Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Letersia arrow Mbi tregimin "KUKULLA TE NGRIRA" të Robert Martikos
Mbi tregimin "KUKULLA TE NGRIRA" të Robert Martikos PDF Print E-mail
23 Dhjetor 2008
Astrit Lulushi

Janë këto Kukulla, megjithëse të ngrira, që nxisin mendimin dhe i japin jetë vështrimit duke e bërë atë sa të thellë edhe të mprehtë. Eshtë fjala për katër kukulla, si katër stinët, secila me bukuri të vecantë. Nëpermjet tregimit, plot kthesa të papritura në një rrugë rrethanash të rastit, si në ekran me imazhe të krijuara nga fuqia e fjalës, Robert Martiko e shpie lexuesin në një kohë tjetër me bëma që nuk zhbëhen, vite që nuk kthehen, të humbura por jo pa gjurmë. “M’u desh pothuajse një jetë e tërë për ta kuptuar këtë!”, thotë Martiko, ndërsa tregon, në vetën e parë, e me pak shpresë, nga shtrati i një spitali.


Kukullat e tregimit, që e bëjnë Martikon të flasë, apo ai i vë në shërbim të tregimit, janë vajza-kukulla jo robotike, jo me kurdisje, por të ngrira, si ato që kishte ëndërruar të luante në fëmijërinë tij, por nuk e kishin lënë, jo sepse ishte djalë.

Personazhi, emigrant, është punësuar në një familje të pasur suedeze, ku ai pësoi edhe  zhgënjimin e parë të jetës në perëndim kur u njoh me njerëz fisnikë. Ky ishte një dy here zhgënjim, pozitiv, pas një jete mes gënjeshtrave.

Krishtlindjet po afronin dhe cifti Swedberg, kishte përgatitur surprizat e radhës për fëmijët e vet, e njerëzit e tjerë e të ftuarit e shumtë. Cfarë ishin ato?

“…u duk se sekreti i çiftit Swedberg do të merrej vesh qysh më parë”, thotë personazhi i tregimit, duke përmendur më parë se Swedberg është personi që e kishte punësuar dhe e kishte ndihmuar, “..derisa u sëmura përsëri. Ndërkohë, ai nuk harronte të më ftonte në çdo festë që bënte familja e tij. Aq sa tani unë ndihem në gjirin e saj si njeri i tyre”. Ata nuk mbanin më sekrete.

Kukullat vinin nga vende të largët si Tahiti, Hawai Japonia, “mbasi për europianët joshja prej këtyre femrave ekzotike, me një bukuri aq të rrallë, ka qenë përherë tepër e madhe…deri me rënien së Murit..kur këtyre emrave filluan t’u shtoheshin edhe ato të disa vendeve që dikur gjendeshin mbas Perdes së Hekurt.”, ku më parë mendohej se nga mungesat ushqimore e varfëria, bukuria ishte shuar.

Kukullat mbërritën me kamjon: “duke u larguar, shoferi nuk harroi të më merrte firmën. Ndërkohë unë i kërkova atij të shtonte në faturën e agjencisë së transportit shënimin: llogaria u shlye. Ja një mosbesim i tepruar,...ndoshta një atavizëm lindor! dhe si për të shlyer gabimin i zgjat shoferit 10 euro, për të pirë një kafe”. Eshtë ndjenja që njeriu provon kur arrinë të njoh vetëveten.

Dhe aty ku një surprizë merr fund, tjetra fillon, sepse ndërsa harrohesh pas leximit, Martiko, magjishëm i shndërron fjalët në imazhe: “Ishin katër kuti të mëdha prej druri të lustruar, me ngjyrë të kuqërreme, në të cilat disa etiketa prej letre të plastifikuar ngjyrë rozë thoshnin se në secilën prej tyre gjendej e mbyllur një vajzë e re...”.

Por në këtë mjedis miqësor, në prag feste, një gjë sikur nuk shkonte: “prania e ftohtë si e ngrirë  e një inxhinieri arkitekt, disi të pakomunikueshëm dhe snob, më turbullonte lehtë”. Në jetë ai ishte ndeshur shpesh me njerëz të tille, dhe dinte nga t’i hidhte sytë, për të dalë nga keqardhja që ndjente, jo për veten; “..u ngroha diçka në vijim vetëm kur mendova se, në fund të fundit, qëndrimi i tij ishte diçka që i bezdiste edhe të tjerët”.

Kukulla e parë, ishte aziatike, e dyta më e bukur se e para, por çuditërisht tepër e zbehtë. Dhe Martiko me prozën e tij poetike vazhdon: “Nën një lloj bukurie me tipare klasike, dallohej diçka fëminore, tretur në një pamje serioze…diçka si një vel trishtimi, shkaktuar si prej një gabimi, që edhe në gjumë shpërndan qetësisht helmin e tij”.

Dhe kukulla sado e ngrirë, “Ishte një bukuri e rrallë, delikate, prekëse dhe njëkohësisht tragjike. Ndieva fatalitetin…në formën e asaj dorës së pamëshirshme të shkëputur nga pjesët e tjera të trupit, të më shtrëngonte më mizorisht në fyt”.

Në këtë gjendje iu afrua kukullës së tretë. “më shfaqej në kokë mendimi se këtë kukull unë e njihja qysh më parë në një vend..ku lodrat e paka prej druri i mbanin të mbyllura me çelës. Na i jepnin vetëm kur ca inspektorë seriozë u vinin mësueseve për kontroll. Por ata pothuajse nuk vinin kurrë..”.

Kur hapi kutinë dhe pa kukullën e katërt, ai ndjehu t’i përforcohej era misterioze “e një fëmjërie të largët, kënga e mistershme e bulkthit netëve të vakta të verës…sëbashku me kujtime të turbullta njerëzish pothuaj të harruar, dashuri të vjetra të mjegulluara, më tepër platonike, të parealizuara….Çudi! Ndiej të mos më ndahet nga thellësitë e shpirtit edhe ajo pjesa e bukur, e ëmbël e ca njerëzve të ndershëm, të brishtë, të lëne pas dore, që kam patur fatin të
njoh në Shqipëri”.

Tregimi i Martikos vazhdon edhe më tej, duke krijuar atë ndjesinë që lë prerja e shpejtë, e befasishme dhe e thellë, që aty-për-aty e bën dhembjen të mos ndjehet. A është kjo ndjenje që njeriu provon kur jeta i afrohet rrethit të saj te plotë? Kështu edhe në tregim, dhembja vjen pas gjithë mbresave të tjera: “Me interesimin e zotit Olaf (Swedberg) tani ndodhem i shtruar këtu në Sahlgrenska, ku mjekët përpiqen të më shërojnë prej një sëmundje të vjetër në mëlçi. Do të më
mbajnë këtu edhe nja dy-tri ditë. Për shërimin tim thuhet se nuk kanë më shpresë”, megjithese mes miqve e njerëzve të mirë, për të cilët i kishin thënë se duhej t’i urrente, ndërsa tani i admironte dhe shprehjen "klasë borgjeze" prej kohësh e kishte fshirë nga fjalori.


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive