Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Kosova arrow Anashkalimi i sistemit të drejtësisë - nxjerrja e "drejtësisë" në rrugë
Anashkalimi i sistemit të drejtësisë - nxjerrja e "drejtësisë" në rrugë PDF Print E-mail
19 Dhjetor 2009
Faton Mehmetaj

Tash dhjetë vjet jemi mësuar që kur kemi të bëjmë me zhvillime të rëndësishme për Kosovën, në momente të caktuara vendimtare për fatet e vendit, të shkaktohen apo të simulohen ngjarje e fenomene, që e dëmtojnë prestigjin e Kosovës.
Kësaj radhe, në vigjilje të fillimit të ballafaqimit për pavarësinë e Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, dikujt iu mundësua qëllimshëm të ngjallë sensacione mediale, që shkojnë kryekëput në dëm të shtetit. Dikujt iu mundësua të dalë para opinionit, madje duke iu drejtuar popullit me deklarata publike, në dhe para institucionit më të lartë të shtetit – Kuvendit të Kosovës. Të tillëve iu lanë në dispozicion të gjitha mjetet e informimit, ato të shkruara, elektronike dhe radiotelevizionet, edhe pse ka pasur ankesa dhe raporte nga ndonjëri se censurohet skajshmërisht fjala e lirë në mediet e shkruara dhe ato elektronike në Kosovë. Paraqitjet e tilla, siç ndodhi me rastin Bllaca, janë jashtë çdo norme etike, morale dhe njerëzore, madje ato cenojnë dinjitetin e atyre që apostrofohen dhe rrezikojnë jetët e tyre. Në këtë kohë t’i mundësohet dikujt, për të bërë ekzekutime mediatike, s’do mend se ka prapavijë të thellë. T’i jepet një personi hapësirë kaq e madhe për të njollosur dhe etiketuar një strukturë njerëzish, shumica deputetë dhe zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, është një lloj vetëvrasje institucionale, ngase personi në fjalë për akuzat që i bën, është dashur të kalojë nëpër filtrat e policisë dhe të drejtësisë, për t’u prononcuar më pastaj para opinionit. Lejet e tilla duhet t’i japë policia, gjykata, prokuroria dhe komisionet e veçanta për siguri në Parlamentin e Kosovës. Një gjë e tillë, siç ndodhi me rastin Bllaca, nuk ndodhë as në vendet më të prapambetura në botë.

Secili prej nesh e di se gjer më tani janë organizuar dhjetëra e dhjetëra gjyqe kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, bazuar në dëshmi të dëshmitarëve të kallëpit Bllaca,  shumica prej të cilëve ka rezultuar të kenë qenë të përpunuar nga BIA (Agjencia Informative e Serbisë), disa duke u servuar në cilësinë e dëshmitarëve “të mbrojtur” e disa “të pambrojtur”. Të njëjtët ishin edhe në Tribunalin e Hagës. Të njëjtët ishin edhe në shumicën e proceseve të organizuara nga UNMIK-u kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Të njëjtët ishin pjesë e “raporteve hulumtuese” për ”shtëpinë e verdhë”, të cilat ishin në shërbim të Beogradit dhe ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, kinse ushtarët e UÇK-së e paskan keqpërdorur uniformën e UÇK-së dhe paskan bërë trafikime të organeve të serbëve. Hulumtimet e tilla rezultoi të jenë të nxitura dhe të financuara nga Beogradi dhe strukturat parapolitike, pre e të cilave ranë edhe disa gazetarë. Mirëpo, shpifjet dhe akuzat e përgatitura në kuzhinat e Beogradit, të publikuara edhe në ndonjë “raport hulumtues”, unanimisht i hodhën poshtë si të pabaza dhe tendencioze presidenti Sejdiu, kryeministri Thaçi, qeveria dhe grupe të ndryshme shkencore-hulumtuese.  Por, se këto akuza nuk ishin asgjë më shumë se shpifje e dëshmoi qartë edhe arrestimi në vepër i tre agjentëve të BIA-s në Çagllavicë, në muajin qershor, që po i binin kryq e tërthor Kosovës për të mbledhur me çdo kusht dëshmi të rrejshme, për rastin në fjalë, qoftë me shantazhe, qoftë me pagesa të majme.
Lajm i tillë “sensacional”, një kohë ishte edhe publikimi i mëhershëm në shtypin tonë i listës me mbi 150 emra të ish-pjesëtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së, me aktakuza të ngritura qysh gjatë luftës dhe menjëherë pas saj nga Prokuroria e Serbisë, emra këta që vazhdojnë të mbeten si persona të kërkuar në qindra ueb-faqe të internetit. Disa prej tyre, sipas aktakuzave të Serbisë, ka ndodhur të jenë arrestuar edhe nga Interpoli, një pjesë e madhe prej të cilëve janë liderë partish, deputetë, qeveritarë, njerëz me pozita të larta në shoqërinë kosovare, por disa prej tyre ka disa vite që kanë vdekur dhe vazhdojnë të jenë në listën e pafreskuar të Serbisë.

Çështja është edhe më e ndërlikuar se sa paraqitja bombastike mediale

Mbi bazën e spekulimeve dhe lojërave politike, siç po ndodh me rastin e CD-së së shumëpërfolur dhe të lejuar për t’u shfaqur pa kurrfarë censure, janë ngritur gjyqe në Serbi e janë shkruar libra të bardhë e të zinj, përmes të cilëve njolloset një shtresë e caktuar e shoqërisë shqiptare të Kosovës.
Pas përfundimit të dhjetëra proceseve gjyqësore, të cilat ka ndodhur të kenë zgjatur me vite, shumëkujt iu çjerr maska, dhe prapa inskenimeve të tilla doli të jenë klane dhe kasta të caktuara, të cilat në asnjë kohë nuk kanë qenë të dobishme për shoqërinë. “Dëshmi” të  tilla, filma të tillë, CD të tilla, jemi mësuar të shohim shpesh në prag të zgjedhjeve apo në raste të zhvillimeve tjera të rëndësishme.
Diçka ngjashëm pati ndodhur me rastin e vizitës së përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Europian, Javier Solana, më 15 mars 2005, në Kosovë, ku persona të “panjohur” e sulmuan eskortën e presidentit tani të ndjerë Rugova, duke i vënë eksploziv në rrugë, derisa ai po shkonte për t’u takuar me Solanën për çështjen e Kosovës dhe për krijimin e një “qeverie teknike” gjithëpërfshirëse. Ishte ajo ditë, kur pritej të thelloheshin problemet e brendshme, apo fillimi i një “lufte për pushtet”. A nuk ishte ky një akt i shëmtuar para botës dhe vetvetes, që kishte për qëllim destabilizimin e vendit?! Ju kujtohet fushata mediale e bërë lidhur me këtë rast kundër një shtrese të caktuar, të cilës ia mveshën autorësinë? Megjithatë, pos zhurmës mediale, hetimet nxorën në shesh tjetër autorësi.
Duhet përmendur këtu edhe rastin e improvizimit të një krize politike në vend, në vitin 2004, të cilën UNMIK-u e kishte bërë në bashkëpunim me segmente të caktuara brenda LDK-së. Ata lansuan në opinion një deklaratë bombastike në të cilën thuhej: “Po përgatiten vrasjet e tre liderëve të LDK-së! Nuk është fjala për kërcënime të pabazuara, por për një konspiracion të organizuar. Cak i këtij sulmi janë tre zyrtarë të lartë të LDK-së”. Kjo deklaratë ishte publikuar në disa gazeta të kohës dhe në disa intervista të dhëna nga zyrtarët e policisë së UNMIK-ut. Lidhur me këtë aferë, gazetarët kërkonin të dinin më detalisht lidhur me rastin. Zyrtari i policisë së UNMIK-ut në një intervistë (botuar në “Bota Sot”, 11 shkurt 2004) mes tjerash kishte theksuar: “Policia është duke e hetuar këtë rast, por duhet të na kuptoni, se ne nuk mund të japim më shumë detaje për burimet e informimit...”. Natyrisht se nuk mund të jepte detaje më të mëdha, sepse e tëra ishte gënjeshtër. Deklarata lidhur me vrasjen e mundshme të tre zyrtarëve të LDK-së, ishte lajm që mori dhenë, duke aktivizuar në formë imediate një zinxhir të gjerë spekulimesh. Edhe pse ky ishte një shantazh i rrezikshëm politik i policisë së UNMIK-ut dhe segmenteve të caktuara të LDK-së, “informatat” për vrasjen e tre zyrtarëve të LDK-së shpejt u demoduan, u dekonspiruan dhe dolën të jenë të pavërteta e improvizime të bëra për konsum politik e mbledhje votash në prag zgjedhjesh.
Vrasjet e pasqaruara të dhjetëra ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe të personaliteteve politike të Kosovës dhe zhvillimet që i kanë përcjellë ato, kohë pas kohe e kanë rrezikuar skajshmërisht gjendjen e sigurisë, kanë reflektuar shumë në stabilitetin politik dhe në prishjen e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Këto veprime domosdo ndërlidhen me prezencën e shërbimeve sekrete serbe, me rrjetet e strukturave të “Klanit të Zemunit” dhe organizatave tjera (i)legale serbe që operojnë në Kosovë. Këto vrasje, një pjesë e politikanëve i ka përdorur për të krijuar hasmëri, ndasi, vëllavrasje, urrejtje ndaj njëri-tjetri. Të tillët realisht nuk kanë bërë asgjë për zbardhjen e tyre, pos që janë kujtuar për ta, kur u janë nevojitur për të mbledhur vota e për të fituar pushtet në kohë zgjedhjesh.
Në shumicën e rasteve, shumica e dëshmitarëve që janë bërë publikë gjatë dëshmive dhe gjykimeve të ndryshme, ka rezultuar të jenë njerëz me dosje kriminale dhe të afërt me struktura të shërbimeve sekrete serbe. Gjatë proceseve gjyqësore, ka ndodhur që disa dëshmitarë të jenë vrarë për të humbur gjurmët e mekanizmave që kanë qëndruar pas tyre. Me vrasjen e dëshmitarëve, në njërën anë e mbulonin vetveten dhe nuk i përmbushnin premtimet e detyrimet ndaj tyre, kurse në anën tjetër ua rëndonin barrën edhe më shumë dhe i riakuzonin të akuzuarit në proceset gjyqësore që rezultuan të jenë të montuara, tani edhe për vrasjen e dëshmitarëve.
Qeveria e Serbisë është e bindur se e vetmja rrugë për ta mbajtur Kosovën nën vëzhgim dhe në një dozë të kontrollit është nëse ajo destabilizohet apo vietnamizohet – nëse shqiptarët futen në konflikt me vetveten dhe me bashkësinë ndërkombëtare.  
Paraqitja e CD-së Bllaca, në momentin kur shteti ynë pritej të dalë para gjyqit, ndoshta pa dashje, por korrespondon me gjëra të qëllimshme e tejet të dëmshme. Bota është drejtuar në Hagë për të përcjellë nga afër rrjedhat e ngjarjes, kurse në Kosovë qysh 2-3 ditë para fillimit të gjyqit, top-temë është “dëshmitari” vrasës i vetdeklaruar, që në një incizim amator, siç u tha, të bërë nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, në shtëpinë e njërit prej deputetëve, para kamerës lexon “dëshmi” për vrasje dhe akte tjera të periudhës së pasluftës.
“Dëshmitari” Bllaca, siç është thënë, i ka dorëzuar “dëshmitë” e tij dy muaj më parë në EULEX. Por, me EULEX-in, siç deklaroi ai, gjë që e deklaruan edhe zyrtarët e këtij mekanizmi, del se ka raporte bashkëpunimi tash shtatë muaj (që nga muaji maj), dhe është dëshmitar i EULEX-it me status special, lënda e të cilit trajtohet nga Prokuroria Speciale. Për të mos përmendur se të paktën që nga 2007-a ka kaluar sa nëpër duart e hetuesve të UNMIK-ut, sa të atyre të Tribunalit të Hagës. Veç këtyre, del se ka kaluar edhe nëpër një trajtim psikiatrik dhe një kohë të gjatë është marrë me shitblerjen e pronave të serbëve në Kosovë edhe me dokumente të falsifikuara, për çka në dhjetor të vitit 2008 në Beograd janë arrestuar dhjetëra persona. Nëse është i saktë supozimi se dy vitet e fundit Bllaca bashkë me familjen e tij i ka kaluar në Serbi, atëherë patjetër ka kaluar edhe nëpër procedurat e organeve të shtetit fqinj. Përderisa bëhet e ditur se Prokuroria e Serbisë, para se Bllaca të dalë publikisht me deklaratat e tij, i ka drejtuar një letër-kërkesë zyrtare EULEX-it t’i sigurojë jetën dhe mbrojtje të veçantë Bllacës, rezulton se kjo çështje është edhe më e ndërlikuar se sa paraqitja bombastike mediale e Bllacës, aq më tepër kur rasti Bllaca shpërtheu në prag të fillimit të procesit gjyqësor në Hagë, ndërsa del se lënda prej vitit 2007 ishte e deponuar në organet e drejtësisë.
Pa dashur të spekulojmë për shkallën e mosvërtetësisë apo vërtetësisë së pohimeve kontradiktore të Bllacës, kjo çështje është hapur në mënyrë të gabuar, në momentin e gabuar. Si e tillë kjo lëndë dhe të tjerat, është dashur të trajtohen realisht pa ndikime politike nga organet kompetente të drejtësisë, pa e ngarkuar e terrorizuar pa nevojë popullatën e stërmunduar të Kosovës. Në realitet, shefi i Komisionit Parlamentar për mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), pa marrë parasysh ngjyrimet politike e emocionale, ka qenë dashur të jetë i kursyer nga përzierja në fushatat e tilla mediatike, sepse ky problem mori dimensione të tjera dhe në mënyrën se si iu servua publikut, nuk ka të bëjë aspak me çështje inteligjence, aq më tepër kur thuhet se këta deputetë nuk e paskan ditur se kur fillon procesi gjyqësor kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës në Hagë! Krahas përpjekjeve për dëmtimin e një shtrese të caktuar, me këtë rast më së shumti u dëmtua kauza e përgjithshme e Kosovës.
Edhe përkundër dëshirës dhe qëllimit të mirë për zbardhjen e të vërtetës rreth krimeve të bëra pas luftës është zgjedhur mënyra e gabuar, sikurse qe zgjedhur mënyra e gabuar në kuvendin e LDK-së në të cilin qenë shkaktuar përleshje fizike dhe qarje mes kësaj partie,  pasojat e të cilave reflektohen herë pas here.

Drejtësia po i kontribuohet nxitjes së luftës vëllavrasëse


Jo rastësisht në programet e akademikëve serbë moto e tyre ishte që “patriotët shqiptarë të cilët vazhdojnë ta kërkojnë lirinë duhet komprometuar në masë, e pastaj duhet vrarë”.  Kjo maksimë vazhdoi të zbatohet gjatë Luftës së Parë e të Dytë Botërore, pas vitit 1945 kur një pjesë mendonin se janë çliruar, ndodhi në vitin 1981, ndodhi në vitet ‘90-të e po ndodhë edhe sot. Vrasjet e disa liderëve dhe aktivistëve të LDK-së si: Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Ahmet Krasniqi, Smajl Hajdaraj, Tahir Zemaj, Hasan Zemaj, Ukë Bytyçi, Shaban Manaj, Sebahate Tolaj, Isuf Haklaj, Haki Ymeri, Ismet Rraci etj., ndodhën në rrethana të pasqaruara, për shumicën prej të cilëve nuk dihet as sot e kësaj dite për vrasësit dhe rrethanat e vrasjeve. Por një gjë është e qartë se shumëkush ka përfituar politikisht nga këto vrasje, shumëkujt iu ka lejuar që të bëjë marketing politik në emër të vrarëve në momente të caktuara e fushata të ndryshme apo për ta akuzuar dhe diskredituar dikë në momente të caktuara. Por në anën tjetër, dikush harron se në rrethana të tilla, janë vrarë edhe dhjetëra ish-luftërarë e eprorë të lartë të UÇK-së, si: Ilir Konushefci – komandant “Mërgimi” e Hazir Malaj, djemtë e atdhetarit të njohur Sylë Mehmetit të Rugovës - Brahim e Rexhep Nikçi, Besim Mala - Komandant "Murrizi", Skënder Gashi, Ekrem Rexha – komandant “Drini”, Avni Elezaj me babanë e tij Smajlin, Avdi Mujaj nga Strellci i Deçanit, Enver Haradinaj, Isuf e Virgjil Elshani (babë e bir), Sadri Berisha, Ukë Krasniqi, Mahir Lajçi - komandant “Rugova“ e shumë të tjerë, shumica e vrasjeve të të cilëve edhe më tutje vazhdojnë të mbeten të pazbardhura.
Mosndriçimi i krimeve dhe lënia e lirë e kriminelëve u shkon përshtati më së shumti atyre që i kanë sponsorizuar krimet dhe kriminelët dhe u lë hapësirë njerëzve të spekulojnë sikurse kanë spekuluar tash dhjetë vite me disa dëshmitarë laboratoresh e kancelarish, të cilët deklarohen se paskan qenë të paguar ta vrasin këtë apo atë. Përmes lojërave me dëshmitarë janë etiketuar njerëzit e LDK-së dhe të UÇK-së. Përmes këtij mekanizmi janë futur përçarje dhe dilema se vrasjet e liderëve të LDK-së janë bërë nga pjesëtarët e UÇK-së e këta të UÇK-së janë vrarë nga klane të caktuara të LDK-së në shenjë hakmarrje.
Neglizhencës së drejtësisë lidhur me rastin Bllaca dhe paraqitjes së CD-ve famoze në këtë moment kur Kosova po përballet me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, u kanë prirë paralajmërimet e EULEX-it për arrestime të strukturave të larta institucionale (“peshqve të mëdhenj”) për korrupsion dhe krim të organizuar; problemet në Shqipëri mu në këtë kohë; mbytja në lumin Tisa e 19 qytetarëve të Kosovës (gjysma prej tyre fëmijë) për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike; deklarimet rreth prishjes së koalicionit qeveritar, vrimat e zeza në sistemin e drejtësisë dhe veprimi i papengueshëm i strukturave paralele serbe në Kosovë tash dhjetë vite.
Përmes spekulimeve të tilla, përderisa nuk e thotë fjalën e vet drejtësia, po i kontribuohet nxitjes së luftës vëllavrasëse. E, Serbia, përmes kësaj devize, e ka mbajtur të robëruar popullin tonë me vite të tëra. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve për destabilizim të brendshëm, dikush e ka tërhequr edhe diagonalen e përçarjeve Drenicë-Dukagjin, e disa kanë shkuar edhe më larg për ndarjen e Kosovës në provinca e pashallëqe.
Megjithatë, askush nuk mund të ketë imunitet ndaj krimeve. Është e patolerueshme të nxiten procese të tilla si në rastin Bllaca, ku është anashkaluar sistemi i drejtësisë, policia dhe mekanizmat tjerë të sigurisë. Mendësia politike në Kosovë duhet të ndryshojë. Të zgjedhurit e popullit, pushtetin duhet ta shohin si përgjegjësi e jo si privilegj e mjet përfitimi për t’i shantazhuar të tjerët.


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive