Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Çeshtja Kombetare arrow Bashkimi si mundësi e vetme për mbijetesë kombëtare
Bashkimi si mundësi e vetme për mbijetesë kombëtare PDF Print E-mail
21 Shkurt 2010

Nga Valon Kurtishi
 
Pasqyra historike
Konferenca e paqes e mbajtur në kryeqytetin anglez Londër në periudhën dhjetor 1912 - maj 1913, e shkatërroi shtetin e sapolindur shqiptar duke i shkëputur përdhunshëm pjesët më vitale të tij. Shteti etnik shqiptar i krijuar si rezultat i kryengritjeve të mëdha kombëtare antisomane të viteve 1909-1912 u godit fuqishëm nga aleanca e katër fuqive ballkanike që e sulmuan bashkërisht: Sërbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi. Një krahasim i shpejtë i hartës së perandorisë otomane para largimit të saj definitiv nga territori ballkanik tregon qartë se lufta ballkanike nuk ka qenë luftë kundër Turqisë por një agresion i pastër ndaj territoreve shqiptare që ky shtet aziatik ishte duke i lëshuar gradualisht nga thundra e tij. E thamë më lartë se kryengritjet shqiptare e kishin realizuar tashmë në praktikë atë që pritej të firmosej në tryezën e bisedimeve: pavarësinë kombëtare. Shteti turk i asaj kohe i dërmuar nga kryengritja shqiptare dhe ajo arabe si dhe nga kontradiktat me minoritetet armene dhe kurde ishte para dorëzimit. Nevojitej edhe një goditje e fuqishme shqiptare që të rënohej përfundimisht dhe të kthehej në stepat e Anadollit andej nga erdhi pesë shekuj më parë.
Të tmerruar nga mundësia e një shteti të madh shqiptar i cili do të përfshinte në kufijtë  e tij politikë shtrirjen natyrale të kombit shqiptar, sllavogrekët u bashkuan si kurrë më parë me anë të një numri të aleancave bilaterale dhe multilaterale për të parandaluar faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan.

 

Në një bashkëpunim perfekt me njëra tjetrën si dhe duke i befasuar edhe fuqitë e mëdha europiane të kohës, ata shpërthyen në një sulm të egër kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Armatat turke u tërhoqën nga tokat shqiptare për të mbrojtur territoret etnike turke nga depërtimi i aleatëve ballkanikë. Kjo e tregoi për të satën herë me radhë pabesinë e pushtetit okupues turk i cili deri në grahmat e fundit të vdekjes shpresonte që të përdorte tokat etnike shqiptare si kompensim për të shpëtuar territoret e banuara me turq etnikë në Azi. Perandoria kishte precedentë të tillë nga e kaluara kur i shikonte territoret shqiptare në Ballkan si monedha këmbimi me aleatët ballkanikë. Toplica, Nishi, Ulqini, Tivari, Thesalia ishin shembuj të rëndësishëm dhe shumë konkretë të këtyre pazareve nga e kaluara e afërt historike.
Pas largimit të turpshëm të okupatorëve otomanë, shqiptarët u ndodhën duarthatë para katër armatave të fuqishme ballkanike të etura për territore shqiptare. Gjenocidi ndaj popullatës civile shqiptare në atë periudhë kohore pat tmerruar gjithë opinionin publicistik europian duke filluar nga Leo Freundlich në Vjenë e deri tek Leo Trotzki në Shën Petersburg. Kjo ishte gjendja faktike në teren kur Konferenca e Londrës vendosi copëtimin përfundimtar të tokave etnike shqiptare dhe dhënien e tyre si trofe lufte terroristëve ballkanikë.
Që nga ajo kohë popullsia shqiptare e mbetur nën sundimin jugosllav dhe grek ka kaluar nëpër një kalvar të pafundmë vuatjesh biblike e gjenocidi që nuk ka të dytë në historinë e civilizimit botëror. Mbeti vetëm zhdukja totale si mjet i fundit i cili edhe u tentua të realizohet me ato marrëveshjet turko-jugosllave dhe greko-turke për emigrimin e popullsisë shqiptare nga Europa Juglindore dhe zhdukja e tyre e plotë në shkretëtirat e Anadollit. Shpërthimi i luftës së dytë botërore e shpëtoi kombin nga një shkatërim i sigurtë. Pikërisht në fund të luftës së dytë botërore problemi shqiptar në Ish Jugosllavi u reduktua në kufijtë e qarkut autonom më vonë krahinës autonome të Kosmetit, në kuadër të Sërbisë federale. Kjo krahinë socialiste me status të qartë autonom sipas kushtetutës së vitit 1974 kishte reth dy milionë banorë dhe 10.887 km2 më 1989, kur pushteti sërb i hoqi në mënyrë të dhunshme autonominë politike duke e degraduar në një qark autonom të shtetit sërb të viteve 90-të. Rezistenca pasive dhe aktive e popullsisë shqiptare si dhe intervenimi i drejpërdrejtë tremujor i forcave të NATO në vitin 1999, bënë që okupatori sërb të tërhiqej nga Kosova. Territori i vogël nën mbikëqyrjen e të dërguarit të OKB Marti Ahtisari dhe me përkrahje politike të shteteve perëndimore, shpalli më 17 shkurt 2008 pavarësinë e tij të njohur deri më sot në skenën ndërkombëtare nga më pak se 60 shtete anëtare të Kombeve të bashkuara.

Gjendja momentale
Shteti “më i ri në botë” përballet që atëherë me sfida nga më të ndryshmet duke filluar nga siguria e kërcënuar e brendshme, e deri tek zhvillimi i ngadalësuar dhe i pashpresë ekonomik. Një numër i shteteve si Greqia, Rusia apo edhe Kina nuk e kanë ndërmend të njohin as këtë pavarësi të kushtëzuar që është realitet sot. Një vendim për këtë pritet të marrrë së shpejti edhe GJND në Hagë. Nga ana tjetër, mungon qartësisht kohezioni i brendshëm social aq i dëshirueshëm në momente të tilla shtetformimi. Lufta politike mes strukturave të ndryshme partiake është më e ashpër se çdo kund tjetër në kontinent. Paqësimet e kohëpaskohshme janë rezultat direkt i ndikimeve të fuqive perëndimore të interesuara për stabilitet politik e asesi i shkallës së emancipimit të klasës politike vendore.
Zonat veriore të vendit nuk janë nën kontrollin e autoriteteve qëndrore të Prishtinës. Ato mbeten potencial i përhershëm destablizimi për vendin dhe rajonin. Planet e shumta që i përpilojnë qeveritë e Kosovës apo misionet e ndryshme ndërkombëtare si UNMIK apo EULEX nuk mund ti bindin sërbët e kësaj pjese të vendit që të integrohen në rrjedhat shoqërore dhe ta pranojnë Kosovën si shtet të tyre.
Mungojnë strategjitë nacionale për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Administrata publike është në nivele rudimentare dhe nuk mund të përballojë me sukses sfidat politike dhe ekonomike me të cilat ballfaqohet vendi i sapo pavarësuar. Edhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare ekonomike nuk është duke dhënë rezultatet e pritura pasi investitorët e huaj kërkojnë ambient të përshtatshëm për të investuar kapitalet e tyre.
Një Kosovë e vogël, e varfër, me probleme serioze mbijetese politike e ekonomike nuk mund të garantojë sigurinë e vetes e lëre më të investitorëve të huaj. Vendit i mungojnë dalja direkte në det, resurset tokësore (dendësia më e madhe e popullsisë në Europë), stabiliteti politik, ekonomia stabile, e shumë elementë të tjerë që do të mund ta nxirnin nga gjendja momentale e”failed state”. Deficiti buxhetor është më i lartë kurse shkëmbimet tregtare kanë një bilanc negativ gjithashtu më të lartin në Europë. Investimet e huaja të drejtpërdrejta janë më të paktat në përmasa europiane. Vdekshmëria foshnjore si dhe analfabetizmi janë në nivele shqetësuese. Indeksi i zhvillimit human (HDI) sipas statistikave të OKB dhe KE është më i ulti në gjithë Europën. Qytetarët e vendit do të priren drejt emigrimit në ritje, një mundësi kjo shumë reale duke pasur parasysh gjasat e afërta për heqjen e vizave nga BE. 1/3 e popullsisë aktive shqiptare të Kosovës tashmë gjendet jashtë vendit kurse pjesa tjetër e popullsisë më të re në moshë në Europë është e gatshme për tu larguar nga atdheu në momentin e parë të liberalizimit të vizave. Dendësia e popullsisë më e larta në Europë, kurse nevoja për tokë në ritje e sipër shkaku i shtimit më të lartë të popullsisë në Europë poashtu. Territori i mbyllur kontinental jashtë çdo nyje të rëndësishme komunikacioni më të rëndësishme ndërkombëtare. Autostrada e vetme me peshë Selanik-Beograd kalon ngjitur me të por jashtë vijës kufitare në Bujanoc. Planet sërbe dhe europiane për një autostradë të re kalojnë në veri nga Sanxhaku, pra përsëri jashtë territorit të Kosvës.

Rrethanat e jashtme nuk janë aspak shpresëdhënëse për Kosovën. Sërbia me gjasë kurrë nuk do të pranojë të njohë pavarësinë e saj, përderisa shqiptarët në përgjithësi dhe Shqipëria në veçanti nuk zhvillohen ekonomikisht dhe ushtarakisht deri në përmasat e neutralizimit total të rrezikut ushtarak sërb. Sërbët e Kosovës gjithmonë do të shikojnë drejt shtetit sërb si mbrojtës të interesave të tyre. Shtetet tjera kufitare si IRJM apo Mali i Zi gjithmonë do të ndjekin politika agresive ndaj tij, duke shfrytëzuar çdo dobësi të shtetit të vogël me kapacitete të kufizuara tokësore dhe burime të limituara natyrore.

Perspektiva
Duke i parë gjithë këto tregues të zymtë të realitet kosovar, para syve na del opcioni i vetëm i cili do të shpëtonte Kosovën dhe gjithë Ballkanin nga tensionet dhe përplasjet e mëtejshme politike, e kjo është, bashkimin e shtetit të sotëm të Kosovës (d.mth fusha e Kosovës dhe rafshi i Dukagjinit) me Republikën e Shqipërisë. Kjo do të krijonte një realitet të ri politik dhe ekonomik në Ballkan, me një territor prej 39.656 km2 dhe një popullsi prej reth 7 milion banorëve homogjenë në pikëpamje etno-kulturore. Rëndësia, ndikimi dhe pesha e këtij shteti në marrëdhëniet ndërkombëtare do të ishin cilësisht shumë më të ndryshme nga gjendja e sotme e një vendi të izoluar e të varfër me dy milionë banorë.
Ekonomitë ekzistuese do ta plotësonin në çdo aspekt njëra tjetrën. Prodhimet bujqësore me stinët e tyre të ndryshme në jug të shtetit shqiptar dhe në fushat kontinentale të Kosovës, energjia hidrike e Drinit dhe ajo termike e bazeneve të fushë Kosovës, dalja në det të hapur, lidhja me nyjen e rëndësishme komunikuese Durrës-Morinë që mund të vazhdohet pastaj kushtimisht deri në Merdar, një treg i zgjeruar pune dhe plasimi të produkteve për ndërmarjet vendore, një mundësi më shumë për studim dhe punësim për rininë vendore, hapësira të shtuara tokësore, mundësi për investime direkte, stabilitet makroekonomik, burime të pashtershme njerëzore e natyrore, këto do të ishin vetëm disa nga avantazhet e një bashkimi të mundshëm më Shqipërinë.  

Parë nga ky këndvështrim, 17 shkurti duhet parë si moment historik. Por ky moment kulmor historik nuk është dhe nuk mund të jetë qëllim në vetvete. 17 shkurti duhet parë dhe 17 shkurti faktikisht edhe është, një fazë e ndërmjetme kalimtare drejt realizimit të nëntorit të tretë, bashkimit të krahinës shqiptare të Kosovës me shtetin amë prej të cilit u shkëput dhunshëm 97 vjet më parë. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë amë nuk është vetëm një dëshirë utopike e idealistëve apo një ëndër e parealizueshme e qarqeve ekstremiste, por një domosdoshmëri politike, ekonomike, njerëzore dhe europiane e kësaj pjese të Europës dhe botës. Bashkimi është një shans i madh dhe shumë i realizueshëm në këto kohëra të integrimeve të vullnetshme ndërkombëtare në unione apo bashkime më të mëdha mbikombëtare. Një Europe të bashkuar nuk i duhet një Shqipëri e copëtuar. Shansi i papërsëritshëm historik i bashkimit së paku të një pjese të kombit është shumë afër dhe duhet të realizohet. Ta bëjmë këtë sa më parë dhe pa humbur kohë.


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2010-03-03 19:32:30
Bashkimi i Shqiperis do te jet edhe stabilitet ne ballkan 

Koment nga GUEST më 2010-03-10 22:35:31
JU E KENI SHUM MIRË POR NI PLAK NGA FSHATI SLLABUXHAN (DARDHISHT) E THERANDES ME KA PYETUR : A E DIN KUR MUJM ME FITU ?UNË I THASH KUR TA FITOJM PAVARSIN AJ ME THA MU JO AXHOS KUR TË GJITH KOMBI SHQIPTAR BEHËMI TË BARDH SI DELET ATËHER KEMI FITUAR.NESE KEMI NDERMJET NDONI LAROSHE E KEMI VESHTIR.DHE UN JA PRANOVA MENDIMIN E PLAKUT 96 VJEQAR I CILI GJENDET NË MALMO TË SUEDIS


International
English
Faqe interaktive