Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Diktatura Komuniste arrow Shumë jetëshkrime në një
Shumë jetëshkrime në një PDF Print E-mail
21 Korrik 2008
Astrit Lulushi, SHBA

Libri titullohet qartë; ‘”Monsinjor Dr. Zef Oroshi; Një jetë e shkrirë për fe e atdhe”, botuar kohët e fundit në Nju Jork. Me këtë titull të drejtpërdrejtë, autori Tomë Mrijaj, rreptësisht i jep lexuesve atë që iu premton, por edhe më shumë. Libri përmban jo një jetëshkrim, por shumë të tilla, sepse jeta e Imzot Oroshit është e shkrirë me veprimtarinë e përbashkët të burrave më të mirë të kombit shqiptar gjatë shekullit të kaluar. Dhe këta i përkasin asaj pjese atdhetarësh që ranë e u vranë, u dergjën e u treten, vdiqën burgjeve, a morën arratinë.

Duke kaluar nëpër duar letërkëmbimin e pasur dhe shkrime të shumta të Imzot Oroshit, autori Mrijaj citon letra të personaliteteve të shumta të botës shqiptare në mergim me të cilët Dom Oroshi ka patur lidhje. Një prej tyre është At Daniej Gjecaj, (1913 – 2002), që At Zef Pllumi e përmend shpesh në “Rrno për me tregue”, ndërsa Papa Gjon Pali i dyte e mbante pranë sa herë që donte të këshillohej lidhur me gjendjen e fesë në Shqipërinë nën komunizëm. Në vitet ’80, megjithëse i sëmurë e në moshë të thyer, dimër a verë, At Gjecaj, një ish i arratisur, nisej nga veriu i Italisë drejt jugut ku ndodheshin kampet e të ikurve nga vendet komuniste. Dhe këtë e bënte sa herë që mësonte se kishin ardhur të arratisur nga Shqiperia dhe ai u gjendej pranë për t’u dhënë zemër, e interesohej për mirëqënien e tyre. Këtë e bënte i shtyrë nga bamirësia. Kjo ishte plejada ku bënte pjesë Monsinjor Dr.
Zef Oroshi. Urdhërin për kapjen e tij e kishte lëshuar vete Enver Hoxha, ndërsa Mehmet Shehu ishte betuar t’a zinte të gjallë pasi ai vetë donte t’a torturonte, thotë autori Mrijaj, duke cituar burime arkivore e historike. Ditët e Pashkëve 1951, Dom Zef Oroshi i kaloi në pyjet e malet e Shqipërisë verore, ku qëndroi i fshehur, e i mbrojtur nga banorët e zones, ashtu si njerëzit e Perëndisë në Dhijatën e Vjetër kur Zoti u tha të fshiheshin derisa të kalonte zemërimi i tij. Pas kësaj zuri fill jeta e tyre e re ashtu si edhe festa e Pashkëve.Gjithashtu, pas kësaj, më 1952 dom Zef Oroshi, arratiset. Disa vjet qëndron në Itali, dhe  më 1961 mbërrin në Shtetet e Bashkuara si imzoti i parë katolik shqiptar në Amerikë. Kjo e rendit atë mes klerikëve të tjerë të mëdhenj shqiptarë në Hemisferën Perëndimore përkatësisht; Fan Noli, Baba Rexhepi e Imam Vehbi Ismaili.

Me jetëshkrimin e Imzot Zef Oroshit, historiani i diasporës, Mrijaj, ka sjellë një libër me vlerë në fondin ende të varfër për nga lëvrimi të historiografisë së periudhës së komunizmit. Në fakt, parë më thellë, me këtë libër, Tomë Mrijaj bëhet historiani i parë që i hap një vend ish të arratisurve, historia e të cilëve nuk  është trajtuar si ajo gjakut të shprishur. Kjo ndoshta sepse ata kurre nuk janë parë si njerez të vuajtur, për faktin se u vendosën në një vend të pasur dhe me punën e tyre të ndershme përparuan. Po ata nuk janë pa plagë, vetëm thellësia i bën ato të padukshme. Ndoshta kjo mund të jetë një prej arsyeve përse fati i tyre nuk është vështruar nga asnjë ligji post-komunist që dëmshpërblen, me të drejtë,  ish të burgosurit e të përndjekurit, por nuk përmend ose nuk përfill ikësit e detyruar, këta pagues në natyrë të cmimit të lirisë.



Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2008-08-06 18:30:46
Liri Pavarsi perjeto me lumturi deri ne perjetsi


International
English
Faqe interaktive