Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Emigracioni arrow New York-u zemra qe bashkon shqiptaret ne Festivalin Folklorik
New York-u zemra qe bashkon shqiptaret ne Festivalin Folklorik PDF Print E-mail
18 Dhjetor 2006

 

 Klajd Kapinova

NEW YORK. Në Lehman Center For The Performing Arts Bronx, New York, u mblodhën në sofrën e gurrës popullore artistët nga diaspora shqiptare e Amerikës. Festivali XVI Shqiptar, që tradicionalisht mbahet në New York, tashmë ka mbërritur në moshën e adolishencës. Si gjithnjë, parada e muzikës, valleve e kostumeve popullore, është përpjekur të idetifikojë e përkrah grupet artistike dhe kulturore, që gjenden në shtete të ndryshme të Amerikës, shumëngjyrshërinë e kostumeve, valleve, instrumentëve muzikore, traditave, zakoneve të lashta iliro – arbërore – shqiptare, të ruajtur ndër shekuj nga të gjithë trojet etnike. Ky është shpirti i pasur i një populli të vogël, por me histori të lavdishme e kulturë shumë të pasur e të larmishme.

Sofra kulturore, iu përkushtua 400 – vjetorit të lindjes së atdhetarit, leksikografit të parë arbëror ipeshkvit Imzot Frang Bardhi (1606 - 1643) dhe 160 – vjetorit lindjes së poetit Naim Frashëri. Larushia e perlave shpirtërore të kultivuar brez mbas brezi, është bërë objektqëllimi, për ribashkimin në një sofër të madhe të vlerave të papërsëritshme burimore popullore të zonave e krahinave të ndryshme gjithpërfshirëse, ku natyrshëm organizatorët e Festivalit XVI, Qendra Kulturore “Nënë Tereza” dhe Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” NY, respektuan me fisnikëri tubimin nën një flamur, gjuhë të përbashkët shqipe komunitetit tonë pa dallim feje, krahine e ideje, duke përkrahur origjinalitetin e tabanit popullor, gjatë gjithë shfaqjes para artdashësve bashkëatdhetarë.
Dritat shuhen ngadalë dhe sipari hapet, nën efektin e mizaskenës plot ngjyra që shquajnë për disa sekonda personazhet, që ecin ngadalë me flatra të bardha. Në skenë dominon ngjyra blu (për bregdetin e Ulqinit) kafe e gjerbërim për zonat malore e fushore të vendlindjes, me ndriçim dhe fërfëritjen e lehtë, shoqërohet me një fluks rrezatimi të argjendë. Larushia e ngjyrave dhe tematika shqiptare e sfondit të pikturuar  e vendosur në skenë, ishte përgatitur nga muzikanti Fran Shala. Ilustrimi i sfondit me shtyllën (kollonë), e vendosur në mes ishte një element jo i gjetur, duke nënkuptuar opinionin, se shqiptarët janë të ndarë artificialisht. Por gjithsesi, ky element i papërfillshëm, u plotësua menjëherë, kur skena mbushet me fëmijë engjëllor të bardhë gazmorë, me lira të dorë, instrumente të lashta në tokën Ilire. Vogëlushët e Grupit Artistik “Rozafat” (Qendra “Nënë Tereza” N.Y.), këndojnë e vallëzojnë buzagaz, nën tingujt muzikorë të orkestrës “Alba” e veshur tërësisht me petkun e kuq e zi, shprehje e flamurit nacional, që në mënyrë frenetike marrin duatrokitjet e para, tek përshëndetën nga mbi 3000 shikuesit në sallë. Festivali i New York – ut, është aktiviteti më masiv shqiptar në botë, morrin pjesë me qindra festivalistë, me kostume, valle e muzikë, që përfaqsojnë trevat etnike nga Kosova deri në Çamëri.
Flamuri amerikan e shqiptar, hijeshojnë në dy anët e paraskenës moderne. Dy malësorë të rinj me kostumin tradicional të Kosovës, vëllëzërit: Syl e Bek Nikçi, fillojnë të këndojnë një këngë të moçme majakrahu. Ato gradualisht largohen, duke ia lëshuar vendin një malësori tjetër, aktorit Erion Mustafaraj, i veshur me fustanellë labërie, që solli emocione të veçanta në recitimin e poezisë kushtuar Ilirisë, shkruar nga atdhetari e vatrani Xhevat Kallajxhiu. “Rrac’ e vjetër ilirike/ që provoiti robërinë/ Disa shekuj të vazhduar/ ngriti kthye përsëri/ Dhe me gjakun e deshmorëve e fitoi sërisht lirinë/ Ç’u shpërnda një errësirrë/ dhe u hap një qiell i ri”
Në qendër të skenës, para mikrofonit, afrohet konferencierët  e rinj Angela Zagreda e shoqëruar nga partneri soprano Kreshnik Zhabjaku, që paraqesin programin në anglisht e shqip. Spikerët, ftojnë në skenë të përndershmin Don Pjetër Popaj, famullitar i Kishës “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale New York, i cili, përshëndeti tubimin më të madh kulturor në komunitetin shqiptar të Amerikës.
Udhëheqsi shpirtëror, ndër të tjera tha: “Vit mbas viti, në skenë tingullon gjuha e ëmbël shqipe. Gjuha më e bukura në botë më e vjetra në Europë, më e sulmuar ndër shekuj, por më e ruajtura dhe më e dashura për ne. Me këtë gjuhë, të parët tanë shkruan gërmat e para të ABC - së, stërgjyshërit pellazgët, ilirët, arbërorët dhe ne gjenerata më e re që jetojmë e punojmë mes bijve të shqipes në emigracion. Me këtë gjuhë, ne falënderojmë Zotin në qiell, se komunikojmë me njëri - tjetrin në Tokë.” Ndërsa më poshtë, meshtari shtoi, se: “Eshtë dhuratë prej Zotit dhe porosi prej të parëve tanë, që ta ruajmë, çmojmë e kultivojmë brez mbas brezi gjuhën e ëmbël shqipe. Dy përsona, që ne sonte i nderojmë Ipeshkëvi e mendimtari i shquar arbëror Imzot Frang Bardhi dhe poeti Naim Frashëri, me veprat e tyre, na mësojnë sesa e rëndësishme është kjo gjuhë për ne.”
Në mbyllje të mësazhit, para artdashësve bashkëatdhetarë, Don Pjetër Popaj, porositi: “Ruaje gjuhën, se gjuha të ruan ty. Amanetin e të parëve tanë, jemi duke mbajtur e ruajtur me gjithë zemër të gjithë sëbashku sonte në Festivalin XVI - të të Muzikës dhe Vallëve të Bukura të Gurrës së Pashtershme Popullore Shqiptare. Edhe pse gjendemi larg vendlindjes, secili prej nesh, me trup e zemër jemi të pandarë. Kjo përzemërsi e kënaqsi, se jemi shqiptar, nga toka e shqiponjave, na bashkon për çdo vit në sofrën e madhe etnike të identitetit tonë.” 
Shumë këngë valle të bukura në gjuhën e ëmbël shqipe, ofroi në mbrëmjen popullore Komisioni Organizativ i Festivalit XVI Shqiptar në N.Y., i përbërë nga: Don Pjetër Popa famullitar, Mark K. Shkreli (drejtor i festivalit), Gjon Chota (drejtor organizativ), skenografi Astrit Tota (drejtor artistik), gazetaria e regjizoria Mimoza Dajçi (regjizore e festivalit), Ludvig Çotaj (drejtor i skenës), Simon Vukel (kordinator i mediave), Lule Gjokaj (kordinatore e reklamave), kanë bashkuar diasporën nga: New York me rrethina, Conneticut, Georgia, Detroit, Boston, Philadelphia, Chicago, Atlanta, Ohio, New Jersey etj., duke i argëtuar për 4 orë rresht spektatorët në Lehman College, Lehman Center For The Performing Arts Bronx NY. Juria e Festivalit, ishte e përbërë nga: shkrimtari Petraq Pali (kryetar), këngëtare Rajmonda Dabulla, Gjovalin Luma, pianisti Petrika Melo, dhe shqiptaro – kanadezi Luan Isufi.
E veçanta suprizë e Festivalit, është se në Lehman College, erdhi për herë të parë Grupi Artistik “Gjergj Kastrioti”, i kompletuar me 30 artistë, që kishin ardhur me autobuz special, shoqëruar nga disa makina të dashamirëve të artit e kulturës të komunitetit në Michigan. Ato kishin udhëtuar 9 orë me autobuz në intenerarin Detroit – New York. Midis tyre ishte kryetari i grupit, famullitari i Kishës së “Shën Palit” në Rochester Hills Detroit, i përndershmi Don Anton Kçira. Miqtë bashkëatdhetarë, bënë vizitën e parë në ambientet e Kishës “Zoja e Shkodrës” dhe morën pjesë në meshën e bashkëcelebruar nga të përndershmit Don Pjetër Popaj, Don Anton Kçira e Don Nikolin Pergjini.
Për organizatorët e Festivalit, publikun entuziast dhe koloritin e pasur të veshjeve, këngëve, valleve dhe larmin e instrumentëve të hershme muzikore, të përndershmit: Don Pjetër Popaj, Don Anton Kçira, regjizoria Mimoza Dajçi dhe drejtori artistik i palodhuri e kudogjenduri Astrit Tota, dhanë përshtypjet më të mira (për publikun e mrekullueshëm e grupet artistike pjesëmarrës), përpara mediave vizive, radiove e gazetave, gazetarëve të komunitetit në Amerikë: “Illyria”, “Bota Sot”, “Albanian Culture”, “VOA” (Zëri i Amerikës), “Tv Malësia”, “Tv Rozafa”, “Jeta Katolike”, “TemA”, “Shpresa”, “Shqipëria etnike”, “Shkodra”, “RD”, “55”, etj.
Broshura e Festivalit, edhe këtë vit, sërisht është konceptuar në dy gjuhë anglisht – shqip. Në liberth, bie në sy një analizë e “Albanian Music” ndër shekuj, shkruar nga Prof. Dr. Zana Krasniqi, e cila, shoqërohet me një veshje popullore gruaje (Albanian woman costume – Prizren) dhe një ballinë CD (Cover of Albanian Village Music CD recorded in Tirana 1930), që i përket vitëve ’30 të shekullit XX. Gazetaria Flora Nikolla, në përkujtim të 15 - vjetorit të vdekjes së kompozitorit të talentuar shkodran Simon Gjoni (1920 - 1991), përgatiti shkrimin, mbi historinë e kompozimit të këngës popullore të kthyer në himn “Lule bore”. Edhe Avni Abazi, i ka kushtuar një shkrim interesant këngëtares e aktores mbarëshqiptare “Primadona e Melosit Popullor” Nexhmije Pagarusha (1933) e lindur në Pagarushë të Malishevës në Kosovë. “Muzika popullore qytetare post – aheng” (gjysma e dytë e shek. XIX e deri më sot), titullohet studimi i shkruar nga Prof. Dr. Vasil S. Tole. Faqet e tjera të libërthit, janë mbushur me përshëndetje për aktivitetin e madh kulturor, nga kompani të ndryshme shqiptaro – amerikane, të cilët, përbëjnë edhe sponsor -it e tubimit. Familja e Noc Mati Gjonaj, është coo sponsor i buletinit, i cili, u jepej falas në hyrje të shfaqjes çdo spektatori.
Sofra e begatë e këngëve dhe valleve, muzikës, veshjeve, intrumentëve të lashta deri në ditët tona, ishte motivi që mblodhi në Lehman College të gjithë bashkëatdhetarët tanë, të cilët gëzonin, buzëqeshnin dhe kërcenin si gjithmonë ritmet e bukura të muzikës e valleve të shqipeve tona etnike. Në Festival, u dalluan muzika e instrumentistëve profesionistë të drejtuar nga mjeshtri i muzikës kitarristit Edmond Xhani, i cili, me orkestrën “Alba”, gjatë gjithë kohës ishte shoqëruesja kryesore e interpretuesve të vjetër e të rinj. Në organo luajti orkestranti e kompozitori i njohur Ilir Dangëllia, në klarinet Sokol Asllani, saxsofon Maks Vathi, përkusion Artan Kushi dhe fizarmonikë Agim Kola.
Koncerti ishte konceptuar në katër pjesë. Sikurse çdo vit, sërisht në Festival, binte në sy numëri i madh i fëmijëve dhe të rinjve të lindur e rritur në Amerikë, e ardhmja e sigurtë e jona, të veshur me larmi kostumesh popullore të reja. Melodi të reja “Vargje për Gjergj Kastriotin”, të krijuar enkas për spektaklin, u interpretuan me ndjeshmëri atdhetari nga Dhimitra Dajçi Xenopulo, shoqëruar me mandolinë nga instrumentisti pasionant Kleant Daci. “Këngë për Frang Bardhin”, një tekst e kompozim i ri, u interpretua nga kantautoria e Arbërie Hetemi, shoqëruar nga orkestra. Vajzat e zhdërvjellta si sorkalle të Grupit “Rozafat” (NY), interpretuan vallen “Suitë vajzash”, duke ia lënë vendin këngëtarit Sahit Gjenashaj, që risolli këngë me motive nga qyteti bregdetar i lashtësisë - Ulqini. Grupi Artistik “Bashkimi” i ardhur enkas nga Detroit – i, interpretoi vallen e njohur të Rugovës. Bajazit Myrtyshi me kostum nga pjesa juglindore e Shqipërisë, këpucë me xhifka e fustanellë recitoi plot ndjenja poezi të Naim Frashërit.
Gjatë katër pjesëve konferencierja Angela Zagreda, doli me veshje të ndryshme popullore të disa krahinave të trojeve etnike shqiptare, ndërsa partneri elegant, tenori Kreshnik Zhabjaku, hijeshonte në skenë me veshje tipike malësore. Anglishtja e kulluar e shqiptaro - amerikanes Agela dhe shakatë fine plot lezet e delikatesë të një vajze të zhdërvjelltë, e bëri partnerin elegant Kreshnikun të ndihet i ngrohtë e shumë origjinal gjatë gjithë spektaklit…
I ftuar enkas për këtë Festival erdhi artisti i njohur Paulin Trieshi, i cili, këndoi me pathos e zë melodioz këngën e njohur shkodrane: “Për mue paska kenë kismet”. Sërisht ridolën në skenë vajzat e Grupit “Rozafat”, duke luajtur pjesën popullore “Vallja e Bjeshkës”, “Valle me motive nga Kosova”, që i la më pas vendin piktorit këngëtar nga Philadelphia Ligor Luarasi, i cili, në mënyrë origjinale, luajti pjesë të vështira me putpuri korçare shoqëruar njëheri me kitarë e saze goje. Pikroti muzikant Luarasi, shoqërohej nga dy mbesat e veta Nikoleta dhe Rebeka Barboni, të cilat, ishin të veshura  me kostume popullore të Klajd KAPINOVA, Festivali XVI Folklorik në New York, shpirti i komunitetitur enkas nga mamaja e tyre Meri. 3 këngë: “O moj Kosovë e dashtun Nanë”, “Këngë për Hysen Bajrin”, “Që nan vjet krajlat që hyn”, u kënduan me ndjenjë malli e krenarie për vendlindjen nga vëllezërit: Syl e Bek Nikçi. I riu Albert Stanaj (nga shkolla “Krajka”), i veshur me kostum malësori këndoi ëmbëlsisht këngën: “Ti këndon si Naimi”. Me një nivel të lartë artistik u paraqit edhe e reja Alba Çano e veshur me kostumin tradicional të Shqipërisë së Mesme. Ajo si nuse e bukur dhe këngëtare e talentuar, mori ngrohtësisht duatrokitje frenetike, për interpretimin e buçetës me këngë të bukura arbëreshe. Muzikë nga Shqipëria e Mesme, solli për spektatorët Adriatik Sefa, ndërsa Enxhi Hyseni interpretoi këngën “E bukur jam vetë, si lulja me fletë”. I adhuruari për zërin karakteristik e të pastër të bjeshkëve arbërore Gëzim Nika, me zërin e tij melodios solli emocionet e këngës “Vallet e vendit tim”. Sexhep Ferati pjesëtar i Grupit “Sorkadhet e Kosovës” të Atlantës, solo luajti pjesë vlonjate nga “Vallja e pipsave”.
Pjesa e tretë e programit, u hap me 3 interpretime nga Ansambli “Bashkimi Kombëtar” (NY), kushtuar figurave tona nacionale, me valle instrumentale e ato me motive nga Veriu. Instrumentisti Igli Tuga, dhuroi me klarinetë pjesë me motive popullore. Këngë për Çerçiz Topullin, këndoi solisti Emilian, ndërsa Entela Ilirjana, risolli për të pranishmit një këngë për Ali Pashë Tepelenën. Me një zë sopranoje profesioniste plot pjekuri artistike këngëtarja e re e talentuar Geris Duma, entuziazmoi me interpretimin e saj brilant “Kënga e Bareshës”, e cila, pas suksesit të madh nga publiku, u vlerësua nga Juria e Festivalit me Çmimin e Parë. Grupi “Bashkimi Dance” nga Bostoni, i drejtuar nga mjeshtri profesionist Bashkim Braho, interpretoi “Valle gorane korçare”, ndërsa instrumentisti virtuoz Sokol Asllani, luajti kaba me klarinet, shoqëruar me shuplaka të spektatorëve që kërcenin plot kënaqsi. Sabahate Berlajolli, këndoi këngë për poetin zë embël Naim Frashërin. Tenori Kreshnik Zhabjaku, me talentin e zërit të tij melodioz solli freski nga kënga “Çu këput e ra nji fyell”. Më pas kënduan njëri mbas tjetrit: Nik Çarku (Nji lule që ka çel sot), vogëlushja Hana Lulgjuraj (Jam shqiponja e Kastriotit), Shefqet Krasniqi (I këndoj shqiptarisë) dhe u mbyll Festivali me disa valle popullore të luajtura nga grupet: “Rozafat” (Vallja e burrave), Grupi “Bashkimi” i Detroit – it (Valle me motive të Malësisë së Madhe) dhe sërisht çifti simpatik Geris Duma dhe Kreshnik Zhabjaku, të veshur me kostume popullore, risollën atmoferë të ngrohtë për artdashësit me këngën “Kur perëndon dielli”. 
Juria e ngritur pranë Festivalit, përmes kryetarit Petraq Pali, shpallën fituesin e vendit të parë këngëtaren e duartrokitura Geris Duma, për këngën “Kënga e Bareshës”. Çmimin për kostumin dhe interpretimin më të mirë iu dha Grupit “Gjergj Kastrioti” nga Michigan, ndërsa Grupi “Bashkimi Dance” i Bostonit, u nderua me çmimin si valletarët më të mirë. Me çmim të veçantë, u shpërblye grupi i talenteve të reja “Rozafat” të New York – ut. Me çmim inkurajues dhënë nga publiku, u vlerësua talentja e re Hana Lulgjuraj nga Detroit – i, sikurse Grupi Shkollës së Muzikës “Krajka”, Shoqëria Kulturore “Kelmendi” e Grupi Artistik “Rugova” të New York – ut.


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-01-02 13:00:32
very nice. thank you.

Koment nga GUEST më 2007-01-02 13:10:53
shkrim shume i bukur. urime autorit klajd kapinova me banim ne new york.

Koment nga GUEST më 2007-01-09 11:58:50
you are very nice writer. merry christmas and happy new year! brikena from santa monica, california, usa.

Koment nga GUEST më 2008-06-03 15:22:38
me te vertet ja vlen te lexoj kete artikull i pregezoj autorin e keti shkrimi ...

Koment nga GUEST më 2008-07-13 22:03:13
jam nje qytetare nga tiranade emigroj per 8 vjet ne Italime ka pelqyer shume keto shkrime , por mbi te gjitha jam emocionuar kur kamn pare ne keto shkrime dhe emrin e nje kengetare shume te degjuar qe bente pjese ne komision te festivalevene new york zemra qe bashkon shqiptaret rajmonda dabulla 
,ajo ngelet idhulli im dhe i vajzes viola banaj.shpresoj qe nje dite te shihemi moda te pershenesim te gjithe nje puthje nga large nga miqte e pa haruar nga familja banaj.VIOLA ,HERMESI SHQIPJA dhe FREDI  
JU PERSHENDES TE GJITHE KUJTIMIN ,IRIDEN DHENDRIN DHE TY MONDA ITALI ME 9 .07.08 TEL. 00390187495205


International
English
Faqe interaktive