Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Kulturë arrow Gjak i shprishur
Gjak i shprishur PDF Print E-mail
11 Janar 2008

Astrit Lulushi

Mos i prek rrathët e mi, “Noli turbare circulos meos” - mendohet të kenë qenë fjalët e fundit të Arkimedit para se të vritej më 212 p.e.s.. Kjo tabu e vendosur prej tij do të zgjaste deri ne fillim të viteve 1600, kur Luca (Luka) Valerio botoi “De centro gravitates” dhe “Quadratura parabolae”, studime ku ai aplikoi metodat e Arkimedit për të përcaktuar masën dhe qëndrën e gravitetit të trupave të ngurtë; probleme  që vetë Arkimedi, me dashje ose jo, i kishte lënë pa zgjidhur.(Barone-2004)

Këto ishin dy zhvillime që rivendosën lidhjen e këputur që nga vdekja e Arkimedit midis matematikës e
fizikës. Galileu do t’a quante Valerion, Arkimedi i ri dhe teoritë e tij do të përdoreshin më pas edhe nga
Njutoni, Kepleri e Leibnizi për të bërë kapërcimet e tyre të mëdha në shkencat    përkatëse.(Freedberg-2002)?

 

Rreth Luka Valerios ekzistojnë pak të dhëna personale. Dihet se lindi më 1552 në Napoli dhe studioi në kolegjin e Romës ku morri doktoratën në filozofi, teologji e matematikë. Thuhet se ai pati një ndikim të madh tek Galileu që ky t’u rikthehej studimeve mbi gravitetin.

Nga letërkëmbimi i tyre historianët mësojnë se dy shkencëtarët për herë të parë u takuan më 1590  në Pisa ku Galileu jepte mësim në universitet dhe Luka Valerio kishte shkuar për të ndjekur nga afër eksperimentin që Galileu krey duke lëshuar nga maja e kullës dy trupa të ngurtë me masë të ndryshme për të vërtetuar se ato mbërrijnë njësoj në tokë dhe se teoria e Aristotelit mbi gravitetin ishte e gabuar. Më 1600, Valerio kthehet në Romë ku filloi të japë mësime në matematikë në universitetin Sapienza.

Gjithashtu nga leterkembimi midis dy shkencëtarëve mësohet se miqësia e tyre u ndërpre më 1616, kur Valerio kritikoi pikëpamjet kopernikiane të Galileut se dielli ishte qëndra e galaktikës dhe se toka
rrotullohej rreth diellit e jo anasjelltas. Në atë kohë pikëpamje të tilla përbënin krim fetar; Xhordano Bruno ishte djegur si heretik në turrën e druve, ndërsa Galileu do të dënohej nga inkuizicioni me
burgim të përjetshëm apo arrest shtëpie. Pas kësaj, Luca Valerio dha dorëheqjen nga Akademia Lincei ku bente pjesë Galleu e shumë shkencëtarë të tjerë. Por kjo dorëheqje nuk u pranua, ndërkohë që Valerio vazhdoi të punojë si ekspert i gjuhëve bizantine në arkivat e Vatikanit.

Nga testamenti i tij mësohet se gjithcka që kishte, Valerio ia la Giovani (Gjon) Latinit, pronar i një shtëpie botuese në Romë, që më 1623 do të botonte një libër mbi Skënderbeun, vepër per të cilën Valerio ishtë kujdesur që prej fillimit. Në testament, i hapur më 26 mars 1618, rreth 1 muaj pas vjekjes, Valerio shkruante se nëna e tij kishte ardhur në Napoli nga Korfuzi. Emri i saj i italianizuar  ishte Giovana Rodomani. Pas ikjes nga principata e Epirit (Shqiperia) ajo ishte vendosur në Korfuz,  atëhere nën zotërimin e Venedikut.(Favarro). Për shumë të ikur nga trojet e Arbërit, Korfuzi ishte kthyer në një vendstrehim të përkohëshëm e rrugë kalimi për në brigjet e Italisë. Dihet se pas vdekjes së Skënderbeut, më 1468, gruaja e tij, Donika dhe djali i tyre Gjon Kastrioti, në bazë të një marreveshjeje të më parëshme me italianët, lanë vendin me një anije napolitane e dërguar posacërisht për ta. Kruja ra në duart e osmanllinjëve më 1478. Venedikasit humbën shumë prej enklavave të tyre në Ballkan – Shkodra  e Durrësi ranë respektivisht më 1479 e 1501 – dhe e gjithë prinicipata i Epirit u bë pjesë e perandorisë osmane që tani shtrihej nga brigjet e Eufratit deri në Evropën qëndrore. Marreveshjet e mëtejshme të venedikasve dhe një aleancë e tyre me Francën  kundër kundër derës së Hazburgëve, bënë që otomanët të bëheshin qëndra  e politikave dhe konflikteve evropiane.

Aty rreth viteve 1590 Luka Valerio njihet në Romë me poeten Margherita Sarrocchi(Sarroki). Nën dritën  e zhvillimeve të kohës Valerio mund t’i kete sugjeruar asaj të shkruante dicka edhe për Skenderbeun, princin shqiptar të shek. XV që kishte penguar për 25 vjet përparimin e trupave osmane drejt Evropës perëndimore. Për t’a njohur më mirë me këtë histori, Valerio ndoshta i ofroi poetes edhe veprën e Marin Barletit, në atë kohë botuar, ribotuar e kopjuar shumë herë në italisht e në gjuhë të tjera. Në këtë rast Valerio mund t’i ketë treguar Sarrokit edhe historinë e familjes së tij. Kështu, ajo iu vu punës për veprën epike që do ta titullonte Scanderbeide-Poemë për Skënderbeun. Me këtë Sarroki duket se ndoqi shembullin e Homerit që e kishte quajtur poemën e tij, Iliade - Poemë për Iliumin-Trojën.(Russell-2006)

Duke shfrytëzuar lidhjet e mikut të saj me Galileun, një dorëshkrim të kësaj poeme, Sarroki nëpermejt Valerios ia dërgoi për vlerësim edhe shkencëtarit të madh. Për suksesin e veprës përgjigja dukej se ishte e mirëpritur, por nga një letër në arkivat e Galileut, del se ai nuk ndjehej mirë me shëndet prandaj nuk mund ta lexonte poemën.(Russell) Kjo ndoshta mund të ketë përkuar me periudhën e ftohjes së marrëdhënieve midis dy shkencëtarëve për shkak të teorisë se Toka rrotullohet rreth Diellit. Duket se shprehja “"Eppur si muove"” vlente për të zbutur kundërshtarët por jo miqtë.

Sarroki vdiq më 1617 dhe Valerio më 1618, ndërsa poema Scenderbeide doli nga shtypi vetëm më  1623, nën kujdesin e botuesit Gjon Latini, të cilin Valerio e kishte caktuar me testament si trashëgimtar të tij.

Shumë studiues jane përpjekur të përcaktojnë natyrën e lidhjeve midis Valerios e Sarrokit. Disa thonë  se ato kanë qenë personale e intime(Favarro, ndërsa të tjerë mendojnë se miqësia e tyre kushtëzohej nga interesa të tjera; Valerio përpiqej për të mbajtur gjallë figurën e Skenderbeut, ndërsa Sarroki synonte të shkruante një kryevepër, sic kishte bërë Virgjili me Eneidën - Poemë mbi Enean. Figura e Skënderbeut mbijetoi ashtu sic donte Valerio dhe  Scanderbeide pati sukses, sic dëshironte Sarroki, por fatkeqësisht, një numër studimesh e dorëshkrimesh shkencore të Luka Valerios sot konsiderohen të humbura a të shpërndara, ndërsa vetëm pak shqiptarë kanë dijeni se një figurë e tillë botërore i përket gjakut të shprishur.

Pak vite më parë, dy studiues italianë, Ugo Baldini dhe Pier Napolitano, njoftuan planet e tyre për një libër biografik mbi Luka Valerion, mbështetur në letërkëmbime e dokumente të botuara e të  pabotuara. Puna e tyre mund të ketë përfunduar, e megjithëse nuk ka dyshim se cështja e mosmarreveshjeve midis Galileut e Valerios pritet të zerë pjesën kryesore të librit, edhe prejardhja e Luka Valerios apo natyra e lidhjeve të tij me poeten Sarroki nuk mund të jenë lënë e as mund të lihen pa u trajtuar.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive