Faqe kryesore arrow Aktualiteti arrow Ristrukturimi i së djathtës - nevojë e kohës
Ristrukturimi i së djathtës - nevojë e kohës PDF Print E-mail
03 Gusht 2009
Ditët e fundit kemi parë disa lëvizje të z. Berisha që të paktën duken të çuditshme. Duke filluar me kujdesin dhe dhembshurinë që tregon për problemet e PS-së, duke vazhduar me ligjin për njohjen e martesave gay dhe duke përfunduar me zemërgjerësinë për ti dhënë LSI-së një anëtar në KQZ. Por ç'është gjithë ky mundim në një kohë që zgjedhjet përfunduan dhe në shtator pritet krijimi i qeverisë PD-LSI? Kjo tregon se kryeministri Berisha është i shqetësuar. Dhe ka të drejtë.

Zgjedhjet e 28 qershorit nuk nxorrën fitues. Rezultati i zgjedhjeve është një barazim i pastër. 70 deputetë e djathta, 70 deputetë e majta. Nuk ka dyshim se aleanca me LSI-në është një zgjidhje shumë e paqëndrueshme e cila u krye në një moment të caktuar ku përputheshin interesat e PD dhe LSI. Por sido që të jetë mbetet një koalicion jashtë natyre dhe ka pak mundësi të rezistojë gjatë.  

Në fakt z. Berisha në realitet ka humbur dhe është i ndërgjegjshëm për këtë. Megjithë mjetet e shumta të përdorura në fushatë, rezultati i tij në këto zgjedhje është në rënie dhe arriti të marrë 70 deputetë vetëm në sajë të kodit zgjedhor që e favorizoi. Shifrat e publikuara nga KQZ janë tepër elokuente: PD : 40.18% kurse PS 40.85%.

Kurse ndryshe qëndron puna me të majtën, e cila është në ngritje. Për më tepër që një pjesë e të majtës (LSI) do të jetë në qeverisje. Kjo do t'i japë mundësinë të majtës të kontrollojë qeverisjen madje të përcaktojë datën e zgjdhjeve të ardhëshme. Zgjedhje që e djathta e z. Berisha do të ketë shumë pak mundësi ti fitojë. Pavarësisht deklaratave të z. Berisha se nuk do të ketë zgjedhje të parakohëshme, nuk është më ai që vendos për këtë.  

Me sa duket z. Berisha po e shpie të djathtën drejt një humbje të re por edhe
karriera e z. Berisha duket se po i afrohet fundit të saj. Aferat dhe kanaçet që z. Berisha tërheq pas, janë shumë të rënda për t'i lejuar një fillim të ri.
 
Në këto kushte do të jetë i nevojshëm ristrukturimi i së djathtës. Ky proces do të jetë mjaft i vështirë, sepse për fat të keq z. Berisha ka monopolizuar deri tani lidershipin dhe ka eleminuar çdo zë alternativ duke bërë që e djathta të ketë vetëm ushtarë dhe jo liderë të besueshëm dhe me integritet. Megjithatë ristrukturimi do të paraqitet si një domosdoshmëri politike dhe koha nuk pret shumë. Sigurisht që e djathta nuk do të ketë më lluksin për t'u paraqitur në zgjedhje me disa grupime, por do duhet të dalë e bashkuar në zgjedhje.

Nga ana tjetër partitë e së djathtës duhet të dalin nga mentaliteti i metodave jo-demokratike të drejtimit të partive të trashëguara nga praktika komuniste. Ka ardhur koha që të kalohet në një sistem të vërtetë të lirë dhe demokratik. Është kjo një kërkesë e kohës dhe rinisë për të cilat këto metoda sot janë krejtësisht të huaja dhe të papranueshme.

Partitë e së djathtës duhet të jenë të kujdesshme edhe me programet e tyre, nëpërmjet të cilave nganjëherë është vështirë t'i pozicionosh. Një konstante e partive të djathta në përgjithësi është se ato janë më të ndjeshme për çështjen kombëtare. Nga ana tjetër shqiptarët kanë nevojë sot për propozime dhe zgjidhje konkrete, për çështje dhe probleme të prekshme të jetës së përditshme. Aty do të duhet të përqëndrohet në radhë të parë e djathta dhe jo tek probleme abstrakte që  nuk interesojnë njeri në Shqipëri.

Ka patur deri tani disa tentativa për krijimin e një të djathte alternative në Shqipëri, tentativa të cilat kanë dështuar. Por sot po përballemi me një situatë të re, e cila kërkon ristrukturimin e së djathtës, nëse duam që PS dhe aleatët e saj të mos vendosen në pushtet për një kohë relativisht të gjatë.

A.M


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2009-08-11 15:23:34
PARTIA E BALLIT KOMBETAR DUHET TE ORGANIZOHET DHE JO TE COPTOHET PER NJE COP KOCK..NE TE KUNDER DUHET TE NDRYSHOJ LIDERSHIPI.DHE TJU BEHET E QART BALLISTVE TE NDERSHEM.KUSH DO JEN SHTYDHAT KRYESORE E BALLIT KOMBETAR.QE TE RIKEMBET.NE TE KUNDER DO KTHEHET.NE NJE SHOQAT POLITIKE KU NUK DO E LEN TE BEJ POLITIK.

Koment nga GUEST më 2009-08-12 13:10:12
Kjo parti ne zgjedhje u paraqit si taraf i Alimadhit dhe jo si nje formacion politik.Nqs do beni si komunistet te dilni ne zgedhje me nje sllogan me dy fjale ,atehere ky formacion politik do ti mbetet historis.


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?