Faqe kryesore arrow Kosova arrow Modeli tirolez, shkatërrimtar për Kosovën
Modeli tirolez, shkatërrimtar për Kosovën PDF Print E-mail
04 Shtator 2010
Nga Valon Kurtishi

Kohëve të fundit janë shtuar zërat për zgjidhje të ndryshme juridike-administrative në lidhje me integrimin e pjesës veriore të Kosovës në sistemin politiko-juridik të vendit. Sic dihet, kjo hapësirë është tashmë 10 vite jashtë kontrollit të qeverisë legjitime të Prishtinës si dhe nën ndikimin dhe kontrollin e drejtpërdrejtë të Republikës së Sërbisë. Për më tepër, elementët ekstremistë sërbë që nga viti 2008 kanë formuar në këtë zonë një të a.q "Kuvend sërb për Kosovën dhe Metohinë" i cili e ka bojkotuar tërësisht si autoritetin kombëtar ashtu edhe misionin ndërkombëtar EULEX, i cili erdhi në vend edhe me lejen e Beogradit. Pra kemi të bëjmë me një rast interesant dhe "sui generis" në kontinentin europian ku në territorin e një shteti sovran, ka prani ekzekutive dhe vlejnë norma ligjore të një shteti tjetër sovran. Përveç lëshimeve, gabimeve, politikave krejtësisht të gabura dhe dobësisë strukturore të shoqërisë shqiptare për të qeverisur njëherë veten dhe pastaj për të integruar këtë pjesë në sistemin politik të vendit, fajtorë kryesorë për këtë gjendje të çuditshme dhe të papranueshme janë edhe misionet e ndryshme që kanë vepruar në të kaluarën apo veprojnë sot në Kosovë si UNMIK apo EULEX. UNMIK vepron në vend që nga vera e vitit 1999, kur këshilli i sigurimit të OKB miratoi rezolutën numër 1244. EULEX nga ana tjetër vepron si një mision teknik i Bashkimit Europian në kuadër të rezolutës 1244 për (sipas tij) të "mbikëqyrur, asistuar dhe këshilluar" qeverinë.

Paaftësia, pamundësia dhe ndoshta edhe reluktanca e një pjese të mirë të bashkësisë ndërkombëtare për të zgjidhur përfundimisht këtë çështje, janë gjithashtu fajtorë për situatën e tanishme atje. Pjesën kryesore të fajit e mban qeveria sërbe që ka instaluar dhe legalizuar që më 1999 në veri një strukturë de fakto okupuese e cila nuk largohet asesi nga reth 2000 km2 të territorit të Republikës, territor ky i pranuar me automatizëm nga bashkësia ndërkombëtare si i Kosovës me rastin e shpalljes së pavarësisë më 17shkurt 2008.
Pikërisht ajo pjesë e bashkësisë ndërkombëtare e cila ka dështuar për një dekadë radhazi në integrimin e veriut me pjesën tjetër të vendit, në përpjekje për të regulluar disi situatën e papranueshme, ka dhënë kohëve të fundit disa sinjale për një zgjidhje të këtij kontesti artificial duke marë për bazë modelin e Tirolit të Jugut në Italinë veriore.
Kjo pjesë e kësaj strukture ndërkombëtare e maskuar nën eufemizmin "qarqe të larta diplomatike"e cila priret për ti bërë gjithmonë lëshime dhe koncensione nacionalizmit sërb, lëshoi gjatë javëve të kaluara në një mori të mediave si shqiptare ashtu edhe sërbe e europiane të a.q "Balonë provues", në lidhje me autonomi të llojeve të ndryshme për veriun e Kosovës. Një goditje të fuqishme këtyre qëndrimeve u dha ambasadori i SHBA në Prishtinë z. Kristofer Dell, i cili në një kumtesë të lëshuar për opinionin publik ka theksuar se, "Qëndrimi i qeverisë së SHBA është shumë i qartë: ne mbështesim fuqimisht statusin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe integritetin e saj territorial". Më vonë edhe zëdhënësi i Zyrës civile ndërkombëtare (ICO) në Prishtinë, Z Kai Mueller-Berner në një intervistë të tij për agjencitë ndërkombëtare të lajmeve deklaroi se i vetmi plan i cili vlen për Kosovën e pokështu  edhe për veriun është dokumenti i Ahtisarit i cili duket se është realizuar "tashmë thelbësisht".
 
Qeveria e Kosovës nga ana tjetër shihet se nuk i ka kapacitetet e duhura për të kontrolluar situatën e sigurisë në teren. Megjithatë, në një qëndrim dinjitoz, kryeministri ka thënë se do të vazhdohet me implementimin e dokmentit të Ahtisarit i cili sipas tij është realizuar në masën 90% dhe i cili paraqet konceptin e vetëm për veriun e Kosovës. Sipas planit aktual, përveç tre komunave ekzistuese, do të formohet edhe një komunë e re me shumicë sërbe, do të vazhdohet me decentralizimin fiskal, do të vazhdohet me bartjen e kompetencave, do të mbahen zgjedhje lokale, do të hapet gjykata e mbyllur më parë atje etj. Në përgjithësi,  këto zhvillime janë paraparë dhe qëndrojnë në pakon e presidentit Ahtisari, e cila ishte në njëfarë mënyre "conditio sine qua non" për pranimin e pavarësisë së Kosovës nga demokracitë perëndimore dhe lëshim kardinal ndaj kërkesave nacionaliste të Beogradit kokëfortë.
 
Pakoja e Ahtisarit e vitit 2007, e pranuar nga qeveria e Kosovës dhe e miratur nga Kuvendi republikan si pjesë përbërëse e kushtetutës, u jep minoriteteve etnike liri dhe privilegje të panjohura më parë në legjislacionin dhe praktikën ndërkombëtare. Për më tepër si dhe për të mos fyer ndjenjat kombëtare dhe shoqërore të askujt, minoritetet as që përmenden me këtë term në kushtetutën e vendit, por gjithnjë barazohen me shumicën dërmuese shqiptare prej 95 %, duke i përcaktuar apo emërtuar në kushtetutë si "komunitete". Megjithatë, Beogradi dhë sërbët vendorë nuk e pranojnë asesi këtë dokument dhe i bojkotojnë vazhdimisht institucionet e Republikës së Kosovës me intencën e qartë për copëtim. Strategjia e Beogradit pas humbjes së duelit me bashkësinë ndërkombëtare në Gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë të Holandës (korrik 2010), është përqëndruar e tëra në një ndarje të mundshme në baza etnike të vendit duke marë për vete territoret e pasura me minerale në veri si dhe duke kufizuar akoma më shumë kapacitetet tokësore dhe natyrore të Kosovës deri në shkallën kur Prishtina të mos jetë më shtet një "shtet viabël", i aftë për të mbijetuar.
 
Pikërisht këtu synon kërkesa për bashkimin e komunave me shumicë sërbe të Kosovës veriore në një njësi autonome, e cila duke pasur për bazë dobësinë e Prishtinës si dhe fuqinë e Beogradit si në praktikë ashtu edhe në qarqet vendimmarëse ndërkombëtare, do të shkëputej me automatizëm nga Kosova dhe do ti bashkangjitej Sërbisë. Kjo tashmë është realizuar siç thamë më lart që më 2007 dhe kjo autonomi funksionon e udhëhequr nga një kriminel si Marko Jakshiq, i vetëshpalluri kryetar i "Kuvendit sërb në veri". Shteti i Kosovës nuk do të mund të parandalonte një zhvillim të tillë as me mjete demokratike dhe aq më pak me përdorimin e forcës së organizuar shtetërore si ushtria, policia apo njësi speciale policore, p.sh.
 
Duke pasur parsysh se modeli që përmendet më shpesh si zgjidhje për veriun është ai tirolez, ne do të shohim më poshtë se çështë në fakt Tiroli i Jugut, modeli autonom i tij dhe kushtet e rrethanat historike në të cilat u realizua kjo "autonomi"?

Tiroli i jugut është një krahinë gjermanishtfolëse në veri të Italisë së sotme e cila ka qenë e banuar historikisht me gjermanë etnikë dhe i është dhënë Italisë në vitin 1919, si rezultat i hyrjes së këtij vendi në luftën e parë botërore në anën e fuqive fituese të Antantës. Pra gjymtimi i Austrisë si rezultat i humbjes së luftës botërore ka shkaktuar këtë padrejtësi të madhe etnike. Më pas rajoni ka kaluar një periudhë të qetë me gjithë përpjekjet e qeverisë italiane për të italianizuar banorët lokalë. Megjithatë, nuk mund të krahasohen terrori, masakrat, deportimet dhe tentim gjenocidet sërbe ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë gjithë periudhës 1912/1945 e deri më 1999, me presionin e moderuar të qeverisë italiane ndaj gjermanishtfolësve të Tirolit jugor.

Sa u takon zhvillimeve politike dhe juridike të rastit. Kushtetuta e republikës italiane nga viti 1948 bën një decentralizim të theksuar të pushtetit në vend, duke e ndarë atë në 20 regjione me autonomi regjionale dhe 5 krahina me autonomi politiko-territoriale si rezultat i kushteve dhe rethanave të veçanta etnike dhe gjeografike. Por këtu duhet thënë se shteti Italian nuk është shtet federativ, pasi që nuk është bashkësi e dy më shumë shteteve e krijuar me kushtetutë me pjesëmarjen e të gjitha njësive federale. Në fakt dhe si u tha më lartë, ky vend është demokraci parlamentare me nje decentralizim dhe regjionalizim të theksuar. Pra në Itali, regjioni është shkalla më e lartë e ndarjes administrative. Pas tij si shkallë e dytë apo më e ulet është provinca apo krahina autonome dhe në nivelin më të ulët është komuna.
 
Tiroli jugor historik ose siç njihet me emërtimin zyrtar Trentino-AltoAdige/Südtirol, si regjion është ndarë në dy krahina autonome, edhe atë: krahinën Bolzen me shumicë gjermane dhe krahinën e Trentinos me shumicë italiane të popullsisë. Historia e kësaj zone që nga viti 1919 e deri në ditët e sotme është karakterizuar nga mosmarrëveshje të vazhdueshme të cilat kanë çuar edhe në prishje të vogla të rendit dhe qetësisë në vitet 60. Çështja ëhtë zgjidhur përfundimisht që më 1972, kur në bazë të marëveshjes mes Romës dhe Vjenës, regjionit i është garantuar një status special i cili përfshin autonomi legjislative, administrative dhe financiare. Parlamenti regjional zhvendoset në bazë të rotacionit herë në kryeqytetin e Bolzanos me shumicë gjermane dhe herë në atë të Trentos me shumicë italiane.
 
Duke studiuar mirë dallimet në zhvillimin historik të ngjarjeve dhe në zhvillimet behaviorialiste të aktorëve italianë dhe gjermanë në Tirolin e jugut dhe të atyre sërbë dhe shqiptarë në Kosovë dhe rreth saj deri më sot, mund të vijmë në përfundime shumë të qarta dhe të thjeshta.

Ekzistojnë dallime kardinale në sjellje: Sërbia ka ushtruar dhunë e terror të paparë në gjithë periudhën 1912-1999, si dhe ka tentuar në disa momente kyçe historike gjenocidin e pastër ndaj shumicës shqiptare në Kosovë. Italia nuk ka aplikuar dhunë fizike në shkallë të gjerë, masakra kolektive apo gjenocid ndaj gjermanëve të Tirolit në asnjë periudhë historike, që nga 1919 e deri më sot.
 
Austria duke qenë një shtet demokratik dhe pjesë e Bashkimit Europian, asnjëherë nuk është përpjekur të minojë integritetin territorial të Italisë, poashtu shtet demokratik dhe anëtar i BE. Sërbia nga ana tjetër nuk ka njohur fare pavarësinë e vendit duke mbetur kështu rrezik potencial për sigurinë kombëtare të Kosovës. Formimi i një krahine autonome me shumicë sërbe dhe me me kufinj të caktuar qartë, do të ishte si një ftesë për këtë vend për të shtuar akoma më shumë përpjekjet e tij për pushtimin edhe ushtarak të Kosovës. Kjo do të çonte në një destabilizim rajonal aq të padëshirueshëm sot në Europën juglindore dhe më gjerë.
 
Pakoja e presidentit finlandez Ahtisaari nga viti 2007, në shumë pika është e ngjashme me statutet e provincave italiane, pasi e decentralizon në maksimumin e mundshëm pushtetin në Kosovë. Me një fjalë, Kosova shndërrohet në shtetin më të decentralizuar në Europë si rezultat i këtij dokumenti. Me këtë ezaurohen edhe kërkesat e minoritetit sërb në vend. Me një fjalë, këtij minoriteti megjithëse përbën më pak se 4% e numrit të përgjithshëm të popullsisë, i pranohen të drejta dhe privilegje që nuk ekzistojnë askund në Europë si .p.sh gjuha zyrtare në gjithë territorin e shtetit të Kosovës. Nëse i krahasojmë këto praktika me Tirolin e jugut, ku gjermanishtja (dhe italishtja) është zyrtare vetëm në atë provincë me sërbishten si gjuhë zyrtare në gjithë territorin e Kosovës, del në pah pozita shumë më e avancuar e sërbishtes zyrtare në gjithë Kosovën me gjermanishten zyrtare të kufizuar në Italinë veriore. Përveç gjuhës zyrtare pra de fakto autonomisë kulturore, minoritetit sërb në vend i garantohen edhe shumë të drejta e privilegje të jashtëzakonshme në sferën politike, ekonomike e tjera, të cilat e shndërojnë atë në elementin më të favorizuar minoritar në gjithë Europën. (Një element tjetër gjithashtu më i favorizuar në gjithë Europën janë edhe të a.q “grekë” në Shqipëri).
 
Parë në një kontekst më të gjerë rajonal, dhënia e statuseve të këtilla speciale për rajone të vogla e me kaq pak banorë si veriu i Kosovës, do të hapte apetite të ngjashme në gjithë Ballkanin e në vetë Sërbinë në radhë të parë. Lugina e Preshevës, Provinca e Novi Pazarit, tre pjesë të ndryshme të Vojvodinës do të meritonin së paku të njëjtin status juridik si ai i Kosovës veriore, për të mos kaluar në vende tjera ballkanike të banuara nga më shumë grupe të ndryshme etnike si Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria apo Rumania.

Shikuar nga të gjitha aspektet e këndvështrimet e mundshme, kërkesa e ekstremistëve sërbë si dhe indiciet nga një pjesë prosërbe e bashkësisë ndërkombëtare për status special të bazuar në modelin tirolez për Kosovën veriore, janë më e pakta joserioze dhe më e shumta minim i pavarësisë politike (sovranitetit) dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Si të tilla ato as që duhet të përmenden nga opinioni publik e aq më pak të shqyrtohen seriozisht nga qeveria në Prishtinë. Ato duhet studiuar me kujdes vetëm nga këndvështrimi i përgatitjes  së strategjive për tu mbrojtur nga synimet shumë të hapura territoriale të fqinjit verior. Qeveria e Kosovës, kryeministri, presidenti, kuvendi, klasa politike, shoqëria civile, opinioni publik duhet ta refuzojnë fuqishëm dhe vendosmërisht këtë propozim djallëzor i cili do ta çojë Kosovën edhe ashtu të dobët dhe të decentralizuar në shpërbërje dhe shkatërim të sigurtë.


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2010-09-08 14:54:18
Z.Kurtishi! 
Shqetesimi juaj eshte i drejte , por shqiptaret kujtohen kur zjarri u ka rrezuar dhe tavanet.Perse nuk krijohet nje fron shqiptar i krahasuar me Dy lidhjet e medha te Prizrenit, ku te dalin intelektuale te spikatur dhe te pa korruptuar dhe jo sahanlepires si ketej dhe andej kufirit. Shqiperia do kaloje prap furtuna te medha.Shqiptare kudo qe jini mblidhuni dhe kontiboni per shqiperine se nga 110mije kilometra katrore ngeli 28748 dhe kohet e fundit kerkonin me insitim politikanet tane t'i falnin Greqise dhe 300 kilometra katrore.Ne ekrane te televizorit na dalin si Engjej, jo djaj siç jane, mjafton qe te joshen me para . 
Me shume respekt Vetetima


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?