Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Diktatura Komuniste arrow Heronj që u heshtën
Heronj që u heshtën PDF Print E-mail
13 Gusht 2008
Astrit Lulushi, SHBA

Shqiptarët kanë përvojë përpjekjesh duke filluar nga ajo për pavarësi e deri për sistem shumë partiak e demokraci. Herë-herë kjo përvojë mund të quhet e hidhur, jo sepse përpjekjet nuk ishin të mjaftueshme apo sepse nuk u derdh shumë gjak, pasi u derdh; liria nuk falet. Kjo përvojë quhet e keqe, sepse gjaku ishte vendas; të dyja palët që luftonin ishin të një kombi, prandaj prindërit humbën bijë e bija, familjet humbën të afërmit, miqtë e shokët humbën të dashurit. Por ajo qe është më e keqja, nga këto përpjekje kombi humbi heronjtë e vet.

Sot shumë njerëz të thyer në moshë kthejnë kokën pas dhe me të drejtë thonë, “Kemi bërë gjithë atë rrugë”. Megjithatë shumë nga ata që e filluan udhëtimin, nuk mbërritën deri këtu. Dhe kjo jo sepse u vranë, pasi idea nuk vdes, por sepse emrat e tyre u mbuluan, u fshinë, u bënë të harrohen.

Sot mund të kuptohet, se fitorja, qoftë ajo kundër komunizmit, apo pavarësia e Kosovës, janë në fakt frutet e punës së këtyre heronjëve që u heshtën me dhunë nga një regjim që nuk është më. Shumë u kapën e u ekzekutuan, të tjerë u burgosën, u internuan, morën rrugët e mërgimit,  dhe emrat e disa prej tyre ndoshta kurrë nuk do të mësohen.

Prandaj nxjerra në dritë, duket se është kthyer në mission për studiuesin shqiptaro amerikan Tomë Mrijaj. Duke mbledhur pohimet e dëshmitarëve, në librin e tij “Marie Shllaku; Bijë e Shkodrës, martire e Kosovës” historiani Mrijaj tregon se kur Shaban Polluzhës i thanë se po ndiqej jo vetëm nga forca serbe por edhe nga ato shqiptare (komuniste), megjithëse natë e erret, ata që ishin pranë panë t’i rrëshqisnin pika loti. Dhe ky plak kosovar, me farën që mbolli, ishte një nga ideatorët e asaj që sot njihet si shtet i Kosovës. Po ashtu, Marie Shllaku, që pak vetë e kanë dëgjuar emrin e saj, ishte femra e vetme pjestare mes mbi 50 ceta patriotike në vitet 1944-45-46, që luftonin kundër komunizmit për një Shqipëri e Kosovë të pavarur nga Jugosllavia. Dhe kur për t’a nderuar e thërrisnin Shotë e Galicës, Marie Shllaku me krenari thoshtë se ishte Shotë e Shkodrës. Më 1946, në moshën 24 vjecare, Marie
Shllaku që luftonte për shqiptarë, Kosovë e Shqipëri u kap, u gjykua e u pushkatua po nga shqiptarë me pushtet në atë kohë.

Në librin e Mrijajt ndeshen edhe shumë emra të tjerë, të panjohur, të harruar ose të përbaltur, që të gjithë heronj që u heshtën. Nën regjimin komunist, kudo, brenda a jashtë kufirit të shtetit shqiptar, vetëm përmendja e emrave të  tyre cilësohej krim. Dhe gjithashtu është fakt, se ata që ishin kundër lirisë; shtypësit e kundërshtarët e këtyre heronjëve a heroinave të harruar, sot i gëzohen të njëjtës liri që më parë e kishin dënuar.

Kur Martin Luter Kingu, i Riu, thoshte se "nuk do të kujtoheshin fjalët e armiqve, por heshtja e miqve", ai u drejtohej atyre që nuk kishin ngritur zërin sa duhet për të drejtat dhe liritë civile. Por kur lexon librin biografik mbi Marie Shllakun, mbushur me kaq heronj të heshtur, të shpërndarë, të mohuar, të përbaltur e thuajse të harruar, fjalët e doktor Kingut marrin kuptim krejt ndryshe, sepse me shkrime, dëshmi, tregime, pohime të ndryshme shqiptarët po përpiqen të kujtojnë pikërisht ata që u heshtën. Në këtë kategori librash bën pjesë edhe monografia “Marie Shllaku; Bijë e Shkodrës, martire e Kosovës” me autor Tomë Mrijaj, Nju Jork 2004


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive