Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Arti arrow Valset shpirtërore në penel
Valset shpirtërore në penel PDF Print E-mail
28 Nentor 2008

Klajd Kapinova, New York

Homazh për penelin dhe shpirtin e piktorit Enrrik Mendoja

 Vepra e tij për motive të pastra shqiptare mbetet një bazë e shëndoshë në tabanin e gurrës së pashtërshme shqiptare, si një art i mirëfilltë dhe një gur i çmueshëm në artin shkodran dhe gjerdanin e pasur shqiptar.


Të gjithë miqtë dhe shokët e therrisnim Rrik dhe lajmëronim njeri tjetrin sa herë që piktori hapte ekspozita ose për të parë ndonjë punim të ri në studion private dhe shtëpi.

Ai nga të gjithë kujtohet me respect për virtytin e thjeshtësisë, mbushur me një madhështi modestie fisnike, i ndjeshëm deri në detaje për të bukurën, me vullnet të madh e buzagaz, melankolik dhe shumë ëndrrimtar. Elegant në pikturë, plot dritë, harmoni e jetë, tejdukshmëri e përpunuar në ngjyrë, duke mbetur përjetësisht autokton në shpirtin arbëror.

Mjedisi kulturor, në qytetin e djepit të kulturës në Shqipëri, ka qenë i përshtatshëm në edukimin e shijeve artistike. Rriku sa herë që përfundonte një pikturë (në gjininë e peisazhit, portretit, kompozimit, etj.) kërkonte mendime, vrejtje e sugjerime gjithnjë nga piktorët shkodranë, njerëz të thjeshtë dhe miqtë për veprat e paraqitura në galeri arti apo vizitorëve të çastit që gjendeshin në studion “Piktor” në lagjen Parruc në qytetin e Shkodrës.

Me sa duket shkolla e talentit, që mbarte në eksperiencën e vet piktori Naxhi Bakalli, kanë lënë gjurmë në profilin original të piktorit Mendoja. Ai dëshmon se veprat klasike, nuk janë e vetmja zgjidhje, që mund të mendohet për të arritur bukurinë, por për dashamirësit më të rafinuar të artit, ka përzgjedhje pak më të drejtpërdrejta me efekte, që të tërheqin drejt një suksesi të ri.

Mësuesi, zbuloi talentin e nxnësit të tij, e përkrahu kur të gjithë e braktisën e i kthyen shpinën për arsyen absurd të “luftës së klasave”, në morsën e së cilës u mbërthye keqas adolishenti me talent. Ai ruante respekt të madh për mësuesin e pikturës Naxhi Bakalli, i cili qysh në fillim kishte parë tek ai një të ri të talentuar. Ndoqi rrugën e mjeshtërit të vet, por pa u bërë asnjëherë e me tabllo rob i tij.

Takimet me mjeshtërin Bakalli ishin çaste të bukura dhe i kujtonte përherë. Bocetet me akuarel, ishin një punë që gjithnjë i jepte kënaqësi dhe sukses në ekspozita. Ai pelqente shumë ngjyrat e ndezura dhe kostumet popullore të vajzave zadrimore dhe të qytetarëve shkodranë, për të cilët i kishin treguar të parët e tij dhe futej thellë në botën e veshjeve dhe traditave shqiptare.

Ishte një meditues i thellë dhe pas disa ditësh reflektonte me një punim. Pëlqente shumë nudizmin dhe disa nga piktorët bashkëkohorë shqiptarë dhe evropianë. Shumë vite më parë, para se demokracia të shkelmonte gjumin letargjik të komunizmit, ai kishte një koleksion të pasur të nudizmit në shtëpi, figura shenjtorësh të kishës katolike dhe diskutonte shumë për emisionet italiane të pikturave murale dhe peisazheve me tematikë të ndryshme.

Bocet me akuarel janë një punë shpirtërore, që gjithnjë kur I mbaronte dhe ekspozonte I falën suksesin e mundit e kohës së gjatë. Detajonte në mendjen e begatë, boshtin e idesë, për të realizuar kompozicionin piktural plot diell e paqë. Nëse do të shohim me kujdes ekspozitën private, që ndodhet në shtëpinë Mendoja në Pelham Bay, Bronx, Neë York, , shikuesi apo vizitori, menjëherë do të dallojë ngjyrat e ndezura, larushinë e pasur të kostumeve autoktone popullore shumëshekullore arbërore të zonës e nënzonës së Mbi e Nën Shkodrës.

Admironte autorët e huaj dhe shqiptarë, si: Ticianin, Rafaelin, Botiçelin, Pikaso, Goya, Rembrand, Kolë Idromenon, Odhise Paskalin, Pjerin Shedija, Ndoc Gurashin, Ferdinand Pacin dhe mikun e ngushtë të tij me të cilin punoi në një lokal Asllan Zeneli etj. Rriku i heshtur fjalë pak e punë shumë, fliste vetëm me ngjyrën e tubeteve, penelet dhe telejot e njëpasnjëshme.

Ai qysh fëmijë me vizatimet e moshës, shfaqi talentin e një piktori që premton. Edhe babai i tij kishte kryer dy vjet shkollë në Liceun Artistik në Tiranë, por për arsye ekonomike ai ndërpret studimet. Axha i tij, Simoni herë pas here punonte pikturë të ndryshme. Edhe vëllai i tij Gjovalini është paraqitur shpesh si piktor i talentuar.

Udha e pikturës dhe bota e magjishme e ngjyrave mbi telejo


“Vazhdues i denjë i piktorëve të shquem shkodran, si: Kolë Idromeno, Zef Kolombi, Simon RRota, Vladimir Jani etj. Vizatues i saktë e perfekt deri n’pafundsi mjeshtrore. Ai kalon bukur nga velatura në shpërthime koloristike, që buron nga nji shpirt i pasun krijues, në nji ndjesi e thellë magjepsëse, ku si limit ka Hyjnoren. Në të gjitha punimet, janë të gërshetueme bukur mjeshtëria e arti. Në punime flet vetëm shpirti i tij.”
Nikolin Luci, piktor

Sikurse shikohet Rriku ka jetuar dhe zhvilluar prirjet e tij në një mjedis të përshtatshëm artistik. Shkollën e mesme e kreu pranë Liceut Artistik në Tiranë në vitet 1971 - 1975, ku reflekton talent në gjinitë: peisazh, portret dhe kompozim.

Diplomën e mbrojti shkëlqyeshëm dhe u vlerësua me notën 10. Por si gjithnjë, për arsye politike të regjimit të kaluar, nuk mundi të vijonte shkollën e lartë. Filloi të punoj në hidrocentralin e Fierzës (1976 - 1978) si punëtor, e cila e bëri të njihej më afër me njerëzit, vuajtjet, sakrificat, mjerimin, njohu njerëz me zakone e karakteret e tyre, që do t’i përdorte në punën krijuese.

Rriku për disa vite punoi në dekorin e qytetit. Megjithëse orari i punës ishte i gjatë, ai e gjente kohën për të punuar në pikturë. Ai ka paraqitur punime në ekspozita kombëtare, lokale dhe në galeritë e ndryshme në botë. Më 1999 hap një galerinë vetjake në qytetin e lindjes. Po këtë vit në galerinë "Te & Gi", paraqitet me disa punime me një grup piktorësh.

Më 1998 me galerinë "Te & Gi" hap ekspozitë në Itali, Slloveni, Spanjë, Angli. Dy punimet me motive fetare të titulluar "Udha e Kryqit" i ka realizuar në kishën Katedrale të Shën Shtjefnit në Shkodër, për të cilat thoshte se ka pas një fat që ia besuan dorës së tij.

Ishte një ndër njerëzit më aktivë në Shoqërinë Kulturore "Illyricum" të qytetit, ku ishin tubuar pjesa më e madhe e artistëve shkodranë. Në të gjitha veprat Rriku është shumë serioz, i natyrshëm dhe origjinal në stilin, duke përcjelljë mesazhe të kthjellta arti.

Një frymë e pastër realiste, pa mbingarkesë spikat në të gjithë punimet, që i përshkon një ndjenjë e hollë artisti. Në penelin e punës frymëzuese, shumë qartë shquhen bashkërendimi me saktësi i bukurisë me harmoninë e të gjithë linjave kompozicionale artistike në punimet e reja mbi telajo.

Piktori i talentuar Mendoja,  kishte zgjedhë temen e historisë së Shkodrës, që nga legjenda e Rozafës e të gjitha periudhat kryesore historike deri më 28 nëntor 1944. Në përmbajtje ishte një cikël shtatë tabllosh, të lidhura organikisht në vijimësi prej njerës tek tjetra, në një sipërfaqe të vogël, që formonte një brez të ngushtë, rreth 70 centimetër, që ecte natyrshëm në formë rrethi për t’u mbyllë atje ku kishte filluar.

Çuditërisht përballë tabllosë së tij, të duket se je para një salle shumë të madhe dhe monumentale, ku dialogon me piktorin përsonazhet e larmishëm të skicuar për ngjyrim.

Autori, u mundua organikisht të bëjë bashkimin të rrymës tradicionale me frymën e re bashkëkohore në pikturë, pa ra në përsëritje apo siç quhet ndryshe në fotografizëm. Shquhej si vizatues i mirë ngjyrës, ku çdo penel i hedhur me delikatesë dhe finesë artisti i nënshtrohej mendimit të pjekur, që i buronte nga galeria e pasur e shpirtit të edukuar për art.

Artisti plot frymëzim detajonte deri në imtësitë më të vogla elementët e tablosë së re dhe dinte të dallonte atë që duhet të ishte si boshti i idesë së realizimit të kompozicionit artistik. Vepra me kohë ishte realizuar ne mendjen e tij, por punonte me kujdes për ta ofruar të gjallë me penel.

Piktura e tij qëndron elegante, plot dritë, tejdukshmëri, e përpunuar në ngjyrë dhe të bën për vete, mbasi është tërësisht autoktone e shpirtit shqiptar. Kudo në motivet qytetare, ndihet drita, ajri e jeta e Shkodrës. Çdo milimetër e tabllosë së tij flet. Nuk kishte asgjë të rastit.

Talenti, mendja e zemra ishin të unifikuar në një të tërë me emrin e vetëm ‘Enrrik Mendoja’. Ai ka dashur të dëshmojë se zgjidhja klasike e harmonisë së përkryer nuk është e vetmja zgjidhje që mund të mendohet, mbasi thjeshtësia e natyrshme është njëra rrugë për të arritur bukurinë. E në këtë plan dhe këndvështrim, për dashamirësit më të rrafinuar të artit, ngjyrimi me penel artistik ka edhe rrugë të tjera më pak të drejtpërdrejta për të arritur efekte tërheqëse me plot sukses.

Si një artist i vërtetë në shpirt e në penel, ai krijoi diçka të re dhe befasuese. Miku i tij i afërt dhe kolegu Nikolin Luci gjatë bisedave të shpeshta në studion e tij kujton: "Ka patur apo nuk ka patur të drejtë Rriku, sidoqoftë ka qenë i vendosur për t’i rrëfyer ato legjenda, portrete, peisazhe në një mënyrë tjetër e për ta bërë shikuesin të ndjejë atmosferën e gërshetimet, kompozicionet artistike".

Kurse piktori i mirënjohur Pjerin Sheldija, një mik i afërt i tij thotë se: "Rriku, ishte një shembull pune këmbëngulëse dhe gjithmonë në kërkim. Ai dijti aq bukur të lidhë talentin me vullnetin, arsyen me ndjenjën. Si një njeri me taban kulturor, harmonizoi në mënyrë të shkëlqyeshme detajin me të përgjithshmen, vizatimin me ngjyrën, tradicionalen me kohoren. U mbështet fort në artin popullor, duke stilizuar aq mirë motivet tona, pa ra në dekoratizëm".

Dhe Rriku vërtetë ishte i tillë, mbasi diti me shumë mjeshtëri të nxjerrë në pah dhe të vlerësojë atë çka i nevojitet pikturës si një vlerë origjinale. Çdo punim i tij ishte i kuptueshëm dhe i dashur prej të gjitha shtresave të shikuesve.

Vepra e tij për motive të pastra shqiptare mbetet një bazë e shëndoshë në tabanin e gurrës së pashtërshme shqiptare, si një art i mirëfilltë dhe një gur i çmueshëm në artin shkodran dhe gjerdanin e pasur shqiptar.

Në piktura, autori ka zgjedhur motive, që i quan me vend “një vegim ëndrrimtar të së kaluarës”. Dhe në vegim e ka zhytur në një dritë të praruar ose në një ajër të argjendë, që vjen e transfiguron jetë të gjallë, të hareshme në koleksionin e pasur të veprës së tij.

Veprat artistike, si: “Kushtrimi” (80x80), “Autoportret”, kanë një teknikë të lartë të realizmit me vaj në telajo. Tematika e vajzave të bukura: “Zadrimorja me pjeshkë”, “Katundarja me shandan e qyp”, “Portret fshatareje”, “Dasmorët falin nusen”, “Katundarja me mollë e lule”, “Meditim i nuses së re”, “Malësorja e Marubit”, “Malësore me flokë të kuqe”, “Zadrimorja me faqe të zgjatur”, “Dy malësorë me njerëz në sfond”, “Bariu e baresha”, “Katundarja në formë rrethi”, “Katundarja në blu”, “Zadrimorja e re”, “Ishulli i Shirokës”; dhe lëgjenda e lashtë e kështjellës: “Tre vëllezër e tre nuse”, “Murosja e Rozafës”, “Kalaja në vjeshtë”, qytetarëve të hershëm, si tablotë historike: “Lufta me turqit”; motivet shpirtërore me tematikë të pasur fetare, si: “Zoja me Krishtin”, “Udha e Kryqit” (sot gjenden të ekspozuara në faqet murale të Kathedrales së Shën Shtjefinit në Shkodër, shënimi im K. K.), “Gruaja me Engjëll”, “Zoja e Duomes”, “Varrezat katolike” (në Rrmaj të qytetit të Shkodrës) etj.

Me interes janë edhe subjektet e lira dhe të larmishme, si: “Kompozim portretesh”, “Potret fëmije” (ku kryesisht ka realizuar vajzën e vet të vetme Antonela Mendoja, sot studente e dalluar në univertsitetin amerikan në Neë York, shënimi im K. K.), “Natyrë e qetë”, “Nusja”, “Peisazh” (dimër), “Natyrë e qetë me gota”, “Akuarium”, “Portret vajze”, “Varkat” (peisazh), “Impresion”, “Fëmijët”, “Abstraksion” (vaj, fibër), “Portret i vajzës me mace” (Antonela e vogël), “Gjeli”, “Dajlani” (peisazh), janë më të preferuarat, ku jepen me të gjithë detajet elementët historic, traditës e folklorit etnik të ruajtur brez mbas brezi deri në ditët tona.

Pedagogu i Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi" piktori Andi Hila, shprehet: "Art i skalitur buron nga dashuria për vendlindjen dhe artin popullor, art i cili përcillet deri te ne me një talent befasues e shumë profesionalizëm. Duke kaluar nga një pikturë natyraliste deri në një dekorative e ornamentale piktori ynë Rriku shpalos magjinë e artit të tij."

Me ndjenjë të lartë respekti formulon një vlerësim të veçantë bashkëqytetari e piktori Shpëtim Garuci, i cili ndër të tjera thotë: "Unë kam pasur fatin ta ndjek nga afër punën tij. Ai punonte shumë si në sasi e cilësi, që i jep atij mundësinë e të qenurit një nga piktorët më prodhimtar dhe më të shitur në elitën e piktorëve shqiptarë. Temat e veprave të Rrikut janë të veçanta, për vetë tematikën që përdorte në realizimin e tyre, duke sjellë para syve të shikuesit vlera sa më origjinale".

Rriku studion me zell të ftohtë portretet e zadrimoreve

Piktori Mendoja, studion me zell të ftohtë portretet e zadrimoreve, me ditë muaj dhe vite. Ai kërkonte gjithnjë të përsosuren në punime, sepse kërkonte të ruante emrin e mirë të familjes dhe dorës së tij.

Piktori Mendoja, me ndjenja të pastra atdhetare dhe në veçanti për larushinë  ekostumeve popullore të traditës, donte që bukuria e zadrimoreve ta ndihmonte për të përcjellë vegimin e tij, për botët e dikurshme të dinjitetit dhe të pafajësisë. Por portreti më i arritur është portreti i rrumbullakët i zadrimores, që punoi në fund të jetë së tij.

Punonte çdo ditë deri në orët e vona të natës, mbingakesë e cila, më pas do të ndikonte mbi shëndetin. Kushdo që e sodit me kujdes dhe imtësi zadrimoren, detajet që e hijeshojnë atë do të shoh se autori e ka realizuar portretin e dashur në mënyrë përfekte, duke merituar fjalën ‘është vërtetë një pikturë e gjallë’.

Meditonte thellë, si studiues skrupuloz i traditës deri në detaje dhe mbas disa ditësh reflektonte me një punim origjinal, në harmoni kompozicionale me të gjithë linjat e një vepre në telajo. Fryma e pastër realiste, pambingarkesë spikat në punimet, që i përshkon një fill i ngrohtë bashkëkohorë pa ran ë përsëritje ose fotografizëm.

Shumë vite më parë, para se era e demokracisë të shkelmonte gjumin letargjik në tokën e Arbërit, ai kishte në shtëpi një koleksion të pasur pikturash, që askohe quheshin të ndaluara. Bashkëshortja Rita dhe vajza Antonela, student sot në John Jay College of Criminal Justice” Neë York, ishin oponentët e përhershëm të tij.

Këtu nuk ka asgjë dramatike, asgjë që të pushojë syri menjëherë, por sa më gjatë ta sodisim, aq më shumë duket mjeshtëria e tij virtuoze. Edhe në gjininë e peisazhit ka punuar shumë. Ata janë plot diell e paqë. Tani e kuptojmë frymën solemne të kulturës së pikturës, gjestet plot droje e respekt, vënien në mendime të figurave anësore që shohin varrin dhe admirojnë edhe më shumë atë bukuri, me të cilat figurat që do të lexojnë mbishkrimin u përgjigjen lëvizjeve të njëri - tjetrit.

Në kompozimet e tij, autori duket mjaft i thjeshtë, por është thjeshtësi e lindur nga një njohje artistike e thellë. Vetëm një njohje e tillë mund të gjallë këtë vegim nostalgjik, prehje të qetë në të cilën vdekja ka humbur tmerrin e saj. Por për pikturat e tij, ai ka zgjedhur vetëm ato motive që i quante me vend, në një vegim ëndërrimtar të së kaluarës dhe atë siluetën e ka zhytur në një dritë të praruar ose në një ajër të argjendë, që vjen e transfiguron tërë veprën sepse aty, është sekreti i artit të Enrrikut, mjeshtëria e magjishme për t’i dhënë jetë të gjallë, të plotë, të hareshme gjithçkaje.

Vite më parë në një nga ekzpozitat lokale, më tërhoqi vëmendjen një peisazh me borë kujton piktori i mirënjohur i qytetit të Shkodrës Ndoc Gurashi. Kjo të kujtonte se një talent i ri po i shtohej vargut të traditës së pikturës në qytetin e njohur në këtë fushë.

Veterani i penelit Gurashi, kujton: "Pyeta se kush ishte piktori. Dhe një koleg i tij më tha: "Ky asht autori i peisazhit e quhet Enrrik Mendoja". E përgzova duke i uruar suksese. Ai bukur thuri pikturën e mjeshtërit të madh Kolë Idromenos, Prof. Simon Rrotës, Kolombit e Vladimir Janit, me penelin e tij të madh sa realist e modern".

Piktura e Rrikut është e mbërthyer me vizatim të saktë e shoqëruar me një ngjyrë shpërthyese, duke futur hijshëm motivet kombëtare të qytetit dhe rrethinave të saj.

Këto i dhanë gjithnjë e më tepër përsonalitet të dallueshëm autorit në gjininë e arteve figurative shkodrane dhe kombëtare. Spikasin për veçanti tematike punimet: "Idil dashurie", "Fusha e Bunës", "Legjenda e Rozafës", etj.

Në shumë portrete duket se shprehjet e tyre s’mund t’i kapim kurrë. Por natyrisht, nuk është papërcaktueshmëria që e krijon këtë efekt, ka shumë gjëra të tjera prapa saj.

Dikur, kohë më parë, në të kaluarën e largët, njerëzit i kishin vështruar portretet me adhurim, sepse duke krijuar i ruheshin ngjashmërisë me përsonin. Ndërsa artisti në një farë mënyrë ruante artistin në nivelin e përsonit të pikturuar.

Ekspozita vetjake ka hapur në vitin 1999 në Galerinë e Artit në Shkodër, Galerinë e Artit “Te & Gi” (1999, Tiranë), ekspozitë me grup autorësh, në Galerinë “Te & Gi” (1998, Itali), “Te & Gi” (1998, Slloveni) etj. Ai punoi në Muzeun Historik Nacional “Gjergj Kastrioti” në Krujë, tek afresku mural “Bashkim Përballimi” (19mx5m).

E kësisoj kishte ngjarë me piktorin e talentuar Enrrik Mendoja, që sot mbetet i gjallë dhe përkujtohet me ndjenjë të thëllë respekti nga të gjithë bashkëatdhetarët, bashkëqytetarët dhe miqt e ngushtë në Shkodër, Tiranë, Durrës, Itali, Gjemani, Angli, Francë, ShBA etj.

Ai me penelin e palodhur bëri realitet ëndërrat dhe shqetësimet e ardashësve tashmë të shpërndarë udhëve të botës. Ai zotëronte ato magji që u jepte jetë ngjyrave të hedhur me penelin e tij vërtetë të mahnitshëm…

Rriku u nda i ri (viti 2001) nga Shkodra e tij e dashur, që i dha lëndën e parë në punimet në pikturë, duke i lënë trashëgim një galeri të pasur punimesh, që ruhen nën përujdesin e Ritës bashkëshortes, prindërve në Shkodër, që gjithnjë i qëndruan pranë së bashku me vajzën.

Shumë punë që ai mbaroi brënda në ngjyrat që hidhte në telajo, në temen që paraqiste ishin derdhur çastet e frymëzimit të ditës, dashuria për vajzën e vetme Antonelën, gruan Ritën (që sot jetojnë në Neë York, shënimi im K. K.) dhe njerëzit, që për te ishin muza frymëzuese në veprën që i dhuroi vendlindjes e Shqipërisë...

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive