejtë: - Sëmundja është e pashërueshme... Marjeta duhet të dalë nga spitali, duhet ta keni pranë..., të jeni të përgatitur për çdo gjë...
Kiçoja pas kësaj, ndodhej në udhëkryq. Vajza e tij e sëmurë, ndërsa e shoqja kishte hyrë në rrugën e gjatë pakthim, në rrugën e vdekjes. Mendoi njëherë ta bisedonte me djalin, Yllin. Po si do t'i thoshte?! Ai ishte djali i tij, por ishte edhe djali i Marjetës dhe Kiçoja e dinte se ç'është dashuria e fëmijës për nënën. Kiçoja e bisedoi me Yllin ashtu siç dinte ai, me urtësinë e tij dhe me mënyrën e të komunikuarit.
Pasi doli nga spitali, gjendja shëndetësore e Marjetës po keqësohej shumë. Tek rrinte shtrirë në shtratin e saj, shihte Kiçon dhe fëmijët dhe pa dashur as vetë ajo, lotët i rrëshkisnin mbi faqe. Nuk donte të qante në sy të tyre edhe atëhere kur sëmundja i jepte dhimbje të forta, por Marjeta ishte nënë dhe shumë mendime i vinin në kokë. Edhe vetë e kishte kuptuar të ardhmen e saj të hidhur.
Si të mos qante ajo Marjeta nënë, tek shihte Kiçon, Yllin, Almën e pafat, Almën e pafajshme, që i kishte ardhur jeta si njerkë e keqe.
 
Një mëngjes të ftohtë dimri ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Alma ende nuk ishte zgjuar nga gjumi. Kiçoja si gjithmonë i rrinte të shoqes pranë shtratit të saj. Ylli si zakonisht çdo mëngjes, para se të ikte në punë përshëndetej me nënën e tij. Sapo ai hyri në dhomë Marjeta i foli: - Po ikën bir? Më jep një gotë ujë para se të ikësh. Ylli e mbushi gotën me ujë, ia dha së ëmës dhe po priste. Kiçoja ishte çuar në këmbë, për t'u përshëndetur edhe ai me djalin. Siç po rrinin at e bir në këmbë para Marjetës, ajo i hodhi një shikim Kiços, pastaj Yllit. Duart që i kishte nxjerrë jashtë kuvertës iu drodhën dy herë. Koka iu var nga ana e majtë e saj. Buzët iu hapën pak, sa për të dalë prej andej një psherëtimë e thellë dhe një frymë e lehtë. Ishte fryma e saj e fundit që i doli nga thellësia e shpirtit të saj...
Ylli nuk po e kuptonte ç'po ndodhte me nënën e tij.
   - Mama! - i foli- dhe iu afrua. - Mama! je mirë?! - Iu afrua edhe më pranë. Duart i vuri mbi fytyrën e Marjetës, duke i fërkuar ballin dhe me gishta mundohej t'i hapte sytë. - Mama! Jam Ylli. Si po ndjehesh? - Zemra po i rrihte fort. Fytyra i kishte marrë ngjyrë dylli. Mundohej të përtypej, por më kot. Pështyma në gojë i ishte tharë. Çdo gjë përreth e shihte si në mjegull. Dhoma i dukej se po i rrotullohej. Vendosi kokën në kraharorin e s'ëmës. Nuk po i dëgjonte frymëmarjen.
   - Babi - dhe iu drejtua Kiços. - Mami nuk po merr frymë!
Kiçoja i përlotur u afrua, u përkul pranë Marjetës, e puthi në ballë, i morri duart e saj dhe po ia shtrëngonte mes duarve të tij: - Jo Marjeta, jo! Nuk duhet të ikje kaq shpejtë. Marjeta ime, bashkëshortja ime!
Lotët e nxehtë i rridhnin mbi fytyrën e Marjetës. Ajo grua e shtëpisë tani rrinte e shtrirë mbi shtratin e saj me sy të mbyllur, pa folur, pa lëvizur.
   - Babi! - i foli përsëri Ylli Kiços. - Çfarë ka mamaja?
   - Biri im! Mbahu i fortë. Je i rritur tani. Mbahu i fortë, ashtu siç po mundohem edhe unë të mbahem tani. Mamin duhet ta lëmë të qetë.
   - Babi! Mos më thuaj që mami... Zëri po i dridhej dhe nuk po i nxirte dot fjalët.
   - Po bir! Mami juaj dhe gruaja ime... - Nuk mundi dot Kiçoja t'i fliste të birit. Nga brenda vetes ndjeu një forcë të brendëshme dhimbje, që nuk e lejonte të fliste me të birin. U përqafuan të dy dhe qanin në krahët e njëri tjetrit.
Ylli nuk donte ta besonte që nëna e tij nuk jetonte më. Iu afrua përsëri të ëmës dhe e puthi. Mbështeti faqen e tij mbi faqen e saj.
Kiçoja i shihte veprimet e të birit dhe thoshte me vete: "Le të shmallet edhe pak për të fundit herë. Nuk do ta shohë më."
I përlotur, Kiçoja iu afrua të birit: - Ylli! Biri im. Duhet të më kuptosh edhe mua. Duhet të shpejtojmë, nuk kemi kohë.
Ylli e pa Kiçon në sy dhe mes dhimbjesh që ndjente, duke parë edhe dhimbjen në sytë e të atit, gjeti forca për të thënë: - Po babi! Të kuptoj. Mami iku. Mami nuk jeton më. Ku do shkojë mami tani...?
Dhe përsëri at e bir të përqafuar në krahët e njëri tjetrit qanin dhe vetëm qanin.
 
Marjeta ndëroi jetë!
Dhimbja e humbjes së Marjetës për familjen e Kiços ishte shumë e madhe.
Familja e tij kishte kaluar shumë dhimbje gjatë viteve të fundit, por vdekja e Marjetës ishte një tragjedi me një dhimbje më të madhe nga ato që kishin kaluar.
Marjeta iku nga jeta pa thënë asnjë fjalë. Ajo donte të thoshte shumë në ato çaste të fundit të jetës së saj, por nuk mundi. Ajo donte të kishte pranë në çastet e fundit të jetës së saj edhe Almën, vajzën e saj të shtrenjtë, ta shihte për herë të fundit, siç pa të shoqin dhe të birin, por vdekja nuk e la. Donte t'i thoshte shumë gjëra edhe asaj. Donte të fliste për pafajësinë e saj, se gjithë kohën, që nga dita kur familja e tyre morri tatëpjetën, ajo e ndjente veten "fajtore" për gjithë ato vuajtje që kaloi në jetë ajo dhe familja e saj...
Marjeta ndërroi jetë! Ajo bashkëshorte e ndershme. Ajo grua, ajo nënë, që jeta e dënoi pa të drejtë... Marjeta ndëroi jetë si njlë fajtore pa faj.
 
Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-09-14 11:18:52
Shume i bukur dhe interesant ky tregimi. 
Faleminderit Pierre-Pandeli Simsia per shkrimet e bukura dhe interesante. Jo vetem per brezin qe e ka jetuar ate kohe por edhe per brezin e sotcem te rinj jane shume te vlefshme tregime dhe ngjarje te tilla te bukura.  
Me keto shkrime brezi i ri i sotcem njihet me te kaluaren e prinderve te tyre ne regjimin komunist. 
Urime Pierre-Pandeli Simsia 
 
Monika

Koment nga GUEST më 2008-06-03 15:28:05
EDHE mua me pelqeu shum ky tregim i bukur .POR jo per brezin qe ka jetuar ne at koh por per ket brez te ri qe edhe te rinjet jan shum te vlefshme shum per kta tregima e kto ngjarjeaq te bukura e te tilla por te uroj shum Pierre-Pandeli Simsa ela


International
English
Faqe interaktive