Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Shoqëria arrow Përjetësimi i Nënë Terezës në veprën "Engjëll vuajtje dhe shprese"
Përjetësimi i Nënë Terezës në veprën "Engjëll vuajtje dhe shprese" PDF Print E-mail
04 Shtator 2010

 (Refleksione rreth librit: "Engjëll vuajtje dhe shprese" të studiuesit dhe publicistit Klajd Kapinova)

Këtë vit mbushën 100 vjet nga lindja e personalitetit më të madh të botës shqiptare, që ishte dhe mbeti ndera dhe krenaria për të gjithë ne.
Të marrësh përsipër misionin e vlerësimit të një vepre të shkruar nga një studiues e publicist, për mua është sa e vështirë dhe një obligim për t’ia arritur me dashamirësi qëllimit.
Gonxhe Bojaxhiu e njohur tashmë nga e gjithë bota si Nënë Tereza e Kalkutës, shumë herë ka qenë me mision në New York dhe në shtete të tjera të ShBA-së. Me ftesën e Mons. Dr. Zef Oroshit Oroshit (1912-1989), erdhi pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” (sot "Zoja e Shkodrës") në New York, humanistja e paharruar, e cila u takua me komunitetin shqiptarë, pa dallim feje, krahine dhe ideje. Ajo u mirëprit nga meshtarët tanë: Mons. Dr. Zef Oroshi Don Rrok Mirdita, asokohe zv/administrator (sot Shkëlqësia e Tij Imzot Rrok Mirdita Arqipeshkev Metropolitan i Arqipeshkvisë Tiranë - Durrës), At Arthur Liolin, famullitar i Kishës Ortodokse të Shën Gjergjit në Boston, seminaristi asokohe (dhe sot famullitari ynë) Don Pjetër Popaj.
Ardhja e humanistes së famshme mes shqiptarëve të mërguar në tokën amerikane, ka qenë një moment emocional, meditues dhe njëkohsisht një kujtim i shënuar thellë në mendjet e shqiptarëve dhe për mua.

 

Nëse e shikon me qetësi tërë jetën dhe veprën bamirëse, mëson nëpër faqet e librit: “Engjell Vuajtje dhe Shprese”, se Ajo ka shpërndarë fisnikërisht dhe çdo minutë, orë dhe ditë flladin e ngrohtë shpirtëror, duke dhuruar sa më shumë dashuri njerëzve të braktisur, të sëmurë me lëbrozë, tuberkuloz, të gjymtuar fizikisht dhe menderisht; hyri në mes të vdekjes, për të nxjerrë atje dritën e jetës dhe shpreses; iu gjend pranë shpirtërisht dhe materialisht njerëzve në nevoj, të kërcenuar drejtpërdrejtë nga vdekja me AIDS dhe atyre që kanë humbur shpresën për vijimësinë e jetës.
Në Kosovë dhe ShBA, kam ndjekur me ndjenjë nacionale krenarinë dhe emrin e madh që gëzonte shqiptarja e vogël fizikisht, por e madhe me zemër dashurie, ashtu sikurse gjithnjë kemi ditur të ruajmë krenarinë si vend i vogël, me figurën e heroit të lavdishëm nacional, Gjergj Gjon Kastriotit "Kalorësit dhe mbrojtësit dinjitoz të Krishtërimit dhe të civilizimit Arbëror dhe Evropian".
Në konstelacionin e fytyrave të ndritura të Atdheut, kanë zënë vend me shkëlqim në të gjallë të tyre Gjergj Gjon Kastrioti dhe Gonxhe Bojaxhiu, që erdhën në histori, atëherë, kur njerëzimi (dhe posaçërsht ne shqiptarët) kishte shumë nevojë për përsonalitetin e veprën e madhe të tyre.
Me këto nota meditimi të veçantë, rilexova librin e studiuesit dhe publicistit të njohur Klajd Kapinova me titull kuptimplotë: "Engjëll vuajtje dhe shprese", kushtuar tërësisht figurës së madhe botërore Të Lumes Nënë Tereza.
Sot në 100-vjetorin e lindjes se Të Lumes Nënë Tereza, bilanci biografik dhe fama e saj ka marrë përmasa shumë të mëdha. Pothujase në shumë shtete Ajo ka qenë “Qytetare Nderi” dhe modeli i shëmbelltyrës së humanizmit të njerëzve në nevojë pa dallim feje, shteti, nacionaliteti, ngjyre dhe gjinie.
Shumë shtete të ndryshme të botës e kanë perjetuar emrin e kësaj ikone ndërkombëtare në emërimin e spitaleve, qendrave humanitare, shesheve, parqeve, qendrave kulturore, bamirëse, shoqatave dhe organizatave nga veriu në jug dhe nga lindja në përëndim të globit tonë…
Shumë libra, janë shkruar mbi Të Lumen Nënë Tereza nga biografë, historianë, publicistë dhe studiues nga Evropa, Amerika, Azia, Australia, Afrika. Secili botim, në të veçantat e tyre kanë një subjekt dhe figurë, që asnjëherë nuk do të shterrojë si tematikë.
Si shqiptar, dua të citoj vetëm një biograf, studiues e publicist të shquar nga Kosova Dr. Don Lush Gjergji, që i ka përkushtuar Nënë Terezës talentin dhe punën e palodhur në vite, në dobi të Shenjtëreshës së njerëzimit, duke dhuruar shumë vepra dinjitoze. Për më tepër Dr. Gjergji, ka përcjellë me pendën e tij lavdinë e popullit fisnik shqiptar të mishëruar në figurën e Nënës...
Ky libër i ri, i shtohet fondit të begatë të shqiptares së ndritur, e parë në një këndvështrim të ri. Autori, pas një pune hulumtuese 5-vjeçare, ofron një pjesë të re dhe burimore, të një ngjarjeje njerëzore me shumë begati të ndritshme hyjnore, rrezatimi i së cilës nuk ka kufi. Duke qenë një dëshmi e dashurisë së Zotit, E Lumja Nënë Tereza, ka ngacmuar shpesh gazetarët, biografët dhe studiuesit, të cilët, duke shkruar për humanisten kanë qenë pranë dëshmisë së Saj në misione, në të gjitha meridianet e paralelet e botës, duke parë e lexuar në punën e Shenjtëreshës shëmbëlltyrën e Shën Françeskut me sandale, sari dhe katër motra të para të vendosura në çdo shtet të botës.
Natyrshëm të gjithë kanë mësuar esencën e misionit fisnik dhe hirëplotë të bashkëatdhetares tonë Gonxhe Bojaxhiu, e cila përjetoi dramën e kësaj bote plot plagë, që kërkon më shumë Institucionin e Dashurisë ndaj të varfërve, dhembshuri dhe ilaçin e humanizmit kristian për shërim. Ajo dhuroi dashuri për më të varfërit e më të varfërve.
Ajo u ndesh përballë mjerimit të tejskajshëm, të shoqëruar përherë me indiferentizëm vrastarë, ku shëmtira e jetës shkatërron vetë jetën. Ajo "zgjodhi" luksin e gërmadhave të fakirëve të Indisë, që kundërmonin erë dekompozimi (kalbëzimi), duke synuar me dashurinë e një nëne ringjalljen e kufomave buzë vdekjes.
E kush tjetër, përveç një Shënjtëreshe, mund të bënte një mision, të ringjallte njerëzit e dobësuar në maksimum nga brutaliteti i jetës shkatërrimtare. Ajo llogariste, që në zemrën e shpirtin e çdo të lënduari, braktisuri, jetimi, të vobektit t’ju risjellë jetën, buzëqeshjen dhe shpresën.
Të shëruarit e Saj, janë kënaqësia në shenjë falënderimi për misionaret dhe për vetë Nënë Terezën. Ajo u fut në ndërgjegjën e botës, me të vetmen armë shpirtërore e fizike, me dashurinë e Saj.
Pikërisht 5 vjet, pasi Nënë Tereza ndërroi jetë, autori Klajd Kapinova, dhuron për mbarë shqiptarët qiriun e dritës dhe të përjetimit të fisnikes së ndritshme Nënë Terezën, dhuratë kjo e dhënë nga Zoti.
Ky libër biografik, i studiuesit bashkëatdhetar i Nënë Terezës, ka merita të shumta, pasi ka hulumtuar e sistemuar me kujdes dhe durim shumëvjeçar, dashuri dhe përkushtim, një vepër të parë gjatë një shekulli në Shqipëri deri në vitin 2002.
Kjo vjen nga fakti, se Shqipëria e njohu Nënë Terezën në vitin 1989, kur Ajo për herë të parë zbriti në aeroportin e Rinasit në Tiranë, dhe 13 vjet më vonë, në vitin 2002 pagëzohet me emrin e Saj.
Libri është konceptuar me data, ngjarje, çmime, vlerësime më të rëndësishme mbi Nënë Terezën, intervista dhe esse, duke punuar me modesti në ndërtesën e re të figurës së humanistes. Veshja e thjeshtë dhe këmbët e zbathura me sandalet në pragfundin e shekullit XX, asnjëherë nuk qenë një pamje moralizuese, por sfidë stoicizmi, të cilën e përsëriti gjatë tërë jetës dhe misioneve, duke mëkuar gjithnjë ngrohtësi aty ku varfëria ishte ulur këmbëkryq.
Nëna Shenjtëreshë, ishte gjithnjë e gatshme, për të sfiduar sëmundjet e njëpasnjëshme që e shoqëruan kudo, tek pau dhe shkeli pëllëmbë për pëllëmbë skutat e varfërisë së ekonomisë së konsumit, në vendet më të prapambetura të rruzullit.
Duke përshëndetur autorët e tjerë pararendës dhe më të riun z. Kapinova, që na dhuroi këtë vepër, shpresoj dhe besoj se të tjerë libra do të shkruhen në të ardhmen, sepse E Lumja Nënë Tereza i përket historisë së shenjtërve, që nderojnë krishterimin dhe popullin e tyre, ku lindën për të mbetur të pavdekshëm.
"Nënë Tereza, është poezia e jetës, poezia e njerëzve të varfër, është modeli i veçantë i dashurisë në vepër, e cila duket tashmë e shpërndarë si eter në veprën e misionareve të Saj, të cilat me stoicizmin e tyre janë plazmor si specie TEREZIANE, aq të mirëpritura e të respektuara...", vlerëson autori Klajd Kapinova, në shkrimin esse kushtuar Shenjtëreshës Nënë Tereza.
 
Flesh mbi përmbajtjen e librit
 
Historia e Nënë Terezës është përmbledhur nga studiuesi dhe publicist në një libër të parë në Shqipëri deri në vitin 2002.
Autori, nuk ka menduar që të vërë në libër foto të Nënë Terezës, mbasi ajo është e unisuar si një Shënjtëreshë e adhuruar nga miliona të varfër në mbarë botën. Vepra biografike, hapet me parathënien time, duke i lënë hapësirë e trajtesë të veçantë shpërblimeve të dhëna nga shtetet e ndryshme të botës.
Në brendësi me interes mund të lexohen vlerësimet për Nënë Terezën, duke filluar me papët e Romës, kardinalë, ipeshkëvij dhe klerikë të ndryshëm, për të ardhur me vlerësimet e merituara, që i kanë bërë klerikët katolikë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.
Kuptimplotë janë vlerësimet e klerikëve të nderuar Don Pjetër Popaj, famullitar i kishës "Zoja e Shkodrës" në New York, Don Anton Kçira meshtar në kishën e "Shën Palit" në Detroit (i cili është meshtari i parë shqiptar, që ka thënë meshë në ditën e dytë (më 14 Shtator 1997) pranë varrit në shtëpinë e Misionit të Motrave të Nënë Terezës, në Kalkuta të Indisë), Don Ndue Gjergji famullitar në kishën "Zoja Pajtimtare" në Beverly Hills, Michigan. Më pas vijnë vlerësimet sinjifikative shkruar me mendje dhe zemër nga figurat elitare të kombit tonë dhe studiues, gazetarë, shkrimtarë etj. Të tillë janë: vlerësimet e biofrafit të shquar Dr. Don Lush Gjergji, shkrimtarit Ismail Kadare, Prof. Sami Repishtit, Prof. Peter Prifti, akademik Mark Krasniqi dhe njerëzve të tjerë si kryeredaktori i revistës "Jeta Katolike" New York, Mark K. Shkreli, Tonin Mirakaj, Frank Shkreli, Dr. Ahmet Osja, Sheuki Rroji etj.
Libri mbyllet me përjetimin e emrit të Nënë Terezës sot në Shqipëri dhe Kosovë, një intervistë me Mons. Lucjan Avgustinin (sot Ipeshkëv i Sapës), ku ka marrë pjesë në varrimin e Nënë Terezës në Kalkuta Indi dhe dy esse të shkruar nga autori Klajd Kapinova mbi figurën e Nënës Terezës.
Vepra biografike ka 171 faqe dhe është botuar nën kujdesin e Shtëpisë Botuese "Camaj-Pipaj" dhe shtypur në Shtypshkronjën "Volaj" në Shkodër. Redaktor i librit është i ndjeri Prof.dr. Simon Pepa.
 
Pak fjalë për autorin

 
Klajd Kapinova, ka kryer Universitetin e Tiranës, dega Gjeografi më 1987. Ka bërë specializime pasuniversitare për mjedisin dhe si metodist i gjeografisë. Kapinova ka studime e botime në fushën e gjeografisë, sidomos asaj fizike, urbane e turizmit. Ka punuar si mësues në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja në Shkodër deri në prill 2002. Dallohet për botimit cilësorë të veprave me karakter njohës dhe publicistikë, për problemet e klerit, të ndihmesës së tij në procesin demokratizues të vendit dhe njëkohsisht pasqyron edhe vuajtjet që ai ka përjetuar në kohën e monizmit në Shqipëri.
Publicistika është hobi i tij, aq sa në këtë fushë, njihet jo vetëm në Shqipëri, por në Kosovë, Mal të Zi, Zvicër e ShBA. Artikujt kanë prirje enciklopedike, kulturor, shoqëror, historik dhe të traditës. Eshtë antar ose i zgjedhur në forumet "The World Forum of Professionals in the Secular and Religious Media" në Geneva të Zvicrës, i Bashkimit të Publicistëve të Rinj Katolikë në Shkodër (UCIP) dhe ish antar i stafit të disa redaksive të gazetave e revistave në Shkodër.
Studiuesi ka qenë kryeredaktor i revistës kulturore-fetare "Rrezja e jonë", "Illyricum" dhe redaktor i revistës "Kumbona e së diellës", "Rreze drite", "Mbas Teje", etj. Ishte z/kryeredaktor i revistës kulturore-rinore "Vagues" (Valët) në katër gjuhë të huaja në qytetin e Shkodrës. Eshtë bashkëautor i librit "Kualida" për Gjeografinë, projekt i financuar nga Fondacioni "SOROS" (Tiranë, 1997), autor i librave: "Me Kryq dhe Pendë" (Shkodër, 1997), "Mes Kryqit e Atdheut" (Shkodër, 2000), monografinë kushtuar Nënë Terezës "Engjëll vuajtje dhe shprese" (Shkodër, 2002) dhe bashkëautor në monografitë "Dom Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut" (Shkodër, 2002), "Lidhja Shqiptare e Prizrenit" (1962-2002), themeluesi e udhëheqësi Ismet Berisha" (New York, 2002). Është redaktor i shumë librave me poezi, monografi e kujtime dhe ka shkruar parathënien e tyre. Autori prej shumë vitesh është editor i revistës “Jeta Katolike” (1966), që botohet në New York. Jeton dhe punon në New York U.S.A.


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive