Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Letersia arrow Drama e një binomi njerëzor
Drama e një binomi njerëzor PDF Print E-mail
23 Dhjetor 2008
Nga Vangjush Ziko

    Këtë vit u botua nën kujdesin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë,të presidentit të kësaj shoqate, z.Gjeke Marinaj, dhe të kryetarit, z.Dalan Luzaj, antologjia poetike "Zemer Prindërore" e përgatitur nga shkrimtarët Agim Bacelli, Këze(Kozeta) Zylo dhe Kostaq Duka, botuar nga "AlmerA".
Tema e kësaj antologjie,që përfshin poetë nga të gjitha trevat shqiptare, është dashuria, adhurimi dhe përkushtimi sublim i binomit njerëzor prind -fëmijë, pra, tema e dashurisë më të shenjtë në botë.  Në parathënien e librit shkruhet: "Në kujtim të prindërve,50 poetë shqiptarë bashkuan ndjenjat e tyre të dashurisë prindërore në vargje. "Ne pjesën më të madhe të poezive kjo dashuri përthyet në prizmin poliedrik të emigrimit.
   
 Të marrësh rrugën e mërgimit do të thotë,mbi të gjitha,të jesh i guximshëm dhe i vendosur.  Ky guxim ka riskun e vet (vec së panjohurës) të ndarjes nga njerëzit më të afërm e më të shtrenjtë, ka emrin "dramë njerëzore",sidomos, për ne të lidhur aq fort me fijet e jetës familjare, fije që kanë jo vetëm ngjyrën e vjetëruar patriarkale, por, mbi të gjitha, flakërrimën e gjakut dhe skemën zinxhir të ADN-se shqiptare.  Në mërgim, emri Nënë dhe Baba tingëllon sa ëmbël aq edhe dhimbshëm, i veshur me një mall e nostalgji dramatike.
    "I trishtuar çohem çdo mëngjes, /Me shpresë se do të të përqafoj", shkruan një poet. Këto vargje tingëllojnë si një belbëzim fëmije dhe njëherësh si ankth burri që e ka gdhirë natën me të njëjtën ëndërr që i shfaqet në gjumin e trazuar në vendmërgimin e largët. Problemet e jetës së përditshme, të punës,t ë fëmijve, të familjes me ngarkesën e tyre jo të lehtë, andrallat dhe preokupimet, në ia fashitin sadopak, nuk ia fshijnë dot atij burri apo burrëreshe sentimentalizmin shqetësues.  As vargjet nuk e fshehin dot këtë.
    "Telefonit i ishin këputur gjunjët/se nuk dëgjonte dot zërin e nënës";"Ledhatimin tënd(nëne) s'mund ta harroj";"Në këtë muzg psallmin shartova me vargje/e solla afshin tënd pranë meje...këtu",psherëtin zemra e poetit dhe e poeteve. "Lejomë (thotë poeti tjetër) që nëpërmjet syve të mi të njomin jastëkun sytë e tu, o nënë/...Kjo ndarje e tërbuar/qenka dhimbja e dhimbjes".
    Dhe kjo "dhimbje" ka dy fytyrat e saj binjake:"vetminë e emigrantit" dhe "vetminë e prindit".
    "Nuk më ka mbetur /asgjë pranë/pos etjes për dorën tënde.../Nënë.",shkruan një poezi e kësaj antologjie.Kurse një tjetër,"tanët u bënë të huaj,/më të huajt rrimë pranë".
Pardokse të jetes sonë.
Do të ishte mëkat tjetërsimi i dashurisë prindërore.  Por dhe afrimi me "të huajt" nuk duhet paragjykuar.  Eshtë një domosdoshmëri jetike, që nuk e zbut dot vetminë e mërgimtarit, nostalgjinë për vatrën prindërore, ku bashkë me zjarrin (me dru,me gaz apo me korrent elektrik) theken kujtimet e fëminisë,të rinisë së parë, brambullijnë bisedat me zë të ulët apo të lartë, këshillat apo qortimet, të gjitha ato që përbejnë "enciklopedinë të mëncurisë familjare" dhe "baladën" e dashurisë prind-fëmijë.Dhe, megjithëse prindi e ka porositur të mos qajë si fëmijë pas largimit, poeti emigrant fshin lotët dhe e merr "gjithësinë në duar/të shuajë mallin e nënës.../Me duf ia shtyp polet globit/sepse boshti i tij prej flake/rrotullon tokën kot së koti".
Mbase, ky rebelim ia lehtëson sadopak zemrën për një cast, nxjerr dufin e shpirtit dhe i duket se e zbuti vetminë.  Po më kot.  Kështu qenka sendërtuar kjo botë. Dashuri. Ndarje. Vetmi.  "Kurbeti dhe fati ngjasojnë", na thotë një varg i kësaj antologjie.  Mërgimtarit (poetit) nuk i mbetet gjë tjetër veçse këtë vetmi klithëse ta sfumojë me qëndresën e vet prej "spartani" të "skllavëruar largësish/fitues dhe i mundur".  Fitues se doli në një shesh beteje të ri, ku emigroi të luftojë për të realizuar ëndrrën për një jetë tjetër,që vatra familjare (ajme!) nuk ia realizoi dot.  I mundur se u shkëput nga prapavija e tij.  Fitoi,pra,një botë të re, por edhe një dramë të re shpirtërore.
Megjithatë, ka dhe një vetmi tjetër edhe me therrëse se vetmia e birit apo e bijës emigrante.
    "Babai im pret i heshtur pranë telefonit/të dëgjojë zërin e ëmbël".
    Cfarë ëmbëlsi e hidhur!
    "Pi një kafe...ulet në tavolinë/dhe mendon."
    Perëndia e paske dënuar të jetojë larg fëmijëve të vet.
    Ka edhe më keq.
    "Babai im mbeti jetim në pleqëri' rënkon vargu (shpirti) i poetes.
    Por paska dhe më zi akoma!
    "Së largu belbëzoj/te varri të vij përherë."
    Por zemra prindërore e vetmuar, këtej dhe përtej kësaj jete, shqipton vetëm "urimin me lot në sy".Ajo e kupton, ajo e ndjen se fëmijët u bënë erë "si një flakë e ndezur" nga dinamiti i kohës.
    "Kurbeti dhe fati ngjasojnë" ngushëllohen të dyja palët, prind dhe fëmijë.
    E quajmë "fat".E quajmë "të thënë".  E quajmë "aventurë" apo "shtrëngim".  E quajmë "ëndërr për jetë më të mirë".  Realiteti është realitet.  Mërgimi i ndan njerëzit.  Por nuk i ndan dot zemrat.  Zemra e sfidon ligjin e fizikës, që na thotë se dy pole me shenjë të njejtë e shtyjnë njeri-tjetrin.  Zemra dhe Poezia, përkundrazi, i afrojnë dhe përtej largësive.
    "Ndoshta mbarë do të fryjë Era.../Ndoshta shihemi prapë mot-mot",ëndërron poeti.
    "Do të kthehem së shpejti/e do të t'i kthjelloj sytë", shpreson një tjetër.
    "T'i djegim motet e hidhura të largësive", profetizon poezia.
    Dhe ja (si në një dialog baladash të lashta) dy propozime me sens të kundërt, që na sjell kjo antologji poetike.
    Prindi:"Do pres gjersa të kthehesh,do duroj pa u tharë".
    Fëmija:"Me not s'e kaloj dot lumin e mallit/Ti,nënë,kur do të vish?"
    Përgjigjeja mbetet e varur në hapësirë si një re e hirtë që shkon e vjen nga njeri kontinent në tjetrin.  Dilema mbetet e hapur (të lumtur ata që e kanë zgjidhur!)  Të dyja palëve u mbetet vetëm shpresa.  Shpresa që vdes e fundit.  Në poezi, kurrë.
Të gjitha këto i lexova në antologjinë "Zemër Prindërore" të shkruar nga 50 poetë shqiptarë.  Nuk përmenda asnjë emër të tyre duke i vlerësuar dhe respektuar të gjithë për ndjenjat e vërteta njerëzore të shprehura aq bukur, për dramën e thellë shpirtërore që kanë përcjellë në këtë cikël baladash bashkëkohore të mërgimit.  Në fund të fundi,c'rëndësi ka emri ynë  .Vlera jonë qëndron në krijimtarinë tonë, se sa kjo krijimtari shërben, sa lehtëson e ndihmon ajo për ta duruar së bashku (andej dhe këtej) këtë dramë binjake siameze të shekullit të globalizmit; dramë që nuk e deshëm, por që nuk shmangem dot; dramë e cila luhet në teatrin modern të Botës së sotme.  Ne jemi vetë autorë dhe aktorë. Regjizorë është vetë KOHA indiferente, që pa mëshirë, revizionon dhe ridimensionon këtë dramë nje rëzore.
 
Dhjetor, 2008                  

 
Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive