Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Shoqëria arrow Pak ndershmëri
Pak ndershmëri PDF Print E-mail
14 Tetor 2008

Astrit Lulushi

Ai që mban gurin dhe arrën, i ka duart e zëna. Nëse njerëzit që qeverisen prej tij janë të zgjuar e të arsyeshëm, ai mund të shihet si njeri shumë i zoti dhe me gurin e arrën, pa i përplasur, mund të bëjë shumë të mira. Por nëse njerëzit janë të paditur, paedukatë, të papjekur, të paarsyeshëm e që nuk duan të mendojnë, njeriu në krye, sado i aftë, duket si sharlatan që mund të krahasohet me atë që bleu një diplomë doktori dhe kur me habi e pyetën; “Je bërë doktor?! ai u përgjigj; “Si njerëzit, doktori”.

Përgjigje të ngjashme do të kishte dhënë Princ Vidi, nëse do ishte pyetur kur zbriti në Durrës më 1914.  Njësoj ndoshta do të ishte përgjigjur edhe A. Zogu kur vendosi të bëhej mbret. Po ashtu edhe E. Hoxha kur u vetëshpall gjeneral, diktator e strateg marksizmi.

Ndryshimet, përfshi ato në mendësi e kulture, janë të vështira e mbi të gjitha duan kohë. Në 17 vjet njerëzit pak ndryshojnë, prandaj e njëjta përgjigje mund të dëgjohet edhe nga politikanët e sotëm; “Si populli, qeveritarët”, do të thonë ata.

Si cdo gjë tjetër, korrupsioni ka një funksion tepër të përcaktuar, jo pozitiv sigurisht, që shihet si pengesë e zhvillimit, por edhe si relikë e së kaluarës kur ambicja ndrydhej dhe vullneti i mirë thyhej. Si rrjedhim, njerëzit që jetojnë në një shoqëri të korruptuar, fatkeqësisht, ndodhen në një cikël mjerimi nga i cili nuk dalin dot. Brenda nje rrethi të tillë shoferi i parregullt i jep ryshfet policit për të shmangur gjobën ose polici e detyron shoferin të paguajë ryshfet për të mos i vënë gjobë. Cdo njeri përpiqet të dalë më i zgjuar e të përfitojë sa me shumë prej tjetrit. Në natyrën e njerëzve ndjehet një lloj narcisizmi, egotizmi, që shpesh ushqehet duke shfrytëzuar mirësinë, shkujdesjen dhe paditurinë e të tjerëve, duke përdorur ndaj tyre forcë e mashtrim. Dhe nuk ka sëmundje karakteri më shkatërruese sesa egotizmi, pasojë e egoizmit me shumicë.

R. W. Emerson besonte se në shoqëri të korruptuara kur një individ apo grup individësh nuk ndjekin rrugen nga ku kalon pjesa tjetër e shoqerisë, ata tregojnë se nuk duan të korruptohen. Në shoqëri të tilla, gjithnjë e më shpesh dëgjohet të thuhet se është më mirë nëse ndahesh nga turma, njësoj si në rastet e trafikut të dendur kur shoferi përpiqet të gjejë një rrugë pa makina, por edhe në rastet kur media i bën reklamë një mode a sjelljeje të caktuar, dhe njerëz të ndryshëm e shpërfillin, nuk e shohin ose bëjnë të kundërtën e saj.

Por një formulë të vetme për daljen nga rrethi i korrupsionit nuk ka. Ndoshta është e pamundur të dilet në një kohë kaq të shkurtër. Megjithatë, njerëzit, qofshin individë, grup a  shoqëri, presin që udhëheqësit të japin shembullin e tyre, sepse ndershmëria duhet treguar si virtyt dhe nuk mund të mbahet mbyllur si send i shtrenjtë zbukurimi e të tregohet rrallë.


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2008-12-23 16:22:22
Lufta kunder korrupsjonit behet vetem me institucione te pavarura nga qeverija (Egzekutivi ) Tendenca e Qeverise per te fut nen urdher institucionet e pa varura , eshte shenje se individe apo grupe ne qeveri duan te jene te lire ne veprimet e tyre korruptive .Cfar kam parasyshe kur them institucione te pavarura : 
SHIK 
PROKURORINE 
GJYKATAT 
ENTET RREGULLATORE 
ENTIN E KONKURENCES 
INSTATIN 
AVOKATIN E POPULLIT  
AGJENSINE E KOTROLLIT DHE DEKLARIMIT TE PASURIVE TENENPUNESVE TE LARTE 
MEDIAT E SHKRUARA DHE VIZIVE 
GOVERNATORIN E BANKES QENDRORE e tj. 
Po aq e rendesishme eshte qe keta te kene ne perberje njrez qe nuk kane lidhe as vete e as nga prinderit me ish "SIGURIMIN FAMEKEQ TE SHTETIT KOMUNIST " 
Gjithashtu per ato qe abuzojne me detyren denimet duhet te jene shum te ashpra dhe fikse . 
Opinjoni shoqerore nuk duhet te pajtohet kurre me gjendjen e korrupsjonit por te reagoje shume ashper me protesta paqesore te zgjatura sic po ndodh ne Meksike .Lufta kunder korrupsjonit eshte beteja me e rendesishme per cdo popull qe kerkon te bashkohet me shoqerite e civilizuara , qe kerkon integrimin ,ndaj dhe nuk mund te lihet ne dore te atyre qe jan krejt te predispozuar per te qene pjese e korrupsjonit . Shoqerija civile duhet te reagoje ashper pasi jane vete njerzit e thjeshte qe demtohen thellesisht nga korrupsjoni i qeveritareve . Korrupsjoni ha fondet qe duhet te shkojne ne rritjen e mireqenjes se popullit , ne infrasrukture e ne sherbime per te permiresuar cilesine e jetes e per te arrite standartet qe duhet per tu integruar .Ndaj dhe kuptimi e pjesemarrja e shoqerise civile ne luften pa komromis ndaj korrupsjonit duhet kuptuar si aspekt qe prek direkt jeten tone te perditeshme dhe te luftojme me cdo mjet e cdo kusht kete murtaje qe po na bren nga mbrenda e nuk po na le te ecim me ritmin e te tjareve . 
Dalan Alija 


International
English
Faqe interaktive