Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Emigracioni arrow Bisedë me zemër "të hapur"
Bisedë me zemër "të hapur" PDF Print E-mail
08 Korrik 2009
Nga Rozi  Theohari—Boston

       Në adresë të emailit tim gjeta një foto dërguar nga kirurgia duarartë shqiptare Lindita Çoku. Ne fotografi paraqitej një krevat spitali: trupi gjysmë i mbuluar i një pacienti, gjoksi i tij fiksuar me tela elektronikë dhe fytyra…Ah, fytyra e tij mbuluar me rrudha shprehte pakëz dritë ndërkohë që bashkëshortja, edhe ajo e moshuar, kishte mbështetur buzët në ballin e tij të djersitur. Ishte puthja e parë bekuese, përgëzuese, lutëse e frymëdhënëse, pas operacionit të rëndë në zemër përfunduar disa orë më parë. Ajo puthje e lehtë, fisnike, ishte dashuria e nënës, zemerdhembshuria e gruas shqiptare, e cila ka mbajtur e mban gjallë familjen, mirësinë, traditat, ritet, shoqërinë.

    Ditë më vonë,pasi gjeta emrin dhe adresën  e pacientit, i telefonova. Kisha  kureshtje. Ai quhej Avdyl Tufa dhe kishte ardhur enkas nga Lushnja për t’u operuar në Amerikë, nën përkujdesjen e familjarëve. Avdyli më foli me një zë emocionues: “ Doktoreshën Lindita Çoku e njoha gjatë kohës që isha shtruar në spital. Dy ditë para se të operohesha nga zemra erdhi në dhomën time një vajzë e re… “Unë jam shqiptare, - më tha,- punoj kirurge në këtë spital…do të asistoj në operimin tënd…Keni fatin e mirë që do t’ju operojë një nga doktorët më të mirë.”  Ashtu, e urtë, e butë, më sqaroi për këtë operacion. Fjalët e saj më ngrohën shumë dhe më bënë optimist. “E kam për detyrë që t’i ndihmoj shqiptarët që vijnë këtu, mos ki merak, je ne besen time”- vazhdoi ajo. Dy ditë pas operacionit doktoresha Lindita më erdhi në dhomë e më tha gëzueshëm: “Avdyl, operacioni doli me sukses, siç ju thashë edhe para se te operoheshit.” Ajo, fjalëmbla, më dha disa këshilla të vlefshme, të cilat i përsëriste sa herë vinte në dhomë…Nuk mjaftohej me kaq, por here pas here më telefononte nga shtëpia e saj e më jepte porosira të mos kisha ankthe. “Çdo gjë do të shkojë mirë, dalngadalë …” më përsëriste ajo. Kjo sjellje e saj humane ka lënë mbresa të mira tek unë dhe tek familja. Ne e konsiderojmë doktoreshën si pjesëtare të familjes dhe mua m’u bë tamam si bija ime. Edhe sot që bisedoj me ju, e ndiej kujdesin e saj nga afër, prandaj dhe e respektoj shumë, sepse ajo vetë i respekton shumë pacientët e saj. Nisur nga konsideratat e mia, unë, përveç emrit të saj të bukur “Lindita”, do ta quaja “zemërarta”. Këtë emër e meriton. Do ta kujtoj gjithmonë kirurgen tonë shqiptare.”

              DOKTORESHA QË NUK DI TË ÇLODHET

    Dr. Lindita Çoku është një figurë e mjekësisë shqiptaro-amerikane tashmë e njohur nga bashkatdhetarët e rajoneve të mëdha të Nju-Jorkut dhe Bostonit, por edhe brenda e jashtë Amerikës. Ajo është zgjedhur presidente e Shoqatës Mjekësore Shqiptaro-Amerikane, me kryetar nderi nobelistin shqiptar dr. Ferid Muradi. Pjesëmarrja e dr. Çokut në elitën e kardiokirurgjisë amerikane është një nder jo vetëm për doktoreshën, por edhe për gjithë kombin shqiptar.

   Po prisja në sallonin paraoperator të “Boston University Medical Center”, me sytë e përqëndruar tek ajo derë, pas së cilës vajza jonë e talentuar shqiptare “qëndis” mbi organin e zemrës me gishtat e saj delikate…Pas një ore drejt meje po ecte ajo, tiransja zemërdëlirë. Kirurgia shqiptaro-amerikane  (the surgeon) Lindita Çoku hoqi maskën e bardhë te operacionit dhe unë dallova fytyrën e saj pak fëminore të përshkuar nga një buzëqeshje lumturie. Përsëri operacioni ne zemrën e pacientit mbaroi me sukses. Përsëri…Vajza shqiptare nuk e ndien lodhjen kapitëse të operimit në sallë dhe i përball emocionet e forta. Mbi të gjitha qëndron ndjenja e lartë e përgjegjësisë për një jetë njeriu.


  Disa çaste më vonë po shëtisnim në kopshtin e spitalit “Boston University  Medical Center”, që është bërë shtëpia e dytë e saj. I transmetova dr. Çokut falënderimet e Avdylit. Ajo më shpjegoi se kishin qenë tre pacientë shqiptarë që ishin operuar nga zemra kohët e fundit dhe theksoi se që të tre pacientët shqiptarë kanë pirë duhan vite me radhë. Ata u këshilluan ta ndalonin rreptësisht duhanin. Doktoresha vazhdoi: “Zoti Avdyl Tufa, pacient i moshës 76- vjeçare nga Lushnja, u diagnostikua me sëmundje arterosklerotike te tre prej arterieve koronare të zemrës më 27 tetor 2008 tek Qendra Mjekesore Universitare e Bostonit. Me 1 nëntor ai iu nënshtrua nderhyrjes kirurgjike pa kalim në pompen mushkeri-zemër. Kursi postoperator kaloi me sukses dhe më 6 nëntor u dërgua në shtëpi. Më 30 prill 2009 ai u kthye ne gjendje te mire në Shqipëri… Pacienti i dytë, zoti Agim Dëshnica,  i moshes 75 vjec nga Tirana, u soll ne Qendren Mjekesore Universitare te Bostonit urgjent me « Ambulance » mbasi kaloi një episod sinkopie (të fiket) në rrugë, e cila u deshmua nga bashkeshortja më 16 shkurt 2009. Ai u diagnostikua me semundje arterosklerotike të zemrës në bazë të prezantimit klinik, ekokardiografise. Më 20 shkurt 2009 ai iu nënshtrua nderhyrjes kirurgjike për revaskularizimin e tri arterieve koronare të bllokuara gati plotësisht.  Me 6 mars 2009 ai u dërgua në shtëpi dhe deri tani ka një progres tepër të mirë klinik…Pacienti i tretë, zoti Ramazan Çelaj, i moshës 48 vjec nga Lushnja, gjatë  kontrollit te zakonshëm me mjekun e familjes, u njoftua se kishte një zgjerim të mediastiniumit, përmes nje radiografie të kraharorit. Pas testeve të nevojshme u demonstrua zgjerim (aneurizm) i shkalles patologjike të aortes asendente (ena e madhe e gjakut që del menjëhere nga ana e majtë e zemrës). Pacienti plotesonte të gjitha kriteret për nderhyrje kirurgjike. Më 9 mars 2009 ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjike. Kursi postoperator kaloi me sukses dhe më 14 mars Ramazani u dërgua në shtëpi. Ai është i gatshëm për t’u kthyer në punë rregullisht…Dua të theksoj,- përfundoi doktoresha, se pirësit e duhanit duhet ta dinë mirë  sa dëmtime serioze i shkaktojnë zemrës së tyre, perveç mushkerise, fshikzes urinare, kavitetit te gojes dhe lekures…”


                         KRENOHEMI  ME  DR.  ÇOKUN


   Gjatë bisedës me pacientin Ramazan Çelaj, ai më tha: “Kur te ndjek e mira, duhet pranuar si fatsjellëse. Keshtu më ka ardhur njohja dhe ndihma e doktoreshës Lindita…Ishte janar 2009 dhe saktesisht data 12 kur kisha takimin me doktor Ara Ketchedijan dhe ai foli me admirim per doktoreshën . –“ Në ekipin tonë kemi dhe nje patrioten tuaj që e quajne Lindita Çoku,”- më tha doktori.


Nuk e prisja që të takoja një shqiptare këtu, në këtë institucion prestigjioz, në “Boston University Medical Center”, dhe aq më tepër që doktoresha do të ishte pjesëmarrëse në operacionin që më priste. Nuk m’u dha mundesia ta takoja deri në ditën e operacionit, më datën 9 mars.


Ishte e hënë, një ditë e ftohtë me dëborë, kur unë dhe familja ime u nisëm drejt spitalit…Në të tilla raste dihet se si ndjehesh dhe aq më shumë familjarët e mi. Me të mbërritur në spital, gjithçka ishte gati dhe mua më duhej vetëm të shtrihesha në shtratin e operacionit. Para meje u paraqitën dr. Ketchedijan dhe dr. Çoku. Doktoresha, për të më qetësuar, m’u drejtua në gjuhën tonë e m’u prezantua. Mbeta disi i pafjalë, ndërsa ajo më fliste ngrohtësisht se duhej të isha i çtensionuar dhe i qetë.    “-Gëzohem që ju njoha,- i thashë më në fund doktoreshës,- dhe më vjen mirë që ju do të jeni me mua. “… Për momentin nuk dija ç’t’i thosha më tepër, se isha i shqetësuar për vete dhe për familjarët e mi. Iu luta dr. Çokut  që të shkonte tek të mitë dhe t’i qetësonte për gjithçka. Ajo ma plotësoi dëshirën me mirësjellje…Krevati im lëvizi për në drejtim të sallës dhe doktoreshe Çoku më shoqëronte e më fliste për të më qetësuar. Kur u gjeta në sallë mes tërë atyre aparaturave, m’u afrua doktoresha e më tha: “ Ne shqiptarët jemi të fortë dhe ju kështu më dukeni, madje më dukeni më i fortë  nga ç’e mendoja”.  Patjetër, ishin fjalë per kurajë. Kaq mbaj mend… derisa erdha ne vete mbas disa orësh, në dhomën e reanimacionit. Sapo isha përmendur pashë doktoreshë Çokun qe hyri në dhomë duke buzeqeshur dhe që të dy me doktor Ketchedijan më pyetën si ndjehesha. “Të thashë që ne jemi të fortë!”,  më foli doktoresha  me atë buzeqeshjen e saj të ëmbël, por mua më dukej se më thoshte: “ Ne shqiptarët jemi të aftë të bëjmë gjithçka!”…Me të vertetë, shqiptarët janë të aftë të bëjnë gjithçka! Ja ku e kisha pranë doktoreshë Çokun, për të cilën ndjehesha krenar. Një kirurge e përkushtuar shqiptare në Amerikë, e vlerësuar për punën e shkëlqyer në operacionet dhe për kujdesin ndaj pacientëve te saj…Dr. Lindita vinte disa herë në ditë, më pyeste për gjendjen time, madje, kur kish pak kohe te lire, benim biseda te ndryshme. Kryesisht meraku i saj ishte mjekësia, duke përmendur me admirim vendin tonë të largët , me shpresë se ai vend mund të arrinte një ditë me një mjekësi të përparuar…
     Ju lumtë doktoreshë Çoku ! Ju urojmë suksese në  karrieren tuaj profesionale, sepse keni një profesion sa human, aq edhe të veshtirë!”

       Urimin e Ramazanit e vazhdon bashkëshortja e tij, Dituria: “Doktoreshe Çokun për herë të parë e pashë  ditën që bashkeshorti im bëri operacionin, - thotë ajo.- Më kujtohet  buzeqeshja dhe fjalet qetësuese të saj; na siguroi se çdo gjë do të shkonte mbarë. Ndoshta nuk fiksova shumë gjëra atë ditë, sepse mendja ime qe përqëndruar në sallën e operacionit ku ishte bashkëshorti im, i cili, siç tha edhe  doktoreshe Çoku, kishte jetuar “me revole pas kokes.”  Zani kishte lindur me difekt në zemër, AORTIK VALVE, dhe si pasojë  u shkaktua ASCENDING AORTIC ANEYRYSM, që në moshë të re. Kjo sëmundje nuk të jep shenja dhimbjeje ose të tregojë që je i semure, por është shumë e rrezikshme për jetën, sepse, në qoftë se çahet aorta nga zgjerimi, shkaktohet  vdekje e menjëhershme. Pra, dua të dal tek fjalët e doktoreshe Çokut: “kishte jetuar me revole pas kokës!” U zgjata pak për te treguar  diagnozën e Ramazanit jo pa qëllim, sepse njeriu duhet të ketë informacion të saktë për llojin e sëmundjes së tij dhe kjo gjë në Shqipëri na ka munguar. Dua të them se doktoreshe  Çoku, përveç përkujdesjes shendetësore, gjente dhe kohën të na sqaronte për çdo gjë rreth kësaj diagnoze. Nuk kam për ta harruar kujdesin e saj për pacientët, por mbi të gjitha dua të theksoj thjeshtësinë e saj. Mua më dukej sikur e njihja prej kohe këtë vajzë.Te Lindita Çoku janë bashkuar të gjitha virtytet e shqiptarit: zgjuarësia , mirësia, thjeshtësia dhe delirësia .

 Krenohemi me doktoreshe Çokun dhe i urojmë asaj  suksese të mëtejshme në detyrën humane që ka marrë përsiper. Gjithë Shqipëria duhet të krenohet me dr. Çokun!”

 

          FALEMINDERIT,  DOKTORESHË


              Pacienti i tretë, Agim Dëshnica, më tha: “Gjatë jetës sime nuk kam pasur probleme  me shëndetin.  Vitin që shkoi, papritur, tek ecja rrugës, nuk u ndjeva mirë me frymëmarrjen. Natën nuk munda të flija nga një dhembje në krahëror. Sipas mendimit të kardiologut Hans Mejer dhe analizës kardiografike, duhej t’i nënshtrohesha një procesi të vështirë, operimit në zemer, zevendësimit të tri venave të dala jashtë përdorimit ( me tre baj-pase.)


      Para operimit, në dhomën e pritjes, pranë shtratit u shfaq  një  djalosh  plot gjallëri. “ -Jam doktor Ara Ketchedijan, që do të drejtoj nesër operimin tuaj. Çdo gjë do të kaloje  mirë. Flini i qetë” -më tha.  Fill pas tij, befas dëgjova një zë të këndshëm vajze. Fliste ne gjuhën e bukur shqipe.
“- Jam doktoreshë  Lindita Çoku, nga Tirana-më tha
-Edhe unë tok me doktorin do të marr pjesë në operim...Mos u shqetëso nga operacioni, ki besim tek ne.”


   Hodha sytë e pashë i gëzuar fytyrën e qeshur plot dritë të kirurges shqiptare. M’u duk  aq e afërt, sa që natyrshëm iu drejtova me “ti” dhe me  emrin Lindita. Në ato çaste m’u shfaq atdheu i largët. Me sytë e mendjes pashë Tiranën e rinisë sime, të shkollës e të punës, me gëzime dhe halle…Duke dëgjuar Linditën tek fliste aq përzemërsisht, u mbusha me krenari për njerëzit tanë të talentuar që punojnë këtu në SHBA, falë edhe  nivelit  e kushteve aq të mira të mjekësisë amerikane.

    
   Ditën e nesërme më mbartën për në sallen e operacionit. Nëpër korridoret më shoqëruan njerëzit e  miqtë e mi të dashur. U ndava me ta me besimin tek Zoti për të mbijetuar e tek aftësia e njohur e kirurgëve amerikanë.  Ndërsa prisja në një dhomë të gjerë  para sallës së operimit, m’u afrua e më foli disa herë Lindita jonë e shkathët. Ashtu, i shtrire, ndiqja  me vëmendje përqendrimin e saj mbi një tavolinë pune. Pas pak kohësh u afrua e nisi të punonte për mua doktori anestezist, një djalë i fuqishem e i gjallë në prani të disa mjekëve të tjerë. Në mbarim dëgjova tek e përgëzuan: “gud xhob!” Pastaj  nuk mora vesh se ç’ndodhi….

   Papritur dëgjova shqipen e bukur:

  -“Mirëmëngjes, Agim!”- Ishte zëri i gëzuar i Linditës. Pranë saj pashë gruan e birin tim të dashur. Doktoresha vijoi: “- Operacioni mbaroi me sukses. Sikur ta dinit se sa me lehtësi më punuan mendja dhe duart. Nuk ndjeva asnjë lodhje gjatë gjithë kohës së punës.”

 
  Tek e sodisja dhe e dëgjoja, e kisha  të vështirë të flisja. Nuk  jeja fjalët e duhura për të shprehur admirimin e thellë ndaj saj. U përpoqa e krijova diçka  të afërt me poezinë e emrave tona:

  -Pas „agimit“ „lind dita“ e shkëlqyer.

   Faleminderit, doktoreshë! Je një kirurge shqiptaro-amerikane me duar të arta!
   Nuk do ta harroj kurrë edhe fytyrën e lumtur të doktor Ketchedijanit për suksesin e arritur,  ndërsa  vinte pranë meje ashtu si Lindita për të parë ecurinë e shërimit.“


               Ata janë tre pacientët e saj. Ajo „ua hapi zemrat“ e tyre dhe ata e falënderojnë sot me „zemër të hapur!“                   
                 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive