Faqe kryesore arrow Diktatura Komuniste arrow Tri kohët
Tri kohët PDF Print E-mail
07 Tetor 2008
Astrit Lulushi

Gjatë 50 vjetëve të diktaturës në Shqipëri, historia u shkrua nga fitimtarët. Por me rindezjen e debatit mbi hapjen e dosjeve, dhe nëse ato hapen, atëhere duket se trashëgimia do të kalojë në duart e atyre që humbën gjatë diktaturës. Dhe fitimtarët e djeshëm, sot specie në rrezik, ëndërrojnë trashëgiminë e të mundurve. Si ujqit që nuk mund t'i bejnë ballë dimrit dhe zbresin fushave edhe ish fitimtarët përzihen sot me viktimat e dikurëshme. Duke përqafuar kultin e viktimës, ata vullnetarisht e fshijnë veten nga historia popullore.

Shumë intervista të bashkëpuntorëve më të afërt të diktatorit, apo kujtime të ish funksionarëve e sigurimsave botuar në shtyp e në formë librash e
pershkruajnë qetë e me dhembshuri periudhën e sundimit më te egër, a thua se nuk ka mbetur asnjë ndaj të cilit te shfryhet zemërim. Dhe nuk do të duket cudi kur krejt pa pritur një ditë të thuhet se gjatë periudhës së diktaturës komuniste Shqipëria kishte qindra mijera të shtypur, por jo shtypës.

Thuhet se e tashmja, bijë e së shkuarës, është mbarsur me të ardhmen. Kjo i bën ngjarjet të lidhura e pasoja të njëra tjetrës. Por nëse pritet një e ardhme më e mirë, për këtë pak duhet shpresuar në se e tashmja jetohet përciptaz ose kapercehet pa nxënë mësimet e së kaluarës, sepse e kaluara është e nevojëshme për të treguar nesër historine e sotme. Dhe historia, dihet se shërben për formimin e identitetit të një kombi dhe shkrimi i drejtë ose i gabuar i saj përcakton  tiparet e brendshme apo karakterin e vetë kombit.

Pas luftës së dytë botërore, në Shqiperi erdhën në pushtet komunistet dhe studimi i ideologjise marksiste u bë bazë për formimin e identitetit. Për shtrirjen e kesaj ideologjie, hapi i parë ishte zhdukja e analfabetizmit, ndërsa shumë komunistë qe dinin shkrim e kendim u dërguan në Bashkimin Sovjetik për indoktrinim. Moska, e dalë fituese nga lufta, ofronte shembullin e një shoqerie e kulture ideale në të cilin një shtet i ri komunist si Shqiperia mund të begatonte. Krahas përfitimeve të dukeshme, alfabetizmi solli edhe ndryshime me ndikime afatgjate duke i hapur rrugën krijimit të "njeriut te ri" me një
mendësie, kopje identike e asaj sovjetike.

Fakti që 17 vjet kanë kaluar nga fundi i asaj periudhe, ndërsa polemikat rreth hapjes së dosjeve apo dënimit të krimeve të diktaturës, qoftë edhe në parim, ende vazhdojnë, tregon se ajo pjesë e politikanëve të moralshëm, kryesisht të rinj, kërkon të ndahet nga pjesa tjetër me rrënjë në ish diktaturë, ndërkohë që shumë njerëz nuk janë më indiferentë, ndërsa ata të lindur në kohë të vështira, të dhunëshme, nën tirani, ndjehen edhe të lodhur.

17 vjet pas daljes nga xhungla komuniste, kur shohin në ekranet televizive se si ish bashkëpuntorë të tiranisë krenohen e lëvdohen me atë periudhë, njerëzit në kërkim të së vërtetës - njësoj si historianët që nuk marrin për të vërteta ato që shkruajnë poetët e shkrimtarët - besojnë se jo cdo kafshë mund të zbutet, jo cdo ish tiran mund të pendohet dhe jo cdo politikan mund të reformohet.

Kjo tregon gjithashtu se për të kuptuar të kaluarën e për t'u shkëputur një herë e përgjithmone prej saj, njerëzit kanë nevojë t'a njohin atë ashtu sic ishte. Ata mendojnë se janë gati për të vërtetën dhe presin ashtu si Edipi dikur përpara Sfinksit, që bënte të njëjtat pyetje mbi të shkuarën, të tashmen, të ardhmen, edhe pse përgjigja që mori solli rrënimin e tij.


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2008-10-14 02:09:09
Ne shqiperi eshe sot jetohet me friken qe mbolli diktatura, 
edhe sot ne se flasin te verteten,njerzit i pushton frika,kjo seppse ka fakte per te.Neodiktatura sot ka forma te reja,kjo ben qe shqiptaret jetojne si pulat ne shi. Ajo qe na befason eshte fakti si ndihmon BE dhe SHBA nje qeveri qe nuk denon 
Hitlerin e popullit te saj?????????????? G.Shyti

Koment nga GUEST më 2008-11-14 00:56:36
BE dhe SHBA nuk ndihmon qeverine por popullin shqipetare ,ndersa qeverine e ndihmojme ne me voten tone ,keshtu qe nuk kemi zgjidhje tjeter per momentin pasi nuk mund te marrim nga jashte qe te na qeverisin,por do te vije koha qe femijet e ketyre qe keqperdorin ligjin te denojne baballaret e tyre pasi do formulohet nje ligj i tille te cilin e kerkon si BE ashtu edhe SHBA.


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?