Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow KulturĂ« arrow Dualizmi i krenarisë
Dualizmi i krenarisë PDF Print E-mail
21 Shtator 2007

Astrit Lulushi, SHBA

Historikisht është thënë se Shqipëria bashkëkohore (1912-) ka provuar dy lloj diktaturash; monarkinë dhe komunizmin, Në fakt këto janë dy anët e një diktature; ana e mirë dhe e keqe.

Më 1946, komunistët e shpallën Shqipërinë, Republikë Popullore. Dhe asgjë për t’u cuditur, kur vendimet merren me vota nën friksime. Gjithashtu kjo ishte moda lindore e asaj kohe. Por fakti që tërheq vemendjen është se mbreti  Zog, në mërgim, nuk e kundërshtoi këtë akt, megjithëse e dënoi, duke thënë se shqiptarët ndodheshin përpara problemeve më të rëndësishme sesa ajo e formës së regjimit; ata kishin të pazgjidhur cështjen e tërësisë territoriale.

Disa e shohin këtë si përgjigjen e një njeriu që ndjente përgjegjësi e krenari të vetdijëshme për punën e tij, përballë qëndrimit arrogant të atyre që krenoheshin me veprimet arbitrare.

 

Krenaria është vetbesim, shprehje emocionesh, që e bën njeriun të ndjehet mirë. Por pas krenarisë, rrënimi, thotë nje fjalë e urtë. Apo mos është; para rrënimit, krenaria? Dhe duket se krenaria është e dyanëshme.

Nëse shihet si shenjë paralajmëruese ndaj rrënimit, dështimit a humbjes, shprehja “pas krenarisë, rrënimi” tregon  prirjen e njeriut që me punën e tij përpiqet të shkëputet nga varësia e cilitdo, përfshi Unin. Ndërsa shprehja “para rrënimit, krenaria” duket se paralajmëron për krenari të tepruar të atij që mendon se është më i aftë se tjetri. Në këtë rast, duke vënë theksin tek Uni, ai përgatit rrënimin e vet.

Pra duket se krenaria është dualiste e përbëre nga ana e mirë apo prirja për pavarësi nga vetja dhe nga ana e keqe apo prirja për vetzotësi, me një vijë ndarëse shumë pak dalluese. Këtyre dy anëve të krenarisë, shkencëtarët u kanë dhënë nga një emër; të mirën e quajnë autentike dhe të keqën hubristike.

Krenaria autentike është e vetvetijëshme dhe si e tillë e mirë, e përligjshme. Fjala rrjedh nga greqishtja “autos”-“vet” dhe “hentes” –ndjenjë”.

Krenari hubristike, psikologët quajnë krenarinë e keqe, të dëmshme, e cila krijohet nga besimin e tepruar. Kjo lloj krenarie shpesh sjell rrënimin e atij që e mbart.

Hubristik është fjalë nga greqishtja e vjetër “Hy-bris”, por më prejardhje të pa njohur,  thonë fjalorët etimologjikë. Në se Yll > Hy > Hyjni – Zot, atëherë “bris” mund të kuptohet me shq. prek – prish. Për  “prish”, Sh. Demiraj mendon se rrjedh nga një indoevropianishte  *per -  godas, sulmoj.

Hy-bris përdorej në Greqinë e lashtë me kuptimin “fyerje ndaj Zotit”, Hyu preket, goditet, sulmohet, bëhet zheloz apo qejfprishur kur sheh se njeriu i beson më shumë vetes sesa Atij.

Në Greqinë e lashtë, Hy-bris quheshin veprimet që një njeri ndërmerrte për të poshtëruar viktimën, për të treguar se ishte më i fortë, më superior sesa ai. Trajtimi që Akili i bëri trupit pa jetë të Hektorit duke e tërhequr zvarrë për rreth murreve të Trojës, sipas Homerit,  apo vrasja e mbretit Laius nga biri i tij, Edipi, sic thote Sofokliu, sollën rrënimin apo fundin e heronjëve, pasi krenarinë e tyre e treguan duke u mburrur me veprimet poshtëruese për t’  dukur superior ndaj viktimave. Kështu ata prekën apo fyen Zotin duke shkaktuar zemërimin dhe hakmarrjen e Tij. Në Greqinë e lashtë veprime të tilla cilësoheshin Hy-bris,  kriminale dhe kur kryeheshin nga njerëzit e thjeshtë, për dënimin e tyre kujdesej mbreti, një lloj Perëndie në tokë, ndërsa kur Hy-bris kryhej nga mbretër a prijës, me dënimin e tyre merrej vetë Zoti.

Shkencetarët sot thonë se krenaria hubristike është një lloj narcisizmi apo krenari e njerëzve qe e marrin veten seriozisht. Duke e parë veten superiorë, ata besojnë se janë të imunizuar ndaj cdo ndikimi të jashtëm dhe  mendojnë se nuk kanë nevojë për askënd. Eshtë arroganca dhe vetmadhështa, më shumë sesa frika, që i shtyn ata drejt mbylljes apo vetizolimit.

Por kur një njeri mbaron me sukses një punë dhe ndjen se kjo arritje duhet vënë në dukje e lavdëruar, me këtë ai tregon se është puna e tij që duhet lavdëruar, jo ai vetë. Kjo është krenari autentike, apo ana e mirë e krenarisë.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive