Faqe kryesore arrow Historia arrow Ngujim në të kaluarën
Ngujim në të kaluarën PDF Print E-mail
21 Tetor 2008
Astrit Lulushi

Një vizitë në ish burgjet e ish kampet e përqëndrimit në Shqipëri, do të mjaftonin që njeriu të njohë atë që nuk ka ditur mbi R.P.S.Sh-në, sic vetëquhej vendi deri 18 vjet më parë. Merr shembull burgun e Burrelit që për shqiptarët gjatë komunizmit ishte po aq famëkeq sa Bukhenvaldi për hebrenjtë gjatë Luftës së dytë; ose Sigurimin që e administronte, i frikshëm e i urryer njësoj si Gestapoja.

Libra kujtimesh jane shkruar nga ish të burgosur politikë e të afërm të tyre rreth vuajtjeve, por vetëm nga një vizitë njeriu mund të njihet me shumë gjëra që nuk i di dhe as që mund t’i konceptojë me të treguar a lexuar. Aty ndodhen qelitë ku për javë e muaj, një i burgosur mbahej 19 deri 24 ore, pa bukë, pa uje, në baltë, duke perjetuar rrahje e tortura, vetëm sepse nuk ishte dakord me dogmën zyrtare ose sepse ishte denoncuar nga ndonjë i afërm, shok a fqinj, si shkëmbim që regjimi t’i shikonte ata me sy të mirë.

Burgje e kampe të tilla ekzistonin në mbarë Shqipërinë. Ato ngjallnin frikë e tmerr në zemrën e cdo njeriu që mendonte ndryshe. Dhe ironia është se përgjegjësit për keto vuajtje ose pasardhësit e tyre, sot thonë se ata kishin vepruar sipas ligjeve të kohës, duke pranuar tërthorazi se ajo ishte koha e shtazërisë njerëzore dhe ata ishin udhëhequr nga instinkte.

Por vetvetiu lind edhe pyetja; Përse ish kampet naziste bota i ktheu në qëndra përkujtimore, ndërsa në Shqipëri i hapet rruga përkujtimit të përgjegjësve kryesorë për krimet më të rëndat kundër njerëzimit në historinë shqiptare? Duhet njeriut të jetë antikomunist fanatik për të ngritur pyetje të tilla apo njerëzit duhet të kujtohen të pyesin vetëm kur mizoritë të ndodhin përsëri?

Para se fleta të kthehet, ajo duhet lexuar, pasi kështu e kaluara mund t’i sherbejë të tashmes, njësoj si detyra për të kujtuar duhet t’i shërbejë drejtësisë. “Një perde duhet hedhur mbi mizoritë e së kaluarës”, tha Winston Curchill pak pas Luftës së dytë Botërore. Rreth së njëjtës periudhë, filozofi amerikan Xhorxh Santayana lëshoi paralajmërimin tashmë të njohur se “ata që harrojnë të kaluarën, dënohen t’a përsërisin”. Dhe këto dy thënie janë të kundërta vetëm në dukje, sepse për viktimat, harresa është një akt zemergjerësie dhe besimi në të ardhmen, ndërsa për autorët e mizorive, harresa është mohim i përgjegjesisë dhe mbyllje në të kaluarën.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?