Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Letersia arrow Vajza letrare
Vajza letrare PDF Print E-mail
07 Nentor 2007

Nga Pierre-Pandeli Simsia

(Tregim)
 
Ajo erdhi në  qytetin e madh e të zhurmshëm metropolitan, në qytetin vezullonjës nga miliona drita, në qyteti  që nuk fle kurrë, ku  nata e magjishme në atë qytet gjigand ngjan me një qiell të pafund  yjesh xixëllonjës.
Ishte trupimët, me sy të zinj të vegjël të futur brenda që  ngjanin si dy shpella të vogla, me nofulla të dala,  flokët e zinj të  mbledhura prapa, i krijonin një bisht të vogël. Fytyra e saj ngyrë  limoni shëndetligë, e tregoni  atë vajzë të kishte kaluar ndonjë  sëmundje të rëndë në jetë. Këtë e pranonte edhe vetë vajza, kur  numëronte lloje të ndryshme sëmundjesh që kishte kaluar në vitet e  fundit. Të saponjohurit, duke parë  shëndetin e lig të vajzës dhe  duke dëgjuar vuajtjet e saja në jetë e afruan në shoqërinë e tyre  që jeta e kishte goditur pa mëshirë dhe padrejtësisht.

 

E porsaardhura pak njihej nga bashkatdhetarët e saj të shumtë në
 qytetin gjigand, banore e përhershme e të cilit dëshironte të ishte
 edhe ajo, megjithëse dëshira e saj e zjarrtë ishte të njihej dhe të
 njihte shumë bashkatdhetarë...
Askush nuk e dinte si kishte ardhur ajo në atë qytet të madh
 metropolitan; legale apo klandestine. Disa zëra njerëzish thoshin se ajo
 kishte ardhur në atë qytet me të dashurin e saj të zemrës, të cilin,
 pasi kishin ndenjur të dy një javë në hotel duke thurrur ëndrat e
 tyre për një jetë të re në një botë të panjohur më parë,
 vajza e mrekulluar nga magjia e atij qyteti vezullonjës, e kishte
 braktisur të dashurin e saj. Arësyet nuk diheshin.
Tri valixhet dhe një çantë dore ishin pasuria e saj personale të
 sjella nga vendlindja. Mbante edhe një çantë të vogël, e cila mbeti
 mister për një kohë të gjatë.
E parrahur me jetën e re të një vendi të madh, vajza mendonte se
 jeta në botën e lirë do t'i hapte shumë rrugë në jetë. Nuk kishte
 gabuar dhe menjëherë hyri në kërkim të rrugëve të reja për të
 gjetur gjithshka. Asaj nuk i interesonin ato gjithshkatë, ajo
 kërkonte vetëm dëshirën dhe ëndrën e saj të vjetër që vetëm ajo e
 dinte dhe, për t'a realizuar atë ëndër të vjetër që i trokiste në
 ndërgjegjen e saj, vajza shpesh herë përdorte ato që mbante brenda
 në çantën e vogël dhe të mistershme. Mendonte se ato ishin
 çelësi i çdo suksesi.
Ata pak bashkatdhetarë që e njohën në fillim, me veprimet që
 bënte iu dukej pak misterioze ajo vajzë. Mënyra e të folurit dhe e të
 shprehurit të mendimeve të saja të linin të dyshoje, megjithatë
 bashkatdhetarët fajin ua vishnin sëmundjes që kishte kaluar ajo vajzë
 e vuajtur në jetë.
     - Unë jam e gjithanshme, pranoj të bëj çdo gjë në jetë...-
 fliste shpesh vajza e porsardhur, - por, talenti dhe profesioni im i
 preferuar mbetet krijimtaria letrare.
Me dëshirën e saj për të qenë përherë e dashuruar dhe e pandarë
 me krijimtarinë letrare, e sapoardhura kërkonte në atë qytet
 gjigand të botës së lirë të kapte në mënyrë të rrufeshme majën e
 saj të suksesit dhe për t'ia arritur kësaj, ajo kërkonte çelësin
 kryesor, që për të ishin njerëzit e mediave, gazetat e komunitetit
 që botoheshin në atë qytet gjigand.
"Nuk duhet humbur kohë, suksesi duhet të jetë i menjëhershëm" -
 mendoi vajza dhe u nis në rrugën e kërkimit të qellimit dhe
 dëshirës së saj.
Në çantën e saj të dorës të mbushur me libra të vegjël,
 përmbledhje me disa nga krijimet e saja, e porsaardhura mendonte që,
 përveç librave që do t'u dhuronte gazetarëve për t'i vendosur  si
 reklamë në faqet e gazetave të komunitetit nga do të përhapej dhe jehona
 e saj, pse jo, të shfrytëzonte edhe moshën e saj.
"E kush nuk do ta dëshironte ta joshte dhe shijonte trupin e një
 vajze 30 vjeçare beqare dhe, mrekullia do jetë përherë në favorin tim,
 sikur njerëzit e mediave të jenë në moshë madhore"
Fillimi për vajzën ishte i mbarë dhe fati i mirë kaloi në anën e
 saj.
Një ditë takon në rrugë një bashkatdhetarin e saj, të panjohur
 më parë.
Ishte vërtet rastësi takimi i tyre i papritur, apo dikush e kishte
 rekomanduar vajzën për t'u takuar me bashkatdhetarin? Këtë e dinte
 vetëm ajo.
     - Më falni... zoti bashkatdhetar... gazetar... Më lejoni t'ju
 prezantohem. Më quajnë... Jam krijuese...
Burri, bashkatdhetari i panjohur me mirësjellje ndaloi hapin dhe iu
 përgjigj zgjatjes së dorës së saj.
     - Kam kënaqësinë... të njihem me një gazetar...
     - Më lini t'ju spjegohem. Unë nuk jam gazetar; profesioni im nuk
 ka lidhje fare me gazetarinë, por më pëlqen dhe kam talent të
 shkruaj.
Vajza e dehur nga suksesi që e kishte takuar atë që po kërkonte dhe
 që kishte kohë që po e mundonte nuk e kishte mendjen çfarë po
 fliste ai, prandaj dhe nuk i dëgjoi fjalët e tija.
     - Kam nderin... oh, më falni, ndjehem tepër e emocionuar, e
 gëzuar, megjithëse ne, krijuesit, nuk duhet t'i pranojmë emocionet, ato
 janë pjesë e jetës sonë tani... Kam kënaqësinë e madhe të
 njihem me një ndër gazetarët më të mirë të komunitetit...
Vazhdoi të fliste pa e lënë të saponjohurin t'i përgjigjej, hapi
 çantën e saj dhe nxorri një libër të vogël. - Ky është  botimi
 im i fundit. Kam kënaqësinë t'ua dhuroj juve i nderuar gazetar.
Burri, nga ajo e papritur e çuditëshme e morri librin, i hodhi një
 shikim kapakut të librit, lexoi titullin dhe emrin e autores. Shfletoi
 shkujdesshëm fletët e librit pa i kushtuar rëndësi se çfarë mund
 të ishte shkruar brenda dhe pa e parë atë në sy e pyet: - I lexoni
 shkrimet e mija që botohen nganjëherë në gazetën e komunitetit?
 Besoj se do t'ju ketë pëlqyer shkrimi im i ditëve të fundit, kam
 marrë urime për atë shkrim.
Ajo, me një buzëqeshje të shtirur, lëvizi pak gjoksin para, duke i
 dhënë një lëvizje të lehtë trupit, me një shikim lozonjar
 vajzëror i tha: - Gazetari ynë i nderuar, duhet të dini vetëm një gjë;
 jeni i shumë i njohur në komunitetin tonë, shkrimet tuaja janë
 ndër më të pëlqyerat...
     - Më fal, - e ndërpreu burri. Ndjeu neveri nga ato fjalë të
 tepërta që po dëgjonte nga një vajzë e saponjohur. - Nxitoj, më
 duhet të iki - dhe i zgjati dorën për ta takuar.
Vajza u befasua dhe u ndje e ligësht. Edhe pse nuk e mendonte një
 përgjigje të tillë nga burri, vazhdoi me të njëjtën buzëqeshje të
 shtirur dhe lëvizje të lehtë të trupit - Oh, ju të më falni mua i
 nderuar gazetar; nuk dua t'ju pengoj në punën tuaj fisnike që bëni
 në shërbim të komunitetit. Ndjehem shumë e lumtur që j'u takova
 dhe j'u njoha... - I zgjati edhe ajo dorën për ta takuar, duke e parë
 ëmbëlsisht në sy.
Burri ktheu trupin dhe eci disa hapa. Nga pas dëgjoi një zë: - Zoti
 gazetar, zoti gazetar! - Ktheu kokën. Vajza e saponjohur ishte shumë
 pranë tij. - Zoti gazetar, më falni... harrova t'ua nënshkruaj
 librin.
Burri, që e mbante në dorë librin ia dha. Ai po shihte se si ajo, me
 kënaqësi dhe me duart që po i dridheshin shfletoi kapakun e librit
 dhe filloi të shkruajë në fletën e bardhë të tij: "...gazetarit
 tonë të nderuar, të mirënjohur dhe shumë të suksesshëm të
 komunitetit tonë..."
Ia dha përsëri librin dhe pa pritur që tjetri ta falenderonte me të
 njëjtën kënaqësi i tha: - Ju lutem, mund ta kem edhe unë numrin
 tuaj të telefonit?
Burri nuk foli, futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës. -
 Në këtë kartën e biznesit tim janë të shënuar numrat e telefonit,
 i shtëpisë dhe mobile.
Vajza sa nuk fluturonte nga gëzimi. I dha një përshëndetje
 falenderimi me mirësjellje që i la burrit të kuptojë se miqësia midis tyre
 do të vazhdonte edhe në ditët në vazhdim.
     " Pak të çuditëshme janë nganjëherë veprimet e disa
 njerëzve që merren me krijimtari letrare..." - mendoi ai. "Nganjëherë,
 ndjenja e të vetëkënaqurit të bën të humbësh kontrollin ndaj
 logjikës së të komunikuarit..." - Atij iu duk se në këto mendime
 përfshiu edhe veten e tij, meqenëse merrej me shkrime...
 
                                           
Pas njohjes me "gazetarin" gjendja  e gëzuar shpirtërore e vajzës
 ndikoi edhe në pamjen e saj të jashtëme të ndryshonte. Kënaqej
 shumë kur qendronte para pasqyrës dhe shihte veten e saj në anën tjetër
 të pasqyrës; I dukej vetja më e shëndetshme. Edhe pa përdorur
 pudrën dhe kremin, fytyra i dukej se po i ndryshonte gjyrë. Ngjyra e
 limontë e fytyrës i kishte ikur...
 
Kishin kaluar disa ditë që ishte njohur me "gazetarin"; ndjehej e
 trishtuar. I dukej se ai e kishte harruar atë. Ai nuk i kishte dërguar
 asnjë zile telefoni edhe pse ajo ia kishte shkruar numrin e telefonit
 të saj në fund të nënshkrimit në libër. Heshtjes së tij ajo nuk
 mund t'i përgjigjej me të njëjtën heshtje. Filloi t'i dërgonte zile
 telefoni të shpeshta, duke e joshur me fjalët e saja të ëmbla
 femërore. Nuk kaloi shumë kohë dhe midis tyre u krijua një shoqëri,
 "një miqësi e përhershme", do ta quante ajo, e cila ra shumë në sy
 edhe tek të njohurit e tjerë. Bashkëshortja e burrit nuk e pëlqeu
 atë shoqëri me atë vajzë krijuese. Të drejtën për të dyshuar për
 bashkëshortin e saj e kishte edhe ajo, kur shihte nganjëherë
 veprimet lozonjare të vajzës, (i kishte shkuar disa herë në shtëpi si
 kolegë) pavarësisht se ata të dy burrë e grua kishin shumë vite
 martesë dhe kishin rritur dhe edukuar tre fëmijë të lumtur, megjithëse
 vajza me zgjuarësinë e saj dinte të sillej kujdeshëm edhe me
 bashkëshorten e tij. Megjithatë dyshimet vinin dhe vallëzonin në mendjen
 e saj edhe pse nuk i shkonte mendja se bashkëshorti i saj mund ta
 tradhëtonte, por mosha 30-të vjeçare e vajzës sikur ia fshikte atë
 mendim.
 
     Në kafenenë, pronar i së cilës ishte një bashkatdhetar, disa
 klientë me gazetën e komunitetit në duar, bënë që vajza dhe
 "gazetari" të ishin qendra e bisedës.
Në faqen kryesore të gazetës ishte botuar një shkrim për vajzën
 krijuese, shoqëruar edhe me foton e saj, shkruar nga "gazetari".
 Gojëkeqët filluan e të flisnin...
Vajza nuk ua vinte veshin atyre çfarë mund të flisnin; asaj i
 interesonte qellimi i saj.
Si fillim, si me katapultë, ajo kishte kapur majën e suksesit që e
 mendonte, por ai sukses nuk duhet të ndërpritej, majat e sukseseve
 duhet të jenë të njëpasnjëshme. E dehur nga ai gëzim i papritur dhe
 shumë i vlerësuar për vajzën, dalja e fotos së saj në gazetë dhe
 një shkrim dedikuar asaj, e bënë atë të pakontrollueshme në
 veprimet e saja me njerëzit, veçanërisht me njerëzit e letrave.
 
Për çudinë dhe habinë e të gjithë atyre që i njihnin, miqësia e
 tyre nuk vazhdoi gjatë, pësoi një çarrje të fortë, deri në
 ndarje të përhershme.
"Gazetari" e kishte kuptuar me kohë, kur ajo, shpesh herë në
 komunikimin me të përdorte ato çfarë ishin brenda asaj çante të vogël
 të mistershme. Ato veprime të saja atij nuk i pëlqenin, madje për
 karakterin e tij të pastër mund të ishin edhe shkaku i një prishje
 të miqësisë, por ndarja e vërtetë e tyre kishte ardhur nga vetë
 vajza krijuese. Ajo ishte ndjerë e zhgënjyer me veten për qellimin e
 saj. I kishte përdorur kot ato "materialet e mistershme" të nxjerra nga
 çanta e saj e profesionit ndaj atij njeriu që nuk paska lidhje me
 gazetarinë...
     "Nuk punoj në gazetë" - i kishte thënë ai. - Unë shkruaj për
 komunitetin në ndihmë të komunitetit vullnetarisht. Këtë ta kam
 thënë që në ditën e parë të njohjes..."
 Vajza kishte shprehur habi dhe zhgënjim, donte të largohej sa më
 parë nga ai njeri, që nuk punonte gazetar në gazetë. Miqësia e tyre
 u thye njëherë e përgjithmonë.
 
Si gjithmonë me çantën e saj të vogël e të mistershme, vajza u
 nis përsëri në udhën e saj kërkimore për të gjetur miq të
 përhershëm për ta ndihmuar në ngritjen e emrit të saj si krijuese. Një
 ditë u gjend në redaksinë e gazetës së komunitetit. Donte të
 takonte në fillim kryeredaktorin e gazetës; po edhe një gazetar i
 thjeshtë, mjafton të ishte gazetar, punonjës në atë gazetë. Ajo nuk e
 njihte kryeredaktorin. Ai ishte një burrë i gjatë, thatim me flokë
 të verdha dhe pak të rëna. Sytë i kishte pak të dala nga foleja e
 tyre. Pozicioni i tij në punë i kishte dhënë të "drejtën" të ishte
 serioz dhe autoritar në detytrën e tij ndaj kolegëve të tjerë
 gazetarë. Tregonte një kulturë profesionale të vjetëruar e të
 trashëguar nga atdheu i tij. Për t'i dhënë edhe më tepër autoritet
 personit të vet, shpesh herë mundohej të ishte "korrekt" në detyrën e
 tij. Nxehej shpesh dhe pa shkak me kolegët e tij. Mundohej të gjente
 ndonjë shkak të vogël në punë për t'u folur ashpër dhe me ton
 të lartë. Ngjyra e fytyrës i skuqej edhe më tepër, duke i marrë
 ngjyrë të trëndafiltë dhe sytë e tij ngjyrë hiri i merrnin një
 zbardhje të theksuar. Prandaj dhe kolegët e tij të punës mes tyre me
 njëri tjetrin e thërrisnin "sy macja"
Paraqitja e tij e jashtëme dhe tryeza e tij e punës ku ishte vendosur
 në anën e djathtë, pas derës hyrëse të sallës së madhe të
 redaksisë, vajzës nuk i dha mundësinë të mendojë se ai do ishte
 kryeredaktori. Në sallë ndodheshin edhe gjashtë punonjës të tjerë të
 ulur në tryezat e tyre të  punës. Në tryezën përballë, rrinte
 ulur një burrë i pashëm rreth të 45-ave me flokë e sy të zinj.
Me buzëqeshjen e saj të shtirur dhe me një mirësjellje për ta
 pasur zili, vajza eci drejt tij. "Sigurisht, ky duhet të jetë
 kryeredaktori" - mendoi.
Kur kishte hyrë brenda e kishte parë burrin bjond në anën e
 djathtë që rrinte i përqendruar pranë kompjuterit dhe ajo i kishte hedhur
 një shikim shpërfillës, kur ai e kishte pyetur:
U përshëndet me burrin e pashëm dhe menjëherë filloi të flasë,
 duke përdorur materialet e marra nga ajo çanta misterioze. Mbeti e
 zhgënjyer, madje u hidhërua shumë, kur mësoi se bashkbiseduesi nuk
 ishte kryeredaktori ai që dëshironte ajo të takonte.
Ishte mjeshtre në ndërimin e shprehjes së fytyrës, në ndërimin e
 buzëqeshjeve dhe shprehjeve të fytyrës së saj. Kishte filluar t'i
 përdorte edhe më shpesh, kur dikush i kishte thënë: "Të shkojnë
 shumë shakatë..."
Kryeredaktori vazhdonte të lëvizte gishtat e tij në tastierën e
 kompjuterit dhe të shikonte në ekran atë çfarë po shkruante, ndërsa
 ajo qendronte në këmbë, përballë tij.
     - Zoti Kryeredaktor; të më falni për ndërhyrjen dhe
 shqetësimin në punën tuaj; edhe vetë nuk e dëshiroj një gjë të tillë të
 pengoj njerëzit në punën e tyre, veç kam nderin dhe mirësinë,
 t'ju dhuroj tre nga librat e mi të botuar, madje ky, është botimi im i
 fundit.
Kryeredaktori i hodhi një shikim të shpejtë vjedhurazi dhe, pa folur
 vazhdoi të shkruajë. "E çfarë mund të lexoj unë në ata libra...
 të vegjël" - mendoi.
Ato fjalë që i mendoi, pa dashur i shkruajti edhe në materialin e
 gazetës në kompjuter.
Kryeredaktoi u nervozua shumë, madje donte t'i fliste me ton të
 ashpër dhe të lartë, siç e kishte zakon, por u përmbajt. Nuk e zgjati
 shumë; për ta hequr qafe i tha: - leri aty dhe, më falni, por kam
 shumë punë tani...
     - Ju kuptoj i nderuar zoti kryeredaktor dhe për këtë j'u
 kërkojë ndjesë, veç të lutem... kur të kesh kohë të lirë mund t'i
 lexosh dhe besoj se do t'ju pëlqejnë çfarë është shkruar brenda.
Kryeredaktori përsëri i hodhi një shikim të shpejtë njërit prej
 kapakut të librave dhe diçka iu kujtua: - Nuk ka shumë kohë që
 gazeta jonë ka shkruar për ju dhe...
     - E di zoti kryeredaktor dhe për atë çfarë keni bërë j'u jam
 tepër mirënjohëse dhe j'u falenderoj shumë gazetën tonë të
 komunitetit dhe ju personalisht si kryeredaktor i saj.
     - Faleminderit - iu përgjigj ai me zë të ulët pa e parë në
 sy, duke vazhduar të shkruajë. Ajo e kuptoi mosdëshirën e tij për
 bisedë në ato çaste.
U largua nga ai dhe shkoi edhe në tryezat e tjera për t'i dhuruar
 gazetarëve të tjerë libra të saj.
 
Në ditët në vazhdim, për habinë e të gjithëve, u mësua se,
 midis kryeredaktorit dhe vajzës 30-të vjeçare ishte krijuar një miqësi
 e ngushtë. Edhe vetë punonjësit e asaj gazete nuk e mësuan dot
 "Pse- në" e asaj miqësie aq të rrufeshme. Ata dinin vetëm këtë se,
 në çdo tre-katër numra të gazetës, kryeredaktori urdhëronte të
 botoheshin pjesë të shkëputura nga krijimet e vajzës.
Edhe një pjesë njerëzish, lexues të gazetës, nuk po i pëlqente
 kjo që po ndodhte me gazetën e komunitetit. Interesimi për të lexuar
 gazetën po zbehej, gjë që ndikoi në rrënien e numrit të shitjeve
 të saja. Punonjësit e gazetës të shqetësuar shumë për këtë që
 po ndodhte me gazetën, duke parandjerë se falimentimi i saj mund
 t'ë rrezikonte edhe të ardhmen e tyre në punë, kërkuan që kjo
 praktikë të ndërpritej menjëherë. - Po vazhdoi kështu gazeta të mos
 shitet, do mbetemi pa punë... Po na merr më qafë symacja... -
 pëshpërisnin me njëri tjetrin punonjësit.
Kjo praktikë e kryeredaktorit vazhdoi më shumë se gjysëm viti. Nga
 rrënia e shitjes së gazetës, dy punonjës u shkurtuan nga puna.
 Botuesi i gazetës u alarmua për atë katastrofë që e priste gazetën e
 tij dhe që po shkonte drejt humnerës. Për gjendjen e rëndë të
 krijuar në gazetën e tij botuesi fajësoi kryeredaktorin dhe pa u
 thelluar shumë, e pushoi nga puna.
Lajmi i largimit të kryeredaktorit nga gazeta u përhap rrufeshëm në
 mbarë komunitetin. Disa pëshpërisnin se, shpesh herë
 kryeredaktori, përveç punëve të tjera...,  merrte edhe para nën dorë nga
 krijuesit amatorë, vetëm për t'u botuar shkrimet e tyre në faqet e
 gazetës.
Largimi i kryeredaktorit nga gazeta shqetësoi shumë edhe vajzën
 krijuese. Duhej gjetur një situatë e re. Si vajzë e zgjuar që ishte
 mendoi të veprojë si gjithmonë në favorin e saj. Përherë i vinin në
 ndihmë ato çfarë ishin brenda asaj çante misterioze.
Largimi i kryeredaktorit nga gazeta ndërpreu njëherë e
 përgjithmonë edhe miqësinë e tij me vajzën. Ish kryeredaktori këtë nuk e
 priste kurrë, për vetë miqësinë që kishte krijuar me atë vajzë. Ai
 i kishte dërguar disa herë zile telefoni, ndërsa ajo asnjëherë nuk
 i ishte përgjigjur. Kishte rastisur disa herë që ata të dy të
 shiheshin dhe të ndodheshin përballë njëri tjetrit në rrugë, por ish
 kryeredaktori tani për vajzën ishte një njeri krejt i panjohur,
 madje i neveritshëm...
 
Valixhet e vajzës të sjella me teshat personale nga atdheu i saj në
 atë qytet gjigand metropolitan u zbrazën, sapo ajo u sistemua në
 apartamentin për të banuar, ndërsa ajo, çanta e vogël e mistershme
 mbeti përherë e pazbrazur edhe pse vajza e përdorte shpesh në biseda
 dhe njohje të ndryshme në miq dhe shokë.
Ajo çantë misterioze ishte pjesë e pandarë e jetës së saj. Nuk
 mund të jetonte dot pa të. Aty brenda ndodhej shpirtushqyesi i saj për
 të komunikuar me njerëzit.
Përsëri vajza u nis në redaksinë e gazetës së komunitetit,
 sigurisht, me çantën e saj misterioze, të takonte gazetarët dhe të
 njihte kryeredaktorin e ri.
Vallë, a do kishte atë sukses të madh me kryeredaktorin e ri të
 gazetës si me kryeredaktorin e parë? Këtë ajo nuk e dinte, vetëm
 shpresonte, shpresonte gjithmonë në arritjen e suksesit të saj,
 përderisa përdorte ato çfarë ndodheshin brenda çantës së saj të
 mistershme: gënjeshtrat, mashtrimet, hipokrizitë, ngritjen e lavdisë së
 emrit të saj si krijuese letrare
Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive