Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Politika arrow Sa ėshtė i involvuar Samarxhiqi nė destabilizimin e gjendjes sė sigurisė nė Kosovė?!
Sa ėshtė i involvuar Samarxhiqi nė destabilizimin e gjendjes sė sigurisė nė Kosovė?! PDF Print E-mail
14 Prill 2008

Faton Mehmetaj

Loja e rrezikshme e “dublerëve” të Millosheviqit

Samarxhiqi dhe klani i tij, që në fillim janë duke tentuar që të bëjnë legalizimin e strukturave paralele serbe në Kosovë, duke tentuar ta bëjnë realitet krijimin e entitetit serb në Kosovë. Në këtë kontekst duhet shikuar edhe tendencat e Serbisë për të organizuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë (më 11 maj) edhe në Kosovën e pavarur. Lejimi i mbajtjes së këtyre zgjedhjeve bartë mbi vete rreziqe të shumta. Kjo është edhe një sprovë tjetër që i vë në dyshim disa koncepte të pavarësisë dhe legjimitetit të udhëheqjes kosovare

Hapja e zyrave ministrore të Serbisë në Kosovë, me qendër në veri të Mitrovicës, që u bë më 10 dhjetor të vitit të kaluar, me nisiativën dhe nën mbikëqyrjen e të ashtuquajturit ministër serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiq, ishte tregues i qartë i parapërgatitjeve shtetërore serbe për ta penguar njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në vazhdën e kësaj, veçanërisht, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe përkundër njohjes ndërkombëtare nga shtetet më të fuqishme të botës, qeveria e Serbisë është duke bërë luftë të përmasave shumëdimensionale për ta penguar jetësimin e shtetit të Kosovës. Një gjë e tillë, në të ardhmen e afërt mund ta rrezikojë dukshëm stabilitetin e Kosovës, madje jo vetëm të saj, i cili fillimisht po mbahet konstant edhe përkundër ngjarjeve kërcënuese dhe provokimeve të rënda nga pala serbe, të cilat po ndodhin çdo ditë brenda hapësirave të kufijve të Kosovës, duke filluar nga djegia e pikave doganore dhe incidentet në katër pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë dhe vazhdimi i agresionit nga militarë e paramilitarë serbë nëpër pikat tjera përgjatë brezit kufitar Kosovë-Serbi, sidomos dhuna e shprehur në Merdar dhe Mutivodë.

Organizimi i luftës speciale

Agresioni serb e arriti kulmin me pushtimin e gjykatave në pjesën veriore të Mitrovicës, akte këto që e vunë në sprovë UNMIK-un, KFOR-in por edhe pushtetin vendor. Trazira të përgjakshme ndodhën më 17 mars në Mitrovicë, me ç’rast nga ana e “protestuesve duarthatë” serbë u plagosën rëndë e lehtë me armë zjarri dhjetëra policë ndërkombëtarë e ushtarë të KFOR-it. Prej tyre, një polic ukrainas humbi jetën.

Nuk ka asnjë dyshim se fillet e ngjarjeve tragjike të 17 marsit 2008, ndërlidhen me vizitën e të ashtuquajturit ministër serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiq, që ishte vizita e tretë e tij në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Mu në këtë kohë, pasi i kishin shtyrë punëtorët e gjykatave dhe pjesëtarët e MUP-it serb të uzurpojnë objektet e gjykatave në veri, Samarxhiq, në emër të Qeverisë së Serbisë, kishte ardhur për të negociuar dhe kishte kërkuar zyrtarisht nga UNMIK-u që qeveria e Serbisë së bashku me përfaqësuesit ndërkombëtarë ta marrë kontrollin në enklavat serbe. Madje, ai pati thënë se ia kishte dorëzuar zëvendësshefit të UNMIK-ut, Lari Rosin propozim-marrëveshjen për zbatimin e Rezolutës 1244, për situatën e krijuar pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Pos kësaj, Samarxhiq ka thënë t’ia ketë dorëzuar Lari Rosinit propozim-marrëveshjen për zbatimin e Rezolutës 1244 në situatën e porsakrijuar “për të mos shkuar ‘ad hoc’ nga situata në situatë, nga incidenti në incident”, duke theksuar se i mbetet UNMIK-ut që të përgjigjet në propozimin e dorëzuar.

Me sa është parë deri më tani, Samarxhiq së bashku me kryeministrin serb në dorëheqje, Vojisllav Koshtunica, që me të drejtë po quhet “dubleri” i Millosheviqit, janë organizatorët dhe nxitësit kryesorë të protestave dhe akteve të dhunshme të serbëve në Kosovë.

Çuditërisht, Samarxhiq, më 16 e 17 mars, ishte për një vizitë dyditore në Kosovë dhe pas ngjarjeve të përgjakshme që ndodhën më 17 mars 2008 në vazhdën “e revoltës” së serbëve pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Sllobodan Samarxhiq, mbase i befasuar me kundërpërgjigjen e UNMIK-ut dhe KFOR-it në Mitrovicë, kërcënoi: “Serbët nuk janë të dhunës. Këtë që na e kanë bërë, do t’ua kthejmë atyre”.

Në vazhdën e veprimtarisë kundër Kosovës, Samarxhiq, ka organizuar një propagandë të ashpër për bojkotimin e shtetit të ri të Kosovës, duke përdorur mekanizmat shtetërorë serbë, përmes të cilëve në shkallë të lartë është bërë organizimi i luftës speciale, si rezultat i të cilës janë prodhuar një varg incidentesh të vazhdueshme, veçanërisht në vijën kufitare, me pretekst që kufiri ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë të mbetet vetëm kufi administrativ dhe jo kufi midis shteteve. Kjo ka ndodhur sidomos pasi që Serbia është bindur se nuk është në gjendje të aplikojë ndërhyrjet e armatosura në shkallë të gjerë kundër Kosovës.

Duhet theksuar se të gjitha vizitat e Samarxhiqit në Kosovë (katër sosh që nga shpallja e pavarësisë) janë përcjellë me probleme dhe incidente të shtuara nga pala serbe, siç ndodhi edhe në rastin e fundit gjatë vizitës dyditore të Samarxhiqit në Kosovë, për të zhvilluar fushatë elektorale për zgjedhjet serbe të 11 majit. Ditën e parë të vizitës, një grup serbësh i sulmuan me gurë banorët shqiptarë të fshatit Suhodoll të Mitrovicës ndërsa ditën e dytë me armë zjarri, me ç’rast për një gjysmë ore pati shkëmbim zjarri mes tyre.

Përmes mekanizmave dhe strukturave që ka rreth vetes Samarxhiq, nëpërmjet një plani të propozuar edhe UNMIK-ut (më 24 mars, pikërisht në nëntëvjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë) ka shpalosur idenë, siç e quan ai, për “ndarjen funksionale të popullit serb dhe atij shqiptar”. Ky plan de facto do të thotë ndarje e Kosovës në baza etnike dhe është i mbështetur edhe nga Partia Demokratike e Serbisë e kryeministrit të qeverisë teknike të Serbisë, Koshtunica. Në parim ky plan është kritikuar edhe nga kryerari serb, Boris Tadiq, dhe disa struktura tjera të politikës serbe si plan që është në kundërshtim me politikën kombëtare të Serbisë.

Lidhur me këtë plan, një diplomat i huaj në Prishtinë ka thënë se plani i Samarxhiqit rreth ndarjes “do të lihet në harresë dhe thjeshtë do të vdes”, por mbetet dilema se a do të vdesë me të vërtetë apo do të tentohet të aktualizohet dhe zbatohet.

Shikuar me syrin e qytetarit, ngjarjet e deritanishme, nuk e kanë rrjedhën dhe destinimin e duhur e të dëshiruar. Mosfunksionimi i doganave në veri të Mitrovicës, pastaj i gjykatave, largimi i gardianëve dhe të burgosurve shqiptarë nga kjo pjesë, mosfunksionimi i hekurudhave, bojkotimi i punës - refuzimi i pjesëtarëve të SHPK-së të komunitetit serb që të punojnë nën urdhrat e Shërbimit Policor të Kosovës dhe institucioneve tjera, si dhe zbatimi i urdhrit të prerë të Beogradit që të gjithë brenda 24 orësh të mbyllin xhirollogaritë e tyre në bankat e Kosovës, si dhe një varg problemesh tjera të dirigjuara nga Beogradi, kanë krijuar hapësirë për paqartësi dhe anarki.

“Mashtrimi sistematik”

Ndarja e Mitrovicës është një realitet i hidhur. Që ta kthejmë gradualisht në pozicionin e duhur është mjaft vështirë, por nuk është e pamundur.

Duke parë shtimin e akteve të dhunshme serbe, të organizuara kundër Kosovës nga tandemi Samarxhiq-Koshtunica, sigurisht të parapara në bazë të planit tejet sekret - “planit aksional” të Qeverisë së Serbisë për Kosovën, duke parë që të gjitha destabilizimet vijnë nga Beogradi, për të parandaluar destabilizimin e vendit, Shtetet Perëndimore, e mbi të gjitha SHBA-të, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian do të duhej sa më parë ta rikthejnë Zonën Tokësore të Sigurisë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi, ashtu siç ishte sipas Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake të Kumanovës, të 11 qershorit 1999. Planifikimet e Sekretariatit të Përgjithshëm të OKB-së, për ta ristrukturuar UNMIK-un, siç thonë ata, në përputhje me zhvillimet në Kosovë, vetvetiu shtrojnë pyetjen se çfarë veprimesh nevojiten që ky vendim të hyn në fuqi, dhe se a do të jetë pengesë apo një gjë e tepërt, të veprojnë njëkohësisht edhe UNMIK-u edhe EULEX-i në Kosovë.

Këto paqartësi do të jenë aktuale siç duket derisa të hartohet një rezolutë e re e cila do ta zëvendësonte Rezolutën 1244.

Kohë më parë nga aleanca serbo-ruse është hedhur ideja rreth pajtimit për formimin e një kornize të re për negociata të reja mes Prishtinës dhe Beogradit. Në fakt këto janë opsionet për Kosovën me të cilat po përballet KS i OKB-së. Tek e fundit ky ishte edhe qëllimi i veprimeve të deritanishme të koordinuara kundër Kosovës. Samarxhiq me të tjerët po përfiton nga ngathtësia e bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve vendore për t’i zgjedhur situatat e krijuara dhe nga tolerimi i tepruar që po bëhet ndaj pakicës serbe, prapa të cilëve haptazi po qëndron Qeveria e Beogradit.

Hija e asaj qeverie në Kosovë është Samarxhiqi, i cili ishte njëri nga kreatorët e politikës nxitëse të demonstruesve të dhunshëm në Beograd, të cilët i dogjën disa nga ambasadat e huaja, të atyre shteteve që e kishin njohur fillimisht pavarësinë e Kosovës. Samarxhiqi ka lansuar idenë se edhe Bosnjën e kishin njohur si shtet të pavarur një varg shtetesh, por lufta vazhdoi dhe u desht Konferenca e Dejtonit që ta ndalte atë duke e njohur edhe Republikën Serbe. Sipas tij edhe sot e kësaj dite politika në Bosnjë përcaktohet nga Beogradi dhe se skenarët e tillë do të përsëriten edhe në Kosovë. Duhet kujtuar se Samarxhiqi dhe klani i tij, që në fillim janë duke tentuar që të bëjnë legalizimin e strukturave paralele serbe në Kosovë, duke tentuar ta bëjnë realitet krijimin e entitetit serb në Kosovë. Në këtë kontekst duhet shikuar edhe tendencat e Serbisë për të organizuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë (më 11 maj) edhe në Kosovën e pavarur. Lejimi i mbajtjes së këtyre zgjedhjeve bartë mbi vete rreziqe të shumta. Kjo është edhe një sprovë tjetër që i vë në dyshim disa koncepte të pavarësisë dhe legjimitetit të udhëheqjes kosovare.

Nëse e gjithë kjo që u tha më lartë nuk është vetëm një “mashtrim sistematik” i opinionit publik serb, të cilin Serbia ka nevojë ta bëjë për konsumim të brendshëm dhe të jashtëm, siç dëshiron ndonjëri ta quan, atëherë do ta thellonte dukshëm krizën politike, e domosdo krizën e përmasave serioze në aspektin e sigurisë.


(Autori është analist për çështje sigurie)



Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive