Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Historia arrow Kjo ëndërr e shtypur nga çizmja ruse
Kjo ëndërr e shtypur nga çizmja ruse PDF Print E-mail
16 Tetor 2006

 

Nga Skifter Kellici

50 vjet pas Revolucionit antikomunist hungarez,(21 tetor-11 nëntor 1956)
Pjesa e parë 
 
"Për dashurinë jap jetën,/Për lirinë fal dashurinë."
Shandor Petëfi, poet i madh hungarez

 

Po udhëtoja këto ditë me avion nga Milano në Boston dhe,tek shfletoja gazetën italiane "La Republika",edhe për të kaluar kohën e mërzitshme në këtë fluturim kapitës prej rreth tetë oreësh, u ndala në një shkrim të gjatë kushtuar njërës prej ngjarejeve më të bujshme dhe  tragjike  të gjysmës së parë të shekullit të kaluar në Evropë-Revolucionit hungarez të tetor-nëntor  të vitit 1956, që nga historiografia komuniste deri më 1989 është quajtur kundërrevolucion . Duke lexuar me kërshëri këtë  artikull, m'u ndërmendën shumë ngjarje të këtyre javëve tragjike që unë, student i kursit të dytë të  Institutit të Lartë Pedagogjik në Tiranë,i kisha përjetuar duke ndjekur cdo ditë e madje cdo orë  Radio-Rain.

Pastaj i kisha  sendërtuar  ato edhe me shumë nga rrëfimet e një hungarezi që kam njohur   këto vitet e fundit në Boston, të quajtur Nandor, që kishte ndjekur nga afër luftimet  e përgjakshme  të luftëtarëve kryengritës hungarezë kundër forcave pushtuese ruse, të cilat e mbytën këtë shpërthim të furishëm të popullit hungarez me zjarr e hekur.
Duke u bazuar edhe  në të dhënat e kësaj gazete, si dhe të materialeve që studiova   enkas në internet për këtë ngjarje,po u paraqis lexuesve shkrimin e mëposhtëm.
 
C'dija unë për Hungarinë deri më 1956
 
Në verë të vitit 1949 motra ime,Lili,u kthye nga Budapesti,ku kishte marrë pjeësë në festivalin e rinive të vendeve të botës që organizohej cdo dy vjet.Dhe ishte kthyer e lumturuar.Jo vetëm se ishte hera e parë që dilte jashtë shtetit, por edhe sepse kishte parë një qytet të mahnitëshm, krahasuar me Tiranën dhe, madje,  edhe me qytete të tjera të Evropës, sic i kishin thënë disa nga pjesëtarët e delegacionit shqiptar në këtë festival, që kishin parë  deri atëherë një cikë botë me sy.
Motra më foli edhe për nivelin e jetesës, për dyqanet që ishin plot me mallra dhe na solli edhe disa dhurata,midis të cilave paketa të vogla ëmbëlsirash, djathërash e sallamesh të lakmueshme  në ato vite kur  për ne.Dhe kjo sepse, për shkak të  refuzimit  të ndihmave të UNRRA-s,(Administrata e Kombeve të Bashhkuara për Ndihmë dhe Rindërtim), nga qeveria komuniste,se gjoja drejtoheshin nga imperialistët anglo-amerikanë, dhe të prishjes së marrëdhënieve një vit më parë  me Jugosllavinë e Titos, të cilit diktatori ynë, Enver Hoxha   i kishte falur cdo gjë,gjendja ekonomike, sidomos ushqimore e shqiptarëve të gjorë ishte katandisur si mos më keq.
Kështu, dalëngadalë, edhe nga mësimet në shkollë,u njoha me Hungarinë e begatë, ndonëse vetëm me fusha e fusha të pamata,me Danubin që can përmes tij, me të vetmin liqen të quajtur Balaton, u njoha me Hungarinë, që bënte pjesë në të ashtuquajturin bllok të vendeve socialiste, të varur tërësisht nga Bashkimi  Sovjetik dhe që drejtohej nga një Matiash Rakoshi, qëe kujtoj ende nga koka tërësisht e rruar Dhe, që ajo ishte shumë më e zhvilluar  se Shqipëria, këtë e dëshmonin edhe studentë që nisën të studionin në këtë vend të vogël, por me tradita të mëdha,dikur pjesë përbërëse në perandorinë e famshme austro-hungareze.
Por Hungaria u bë e njohur për mua vecanërisht  në fushën e sportit, sidomoë të futbollit.Në verë të vitit 1950 ajo mundi skuadrën tonë përfaqësusese në Budapest me rezultatin 12-0 dhe lojtarët e saj të mëdhenj, Pushkash, Kocish, Budai e të tjerë,e më pas Groshic, Bozhik ,Lorant,Hudegkuti,Cibor,Tot, të cilët në Olimpiadën e vitit 1952 në Helsinki fituan medaljet e arta,dhe dy vjet më pas habitën botën pasi arritën në finale të botërorit të luajtur në Zvicër, ku, megjithëse  humbën pa pritur  në finale me RF Gjermane, u cilësuan  më mirët e atyre viteve në botë.
Dija, gjithashtu, se Hungaria ishte një vend ku qysh nga viti 1944  ndodheshin trupa sovjetike.Dhe ja, në tetor të vitit 1956, u njoha me një Hungari tjetër, krejt të ndryshme, u njoha me popullin e saj me shpirt të madh liridashës, të frymzuar edhe  nga poezitë atdhetare  të Petëfit dhe të rapsodive të famshme të  Listit,dy prej figarave më të mëdha të popullit hungarez.
 
6 tetor 1956-në ceremoninë përkujtimore të rehabilitimit të Laslo Rajkut
 
Tregon hungarezi Nandor, dëshmitar i disa ngjarjeve te Revoluvionit hungarez , arratisur nga Hungaria më 1956 dhe vendosur në SHBA:
 "Rajku ishte ndër viktimat e para të spastrimeve staliniste në udhëheqjen komuniste hungareze të viteve 40-të.Ai,një ndër drejtuesit e saj kryesorë, pas intrigave të Rakoshit, u akuzua si agjent i Titos dhe, si pasojë, i imperializmit amerikan,që kishte dashur kthimin e Hungarisë në një vend kapitalist.U dënua me vdekje më 1950. Me rehabiklitimine tij, udhëheqësit stalinistë shpresonin që punëtorët, të cilët  ishin frymëzuar nga protestat e punëtorëve në Poznan të Polonisë, do të mbeteshin të kënaqur me këtë funeral "riparues" dhe nuk do të ngrinin më zërin për rehabilitimin e  viktimave të tjera  staliniste.Vec kësaj, ata kishin shpresë se ky funeral do të kalonte si pa u vëvë re.Mirëpo atje u grumbulluan turma që i kalonin të 200 mijë vetët.
Pas ceremonisë, unë pashë me qindra e qindra  punëtorë që , duke mbajtur në duar flamurë kombëtarë, u drejtuan nga qendra e kryeqytetit dhe zunë të thërrisnin me të madhe: "Nuk ndalemi kurrë! Stalinizmi duhet të shkatërrohet me themel!".Pas tyre vinin studentë që kërkonin që rusishtja të mos ishte e detyrueshmë më në shkolla e universitete.
Me kalimin e ditëve ndjehej që Budapesti po ziente, se njerëzit tashmë flisnin më hapur duke shprehur pakënaqësi jo vetem për ceshtje të jetës që po bëhej e vështirë, por edhe për ato që i shqetësonte edhe më shumë krerët stalinistë-për lirinë e fjalës.Forcat e Sigurimit AVH,(Autoriteti për Mbrojtjen e Shtetit), nisën të shumëfishoheshin,ndonëse ato ende nuk ndërhynin. 
 
23 tetor,në Budapest papritur shpëthejnë protesta
 
Ishte mbrëmja e 23 tetorit të vitit 1956 dhe unë, duke studiuar me pasion italishten ndiqja, vec emisoneve muzikore e sportive, edhe lajmet e emisionit të njohur Xhornale Radio,(Radiogazeta), të orës 19.30.Dhe ja, befas, folësi nisi të njoftonte se protesta që kishin nisur  në Budapest disa  ditë më parë, ishin bërë më të ashpra, sidomos nga studentë  të Institutit të Lartë Teknik. Budapesti po hapte sytë  tashmë i bindur se diktaturës komuniste po lëkundeshin këmbët.
Nga rrëfimi e hungarezit Nandor:
"Atë mëngje të ftohtë  vjeshte pashë se si brigjeve të Danubit, që ndan Budën me Peshtin, po dyndeshin qindra e pastaj mijëra njerëz.Dukej  se gjithcka që kishte ndodhur në Poznan  të Polonisë disa muaj më parë, do të përsëritej edhe në Budapest-tubime, revolta, paqësore e pastaj përleshje me forcat e rendit.Në Poloni këto revolta kishin sjellë në fuqi Gomulkën, dënuar me burgim më 1948 për deviacionizëm nacionalist.Rehabilitimi i Gomulkës, pranuar nga udhëheqësit komunistë rusë, dukej se ishte edhe preludi i rehabikitimuit të Imre Nagit,ish-kryeministër , shkarkuar dhe përjashtuar pastaj nga Byroja Politike,madje nga Partia se se ishtë treguar "shumë liberal".
Për ne, hungarezët, Nagi ishte shëmbëlltyrë e Gomulkëes.E kam parë nga afër këtë njeri me shtat të shkurtër,fytyrë të fisme, ku binin në pah mustaqet e dendura.Nuk kishte origjinë aristokratike austro-hungareze, ose borgjezie  të vogël,e, aq më tepër, nuk ishte filozof si Gjeorgi Lukash, sic mendohej.Përkundarzi, vinte nga fushëtira perendimore e Hungarisë fshatare.Pas kthimit të Gomulkës në Poloni,ne shpresonim që kjo gjë të ndodhte  edhe me Nagin, pra, që të dënonte stalinizmin,që të terhiqeshin trupat sovjetike nga vendi ynë,që të fillonin proceset e demokratizimit,që të bëheshin reforma ekonomike."
Po, le të tregojmë më gjatë për Nagin.Duke qenë kryeministër me vizion perendimor,ai brakisi politikën e industrializimit të sforcuar dhe të kolektivizimit të bujqësisië, të ndjekur nga Rakoshi,imitues fanatik i Stalinit.Nga shtatori i vitit 1953 dhe deri në mars të vitit 1954, arriti të ulte cmimet e artikujve ushqimorë dhe të ngrinte ndieshëm pagat.Vec kësaj, Nagi synonte që të kufizonte  rolit e Sigurimit famëkeq të shtetit,(AHV), dhe më 31 tetor të vitit 1953 shpalli amnisti të përgjithshme për të burgosurit politikë.
Me lirimin e mijërave prej tyre u bënë të njohura publikisht krimet e Rakoshit dhe u zbuluan proceset e kurdisura gjyqësore, me anë të të cilave qenë  dënuar njerëz krejt të pafajëshm, ashtu si në proceset staliniste të viteve 1936-38 në Bashkimin Sovjetik..
Mirëpo këto masa të Nagit hasën  kundërshtim të rreptë nga forcat burokratike dhe konservatore,që kontrollonin shtetin dhe Partinë,të mbështetuara dhe  nga Sigurimi i Shtetit.Kjo solli që forcat prodhuese të bllokoheshin dhe niveli jetës  të binte.Si pasojë, Nagi u thirr në Moskë dhe u akuzua se ishte shkaktar i rrënimit të ekonomisë.I kritikuar ashpër edhe për ide të rrezikshme të së djathtës,ai më 22 mars 1955  u shkarkua si kryeministër dhe u përjashtua nga Komiteti Qendor i Partisë
 Ndërkohë,unë,duke ndjekur lajmet e Radio Rait,  mësoja se zhvillimet e reja në Hungari nuk ishin vetëm vazhdimi i ngjarjeve në Poloni por, para së gjithash, edhe  i raportit të famshëm sekret të Hrushovit në Kongresin e 22-të të PK të Bashkimit Sovjetk,(17-24 shkurt 1956), ku ai kishte dënuar rreptësisht kultin e Stalinit, vdekur tre  vjet më parë dhe kishte nxjerrë në pah pasojat e sundimit të  tij të egër  në të parin vend komunist të botë.
Këto zhvillime ishin gjithashtu edhe  si dhe të politikës së re hrushoviane  për t'u  afruar me vendet perendimore pas  Luftës së Ftohtë midis Lindjes dhe Perendimit. Dhe hapi i parë ishte afrimi me Jugosllavinë e Titos, dënuar nga Stalini si tradhtar i parimeve të marksizëm-leninizmit, si revizionist që ishte hedhur në prehrin e imperializmit amerikan.
Në Hungari, ashtu si edhe në Poloni,sic thamë më sipër,ku punëtorët e Poznanit më 27 dhe 28 qershor  u ngritën në manifestime të cilat u mbytën në gjak, zhvillimi i punimeve të Kongresit të 20-të  të Partisë Socialiste Hungareze thelloi ndarjen midis udhëheqjes konservatore staliniste dhe elementëve liberalë,(të quajtur revizionistë e reformistë).Këta të fundit ndërmorën hapa për të përshpejtuar rinovime në parti dhe, sa më shpejt që të ishte e mundur, për të ndërmarrë reforma, që do t'ia ndryshonin fytyrën vendit,.vecanërisht në fushën ekonomike.
Diskutime të tilla bëheshin, ndërkohë, edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve, në klubin "Petëfi" si  dhe në mjediset studentore.Në klubin "Petëfi" filluan të organizoheshin debate publike,së pari për  punimeve të Kongresit të 20-të të Partisë Socialiste Hungarezee pastaj për një seri problemesh të karakter filozofik,ekonomik,historik, ku filluan të vinin qindra e qindra punëtorë dhe të rinj.
 
Shpërthimi i shpirtit kryengritës
 
Vazhdon tregimin  hungarezi Nandor:
"Në ditët e fundit të tetorit në Universitetin Teknik të Budapestiti u grumbulluan rreth pesë mijë studentë e shumë profesorë, të cilët diskutuan plot zjarr në një mbedhje e cila zgjati deri në orët e para të mëngjesit.Në këtë mbledhje u  përvijuan tezat e një   programi demokratik, në të cilin ekzaltohej shpirti i Revolucionit Demokratik të vitit 1848, që kishte pasur  si simbol Petëfin dhe kërkohej tërheqja e trupave sovjetike nga Hungaria,rikthimi i Imre Nagit në qeveri,  zbatimi i Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të Deklaratës së të Drejtave të njeriut.
Në atë kohë në krye të partisë ishte Ernest Gerë, një neostalinist më pak fanatik sa Matias Rakoshi, që ishte detyruar të largohej nga skena politike.Mirëpo hija e Rakoshit, këtij udhëheqësi të urryer, ndër dikatorët më të ashëpr të vendeve komuniste,sidoqoftë shumë më i butë se Enver Hoxha  juaj, rëmdonte ende  mbi Hungarinë e sfilitur.Ky Rakoshi,pas ngjarjeve të Poznanit, duke pasur frikë nga intelektualët reformistë, ishte rrekur t'i kundervinte ata kundër "agjentëve të borgjezisë", sic quante ata "të mallkuar"  që grumbulloheshin në Klubin Petëfi.Mirëpo manovrat e Rakoshit nuk përputheshin më me politikën e destalinizimit që kishte nisur Hrushovi.Ja përse në 17 qershor të vitit 1956, me porosi të tij, Mikojani dhe Suslovi, të ardhur enkas në Budapest,kishin zëvendësuar Rakoshin me Gerën, proces që ndodhi edhe me disa nga udhëheqësit stalinistë të vendeve të tjera të ashtuquajtura të kampit socialist..Miërpo ishte një zëvendësim i pamjaftueshm për gjendjen që po krijohej."
Por le të kthehemi të ngjarjet  që po zhvilloheshin në sallën e Universitetit Teknik të Budapestit,këtë radhë  sipas kronikëe të gazetës italiane "La Republika" të datës 3 tetor të këtij viti, për të cilën fola më lart:
"Mbledhja mbyllet me një komunikatë në të cilën studentët ftohen të mblidhen sërishmi të nesërmen.Më 23 tetor, në orën 14.30 në rrugën "Gorki",pjesëmarrësit shkojnë parpara selisë së Bashkimit të Gazetarëve, për të arritur pastaj te përmedorja e gjeneralit Jozef Bem, në sheshin  Palfi, përpara të cilit vendosin kurora me lule në shenjë solidariteti me studenëtë polakë të keqtrajtuar në Poznan,të cilët  kishin protestuar pas masakrave të policisë sekrete kundër tyre.
Citohen pjesë nga komunikata që përfundojnë me thirrjen drejtuar punëtorëve të fabrikave që të bashkohen me studentët.Përplasja nuk fillon me nismën e tyre.Manifestimi studentor,më parë  i ndaluar e pastaj, në castet e fundit, i autorizuar nga qeveria e mbërthyer nga paniku, përfundon me  të shtëna parpara godimës së Radios, ku fortafolësit transmtojnë një fjalim të ashpër të Gerës.Studentët kërkojnë që nga mikrofonët e Radios të transmetohet  komunikata e tyre,por drejtori i saj e hedh poshte me përbuzje këtë kërkesë. Reparte të ushtrisë hungareze të dërguara në atë vend për të vendosur rendin, nuk binden që të qëllojnë mbi turmat dhe shpesh u japin atyre armët.Më 21.30 rrëzohet përmendorja e Stalinit"
Nga dëshmia e hungarezit Nandor:
"Janë më qindra budapestianë, të cdo moshe që e tërheqin zvarrë këtë përmendore duke e copëtuar si mundin.Midis tyre edhe unë.Me t'u informuar për këto përleshje që arrijnë deri te godina e Radios dhe Parlamentit, punëtorët e Cepelit, Ujpeshtit dhe lagjeve rrethinore zotërojnë si mundin automjete dhe arrijnë në qendër të Budapestit.Rrugët ndricohen ga flakadanë me të cilët digjen simbolet e komunizmit sovjetik,ylli i kuq dhe drapëri me cekan, si dhe libraritë me libra në rusisht..Kështu gjatë natës midis 23 dhe 24 tetorit manifestimi i studentëve, ku marrin pjesë dhe banorë të Budapestit shndërrohet në një revoltë popullore që deri më 28 tetor shrtihet në të gjithë Hungarinë.Para turmave tani ndodhen forca të AVH-së, pra, Sigurimi i Shtetit, i lidhur me sherbimet e Sigurimit Sovjetik, që përpiqet të mbrojë si mundet selinë e KQ të Partisë, të Parlamentit   dhe të Centralit Telefonik.
AVH-ja e sheh se nuk mund të mbështetet te  forcat e rendit dhe aq më tepër te ushria që bashkohet tashmë tërësisht  me popullin.Madje, vë re ushtarë që furnizojnë gjindjen  e pastaj ka nga ata  që  vihen nnë ndjekje të agjentëve të dyshuar se kanë qëlluar mbi turma.Një grup punëtorësh futet ne parlament, duke depërtuar  edhe në për reshtat e njerëzve të AVH-së.(Për ata më pas nuk u mor vesh se ku përfunduan).Turmat  në pritje që ata të kthehen, nis e shqetësohet.Fillojnë përleshje me forcat e rendit që kanë rrethuar Parlamentin.Dhe papritur nga dritaret dhe catia e saj njerëzit e AVH-së nisin të qëllojnë më mitrolazë.Turmat iu kundrpërgjgjen me armë që ia rrëmbejnë forcave të rendit.Sidoqoftë, ka plot të vrarë-një masakër e vërtetë."
Ndërkohë, unë nuk i ndahem lajmeve të Radios italiane.Janë lajme që të bëjnë të dridheh nga emocioni.Sipas tyre  Komiteti Qendror i Partisë, në panik e sipër, merr vendime kontradiktore.Nga një anë rikthen Imre Nagin në Komitetin Qendror dhe e emëron kryetar të qverisë dhe, nga ana tjetër,kërkon ndërhyrjen e trupave sovjetike që të stabilizojnë gjendjen   dhe për këtë të vendosin shtetrrethimin dhe ligjin e luftës që dekretohen me ngut.
Imre Nagi kështu rehabilitohet, ashtu si Gomulka në Poloni.Mirëpo,sipas lajmeve, zhvillimet politike po shkojnë drejt një zgjidhjeje të tensionuar.Komente të Radios theksojnë se 23 tetori është akti i parë i një revolte që, sic shihet, do të jetë një kryengritje kombëtare kundër pushtimit rus, kundër një regjimi totalitar, për vendosjen  e një demokracie të vërtetë.
Nga gazeta italiane "La Republika",3 tetor 2006:
"Një nga studiuesit më të njohur të të ish-demokracive popullore në  Evrpopë,hungarezi Fransua Fejto,thotë se në këtë tetor të vonuar aspiratat e hungarezëve u shprehen me një shpërthim të crregullt si një fishekzjarre spontane ëndrrash, pasioneësh, dobësish.Pesha e shtypjes u thërmua duke i dhënë  një shpëthim të vrullshën të gjitha shtresave të një shoqërie që komunizmi real nuk kishte mundur ta mposhte.
Nagi u pa se ishte në një poziciontëvështirë.Komunist leal e patriot realist ai kërkoi të respektonte kompromisin e arritur me sovjetikët ,(Suslovi dhe Mikojani arritën me një frymë në Budapst).
Sipas këtij kompromisi Hungaria do të respektonte solidaritetin ndërkombëtar.Me fjalë të tjera, nuk do të dilte nga blloku sovjetik..Por kryengritja ishte shndërruar tashmë në revolucion  e Nagi nuk kishte mjete për ta udhëhequr dhe përmbajtur..Kështu,kur drejtuesit e kryengritjes kërkuan që të denoncohej Pakti i Varshavës,të respektohej pavarësia totale dhe neutrarliteti,disa ditë pas shpëthimit të kryengritjes Nagi nuk iu kundërvu këtyre kërkesave.Nuk mundi  vecse të qëndronte me ata që e kishin ftuar.Me të tijët".
Unë pas dëgjimit të  komenteve të Radio Rait bisedoja më babanë në shtëpi dhe me ndonjë shok të ngushtë, me dëshirën që këto ngjarje të shpinin në përmbysjen e regjimit komunist në Hungari.Shtypi dhe RadioTirana jepnin lajme të thata rreth këtyre ngjarjeve që kishin tronditur Hungarinë dhe që ndiqeshin me vëmendjen më të madhe nga opinioni publik botëror.Hungarezët, sipas komenteve, prisnin c'veprime do të ndërmerrrte Perendimi dhe kryesisht SHBA-ja.Por që andej nuk vinte vecse një heshtje e nderë,për të cilën, së bashku me zhvillimet që precipituan në ditët në vazhdim, do të bëjmë fjalë në pjesën e dytë të këtij cikli. 
 
(Vazhdon në numrin tjetër)

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2006-10-23 14:08:48
Shkrim shume i mire, i pershtatshem dhe i nevojshem per shqiptaret. I lumte Skifter Kellicit qe e ka shkruar dhe juve qe e keni botuar.

Koment nga GUEST më 2007-01-16 11:54:20
desha te dije diqka per antarin tuaj (QAZIM EMRA) mbese me shprese se do ta gjoje ne faqen tuaje te vvvv.


International
English
Faqe interaktive