14 Prill 2008 |
A.L.
Vëzhgimi drejtpërdrejt është mënyra e vetme për të njohur vërtetësisht dicka dhe gjithcka; send, ngjarje, grup, person. Por një mënyrë e tille është jo-praktike. Në fakt është e pamundur kur ajo që synohet të njihet a kuptohet është e pakapshme, si për shembull e kaluara.
Njohja, kuptimi, përftimi i një objekti, ideje ose emocioni, të gjitha përbëjnë përvojë, e cila krijohet nëpërmejt kontaktit që nxit ndjenjën e mendimin. Kur e kaluara nuk është e pranishme, e s’ka si të jetë, as pervoja nuk ka si të përftohet prej asaj që mungon.
Fakti që e kaluara, historia, dhe jo vetëm ato, shpesh debatohen është se për të vlerësuar, gjykuar a kuptuar të kaluarën njerëzit nisen nga e tashmja duke bërë një “rindërtim” të përvojës, e cila në raport me të kaluarën gjithmonë mbetet e përafërt e kurre nuk arrin të bëhet e plotë. Dhe mes dy të këqijave, e keqja më e vogël; më mirë njohje e supozuar, sesa nje njohje e shtrembëruar.
Kështu në një farë mënyre historia është e padrejtë, por njëkohësisht e jashtëzakonëshme për nga ndikimi. Një komb jeton 30 shekuj e me gjatë; një njeri jeton 70 vjet e më shumë. Megjithatë në disa pika një komb duket si njeri; të dy lindin, zhvillohen, sëmuren, vdesin. Kombi ka karakter, mendësi, moral, që shfaqen prej fillimit e zhvillohen nga një epokë në tjetrën, por gjithmonë duke ruajtur cilësitë bazë, që nga prejardhja e deri në ngritje, zhvillim, rënie e rrenim. Ky karakter është përvoja, që dallohet në jetën e një kombi njësoj si në në jeten e një individi.
Legjenda ose miti, thotë R. Barthes, është formë dhe ide. Forma është e ndryshueshme, edhe mund të shkatërrohet. Kjo bën që miti të humbasë besueshmërinë, por jo përjetësinë, sepse idea mbetet.
Historianët thonë se në një farë mënyre, historia i kundërvihet mitit, por vetëm pasi ka marrë ose është ndikuar prej tij.
Kur Romuli, thotë legjenda, mbërriti në luginën mes 7 kodrave, ku sipas profecisë do të ngrinte qytetin e famshëm, ai hapi me parmende një brazdë të thelle përrreth dhe e shpalli atë kufirin e vendbanimit të ri. Kush dëshironte të banonte në të duhej të hynte i paarmatosur. E ardhmja e qytetit varej jo më shumë nga ligji sesa nga zbatimi i tij nga të gjithë. përfshi Romulin, i cili vrau vëllanë e tij Remin, kur ky nuk pranoi të dorëzonte shpatën. Kush pas kësaj do të merrte guximin qoftë edhe të mendonte se ligji mund të shkelej? Kjo është legjendë, e vërteta e përafërt e supozuar, histori; bazë për karakter, moral, përvojë për njeri, komb a shtet.
|
|