Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Letersia arrow Libri "Tri këngë zie për Kosovën" del në shitje në Finlandë
Libri "Tri këngë zie për Kosovën" del në shitje në Finlandë PDF Print E-mail
07 Tetor 2009
Në panairin e librit në qytetin Turku, në Finlandë, ka dalë nga shtypi libri "Tri këngë zie për Kosovën" të shkrimtarit Ismail Kadare. Libri, në gjuhën finlandeze, titullohet "Kolme surulaulua Kosovolle", dhe botuesi i tij është shtëpia botuese finlandeze "Faros-kustannus".

Libri i sapo dalë është libri i katërt i Ismail Kadaresë në gjuhën finlandeze. Njëkohësisht, ai është libri i parë i përkthyer drejtpërdrejt nga gjuha shqipe në gjuhën finlandeze. Librat e mëparshëm të Ismail Kadaresë, të vetmit shkrimtar shqiptar të njohur në Finlandë deri tani, janë përkthyer nëpërmjet gjuhës franceze. Këta janë "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Kronika në gur" dhe "Prilli i thyer".

Përkthyesit e librit "Tri këngë zie për Kosovën" janë Eset Feka, me prejardhje nga Kosova, Vushtrria, dhe Tuula Nevala, përkthyese finlandeze. Nga të njëjtit përkthyes, në vitin 2008 në Prishtinë, është publikuar libri "Detyra në Beograd" të ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari. Edhe ky libër merret me Kosovën, gjegjësisht me negociatat për ta përfunduar luftën e Kosovës në vitin 1999.

Panairi vjetor i librit në qytetin Turku është një nga panairet më të mëdha në Finlandë. Në këtë vit ai është organizuar nga 1 deri me 3 tetor. Në këtë panair marrin pjesë më shumë se 400 shtëpi botuese, librari dhe ndërmarrje tjera, dhe ai vizitohet nga më shumë se 20 000 njerëz.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive