Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Çeshtja Kombetare arrow Rreth diskutimeve për shqipen standarde
Rreth diskutimeve për shqipen standarde PDF Print E-mail
21 Prill 2010
Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës
KUMTESË E KRYESISË

Rreth diskutimeve për shqipen standarde


Kohëve të fundit është zhvilluar një valë diskutimesh rreth shqipes standarde. Bartës të këtyre diskutimeve, autorë, kryesisht larg dijes shkencore në fushë të gjuhësisë, i kanë bërë objekt sulmi dy prej vlerave më të rëndësishme të kombit: gjuhën shqipe dhe Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), i cili ligjësoi standardin e saj.
Si duket, diskutuesve të standardit duhet t’ua kujtojmë se në historinë e popullit shqiptar Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipes (1972) dhe Konsulta e Prishtinës (1968), krahas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1912) dhe çlirimit të Kosovës (1999), janë ngjarjet më të rëndësishme kombëtare të shekullit XX, që shënojnë jetën kombëtare dhe sendërtojnë unitetin e identitetit të popullit shqiptar. Por, e dimë se përpjekja për përmbysjen e këtyre dy institucioneve historike dhe riorganizimin e shqipes standarde mbi baza të tjera, duke përfshirë këtu edhe ngritjen e një standardi të ri për nënshtetasit e Republikës së Kosovës, do të kishte pasoja largvajtëse në çintegrimin e të gjithë përbërësve kulturorë, mendorë, eko­nomikë dhe madje shpirtërorë të popullit shqiptar, për të cilët është punuar shekuj me radhë.  

Propaganduesve të ndarjes së gjuhës shqipesot nuk u mjafton ndarja e popullit shqiptar në shtete të ndryshme politike, nuk ju mjafton ndarja me kufij politikë, veç se vazhdojnë në mënyrën më anakronike t’i propagandojnë kufijtë e vjetër krahinorë, etnografikë, fisnorë dhe fetarë të popullit shqiptarë e të pasurisë materiale e shpirtërore të tij, në kohën kur Evropa vazhdon t’i bëjë të padukshëm edhe kufijtë shtetërorë a ideologjikë të shekullit XIX e XX, për të cilët ka investuar shumë në pikëpamje intelektuale, filozofike, kulturore, politike, ekonomike dhe shtetërore.
Propaganduesit e përkufizimeve të reja krahinore të shqipes vazhdojnë t’i shquajnë kufijtë etnografikë, në kohën kur Evropa vazhdon të rrënojë mure shumë të larta, për të cilat ka investuar djersën e disa popujve, të disa dekadave dhe madje të disa shteteve.
Bartësit e këtyre ideve në Shqipëri dhe në Kosovë janë kryesisht publicistë, që, më parë se të merren me çështjen e një gjuhe të re, janë marrë me krijimin e një kombi të ri, kombit kosovar; janë gjuhëtarë, që, më parë se të merren me gjuhën shqipe dhe strukturën e brendshme gjuhësore të standardit të saj, merren me paradigmat politike të saj; janë autorë tekstesh gjuhësore a publicistike, të cilët duke mos i njohur, a duke mos dashur t’i njohin parimet themelore mbi të cilat është krijuar standardi i sotëm i gjuhës shqipe, ankohen për mangësitë e tij, të cilat në parimet themelore të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) paraqesin rregullat dhe synimet themelore të bazës së standardit.
Ata ankohen për kohën historike në të cilën është organizuar Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) dhe për frymën ideologjike të asaj kohe, ndërsa vetë shkruajnë në shtypin ditor dhe sidomos paraqiten e flasin në mediet e elektronike në frymën tipike titiste; ata atakojnë bardët e standardit të gjuhës duke përzgjedhur njëanshëm diskutimet e tyre gjatë dhe sidomos para Kongresit, duke i keqpërdorur kështu mendimet e tyre sipas modeleve tipike bolshevike; ata identifikojnë bazën dialektore të shqipes standarde, duke e identifikuar në mënyrë të njëanshme me personalitete të caktuara politike, ndërsa tkurrin në përmasa të skajshme kufijtë nëndialektorë të propozimeve të tyre, madje deri te propozimi për një standard të ri: kosovarishten; ata vazhdojnë të ankohen për bazën e rrudhur krahinore të shqipes standarde, ndërsa vetë punojnë për zgjerimin primitiv të gramatikës së saj; ata
ankohen për përjashtimin e leksikut të gegërishtes, sado vetë shqipen standarde vazhdojnë ta pasurojnë me sllavizma, italianizma, anglicizma e turqizma.
Duam t’ua kujtojmë se gjuha shqipe dhe kombi shqiptar janë dy pjesë të pandashme të një identiteti, prandaj përpjekja e përtashme që prej tij të themelojnë identitete të reja krahinore, gjuhësore apo politike është përpjekje kundërhistorike e individëve dhe e grupeve të caktuara, është përpjekje me synimet largvajtëse, të cilat janë tejkaluar gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Anakronizmi i tyre del në pah edhe me faktin se ata përpiqen të krijojnë kombe në një kohë kur koha e formimit të kombeve është zëvendësuar me kohën e krijimit të shteteve.
Duke u përpjekur ta rrënojnë strukturën bashkëkohore të standardit të saj, në të vërtetë ata, përpiqen që njëkohësisht t’i rrënojnë themelet e kombit modern shqiptar.
Nuk e dimë a ka nevojë të thuhet se disa nga kundërshtuesit më të flaktë të vlerave të standardit në Republikën e Shqipërisë, ka kohë që po përfundojnë lektorë në Seminarin e gjuhës shqipe në Beograd, ndërsa disa nga propaganduesit e idesë së identitetit kosovar, ka kohë që po vishen me pushtet në komisionet dhe në institucionet politike dhe shkencore e kulturore të Republikës së Kosovës.
Mbase nuk është për t’u habitur pse brenda një kohe të shkurtër në Republikën e  Kosovës, krahas gjuhës shqipe, në të vërtetë standardit të saj, janë sulmuar edhe disa shenja dhe vlera kombëtare, që simbolizojnë vlera historike të identitetit kombëtar, të popullit shqiptar e të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të tij.
Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, anëtarët e djeshëm dhe të sotëm të së cilës kanë kontribuar shumë për pasurimin dhe zgjerimin e gjuhës shqipe dhe të standardit të saj, duke e konsideruar gjuhën shqipe vlerë identifikuese të secilit qytetar të popullit shqiptar, e konsideron të palejueshëm diskutimin e standardit të shqipes në nivele grupesh, klanesh e individësh, të cilët më parë se për plotësimin e standardit të gjuhës, kanë synim rrënimin e identitetit historik të folësve të saj.
Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës fton studiuesit, shkrimtarët, publicistët dhe të gjithë ata që në një formë a një tjetër merren me gjuhën shqipe, që të punojnë në pasurimin e saj me vlera gjithëkombëtare dhe të angazhohen në mbrojtjen  e saj prej prirjeve histerike të diskutimeve rreth saj.  
 
Në Prishtinë, më 15 prill 2010

Kryetari
ADEM DEMAÇI

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive