Astrit Lulushi
Mitet janë krijimtari dhe art. Ato përbëhen nga përralla, legjenda e folklor. Sot qarkullojnë shume hipoteza se si arti gjithmonë i ka paraprirë shkencës, dhe shembuj sillen krijues, shkrimtarë, piktorë, skulptorë si da Vinci, Mikelanxhelo, Verne, H. G. Wells, e të tjerë.
Eshtë thënë se pyetjes se si e fillonte punën për një skulpturë të re, Mikelanxhelo iu përgjigj se së pari e imagjinonte statujën brenda gurit të mermertë që do të gdhendte dhe pastaj i vinte detyrë vetës që të pastronte atë nga pjesët qe mbulonin pamjen e imagjinuar. Duke zevendësuar pjesët e tepërta të gurit (+)me hapësira boshe (-), ai lejonte daljen e skulpturës ne dritë. Më vonë Njutoni do ta përdorte këtë koncept artistik për parashtrimin dhe zgjidhjen e problemeve algjebrike në librin e tij “Universal Arithmetick”.
Nuk ka shkencë pa zbukurime, dhe jo art pa fakte, do te thoshte V. Nabakov. Por artisti a krijuesi trajton jo vetëm pamjen e jashtme te realitetit, por edhe të brendëshmen që përbehet nga fantazi, mite, endërra, ndjenja, shpirt. Deri para një shekulli, shkencëtarët merreshin vetëm me anën e jashteme të lëndes duke studiuar formën, lëvizjet, përbërjen fizike, forcën. Në vitin 1905, Ajnshtajni
doli me teorinë se drita mund të jetë objekt fizik përberë nga grimca shume të vogla të quajtura fotone. Kjo ide tronditi qarqet shkencore të kohës dhe shumë shkencëtarë u distancuan prej saj. A nuk ishte provuar për qindra vjet me eksperimente se drita ishte thjesht një valë, ndërsa tani Ajnshtajni, i ri në moshë e në shkencë, thyente cdo ligj shkencor duke thënë se drita përbëhej nga grimca fizike. Më 1926, Niels Bohr, hodhi hapin e guximshëm për t’i pajtuar këto dy rryma duke paraqitur sintezën se drita nuk ishte as valë e as grimcë, por përbëhej nga të dyja; njohja e këtyre dy aspekteve krejt të ndryshme ishte e nevojëshme për përcaktimin e dritës; njera pa tjetrën ishte jo e plotë, thoshte Bohr, dhe kështu lindi fizika quantike.
Për Ajnshtajnin thuhet se mohonte ekistencën e Zotit dhe një letër e tij mbi këtë cështje u shit kohët e fundit afro 250 mijë dollarë. Por shpesh pak rëndësi ka se cfarë thuhet, sepse me me idenë e tij, Ajnshtajn ndihmoi për të provuar se drita është edhe materie. Por nisur nga arsyetimi i ngjashëm I përmbysuar, del se bota është jo vetëm fizike por edhe shpirtërore. Ajnshtajni ishte hebre dhe Talmudi (libri i shenjtë hebraik) përmban edhe një bisedë midis Zotit dhe Abrahamit; “Po të mos isha Une, ti nuk do të ekzistoje” - “Po Zot është e vërtetë e të jam mirënjohës. Por po të mos isha une, Ju nuk do të njiheshit”.
Ky dialog bëhet midis natyrës dhe njeriut, trupit dhe shpirtit, kohës dhe hapësirës, mitit dhe krijimit, e njeriut ne vetvete midis pjesës së djathtë e të majtë të trurit. Gjithashtu dialogu Zot - Ambraham tregon se njeriut gjithmonë i është dashur të besojë e njëkohësisht të shohë me dyshim atë që beson.
Pra kjo ndarje dy pjesëshe ka ekzistuar që në fillim, prandaj edhe miti shihet si mjet alegorik që tregon një histori të ndërlikuar me shumë kuptime.
Dionisi e Apolloni ishin vëllezer, bij të Zeusit. Sipas mitologjisë, Dionisi ishte Perendi e qejfit, dhimbjes vuajtjes, bukurisë, çmendurisë, terrorit. Apolloni ishte Perëndi e arsyes, shkencës, mjekesisë, ligjit e dijes. Thuhet se ai i fitoi keto veti kur pushtoi orakullin e Delfit qe deri atëherë mbahej nga perëndia Pan, që për nga karakteristikat ngjante shumë me Dionisin. Gjithashtu Apolloni vrau edhe gjarpërin gjigand Python që ruante këtë tempull. Python ishte i shenjtë për Dionisin. Duke iu referuar legjendës, Herodoti thotë se në lashtësi, Tempulli i Delfit u pushtua nga enkelenjtë > “ngjalë”, që ishin Ilirë < hit. “Illurjanka” > “gjarpër”, të cillet më pas u zhduken ose u shpërndanë. Duket se Apollo shënon terheqjen e ilirëve nga zona e Delfit dhe ardhjen e helenëve. Miti thotë se Apollo e arriti këtë duke përdorur një armë të re; harkun dhe shigjetën, që mund të merret si metaforë e fitores së të resë mbi të vjetrën. Gjithashtu ky mit i ngjan edhe tregimit të Biblës mbi Adamin, Evën, gjarpërin dhe mollën në kopështin e Edenit. Apollo > greq. “mollë”.
Megjithëse Dionisi e Apolloni ishin krejtesisht të kundërt për nga karakteri, ata kishin një gjë të përbashkët; të dy ishin perëndi të muzikës. Dionisi trashëgoi nga Pan, flautin, pararadhës i instrumenteve të sotëm frymorë, si trompa, saksofoni, klarineta. Ndërsa Apolloni i cili ishte më serioz e përmbajtur, morri përsipër lirën, pararadhëse e harpës, violës e violinës. Sipas mitit, lira e Apollonit kishte gjithmonë 7 tela, aq sa numri i zanoreve. Thuhet se Platoni, përkrahës i muzikës apolloniane e cila krijonte një atmosferë të qetë e menduese, ishte kundër muzikës dionisiane, plot zhurmë e ritëm, dhe shpalli se në “Republikën” e tij do të lejohej vetëm muzika apolloniane.
Këto dy forma të ndryshme muzike, janë ende të pranishme; njëra e thelle, serioze e tjetra e lehtë, shfrenuese. Kështu, nuk është as e rastit që në të gjitha orkestrat simfonike, në reshtin e parë vendosen intrumentet me tela, pasardhese të lirës së Apollonit, ndërsa vegla frymore vendosen pas. Dhe e kundërta ndodh në xhaz, një formë dionesiane e muzikës, ku saksofoni, trompa e klarineta e veglat e tjera frymore dalin në ballë dhe pas tyre vijnë instrumentat me tela.
|