Faqe kryesore arrow Aktualiteti arrow Politika e papërgjegjshme shkak për situatën në Himarë
Politika e papërgjegjshme shkak për situatën në Himarë PDF Print E-mail
14 Gusht 2008
Para disa ditësh një tjetër ngjarje shqetësuese ndodhi në Himarë. Kryetari i bashkisë, grekofili Vasil Bollano, i përkrahur nga organizata anti-shqiptare ekstremiste greke, merr përsipër të ndajë tapi dhe prona në zonën e Bregdetit, duke i tejkaluar plotësisht kompetencat e tij lokale dhe duke sfiduar hapur autoritetin e shtetit shqiptar. Është ky një hap tjetër në planin ekspansionist të Greqisë në Shqipërinë e jugut, i cili sigurisht nuk është i fundit.

Bëhet fjalë realisht për një plan të koordinuar mirë nga ana e Greqisë. Këtë e vërteton më së miri veprimi i sinkronizuar i qeverisë greke me organizata ekstremiste. Ndërsa në Janinë "vorio-epirotët" mbajnë kongres së bashku me Bollanon, qeveria greke deklaron se "minoriteti grek në Shqipëri mund ta kryejë shërbimin ushtarak në Greqi". Ndërsa Bollano sfidon hapur shtetin shqiptar, ai merr një ndihmë të madhe nga deputetë grekë dhe nga shtypi grek gjatë zgjedhjeve në Himarë. Për më tepër administrata shtetërore greke u jep një status të veçantë himariotëve që punojnë në Greqi, i nxit që të votojnë Bollanon, dhe u lidh pension familjarëve të tyre. Pra nuk kemi të bëjmë këtu thjesht me një veprimtari organizatash ekstremiste, siç përpiqen ta justifikojnë zyrtarët grekë, por me një aksion të koordinuar të shtetit grek. Aksion, që për fat të keq, nuk ka sjellë as reagimin më të vogël të Tiranës zyrtare.
Qëllimi i Greqisë, me sa duket nën dritën e qëndrimeve të saj gjatë viteve të fundit, është krijimi brenda territorit shqiptar, i një zone sa më të gjerë që do të shpallte "autonominë". Kjo do t'i jepte rast Greqisë, që me justifikimin e "mbrojtjes" së minoritetit grek, të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri, ndoshta në kuadrin e një force ndërkombëtare. Duke patur një prezencë ushtarake, Greqia do të mund të përshpejtonte greqizimin e Shqipërisë së jugut dhe pas njëfarë kohe mund të shpresonte ta aneksonte këte pjesë të Shqipërisë. Është ky një plan donkishotesk i cili ka fare pak gjasa të realizohet, qoftë edhe në fazat e para të tij. Por Greqia shpreson gjithmonë, shpreson tek përçarjet brenda-shqiptare, tek mungesa e nacionalizmit që karakterizon politikën shqiptare si dhe tek gjendja e vështirë ekonomike e shqiptarëve. Brenda kuadrit të këtij plani, Himara nuk është veçse një nga zonat, e cila nuk ka ndonjë vlerë të madhe territoriale për shkak të shtrirjes së saj të vogël gjeografike. Por Himara ka vlerën e një shembulli që tregon se si një bastion i kombit shqiptar mund të greqizohet, shembull të cilin grekët do të ftojnë ta ndjekin edhe zona të tjera të tjera të Shqipërisë së jugut.
Situata që është sot në Himarë, nuk u krijua të dielën e kaluar. Kjo situatë ka vite që është përgatitur dhe ka patur një moment kyç: zgjedhjet lokale të vitit 2003 ku Bollano u zgjodh kryetar i bashkisë së Himarës. Nuk duhet harruar se Bollano u zgjodh me votat e një partie të madhe politike shqiptare, nuk duhet harruar që Bollano nuk do të kishte mundur kurrë të fitonte vetëm me mbështetjen e PBDNJ! Ky fakt duhet të bëjë të mendojë mirë çdo politikan shqiptar përpara se të bëjë aleanca elektorale, të cilat i sjellin pushtetin, por rrezikojnë Shqipërinë.

Sfidat që Vasil Bollano i bën shtetit shqiptar, i gjen politikanët shqiptarë të papërgatitur dhe i vë në një situatë delikate. Sepse qëllimi i atyre sfidave është përshkallëzimi i situatës dhe krijimi i incidenteve të rënda që do t'i jepte shkas Greqisë të ndërhynte zyrtarisht. Kjo shpjegon me sa duket edhe mungesën gati totale të reagimit nga ana e autoriteteve shqiptare. Për më tepër kryeministri Berisha, i traumatizuar nga ngjarjet e 1997-ës, e mbivlerëson influencën e Greqisë në Shqipëri dhe në Europë. Z. Berisha duket se është i bindur se rrëzimi i tij në 97-ën i erdhi nga Greqia dhe i bën kësaj shumë lëshime, por gabohet. Rrëzimi i tij erdhi për shkak të zgjedhjeve të manipuluara të 1996-ës dhe firmave piramidale.
Politika e lëshimeve ndaj Greqisë dhe Bollanos është politikë e gabuar dhe me pasoja. Shteti shqiptar nuk duhet të bjerë pre e presioneve nga Athina apo nga Bollano, por të veprojë normalisht, pa eksese por edhe pa tolerime, sipas legjislacionit në fuqi. Ka ardhur koha që Tirana zyrtare të reagojë ndaj deklaratave të zyrtarëve grekë që cënojnë integritetin e shtetit shqiptar. Zyrtarët shqiptarë duhet të kujtohen se deputetë grekë që paragjykojnë integritetin e shtetit shqiptar mund të shpallen edhe persona të padëshiruar dhe t'u ndalohet hyrja në Shqipëri.
Nga ana tjetër problemi i pronësisë që po shfytëzon kaq bukur Bollano në Himarë, është një problem që ekziston në mbarë Shqipërinë. Pushtetarët e majtë apo të djathtë nuk e kanë zgjidhur këtë problem, madje, për arësye të politikës së ditës shpesh herë i kanë komplikuar edhe më shumë punët. Ka ardhur koha që problemi i pronësisë në Shqipëri të zgjidhet njëherë e mirë. Le të bëhet Himara shkak për këte. I takon Parlamentit që të marrë iniciativa në këtë drejtim për të mos lejuar aventurierët e tipit Bollano të shfrytëzojë pakënaqësitë e banorëve të Himarës dhe për ta zgjidhur drejtë problemin e pronave, në Himarë dhe kudo në Shqipëri .

Xhemil Meço

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2008-08-21 19:17:31
Greqia ka qene e pa bese me vite.Ata duan ti blejne Shqiptaret  
me leke.Ata thone ose ndroje emrin ose mos fivopune.

Koment nga GUEST më 2008-08-26 17:20:00
Pershendetje ne rradhe te pare per gjithe nacionalistet e vertete. 
Eshte mbi te gjitha faji yne,injoranca e plote qe ka mberthyer mendjet dhe shpirterat tane,egoizmi i pakufi qe mbizoteron sot shqiptaret,bejne te mundur shkeljet flagrante te dinjitetit kombetar ,neperkembjen e ndjenjave tona kombetare dhe keto me heshtjen e plote te istitucioneve me te larta shqiptare. 
I bej thirrje krereve me te larte te BALLIT ti vene gishtin kokes,ti lene grindjet personale menjane dhe ti perkushtohen me mish e shpirt çeshtjes se madhe te kombit tone,se brezat e ardhshem nuk kane per te na falur,denimi i tyre me se i drejte ka per te na ndeshkuar e turpi rafte siper nesh. 
Per zgjedhjet e ardhshme do ju propozoja te vini si kandidate njerez te zote e te pergatitur,qe kane dhene prova te atakimit te tyre me çeshtjen e kombit,pse jo.... ata te zgjidhen edhe ne mesin e atyre shqiptareve te emigracionit qe kane demostruar vlerat e tyre ne fusha te ndryshme dhe perpiqen te bejne diçka per Atdheun e tyre,duke futur ne pune eksperiencen e tyre. 
Ne fund do jepja pershendetjet e mija per gjithe shqiptareve,por ne veçanti bashkatdhetaret tane jasht Atdheut,duke ju drejtuar me thenien e Kenedit: 
Mos shikoni ç'ben Shqiperia per ju,por ju per Shqiperine.


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?