Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Çeshtja Kombetare arrow  KOMUNIKATË KUNDËR PROTOKOLLEVE EULEX-SERBI
KOMUNIKATË KUNDËR PROTOKOLLEVE EULEX-SERBI PDF Print E-mail
15 Shtator 2009

SHOQATAT E DALA NGA LUFTA E UÇK-së - DUKAGJIN

KOMUNIKATË

Ne shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së për Dukagjin – degët e Organizatave të  Veteranëve të Luftës së UÇK-së, degët e Shoqatave të Familjeve të Dëshmorëve dhe të Invalidëve të Luftës, shprehim mospajtim dhe indinjatë dhe njëherësh reagojmë ashpër kundër protokolleve të bashkëpunimit mes EULEX-it dhe Serbisë, kundër tkurrjes së territorit të Republikës së Kosovës, kundër mohimit të të drejtës së të qenit të lirë dhe sovran, kundër shkeljes së Kushtetutës së vendit dhe kundër përdhosjes që po bëhet në emër të institucionalizimit dhe qeverisjes të asaj që e fituam dhe e mbrojtëm me gjak e sakrifica tejet të mëdha.

Njëqind vjet përpjekje, sakrifica mbinjerëzore e rënie për liri dhe pavarësi, që për ne shqiptarët e Kosovës erdhi me shumë vonesë pas tragjedive të mëdha.

Mosnjohja e sovranitetit të Kosovës nga ana e EULEX-it, lehtësisht kuptohet  si njohje dhe kthim i sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Të ashtuquajturat “protokolle të bashkëpunimit”, të cilat EULEX-i po i nënshkruan me Serbinë paraqesin zbatim të planit gjashtë pikësh të Ban Ki Munit, dhe i referohen atij, ndonëse udhëheqja e vendit, këtë plan një vit më parë e shpalli “të vdekur”.

Konceptet e paqarta të udhëheqjes së sotme të Kosovës, realisht po e forcojnë politikisht Serbinë brenda territorit të shtetit të Kosovës dhe në shtyllat kryesore të sovranitetit të vendit si në polici, dogana e kontroll të kufijve dhe në gjyqësi.

Fatkeqësisht, institucionet tona që aq shumë thirren në votën e popullit, na kanë gënjyer lidhur me protokollin për policinë, na kanë keqinformuar dhe shantazhuar, duke i keqpërdorur mediat e shkruara dhe ato elektronike si televizionet nacionale rreth protokollit. Dhjetëra herë janë deklaruar se nënshkrimi i protokollit nuk do të ndodhë, por ja që e vërteta nuk mbahet e fshehur. Krerët institucionalë të vendit, nuk e ndalin dot nënshkrimin e protokolleve, të cilat i kundërshtojnë formalisht, sa për konsum të opinionit të brendshëm pasi kanë dhënë pëlqimet për to..

Protokollet janë duke u negociuar mes Serbisë dhe EULEX-it tash shtatë  muaj. Institucionet tona asnjëherë nuk kanë tentuar t’i ndalin marrëveshjet që e zhveshin Kosovën nga shtetësia, që ia mohojnë sovranitetin dhe integritetin territorial, aq më keq kur këto protokolle janë negociuar fshehurazi dhe nuk i janë bërë me dije sovranit të shtetit të Kosovës – popullit.

EULEX-i dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë duhet t’i ndërpresin menjëherë veprimet e tyre për rikthimin e Kosovës nën Serbi. Andaj kërkojmë shfuqizimin e menjëhershëm të protokollit për policinë EULEX-Serbi dhe ndërprerjen e bisedimeve për protokollet e paralajmëruara për dogana dhe drejtësi.

Të gjithë duhet ta kenë të qartë se populli ynë gjithmonë ka ditur t’i thotë JO tradhtisë! Diti dhe di t’i thotë JO cenimit të sovranitetit shtetëror të Kosovës. Vetëm si shtet me sovranitet të plotë mund të përparojmë, zhvillohemi e integrohemi si pjesë e familjes së madhe të Evropës.

Dukagjin, 14 shtator 2009                               
Për shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së,
Kolonel Abdyl Mushkolaj

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive