Astrit Lulushi
Nevoja për një të tretë lind kur dy polarizohen ose nuk pajtohen. Dhe ka rreth 20 vjet që fusha e lojës së intelektualëve ka ndryshuar; ajo tradicionale është bëre gjithnjë e më pak e rëndësishme dhe mendimet e nje intelektuali të gjysmës së shek. XX, i edukuar nën komunizëm, duken të vjetëruar per një person që mendon në shekullin e XXI.
Ky dallim edhe për faktin se ndonjë a disa prej intelektualëve tradicionalë vazhdonë të jetojnë të mbyllur në guackë, duke mbetur, deri-diku, të pandryshueshëm e te paafektueshëm prej rrymave të kohës. Dhe shenjat të kokëfortësisë për të mos ndryshuar janë ato kur ndaj arritjeve tregohet mosbesim, kur mendimi ndryshe përcmohet a nuk tolerohet dhe kur të resë i thuhet “prit”. Kështu jeta intelektuale mbizotërohet nga ata që përdorin të njëjtat fjalë, të njëjtën strategji sulmesh a kritikash, sikur kujdesen për të njëjtën plagë; vetveten. Kultura e tyre karakterizohet kryesisht nga komenti rreth komentit, duke e vluar debatin deri ne atë pikë sa në fund askush nuk mban mend arsyen e fillimit apo vetë thelbin e komentit.
Në vitin 1959, Charles Percy Snow (1905-1980), fizikan e shkrimtar britanik, botoi një libër të titulluar “The Two Cultures”. Sipas tij, njëra kulturë që përfaqësohej nga intelektualët e letrave, ishte gjithmonë në luftë me kulturën e dytë që përfaqësohej nga shkencëtarët. Në perëndim, gjatë viteve 1930, shkrimtarët vetëquheshin “intelektualë”, duke përjashtuar nga ky rreth shkencëtarët, përfshi edhe më të njohurit si Hubble, Neuwman, Einstein, Bohr e të tjerë.
Ata që besojnë në barazi, thonë se fuqizimi i njërës palë; i një personi ndaj një tjetri, me pushtet, pasuri a dije ndodh pasi tjetri pengohet, izolohet, mohohet drejtpërsëdrejti a tërthorazi. Sepse si mund të shpjegohet idea se të gjithë njerëzit lindin të barartë dhe papritur, diku gjatë udhës së jetës së tyre, njëra palë e ndjen veten të varur nga pala tjetër dikur simotër.
Në rastin e “dy kulturave” polarizuese, aftësia komunikuese me publikun, e ndihmuar nga një fjalor i pasur, falë traditës, bëri që intelektualët e letrave të dilnin në krye. Shkencëtarët, më teorikë, të ndrydhur në eksperimente shumica të pasuksesshme, e me një fjalor të kufizuar, të rënduar me fjalë të huaja e zhargon, nuk ishin në gjendje t’a bënin publikun të kuptonte rëndësinë e punës së tyre. Por idetë e tyre mbeteshin të padukëshme si veprimtari intelektuale edhe për faktin se shkenca ishte një kategori jo fort tërheqëse për gazetat e revistat, të mbushura me shkrime të natyrës “ai-tha/ajo-tha”
Në librin “The Two Cultures”, Snow, që ishte shkrimtar e shkencëtar, doli me idenë e një “kulturë e të tretë” e cila do të mbyllte hendekun që pengonte komunikimin midis intelektualëve të letrave dhe shkencëtarëve, duke bërë që shkrimtarët të ndihmonin shkencëtarët për të përhapur idetë e tyre. Por koha e kapërceu parashikimin e Snowt sepse shkencëtarët dolën nga “guacka e tyre” dhe sot janë në gjendje të komunikojnë drejtpërdrejt e lirshëm për të transmetuar mendimet e tyre tek lexuesit inteligjent. Një numër shkencëtarësh (Diamond, Hawking, Pinker, Dawkins), njihen sot edhe si autorë të suksesshëm librash shkencorë të shkruar thjeshtë, qartë e kuptueshëm per lexuesin e zakonshëm. Disa thonë se suksesi i librave të tillë është rastësi, apo se ato blihen por nuk lexohen. Por të tjerë thonë se ky sukses është shenjë e “kulturës së tretë” në veprim, që tregon se shumë njerëz janë të etur për ide të reja dhe kanë vullnet për të bërë përpjekje për të edukuar veten.
Popullariteti i mendimtarëve të “kulturës së tretë” është rezultat jo vetëm i aftësisë së këtij lloji të ri shkencëtarësh për të shkruar a shprehur në mënyrë tërheqëse ide të ndërlikuara e abstrakte, por edhe sepse ajo që tradicionalisht është quajtur “shkencë” tani është bërë “kulturë publike”, njee periudhë ku shkenca dhe jo letërsia ose filozofia, thotë John Brockman në librin e tij “The Third Culture”, udhëheq debatin rreth natyrës njerëzore dhe natyrës së universit.
Temat shkencore nga më të ndryshmet sot zënë vend të dukshëm në gazeta e revista, dhe interesante është se njerëzit, kur i lexojnë, ndricohen a bien në mendime; ndryshe nga ndjenja që provojnë kur ndeshin një shkrim politik a cfardo. Kjo tregon se fuqia e “kulturës së tretë” qëndron në faktin se ajo mund të tolerojë mendimin ndryshe, si dhe mosmarrëveshjet që lindin kur debatohet se cila ide duhet marrë seriozisht dhe cila duhet hedhur poshtë. Gjithashtu, ndryshe nga më parë, debatet nuk zhvillohen vetëm brenda një rrethi të caktuar akademikësh, sepse edhe cështjet janë të tilla, që afektojnë jetën e cdo njeriu.
|