Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Historia arrow Mbas 20 vitësh botohet "Imzot Pjetër Bogdani në New York"
Mbas 20 vitësh botohet "Imzot Pjetër Bogdani në New York" PDF Print E-mail
19 Dhjetor 2009
Tomë Mrijaj, New York

Aktivisti i hershëm i komunitetit shqiptaro - amerikanë ish Kryetar i Këshillit të Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” (për shumë vite në Bronx NY) z. Tonin Mirakaj, Kryetari i Komisionit për organizimin e Simpoziumit, kushtuar figurës së madhe të kombit tonë Imzot Pjetër Bogdanit, u kujdes që punimet e pesë studiuesve të shquar të botohen për herë të parë në një volum të përmbledhur mbas 20 vjetëve në New York.
Ky libër është botuar me shpenzimet e z. Mirakaj, duke kryer kësisoj një amanet dhe nxjerrë në pah kontributin e vyer, që kanë dhënë albanologët shqiptarë, për të na dhënë Arqipeshkëvin Bogdani si personalitet i madh i kombit tonë, që ndërroi jetë 320 vjet më përpara.
Përmbledhja studimore, që ofrohet sot për herë të parë për lexuesit shqiptarë, ka në qendër të vëmendjes përsonalitetet e studiuesit shqiptare, sikurse dhe studiuesit dhe shkrimtarët, që për shumë dekada kanë jetuar në botën e lirë deri sa komunizmi rrëzohet në Shqipëri.

Me pak fjalë po japim jetëshkrimet e shkurtëra të studiuesve shqiptarë, që erdhën për herë të parë në New York.
1.    At Danjel Gjeçaj O.F.M. (1913 - 2002), kapelan i katolikëve shqiptarë në botën e lirë, një ndër shqiptarët më të njohur asokohe për vepra fetare dhe kombëtare, shkrime e perkthime etj.
2.    Prof. Arshi Pipa (1920 - 1997), pedagog univesiteti në Amerikë, shkrimtar disident dhe botues i një serë veprash të çmueshme në prozë, poezi, kritikë letrare, publicistikë, editor etj.
3.    Dr. Ibrahim Rugova (1944 - 2006), shkrimtar, studiues i apasionuar i figurës poliedrike të burrit të madh dhe eruditit Imzot Pjetër Bogdanit, kritik letrarë, politikan dhe më vonë udhëheqës i shquar i LDK-së dhe President i Parë i Republikës së Kosovës Martirë.
4.    Prof. Martin Camaj (1925 - 1992), albanolog, linguist, shkrimtar modern, pedagog universiteti në Gjermani, i mirenjohur për shumë vepra letrare etj.
5.    Prof. Dr. Engjell Sedaj (1943 - 2006), shkrimtar dhe studiues i begate ne lemin e historise, me nje seri veprash.
Në librin e ri me 220 faqe, shoqëruar me foto origjinale historike të vitit 1989, janë përfshirë kumtesat shkencoro - historike, që botohen për herë të parë, kushtuar Imzot Pjeter Bogdanit.
Në hyrje të librit botuesi z. Tonin Mirakaj, tregon arsyet e daljes me vonesë të kumtesave në fjalë. Ai mbasi thekson rëndësinë e këtij Simpoziumi, për komunitetin shqiptaro - amerikanë (mbajtur 20 vjet më përpara), e gjen me vend arsyen e botimit të kumtesave historiko - shkencore, që i shtohet sot fondit të artë të kulturës shqiptare, duke hedhur dritë mbi figurën shumë të njohur të shekullit XVII, që punoi dhe jetoi pranë popullit të tij, që e deshti me mish e shpirt.
E ky bir i denjë ishte e mbeti intelektuali, humanisti, shkrimtari, historiani dhe prelati i lartë i Kishës Katolike Shqiptare Imzot Pjetër Bogdani, që gjithnjë mbetet një burim frymëzimi, për të gjithë atdhetarët e vërtetë të popullit tonë.
Z. Mirakaj e mbyll shkrimin e tij: “Një botim i vonuar” me fjalët: “Sëfundi, nëqoftëse nuk janë shumë 300 vjet pritjeje, për një përkujtim me kaq dinjitet, atëherë lexuesit do t’a vlerësojnë këtë botim, duke gjykuar rëndësinë dhe jo arsyen e vonesës.” (Mirakaj, f. 16)
Në fillim të Seminarit Dom Rrok Mirdita (sot Shkëlqësia e Tij Arqipeshkëv Metropolitan në Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë - Durrës), bëri një përshëndetje mirëseardhjeje për pesë miqtë ligjërues dhe bashkëatdhetarët tanë të ardhur nga shumë shtete të Amerikës dhe Kanadaja.
Dom Pjetër Popaj, bëri paraqitjen e folësit të parë At Danjel Gjeçaj O.F.M. i cili, më pas kumtoi studimin e gjatë: “Jeta e Pjetër Bogdanit”, të ndarë në 12 pjesë (f. 25 - 68) historiko - shkencore dhe të shoqëruar me një literaturë shumë të pasur.
Në librin në fjalë, mësojmë se botuesi Mirakaj, bëri një përshkrim të shkurtër të shkodranit disident Prof. dr. Arshi Pipa. Duke qenë një linguist i njohur e studiues i kulturës dhe letërsisë shqipe, shohim se në punimin shkencorë me titull: “Bogdani dhe gjuha shqipe” (f. 71 - 94), autori Pipa e trajton në një plan shumë më të gjerë gjuhën në përmbajtjen e veprave të shkrimtarit Imzot Bogdani.  
Profesor Pipa, i referohet me shumë respekt gjatë leximit të punimit të vet, Dr. Rugovës, që sipas tij është ndër hulumtuesit më skrupoloz dhe serioz mbi figurën poliedrike të Imzot Bogdanit.
Profesor Emeritus i Minnesota’s Pipa, për më shumë e trajton dialektin gegë dhe futet në thellësi të argumentimeve të veta. Ai për më tepër shton, se në periudhën e komunizmit (ku po jetonte Shqipëria e Kosova), letërsia, arti dhe kultura e treves së plleshme të shkrimtarëve veriorë gegë, ndër dekada janë lënë mbas dore dhe përbaltur pa të drejtë nga ithtarët e komunizmit dhe të ashtëquajtur Kongresi i Drejtëshkrimit, mbajtur në Tiranë në vitit 1972, nën kujdesin e drejtperdrejtë te diktatorit Enver Hoxha.
Dr. Ibrahim Rugova, ndryshe nga të tjerët në fillim bën përshëndetje për bashkëatdhetarët e shumtë në sallën e Fordham University në Bronx NY, i cili, ndërpritet herë pas herë nga duartrokitjet frenetike.
Në librin: “Imzot Pjetër Bogdani në New York”, mësojmë, se edhe gjatë paraqitjes së kumtesës të Dr. Rugovës: “Historia shqiptare në veprën e Pjetër Bogdanit në vitin 1685”. (f. 99 - 105), duartrokitjet e shpeshta e shoqëruan gjithnjë deri sa ai me buzëqeshje të sinqertë i falënderoj dëgjuesit për vëmendjen e treguar ndaj përmbajtjes së ligjeratës së tij.
Në analizën e tij argumentuese Dr. Rugova ndalet më shumë në rrafshin e kronologjisë historike të popullit tonë, të cilat shumë mirë lexuesi mund t’i mësojë tek lexon me endje çështjet: “Parahistoria dhe antika ilire - shqiptare”, sikurse dhe në pjesën e dytë dhe tretë me tituj: “Mesjeta shqiptare – Skënderbeu” dhe “Nga koha e tij”.
“Vepra e Pjetër Bogdanit nga aspekti i traditës kulturore kosovare” (f. 107 - 122), është në këtë libër punimi shkencorë i Prof. Dr. Engjell Sedaj, i cili, më me hollësi trajton kryeveprën e Bogdanit me titull: “Çeta e Profetëve”, që gjithashtu në fund e shoqëron studimin e vet me një literaturë shumë të pasur.
Linguisti, poeti, romancieri, studiuesi profesori i Universitetit të Mynihut (Sektorin e Albanologjisë) në Gjermani, Prof. Martin Camaj, është edhe kumtesa e fundit e botuar në librin kushtuar Imzot Bogdanit, me titull: “Pjetër Bogdani, mjeshtër i gjuhës e i stilit” (f. 125 - 140).
Dy shkrime shumë interesante janë shkruar nga publicistët shqiptaro - amerikanë: redaktori i librit: “Imzot Pjetër Bogdani në New York” Klajd Kapinova dhe Anton Çefa me publicistin veteran Tonin Mirakajn, të cilët, në esencën e tyre trajtojnë kontributin e madh për shumë dekada, që ka dhënë dhe jep Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” (sot “Zoja e Shkodrës”), e themeluar dhe udhëhequr nga meshtarët: Mons. Dr. Zef Oroshi (1912-1989) dhe vijuesit e veprës dhe punës së tij: Prof. dr. Andrea Nargaj O.F.M. (1919 - 1999), Shkëlqësia e Tij Imzot Rrok Mirdita Arqipeshkëv Metropolitan Tiranë - Durrës, Dom Pjetër Popaj dhe Dom Nikolin Pergjini.
Falëminderit për vemëndjen!

Shenim:
Ky punim i mësipërm është mbajtur më 13 Dhjetor 2009, në Librarinë e Qytetit Stamford CT. (The Ferguson Library One Public Library Plaza), që është organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro - Amerikanë (The Sociaty of Albanian - American Writers).
 



Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive