Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Kosova arrow Lëvizja nacionaliste në Pejë në vitin 1944
Lëvizja nacionaliste në Pejë në vitin 1944 PDF Print E-mail
09 Tetor 2006

 

Shkruan Eugen Shehu

Në vorbullën e Luftës së Dytë Botërore,u përfshinë brënda një sizmike të paimagjinueshme pothuaj krejt popujt e Evropës.Por,veçanërisht popujt e ballkanit,të influencuar prej interesave të të mëdhenjëve u gjendën përballë krizash të brendshme politike dhe etnike,çka e bënte më të ashpër luftën midis tyre.Shqiptarët e mbetur jahstë kufijve të shtetit të tyre amë,duke besuar në të drejtën e tyre për vetvendosje dhe bashkim kombëtar,në bazë të pjesmarrjes së tyre në luftën kundër nazifashizmit,u hodhën në luftë për të realizuar dy prej aspiratave të kahmotshme të tyre.E para,ishte ëndrra e përgjakur për lirinë që do të vinte nga gryka e pushkës,dhe e dyta,sendërtimi i idesë emblematike për bashkimin e tokave shqiptare ( të coptuara padrejtësisht në Londrën e vitit 1913) përkundrazi krijimin e Shqipërisë Etnike.

Më 8 shtator 1943,pikërisht kur gjenerali Ajzenhauer pati shpallur armëpushimin ndërmjet Italisë dhe forcave aleate,Gjermania ndërmori nismën institucionale për të njohur shtetin shqiptar,me ç’rast konstatonte shkëputjen e Shqipërisë nga perandoria romane.Ky fakt e nxirrte kombin tonë përballë të papriturave të reja,duke vënë në provë sa mençurinë politike aq edhe trimërinë e tij për t’u orientuar në kahjen e çështjes kombëtare.Për shkak të konfuzionit të krijuar pas largimit të trupave italiane,por sidomos për turp të disa bollshevizmave që hidhnin rrënjë çdo ditë e më shumë në trollin arbëror,u gjendën një grup burrash në shtetin amë,të cilët muarën mbi supe përgjegjsitë që shtronte zgjidhja e problemit nacional. Në kë të mënyrë në ditët e fundit të shtatorit 1943, në Tiranë u tubuan burrat ; Bedri Pejani,Dervish Biçaku,Ibrahim Biçaku,Xhafer Deva,Lef Nosi, Ahmet Dakli, Eqrem Telhaj,Ismail sefa,Xhelal Mitrovica,Mihal zallari,Vehbi Frashëri etj, të cilët formuan Komitetin Egzekutiv të Përkohshëm,qëllimi kryesor i të cilit ishte ruajtja e kufijve të Shqipërisë Etnike.Ndër të parët numra të gazetës “Kombi” të cilën e botonte pikërisht ky Komitet,ndër të tjera shkruhej tekstualisht ; “N’emën të kombit q’asht në rrezik,n’emën të atdheut shqiptar që rron apo nuk rron,n’emën të atyre që dhanë jetën për kët truall,n’emën të atyre që kan vdekë me emrin e Shqipnisë,mos të çelim ma plagë,mos të mbjellim përçarjen,mos të predikojmë vëllavrasjen” (Gazeta “Kombi” – Tiranë , më 19 tetor 1943 ).

Komiteti Egzekutiv,në ditët më pas zgjodhi Asamblenë Kombëtare, e cila për faktin se kishte në gjirin e saj përfaqsues nga krejt viste etnike shqiptare,mbarte mbi vete legjimitetin e krejt popullit tonë.Në ditët e fundit të shtatorit,ishte pikërisht kjo asamble e cila zgjodhi nga dy përfaqsues për çdo prefekturë,të cilët do të ishin në gjendje jo vetëm të ndiqnin në dinamikë problemet e prefekturave përkatëse,por edhe të mbanin lidhje të çdokohshme me Tiranën.Për viset e Kosovës u zgjodhën ;për Prefekturën e Prishtinës ; zotërinjtë ; Hysen Prishtina dhe Esat Berisha, për Prizrenin zotërinjtë ; Musa Shehi dhe Shaqir Curri, ndërsa për prefekturën e Pejës,zotërinjtë Rifat Begolli dhe Bajram Gashi. Vendimet në ditët e fundit të punimeve të Asamblesë ishin tejet të rëndësishme, madje këto vendime tongëllojnë aktuale deri në ditët e sotme.Këto vendime ishin ;”Me mbrojtë independecën e Shqipnisë dhe kufijtë saj Etnik,me riorganizue fuqitë ushtarake dhe me pergaditë kombin për sakrificat që do të kërkohen prej tij,me u bë ballë fuqive të armatosura të kombeve fqinje,nëse mësyjnë kufijtë tanë,me i dhanë qeverisë kombëtare ndihmë morale dhe materiale dhe me lanë mënjanë çdo armiqësi e marrje gjaku deri në mbarimin e luftës”.

Pikërisht këto vendime historike të marra në Tiranë,në fund tetorin e vitit 1943,u bënë devizë epunës,luftës dhe përpjekjeve jo vetëm të përfaqsuesve të Pejës në Tiranë,por krejt nacionalistëve atje.Burrat Rigat Begolli dhe Bajram Gashi,të cilët padyshim përfaqsonin dy prej fiseve më atdhetare në Pejën e asaj periudhe,ngarendnin në çdo vatër pejane,duke mbajtur të pafikur zjarrin e Shqipërisë Etnike.Në bisedat në odat e burrave,por edhe në kuvende të mëdha në Pejë e rrethina,ndërsa shpalosnin idetë e vyera të bashkimit për një Shqipëri independente dhe Etnike,nacionalistët pejanë,po ndesheshin gjithnjë ema shumë,me rezistencën e celulave komuniste po në Pejë.Ndonëse bisedimet në fillim ishin krejt të hapura dhe të sinqerta,këta trima nacionalistë nuk mundën të gjenin gjuhën epërbashkët me vëllezërit e tyre internacional.Pikërisht kjo kontradiktë jo e vogël,i bindi prijësit e nacionalizmit në Pejë,se krijimi i një fronti të përbashkët kundër okupatorit nazifashist nuk i interesonte strategjisë së partisë komuniste jugosllave, e cila mbante si busull në politikën esaj,elaboratet famkeqe të Garashaninin me kompani. Në këto rrethana,populli i Pejës, dërgoi përfaqsuesit e vet dhe në kuvendin madhor të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.Kjo organizatë ashtu sikundër shprehet edhe në programin e saj,kishte veç të tjersh si qëllim mbrojtjen e tokave të liruara dhe integrimin e krejt viseve shqiptare.Ky qëndrim atdhetarë i kësaj Lidhjeje u parapa veçanërisht në verën dhe vjeshtën e vitit 1944,atëherë kur forcat ushtarake të saj zhvilluan luftime të ashpra ndaj serbëve malazezëve dhe bullgarëve,në vijën Shkup-Bujanovc,vijë çka në mënyrë të përafërt përputhej me kufijtë tanë etnike.Përfaqsuesit e Pejës në Lidhjen e Dytë të Prizrenit,ndërkaq hodhën idenë se rreziku komunist ishte po aq i rrezikshëm dhe serioz sa ai i serbosllavëve dhe për këtë denoncuan veprimtarinë antikombëtare të komunistëve shqiptarë dhe atyre serb në Pejë e rrethina.Për hir të së vërtetës duhet të them se,ndër organizatorët e nacionalizmit në pejë ka qenë atdhetari i shquar Hasan Begolli,nga kulla plot histori e Bgollëve. Duke patur edhe miqësinë e Derrallëve ( derës së shquar në vise të Maqedonisë shqiptare) Hasani disa herë në Tiranë pati marrë kontakte me liderë të “Ballit Kombëtar” siç ishin Mid’hat Frashëri,Hasan Dosti,Fuad Dibrën,Rauf Fratarin etj.Hasan Begolli do të ngarendëte në çdo vis të Pejës duke ndihmuar më të varfërit duke ndikuar që djemtë dhe vajzat pejane të ndiqnin kurset për mësimin e gjuhës shqipe,duke mobilizuar tek embramja qindra djem e burra që të rrëmbenin armët e të mbushnin radhët e formacioneve të Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare.Ndërkaq i përkrahuar edhe prej intelektualëve të tjerë nacionalistë të Pejës,Hasan Begolli pat shpalosur i pafriguar kredon e tij se vetëm “Balli Kombëtar” dhe idetë e mbrojtura prej kësaj force politike dhe ushtarake mund të shpëtonin çështjen kombëtare.Përallat e Miladin Popoviçit,kinse kufijtë e ardhshëm midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të zgjidhen me bashkëpunim vëllezëror,ishin demaskuar qysh herët nga nacionalistët pejanë.Lidhur me veprimtarinë e nacionalistëve shqiptarë në Pejë duket se ka qenë e interesuar sidomos organizata e partisë komuniste jugosllave aty.Komanda e ushtrisë jugosllave,nepërmjet informacioneve të shumta,kërkonte me çdo mjet të njihte politikat dhe strategjitë e nacionalistëve,pasi shihte tek këta një nga barrierat e vështira për të ngritur dhe konsoliduar pushtetin e vet,sipas modelit të sovjetëve.Është interesante kur sheh se çfar informacioni me hollësi,i dërgon komendës së vet ushtarake,njëri prej veprimtarëve komunist në Pejë.Pasi flet për veprimtari konkrete të Ballit Kombëtar aty,letërshkruesi i kumton eprorit të vet se efekti i fjalëve dhe i veprimeve të ballistëve,bën shumë efekt ndër masa.Madje këtë veprimtari e kryente edhe vetë prefekti i Pejës i cili në pamje të parë të jepte përshtypjen e një komunisti.”Përveç këtyre,vijonte letërshkruesi,veprimtarinë e prefektit dhe të Hasan Begollit e përkrahin edhe Hysen Murati me shokë,të cilët veprojnë mu si ballistët në Shqipëri”(Qarkori i Dukagjinit , k.nr.12/4 dok.665 ).

Në fillim të vitit 1944,në Pejë nuk munguan edhe disa aksione sporadike ndaj forcave gjermane të dislokuara aty.Këto aksione inicoheshin më së shumti prej komunistëve jugosllav,të cilët kërkonin me çdo kusht të egërsohej makina ushtarake gjermane,me ç’rast nuk do të mungonin edhe reprezaljet në popull.Këta komunistë që patën marrë mësime nga sllavokomunistët dështuan në Pejë,edhe lidhur me dërgimin e deputetëve në Konferencën e Bujanit.Ndonëse Komiteti krahinor i Partisë Komuniste Jugosllave pati caktuar si përfaqsues të Pejës për në Bujan 8 vetë,nga këta vetëm tre shkuan.Pas këtij fakti organizata komuniste në pejë,pati kritika tejet të ashpra sidomos nga përfaqsuesi i Beogradit për Kosovë,Miladin Popoviç.Në këtë kontekst duhen parë edhe veprimet e organizatave komuniste në Pejë,për të futur sa më shumë pejanë në aradhat nacionalçlirimtare,madje nuk munguan të caktojnë edhe Halil Metën,Shpend Dedën etj,të bashkërendonin veprimtaritë komuniste në Pejë me atë të krahinave të tjera,përkitazi me Malësitë e Hotit,të Dibrës dhe të Shalës.Në kundërshtim me komunistët e Pejës,të cilët i shmangeshin trajtimit të drejpërdrejtë të ardhmërisë së Kosovës,burrat e ndershëm nacionalistë të saj,kërkonin me çdo mjet e mënyrë që të ruhej bashkimi administrativ me Tiranën dhe të vijonin përpjekjet politike ushtarake në ruajtje të kufijve tanë etnik.Veçanërisht kur në shtetin amë,pas konferencës së Mukjes (1-2 gusht 1943) forcat komuniste të klikës së Tiranës u vunë në përpjekje të hapur me armë kundër nacionalistëve të “Ballit Kombëtar” dhe “Legalitetit”,kjo vëllavrasje rezonoi dukshëm edhe në Kosovë.Ndonëse aradhat partizane në pejë ishin të papërfillshme përballë forcave të Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare,këto u përpoqën me çdo kusht të sabotonin vizionin atdhetar të Shqipërisë Etnike.Këtë e zbulon fare mirë edhe një letër ku Miladin Popoviçi,midis të tjerave i shkruan Pavle Joviqeviqit, të dërguarit të Titos në Kosovë ;”Ti ke të drejtë kur thua se suksesi i luftës sonë varet shumë nga Kosova.Është e qartë se jo vetëm që varet,por Kosova ka rol vendimtar në luftën tonë. Kështu nëse armiku do të arrinte të mobilizonte kosovarët në luftë kundër nesh,atëherë ne do të gjendeshim ngushtë,apo më mirë me thënë në pozita kritike.Nëse kosovarët nuk nisen kundër nesh, atëherë në Shqipëri do të arrinim të mposhtim reaksionin”.( Arkivi i Komunistetit krahinor të PKJ për Kosovë dhe Metohi, k.nr.2/10).

Siç shihet nga këto rreshta të letrës së mësipërme,ndonëse Popoviç ishte cilësuar nga klika komuniste e Tiranës si një ndër miqtë e mëdhenj të Shqipërisë, në arsyetimet dhe idetë e veta nuk iu shmangej nga suazat e vendimeve shovene ekspansioniste të marra në Beograd.Duke mos i përmendur fare kufijtë etnike shqiptare,vërtetë Popoviçi dëshmonte shovenizmin e egër sllav ndaj zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare.Ndërkaq duke hedhur idetë për mposhtjen përfundimtare të “reaksionit” shqiptar,ai kërkonte tek embramja të minonte krejt lëvizjen nacionaliste në Kosovë e vise të tjera shqiptare nën Jugosllavinë e vjetër.Kanë qenë këto disa prej arsyeve,që nacionalistët e pejës,përfshi këtu edhe prefektin Nexhip Bashën ( të vendosur në shkurt 1944) jo vetëm nuk pranuan të hyjnë në bisedime me emisarët e Popoviçit në Pejë,por organizuan një varg veprimtarish politike epropagandistike në kundërshtim të plotë me qëndrimet dhe flirtet “internacionaliste” të Tiranës dhe Beogradit,përfshirë këtu edhe lëvizjen e armatosur për t’i shërbyer aspiratës së madhe të Shqipërisë Etnike.E shoh me vend të sjell në këto shënime edhe vlersimin e udhëheqësve kryesorë të nacionalçlirimtares së Pejës,të cilët ndiqnin nga afër veprimtarinë e nacionalistëve.Në një raport që ata i dërgonin Prishtinës dhe që më pas sigurisht merrte rrugët e beogradit,pos të tjerave shkruhej tekstualisht ;

“1-Balli Kombëtar,udhëheqësi Haris T(h)anasi,Hasan e Teufik Begolli.Ndërmjet tyre ka mosmarrveshje.Harisi kërkon organizimin e çetave balliste dhe luftën ehapur kundër LNÇ-së.Teufik e Hasani kërkojnë heshtje se nuk e kanë mbëhstetjen e masave.Në përleshjen eventuale me LNÇ-në ata mendojnë se jo vetëm që nuk mund të fitojnë por do të përjetojnë shkatërimin e plotë të Ballit Kombëtar.Mbledhja e fundit dështoi megjithë këmbënguljen e Harisit.Ata dita në ditë po demaskohen dhe po e humbin ndikimin.

2-Legaliteti mori hov në mes oficerëve.Dy të tretat e oficerëve janë antarë të kësaj partie.Më i dalluar është Miftar Jegeni,kapiten xhandarmërie,Ramë Vojvoda,kapter ushtrie etj.Janë aktiv edhe Sadriu(...) dhe Qerim Begolli.Ndër masa nuk ka veprimtari të gjallë.

3-Lidhja e II e Prizrenit për Mbrojtjen e Kosovës,udhëheqës Nexhib Basha,Bedri Pejani,Qerim Begolli,Teufik Begolli dhe Bajram gashi.Veprojnë në Pejë e rrethe dhe kanë mjaft ndikim,sidomos aty ku ndikimi ynë është i dobët.Shpërndau shpallje në gjuhën shqipe të KQ të Lidhjes së Prizrenit,në të cilën thuhet se komunistët e lanë Kosovën nën Jugosllavi,ndërsa serbëve u thuhet se komunistët u sjellin mjerim dhe nëse rrinë të qetë do t’i gëzojnë të gjitha të drejtat.Po kështu,në shpalljet në fjalë thuhet se Kosovën do ta sulmojnë partizanët së bashku me çetnikët.

4-Partia e irendentizmit nuk ka përkrahës në këto anë.Udhëheqës është Shefqet Shkupi.Në të anëtarë janë kryesisht intelektualë të vjetër.Për programin dhe veprimet e tyre nuk kemi të dhëna...

5-Çetnikët janë ngjallur e kanë ardhur edhe të tjerë nga Mali i Zi,së bashku me gjermanët.Ata propagandojnë por nuk kanë ndikim të madh”.( Arkivi i Komitetit Krahinor i PKJ-së K.nr.13/43. dokument 788 ).

Ndonëse ky dokument vlen të shihet me rezervë,(pasi propaganda demagogjike komuniste nuk pranonte asesi që “reaksioni” të ishte i fuqishëm,gjithsesi ai hedh dritë mbi veprimtari dhe njerëz konkretë.Pamvarsisht shprehjeve në këtë raport,se kinse ballistët në Pejë po e humbnin ndikimin, nëse shihet ky mendim në kontekst të ngjarjeve,merret lehtë me mend se është demagogji cinike,çetat e Ballit Kombëtar në Pejë,jo vetëm ishin në gjendje të marrin qetësinë e vendit,jo vetëm ndihmuan qeverinë e Tiranës për të vendosur pushtetin e saj,jo vetëm nisën të çelin shkolla shqipe,por nuk munguan të dërgojnë edhe qindra vullnetarë të tyre në mbrojtje të kufijve etnike shqiptare,në bashkëpunim me formacionet ushtarake të Mbrojtjes Kombëtare.Prej tyre janë dhjetra e dhjetra djem e burra pejanë të cilët vaditën me gjakun e ngrohtë,kufijtë etnike shqiptare në luftë kundër okupatorit serb e malazias.Një ndër moomentet ku u evodentua intuita dhe pjekuria e “Ballit Kombëtar” në veprimtarinë e vetë atdhetarëve në Pejë,është padyshim shmangia sa më shumë të ishte e mundur prej luftës vëllavrasëse.Këta udhëheqës të çetave nacionaliste,në ndonjë rast pranuan madje të kishin në radhët e tyre edhe përfaqsues të nacionalçlirimtarëve,por kur panë se këta të fundit kishin për mision shkatërimin e misioneve atdhetare të këtyre çetave,i larguan menjëherë prej radhëve të tyre.Pas kësaj manovre të dështuar,nacionalçlirimtarët e Pejës u përpoqën t’i ngrinin kurthe të reja nacionalizmit,duke ngarendur për kinse krijimin e këshillave të mëhallave,në të cilën do tëpërfshiheshin burrat më të dëgjuar,pavarsisht bindjeve të tyre partiake.Por edhe kjo manovër e komunistëve pejanë dështoi që në fillim,pasi ata kërkonin të vinin në jetë idetë dhe vendimet e ardhura nga Beogradi dhe jo shqiptarizmin që ofronin dyert dhe zemrat e pejanëve trima.Ngase lëvizja nacionaliste në Pejë e rrethina,ishte në sinkron të plotë me nacionalizmin shqiptar,ngase veprimtaritë atdhetare ishin kurdoherë në funksion të krijimit të Shqipërisë Etnike,në pranverën e vitit 1944,ashtu sikundër vërtetojnë edhe dokumentet serbe ishin me qindra familje serbe e malazeze të cilët ngase patën shkuar në Pejë pas vitit 1913,si shkak i politikave kolonizuese të Beogradit u detyruan të lënë trojet dhe shtëpitë e shqiptarëve,për t’iu drejtuar vendeve nga kishin ardhur.Përshpejtimi i shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve nga trojet etnike shqiptare,në mënyrë të natyrshme do të krijonte përshtypje jo fort të këndshme tek komunistët jugosllav,të cilët militonin në radhët e nacionalçlirimtarëve shqiptarë.Kështu në një prej telegrameve të atyre ditëve,Bora Moraciqi i shkrunate Beogradit se,pos të tjerave :”Përgaditja e shüesh enjerëzve për brigada e pastaj shtyrja e këtyre shkuarjeve po ndikon shumë në moralin e njerëzve tanë,kështu që shumë shkojnë në Serbi dhe shpërngulja nuk po pengohet.Në shtimin e kësaj shpërnguljeje po ndikojnë edhe kolona e pestë,ballistët... Që të pengohet sa më shpejt kjo dukuri duhet siguruar sa më shpejt lidhjet.Për këto lidhje duhet lutur shqiptarët dhe bile duhet paguar ata”.(Arkivi i Komitetit Krahinor të PKJ-së.kutia.nr.13/40 . dok 781 ).

Në mënyrë të veçantë në verën e vitit 1944,lëvizja nacionaliste në Pejë u rrit së tepërmi.Kjo falë organizimit të brendshëm të nacionalistëve pejanë,si dhe ndihmës së ardhur nga Tirana.Vetë shkuarja në Kosovë e batalionit “Besnik Çano”,luftimet e zhvilluara nga ky batalion në ruajtje të kufijve tanë etnike,i dhanë një hovë më të madh shqiptarizmës në Pejë e rrethina.Janë një varg aksionesh të çetave pejane kundër çetnikëve serbo-malazez.Madje edhe në vjeshtën e vitit 1944,atëherë kur konjukturat politike në Evropë po favorizonin komunistët,kjo lëvizje askurë nuk u shua.Është kjo arsyeja që në nëdorin e vitit 1944,Miladin Popoviqi u dërgoi një qarkore të gjithë komisarëve politikë në Kosovë,ku kërkonte të merreshin masa të mënjëhershme luftarake ndaj nacionalistëve shqiptarë.Midis të tjerave në këtë qarkore ai shprehej,qartë ;”Edhe pse Kosova-Metohia janë pa pushtues ne nuk sundojmë të gjithë terrenin.Pengesat janë bandat e armatosura që përhapin shovinizëm.Bandat duhet likuiduar energjikisht dhe pa mëshirë.Tokat e atyre që nuk dorëzohen deri në afatin e caktuar do të konsiderohen të shtetit e këtë do ta bëjnë shtabet.Në fshatrat që është bërë rezistencë duhet gjykuar menjëherë e fshatarët t’i çarmatosë. Zëvendëskomisarët duhet të lidhen me sekretarët e komiteteve të vendeve dhe ata të komiteteve të rretheve... Në fshatrat ku kalojnë njësitë tona,për vëllazërimin e bashkimin dhe lirinë, e cila vlen edhe për shqiptarët e që për kët¨üe ata edhe më tej duhet luftuar.Njësitet duhet ndihmuar formimin e KNÇ-ve duke zgjedhur njerëzit më të ndershëm nga ai vend.Emrat e k¨shilltarëve duhet shënuar në formularët që po jua dërgojmë.Në fshatrat e çliruara njësitet duhet të formojnë edhe organizatat antifashiste.Në fshatrat ku egziston mundësia të organizohen shfaqje me tematikë me të cilat ngritet niveli kulturorë i masave shqiptare dhe luftohet shovinizmi e të afirmohet vëllazërim –bashkimi me serbët dhe malazezët”.(I.Hoti “Të dhëna të panjohura për Luftën e Dytë Botërore në Kosovë”- Prishtinë 1999 , faqe 178-179 ).

Pas këtyre masakrave represive,është e lehtë të nënkuptohet se çfar e priste nacionalizmin pejan dhe më gjërë.Megjithatë ndonëse u goditën pamëshirshëm,ndonëse u masakruan dhe terrorizuan,ky zjarr i nacionalizmit në Pejë nuk u shua.Edhe në vitet që rodhën më pas ai u transmetua dhe përcuall i lavdishëm nga gjenerata në gjeneratë.


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-02-06 10:55:16
Respekt zoti Eugen Shehu,per nxjerrjen ne drite te shume gjerave,burimeve Historike,te cilat ndryshe jane inskenuar dhe paraqitur nga armiqet tone,duke pasur parasysh mungesen e burimeve te lira informative te kohes.Ju jeni nje histori e gjall e Kombit,ne dejt tu buron gjaku i pasur Shqiptar ne shpirtin tuaj e shof se flen Shqiperia Etnike.Me respekt Ahmet Ahmeti Nyrnberg Gjermani

Koment nga GUEST më 2007-11-18 01:13:25
I KENI HARU MI QIT EDHE DY EMRA TJER TE CILET DHAN KONTRIBUT TE MADH DHE POASHTU U VRAN NGA SERBET SEFEDIN BEGOLLI (BEU I PEJES)KRYETAR I BASHKESIS SE PEJES DHE XHEVAT BEGOLLI PREFEKT I PEJES.X

Koment nga GUEST më 2008-01-18 14:21:12
rrespekt te gjithve...ju lus te me tregoni qka ju thot emri ANTON VILA ndonse ballist,i burgosur politik nga ana e partizanve!  
 
Faleminderit.


International
English
Faqe interaktive