Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Letersia arrow Lansimi i romanit të Besnik Mustafajt në panairin e librit Gaudeamus në Bukuresht
Lansimi i romanit të Besnik Mustafajt në panairin e librit Gaudeamus në Bukuresht PDF Print E-mail
28 Nentor 2007
Baki Ymeri, Bukuresht
 
Këto ditë, në Panairin Ndërkombëtar të Librit Gaudeamus, që është duke u zhvilluar në Bukuresht, u promovua romani “Verë pa kthim” i shkrimtarit Besnik Mustafaj. Paraqitjen e librit e bënë poeti dhe personaliteti i kulturës rumune, Cezar Ivanescu dhe studiuesi dhe përkthyesi i këtij romani në gjuhën rumune Luan Topçiu. I ftuar në këtë veprimtari ishte dhe Ambasadori i Shqipërisë në Bukuresht, z. Dashnor Dervishi. Në fjalën e tij, poeti dhe botuesi Cezar Ivanescu çmoi së tepërmi romanin e Mustafajt, duke theksuar se kjo nuk është përçapja e parë në promovimin e letërsisë shqipe nga ana e Shtëpisë Botuese “Junimea”, “sepse në vitin 2001  kemi botuar dhe romanin “Pallati i ëndrrave” të Ismail Kadaresë, me përkthim të Marius Dobrescu-t.”
    
“Verë pa kthim” ka qënë një befasi e madhe, dorëshkrimin e kam lexuar brenda një nate, me një frymë, me një rumanishte të mrekullueshme, falë përkthimit të shkëlqyer të zotit Luan Topçiu. Sepse vetëm kështu mund të lexohet një roman si “Verë pa kthim”, sepse është një roman dashurie, një roman për mbajtjen e fjalës së dhënë, një roman që të mban pezull, një roman me thellësi psikologjike, një roman për mundin e kthimit dhe të mungesës, një roman i mbushur me mitologjinë autoktone të shqiptarëve dhe ballkanasve”. – do të shprehej poeti Cezar Ivanescu në fjalën e tij. Ai, përpos të tjerash do të kujtojë një vizitë që kishte kryer në Shqipëri, në vitin 1971, me një delegacion të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë dhe shprehu dë shirën për të riparë Shqipërinë pas transformimeve demokratike. Një fjalë përshëndetëse mbajti dhe Ambasadori Dashnor Dervishi, i cili u ndal tek rëndësia e këtij autori në gjuhën shqipe, në kulturën moderne shqiptare dhe për rëndësinë që ka botimi i letërsisë shqiptare në rumanisht.
Studiuesi dhe përkthyesi Luan Topçiu, foli për letërsinë moderne shqiptare, për veprën e shkrimtarit Besnik Mustafaj, për jehonën e veprës së tij në gjuhë të rëndësishme europiane, për vlerën e romanit, për “teknologjinë” e ndërtimit të romanit duke e përqasur me autorë të tjerë evropianë dhe rumunë. Dr. Luan Topçiu e mbylli fjalën e tij duke thënë “se po e mbyll fjalën time duke ju ftuar që të lexoni romanin “Verë pa kthim” të shkrimtarit shqiptar Besnik Mustafaj, duke cituar nga kujtesa po një shkrimtar tjetër me origjinë shqiptare, Ernesto Sabato, që thotë se “Të lexosh një roman të një autori të huaj, është njësoj si të shkosh për vizitë në shtëpinë e tjetërkujt, ta njohësh nga brenda shtëpisë, të njohësh zakonet, njerëzit që popullojnë këtë shtëpi, marrëdhëniet midis tyre. etj.” Për këtë roman do të bëhen dhe promovime të tjera, duke nxitur debate dhe diskutime rreth tij nga lexuesit dhe specialistët e letërsisë. ( )
 
Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive