Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Kulturë arrow "E keqja" e librit
"E keqja" e librit PDF Print E-mail
11 Dhjetor 2008

Astrit Lulushi

Cfarë dëmesh mund të sjellë një libër? Do të ishte qesharake të pretendohej se 80 “veprat” e Enver Hoxhës të përkthyera e shpërndara nëpër botë i sollën asaj ndonjë tronditje, ashtu si miliona libra a shkrime, në përkrahje të një regjimi nuk mundën t’a shpëtonin atë. E njëjta gjë mund të thuhet për Main Kampf-in e Hitlerit, libër që vazhdon të shitet. Librat e njerëzve të tille nuk ka pse të digjen, grisen e as të hidhen poshtë. Ato janë dëshmi e kotësisë së atyre që në fund humbën, por jo nga librat.

Duket se librat janë si trumptetat. Ato kurrë nuk vrasin, kurrë nuk fitojnë beteja, as nuk shkaktojnë rrezimin e mureve, me përjashtim të Xherikos. Përse atëherë kjo frikë nga  librat? Kur në to shtypet ndonjë mendim i ri a paradoks, nuk mungon as zemërimi se “vlerat po shkatërrohen”, që ringjallin kujtime e së kaluarës kur thirrjet e vrazhdta ”Mbylle gojën!”, jehonin ”Mos mendo!”.

Po Homeri, Platoni, Plini a Virgjili, kujt i morën leje? Po shumë popuj cfarë e
keqe i gjeti nga liria e shprehjes dhe mendimit? Po historia e tyre përse është
aq e pasur? Ka ardhur kjo nga vuajtjet a bëmat e tyre apo kanë qenë të lirë të
shkruanin e mendonin? Të botosh shkrime e libra me ide që sfidojnë ato
ekzistuese, do të thotë t’a kesh kuptuar lirinë. Dhe kjo duket se dëmton vetëm
mendjet e mbyllura, ashtu si drita e ndezur natën, sfidon vetem erresirën.

Shkalla e lirisë së mendimit matet nga mënyra se si pritet ai mendim, njësoj si njeriut në prag; mënyra se si i hapet dera tregon se sa i mirëpritur është. Para dy dekadave ishte shteti, diktatura që censuronte cdo ide. Sot duket se është një pjesë e publikut që ka marë përsipër këtë rol, sepse kritika denigruese është edhe censurë. Kur del një libër i ri, që shpreh ide ndryshe, apo kur autori i përket një krahu tjeter ose edhe më keq, kur nuk i përket ndonjë partie, tronditja ndodh, zërat thërrasin,“Skandal!” dhe sharjet pasojnë. ”Nuk të pëlqen? mos e përfill. Të lodh? mos e lexo”, do të thoshte Volteri. Të zemëron? shkruaj një të kundërt.

I njohur si poet por edhe opinionist, në pamfletin e tij “Areopagitica” më 1644, Xhon Milton, argumentonte përse është e nevojëshme liria e fjalës të cilën ai e lidhte me lirinë e botimeve. Sipas tij, atje ku ka dëshirë për të mësuar, ekziston edhe nevoja per më shume debat, më shumë shkrime e më shumë mendime të ndryshme. Ndërsa opinionin e njeriut të mirë, Milton e shihte si njohuri në përftim.

E mira dhe e keqja janë anët e së njejtës medalje. Ndoshta nisur nga kjo, Milton mendonte se “e keqja nuk duhej trajtuar duke eleminuar burimin e saj, sepse kjo do të sillte një zbrastësirë të madhe që nuk dihej se me cfarë do të mbushej”. Po ashtu, medalja mëdysh nuk mund të ndahet, sepse dyfaqëshe të tjera do të krijoheshin. Dhe nuk do të ishte aspak veprim i urtë që për të shpëtuar nga e keqja medalja të hidhej tej. Kjo do të ishte njësoj si për të eleminuar të keqën të shkatërrohej “molla”, burim i mëkatit por njëkohësisht edhe i dijes njerëzore, sipas Biblës. Prandaj edhe mendimet e kundërta, si e mira me të keqen, me dashje a jo, duket se lindin për të bashkëjetuar.


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2008-12-23 16:15:33
Mendoj se meqe per per mua Volteri nuk ka thene thuajse asgje te sakte, atehere edhe nje artikull ku ky permendet ka dicka qe nuk shkon. 
 
Gjithsesi per te gjetur ate cka nuk shkon duhet analizuar shoqeria njerezore. 
Nje shoqeri kur eshte e sigurte ne te ardhmen e saj, ne vlerat qe mbart e ne te cilat beson e nderon, atehere do te thote qe shimica derrmuese e saj perbehet nga individe te forte, te cilet nepermjet konservimit te vlerave evitojne revolucionimin e tyre, per te lejuar evolucionin te beje rrugen e vet. 
 
Por edhe ne kete shoqeri ka njerez te pakenaqur , zakonisht te dobetit, ata qe nuk besojne ne vlerat ku kjo shoqeri bazohet, kerkojne dicka tjeter qe ti shkepuse nga statusi i te dobetit. 
Keta njerez kane nje qellim te mbrapshte, duan ta asgjesojne kete shoqeri nepermjet shkaterrimit te vlerave ku kjo bazon moralin e spiritualitetin. 
 
Nese ketyre u lejohet te formojne ide te qarta mbi rrugen qe duhet ndjekur per shkaterrimin e status -quose atehere ketyre po u jep nje arme te forte ne luften per pushtet. 
Keto ide qartesohen neper libra dhe meqe njerezit krijojne inferioritet psikologjik ndaj nje njeriu qe perdor racionalitetin edhe mbrapsht, atehere nje sharlatan i zoti jo vetem ben per vete te dobetit por edhe nje pjese te popullsise qe i jep konsensusin e heshtur vlerave ku shoqeria bazohet. 
 
Ka disa te mira qe per mua jane universale e duhet te jene te paprekshme, me kryesorja familja e forte e cila pastaj ofron nje fis te forte e nje komb te forte.Nje shoqeri me familje te shkalafitur prodhon nje komb te dobet, pa moral e me spiritualitet afer zeros. 
 
Pra nje shoqeri pasi shquan keto te mira, nuk duhet per hir te lirise se fjales e mendimit te lejoje perbuzjen, goditjen, shkaterrimin e ketyre te mirave qe quajme vlera. 
Liria e fjales eshte liri ankimi, ai qe sdo te ankohet nuk thote kurre se i mungon liria e fjales pasi ai ka per te lavderuar dhe ate sta ndalon nkush. 
 
Kjoi liri ankimi kunder vlerave qe jane baza historike e nje shoqerie, nuk duhet lejuar, pasi do beje per vete anetaret e dobet dhe pjesen qe jep konsensus te heshtur. 
Pra kjo liri do e coje kete shoqeri ne lufte e cila nuk sherben per gje tjeter perpos dobesimin e shoqerise. Te pakten keshtu thote historia e njerezimit. 
 
Duhet te jemi pragmatike , te mos lejojme te drejten e fjales te beje asgje me shume pervec te gervishte vlerat, pra kurre te mos e lejojme te fuse thiken ne kocke. Kunder vlerave qe mbajne gjalle nje bashkesi e drejta e fjales duhet te lejoje mundesine e vaksinimit, por kurre infektimin. 
 
Psh kjo e drejte fjale qe godet ashper figurat tona kombetare si Ismail Qemali apo se fundmi Skenderbeun , absolutisht nuk duhet lejuar, perndryshe ky popull ne rrugen e shkombetarizimit do behet lecke nga forca racionale e armiqve te kombit qe kemi mes nesh. 
 
Morali dhe spiritualiteti i nje kombi duhet fuqizuar e kjo realizohet duke mos lejuar racionalitetin te nderhyje aty ku me i dobishem eshte spiritualiteti, ku eshte besimi. Ceshtje pragmatizmi, familja dhe kombi mbahen te forta nga afersia spirituale qe ndjejne individet, jo nga racionalizmi.  
 
E zgjata ca po arsyet per mendimin tim jane teper te thella per tu thene me pak rreshta.


International
English
Faqe interaktive