Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Diktatura Komuniste arrow Nostalgjia e diktaturës
Nostalgjia e diktaturës PDF Print E-mail
14 Tetor 2008
17 vjet pas rënies së dikaturës komuniste në Shqipëri, nostalgjikët e saj dhe të ish-diktatorit Enver Hoxha kanë ndërmarrë një fushatë të gjerë rehabilitimi. Kjo fushatë përveç "meritave" të udhëheqësit komunist që i kemi dëgjuar për 50 vjet me radhë nga propganda shtetërore komuniste, ka shpikur edhe cilësi të reja, nga të cilat ajo më e çuditshmja është "nacionalizmi i madh", "ndjenja e fuqishme kombëtare" që paska patur ish-diktatori dhe përpjekjet dhe "kontributi i tij i madh për Kosovën"???!!! Madje arrihet deri atje sa të pretendohet se ai paska qenë arkitekti i bashkimit kombëtar dhe i idesë së "Shqipërisë Etnike" apo "Shqipërisë së Bashkuar"??!!
Por për hir të së vërtetës duhet thënë se Enver Hoxha nuk ka qenë ndonjëherë nacionalist, as ka patur simpati për nacionalizmin. Pëkundrazi ka qenë një armik i betuar i nacionalizmit dhe i nacionalistëve të cilët i vrau, i futi nëpër burgje dhe i persekutoi nëpër kampe internimi.
Enver Hoxha ishte komunist dhe internacionalist: ai nuk punoi për kombin shqiptar, sepse për një komunist kombi është një nocion i pakuptimtë, por ai punoi për revolucionin proletar mbarë-botëror. Dhe këtë nuk e kemi shpikur ne, por e thotë ai vetë në të gjitha vëllimet e tij.
Ata që mendojnë se Enver Hoxha ka punuar për bashkimin kombëtar, do të zhgënjeheshin po të lexonin rreshtat që ai ka shkruar gjatë Luftës.

"Puna e "Shqipërisë së Madhe" është puna e Shqipërisë së vajtuashme, është vuajtja e vëllezërve tanë të Kosovës; kjo "Shqipëri e Madhe" fashiste është lodra e hidhur në kurriz të popullit tonë dhe të atij të Kosovës" - shkruante ai.
Por Enver Hoxha përveçse shkruante, edhe vepronte. Ai ka qenë një nga përgjegjësit kryesorë shqiptarë të prishjes së Marrëveshjes së Mukjes. Duke iu bindur direktivave të Vukmanoviç-Tempos, Enver Hoxha në Kucakë dhe më pas në Konferencën e Dytë të Labinotit (4 shtator 1943) e dënoi Marrëveshjen e Mukjes ose siç e cilësonin jugosllavët "tradhëtinë e turpshme" të Mukjes.
Në lidhje me çështjen e Kosovës, në Labinot Enver Hoxha thotë: ""Çështja e independencës u bisedua gjatë, po ashtu edhe çështja e Kosovës... Lufta jonë nacional-çlirimtare është një luftë popujsh, e përbashkët, krahas me aleatët kundër Boshtit... Populli shqiptar, që ka vuajtur, nuk do të dojë të skllavërojë tjetrin, që ka vuajtur si ai, e kësisoj reciprokisht. Kjo luftë i ka bashkuar popujt... Ne kemi mbrojtjen e Bashkimit Sovietik, mbrojtësin e shteteve të vogla dhe të gjithë popujve... Pra vetë popullsitë në mes të tyre, në Kosovë, do të merren vesh dhe do të vendosin se nga të shkojnë... Delegatët tanë kanë diskutuar por nuk kanë ditur të mbrojnë pikëpamjet e tyre dhe e nënshkruan proçes-verbalin (e vendimevet të Mukajt). U shtua edhe një gjë tjetër: "Shqipëria Etnike". Kështu që pranohet teza e Ballit Kombëtar, i cili nuk bën luftë nacional-çlirimtare por lufton kundër nesh..." (Shih veprën Enver Hoxha, botuar në Tiranë më 1968, vëllim i I-rë, faqe 357-360).

Enver Hoxha jo vetëm u pozicionua dhe veproi kundër Shqipërisë Etnike, por edhe nuk bëri as përpjekjen më të vogël për të ndihmuar kryengritjen e viteve 1944-1946 në Kosovën e zhgënjyer dhe të tradhëtuar, së cilës i ishte premtuar liria, por i erdhi përsëri sundimi serbo-sllav. Jo vetëm kaq, por Enver Hoxha më 12 shtator 1944 urdhëron Brigadën e V-të dhe të III-të partizane të hyjnë në Kosovë ( Shih: Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm - vëllimi II Tiranë 1976, fq. 161). Dhe partizanët porositen të kenë një sjellje shembullore me popullatën serbe dhe "të mos bien pre e parrullave të hedhura nga armiqtë e popullit jugosllav dhe ata të popullit tonë", duke nënkuptuar nacionalistët kosovarë.
 
Por akti më i turpshëm dhe anti-kombëtar i brigadave partizane që shkuan në Kosovë ishte ndihma që ato u dhanë  forcave serbo-sllave për shtypjen e kryengritjes kosovare. Kjo do të mbetet një njollë turpi në historinë tonë kombëtare dhe mban përsëri përgjegjësinë e Enver Hoxhës.

Pas Luftës, Enver Hoxha për pak nuk e shndërroi Shqipërinë në republikë të 7-të të ish-Jugosllavisë, duke hequr doganat, duke  planifikuar unfikimin e monedhës etj. etj. Por për fat të mirë qëllimi i jugosllavëve për ta zëvendësuar me agjentin e tyre të bindur Koçi Xoxen, bëri që Enver Hoxha, për të shpëtuar kokën e tij, të prishej me ta dhe të gjente mbështetje tek Bashkimi Sovietik.
 
Ka disa që besojnë në patriotizmin e Enver Hoxhës duke u bazuar në retorikën pro-shqiptare të regjimit komunist të Tiranës  gjatë demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Në radhë të parë duhet kuptuar se kjo retorikë vinte në një kohë kur regjimi komunist i Shqipërisë ishte prishur me vendet e tjera komuniste dhe kërkonte mbështetje në anë të tjera, siç ishte ndjenja kombëtare e  shqiptarëve.  Në radhë të dytë, Enver Hoxha përsëri nuk dha ndonjë ndihmë reale  për çështjen e Kosovës, por e ndaloi edhe përkrahjen retorike sapo gazeta "Borba" e Beogradit kërcënoi se Jugosllavia mund të dërgonte avionët mbi Tiranë. Dhe iu kthye melodisë së mbrojtes së "atdheut të vogël socialist", duke e lënë Kosovën mënjanë.

Duke patur parasysh të gjitha këto është çuditshme që disa shqiptarë të Kosovës ende besojnë në "patriotizmin" e Enver Hoxhës apo në "dashurinë" për Kosovën, të cilën Enver Hoxha në realitet e përdori si plaçkë tregu për të siguruar pushtetin në Shqipëri me ndihmën e shokëve jugosllavë, Miladin Popoviçit, Dushan Mugoshës e Vukmanoviç-Tempos.


Nga ana tjetër, nostalgjikët e diktaturës, duke marrë si bazë problemet e rrugës 18-vjeçare drejt demokracisë, përpiqen t'ia hedhin fajin sistemit demokratik për problemet e shumta me të cilat përballet sot Shqipëria. Dhe përpiqen të ngrenë lart periudhën e diktaturës komuniste. Por nostalgjikët harrojnë se këto 18 vite janë vite të pas diktaturës, ku populli shqiptar  po shëron dalngadalë traumat e rënda kombëtare dhe shoqërore të pësuara në diktaturë. Nostalgjikët ankohen nga klasa e sotme politike, por harrojnë se atë na e la peshqesh diktatura komuniste dhe Enver Hoxha. Nostalgjikët ankohen për varfërinë, por harrojnë në ç'gjendje i la shqiptarët diktatura komuniste: të varfër, të izoluar, të padalë, të paditur, të gatshëm të marrin rrugët e botës për një jetë më të mirë. Gati një e treta e popullsisë u largua nga Shqipëria pas vitit 1990: nje ikje e tillë masive nuk kishte ngjarë në Shqipëri që nga koha e pushtimit otoman para 500 vjetësh.

Pavarësisht fushatave të nostalgjikëve, e vërteta nuk mund të ndryshojë. Askush nuk mund të mohojë diktaturën komuniste në Shqipëri, askush nuk mund të mohojë karakterin thellësisht anti-kombëtar të saj, askush nuk mund të mohojë tmerret dhe gjëmat e saj. Dhe asnjë qëllim nuk mund t'i justifikojë ato, aq më pak një qëllim ideologjik dhe personal. Dhe as nostalgjiket, as tjetër njeri nuk mund ta rehabilitojë apo ta zbukurojë diktaturën dhe diktatorin. Mundim i kotë.


 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2009-03-11 23:45:08
enver hoxha ishte nje diktator i pameshirshem .

Koment nga GUEST më 2011-03-08 00:35:39
KENI SHUME TE DREJTE ENVERI ISHTE NJE NJERI PA SHPIRT DHE NE VEND TE ZEMRES KISHTE GURE PRANDAJ ISHTE NJE DIKTATOR I PA SHPIRT.


International
English
Faqe interaktive