Faqe kryesore arrow Çeshtja Kombetare arrow Kontributi i organizatave politike në SHBA për afirmimin e Shqipërisë Etnike
Kontributi i organizatave politike në SHBA për afirmimin e Shqipërisë Etnike PDF Print E-mail
19 Tetor 2010

Shpërnguljet e para të shqiptarëve, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  datojnë nga pjesa e dytë e shekullit  XIX. Mërgimtarët e parë shqiptarë,  janë vendosur në Boston dhe rrethinë, të cilët kanë ardhur nga Jugu i Shqipërisë, respektivisht nga Korça.  

Për shqiptarët, gjatë të gjitha periudhave historike të krizave, gjithmonë më tërheqës ka qenë emigrimi i tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Emigrantët  shqiptarë në Amerikë, edhe pse vinin nga vende të ndryshme të  Ballkanit, të ndjekur dhe të denigruar nga qëllimet kolonizuese të regjimeve të  shteteve fqinje, në krye me Serbinë, ata jo vetëm që nuk i harruan familjet e tyre në vendlindje, por nuk e harruan as kulturën, as traditat dhe as çështjen e pa- zgjedhur kombëtare.

     Shoqëria e parë shqiptare në mërgim, respektivisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është themeluar në vitin 1905, me iniciativën  e Petro Nini Luarasit, e cila është quajtur “Malli i Mëmëdheut”, kurse gazetën e parë në Amerikë me emrin “Kombi” e botoi Sortir Peci, më 6 qershor të vitit 1906, në Boston.

 

Me gjithë gjendjen e vështirë financiare të funksionimit të shoqërive të mërgatës shqiptare që vepronin në Amerikë, mërgimtarët ishin shumë të interesuar për  të ardhmen e shtetit shqiptar, për fatin e tokave etnike, të cilat  në atë kohë gjendeshin nën Turqi, por seriozisht të rrezikuara nga planet grabitqare dhe ekspansioniste të shteteve fqinje të Ballkanit në krye me Serbinë. Një preokupim të tillë, e dëshmojnë për mesë një proteste të Shoqërive të mërgatës shqiptare të Amerikës, për mbrojtjen e të drejtave  kombëtare të popullit shqiptar, dërguar delegacioneve të Kongresit të Paqes  i cili mbahej në Hagë, në qershor të vitit 1907. Rëndësia e kësaj proteste, qëndron në faktin se është protesta e parë e mërgatës shqiptare të Amerikës me karakter ndërkombëtar, në mbrojtje të të drejtave kombëtare të popullit shqiptar dhe territoreve etnike.

    Me rritjen e numrit të mërgimtarëve shqiptarë, shtohej edhe numri shoqërive dhe klubeve të tyre, të cilat për qëllim nuk kishin, vetëm edukimin dhe kultivimin e ndjenjave kombëtare te mërgata shqiptare, por edhe informimin me   ngjarjet që zhvilloheshin në Ballkan, pas revolucionit xhonturk. Kështu, me iniciativën e shoqërisë “Mall i Mëmëdheut”, në fillim të vitit 1908, në qytetin Xhemstaun u themelua  biblioteka e parë shqiptare në Amerikë, e cila luajti një rol të rëndësishëm jo vetëm në informimin e mërgatës shqiptare për ngjarjet në Ballkan, por edhe në ngritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjes së tyre kombëtare ndaj territoreve etnike.

Pos shoqërisë “Mall’ i Mëmëdheut”, deri në vitin 1912 u themeluan disa dhjetëra shoqëri, ekzistenca e të cilave u vështirësua, për shkak të financimit të tyre. Njëra ndër shoqëritë më me autoritet të cilën e themeloi Noli në Boston në vitin 1907, ishte shoqëria “Besa-Besën”, e cila nga 15 shkurti i vitit 1909, filloi të botojë gazetën “Dielli”, e cila  më vonë bëhet organ i Federatës  Pan- shqiptare “Vatra”. Redaktor i parë i gazetës “Dielli”, ishte F. S. Noli. Gazeta “Dielli” duke pasur një platformë të shëndoshë kombëtare dhe politike, u bë dhe mbeti gazeta më e kërkuar ndër shqiptarët në mërgim.

Duhet theksuar se që nga viti 1907, nga shoqëria “Besa Besën” u hodh ideja, nga shoqëritë ekzistuese, të themelohet një organizatë e vetme pan shqiptare.  

Pas një lufte shumë të ashpër politike  në mes te shoqërive, bindjeve, polemikave dhe qindra tubimeve të mbajtura, më 28 prill të vitit 1912, themelohet  Federata Pan Shqiptare “Vatra” me organin e saj “Dielli”.

“Vatra”, është e para organizatë politiko-shoqërore dhe kombëtare e organizuar në mërgim në mënyrë institucionale, e cila jo vetëm që ka përfaqësuar interesat e popullit shqiptar në administratën amerikane dhe në organizatat ndërkombëtare, por ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm edhe në kultivimin e trashëgimisë kulturo-historike dhe të atdhedashurisë te mërgata shqiptare në SHBA, ndaj vendlindjes dhe kombit shqiptarë, sidomos gjatë disa periudhave historike, kur ajo përmes  organit të saj “Dielli”  në faqen e parë  në formë të emblemës, jo vetëm që botonte hartën e Shqipërinë Etnike, por botoi edhe disa Rezoluta të paraqitura nga veprimtarët e devotshëm të mërgatës shqiptare, drejtuar instancave ma të larta të Administratës Amerikane, disa qindra artikuj dhe fejtone, në të cilat bëhej fjalë për copëtimin e territoreve etnike shqiptare. Përmes kësaj veprimtarie gazeta “Dielli” ka dhenë një kontribut të veçantë në propagandimin e çështjes kombëtare dhe copëtimin e trojeve etnike, jo vetëm te mërgata shqiptare, por edhe te administrata dhe opinionin amerikan.
 
     Rrugën e veprimtarisë kombëtare dhe politike të “Vatrës”, në mënyra dhe në forma të ndryshme, por edhe ma të theksuar e ndjekin thuajse të gjitha organizatat politike të cilat themelohen pas  Luftës së Dytë Botërore, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë drejtim sidomos dallohen disa organizata politike-kombëtare cilat prej themelimit të tyre e kundërshtuan ideologjinë  komuniste, si kundërshtare më të ashpër të demokracisë dhe të respektimit të të drejtave elementare të njeriut. Në këtë fushë, luftë politike pa kompromis, me përkrahjen dhe me ndihmën e shteteve demokratike, sidomos të SHBA-ve,  ka bërë Balli Kombëtar, Komiteti Shqipëria e Lirë”, Lidhja Kosovare, Legaliteti, Lidhja e Prizrenit, Blloku Independent, Lidhja Çame e tjera organizata politike, të cilat në mërgim kanë qenë zëdhënëse të çështjes shqiptare si në administratën amerikane, ashtu edhe në organizatat ndërkombëtare.

Organizatat e lartpërmendura politike, përmes organeve të tyre, si p.sh. “Balli Kombëtar” përmes gazetës “Flamuri”, me rastin e botimit të hartave të Shqipërisë Etnike, Rezolutave, kërkesave të përfaqësuesve të organizatave politike në Konferenca  dhe Kongrese ndërkombëtare të Grupeve Etnike të Evropës,  artikujve, fejtoneve të ndryshme, në të cilat behet fjalë mbi fatin tragjik te copëtimit të territoreve etnike të popullit shqiptarë, mbi  dënimet dhe ndjekjet politike të shqiptarëve nën regjimet komuniste dhe shteteve pushtuese të territoreve etnike, shënimin e përvjetorëve të ngjarjeve ma të rëndësishme nga historia e popullit shqiptar, sidomos shënimin e Ditës së Flamurit, luajtën një rol shumë te rëndësishëm si në afirmimin ashtu edhe në sensibilizimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes mbarëkombëtare, si në opinionin dhe Administratën Amerikane, ashtu edhe te organizatat ndërkombëtare dhe mërgata shqiptare.

Gazeta “Flamuri” rëndësi, rëndësi të veçantë u ka kushtua edhe shpërthimit të demonstratave në trojet etnike shqiptare nën ish Jugosllavi, ne veçanti ngjarjeve në Kosovë, me te cilat raste jo vetëm që kanë propaganduar kërkesat e shqiptarëve, por kanë botuar dhe shpërndarë  harta të veçanta të Shqipërisë Etnike, gjatë cilave raste kanë botuar edhe informacione të thukëta dhe fejtone argumentuese mbi copëtimin e territoreve etnike shqiptare, në Kongrese dhe Konferenca  ndërkombëtare. Botimet e tilla, përveç në gjuhën shqipe, janë bërë kryesisht edhe në anglisht.

Kur bëhet fjalë për kontributin e organizatave politike, në afirmimin e Shqipërisë Etnike, do ti hymë në hak Lidhjes Kosovare, nëse nuk i themi në veçanti disa fjali, për veprimtarinë kombëtare te saj në mërgim. Lidhja Kosovare, është njëra ndër organizatat  e vetme politike, e cila rregullisht ka marrë pjesë në Kongreset e Grupeve Etnike të Evropës, lidhur me pozitën e popullit shqiptarë nën Jugosllavi. Kongreset e Grupeve Etnike të Evropës janë  mbajtur çdo  vit, ka pasur raste kur janë mbajtur edhe nga dy në një vit. Ne ato Kongrese, Lidhja Kosovare ka qene e vetmja organizatë politike zyrtarisht që ka marrë pjesë, në të cilat raste  ka mbrojt interesat e popullit shqiptar nënë Jugosllavi, nga Manastiri deri në Tivar. Në këto Kongrese delegacionet e Lidhjes Kosovare jo vetëm që kanë dhënë raporte te hollësishme për pozitën e shqiptareve nënë Jugosllavi, por kane bërë edhe shpërndarjen e materialeve të ndryshme propagandistike delegacioneve  pjesëmarrëse në ato Kongrese, mbi pa drejtësitë që janë bërë popullit shqiptarë në të kaluarën, si dhe kane shpërndarë me qindra harta të trojeve etnike. Në këto Kongrese delegacionet e Lidhjes  Kosovare jo vetëm që kanë paraqitë me fakte dhe argumente gjendjen reale të shqiptarëve nën Jugosllavi, por kanë bërë edhe sensibilizimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes të pa zgjedhur mbarë kombëtare në tërësi.   

Kontribut të veçantë në afirmimin e Shqipërisë Etnike, kanë dhënë organizatat politike në SHBA, përmes, pjesëmarrjes së tyre në shënimin e Javës të Kombeve të Robëruara, të cilën e ka shpallur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Dejvid Ajzenauer në vitin 1959. Ky manifestim ka pasur më shumë karakter politik në mes dy blloqeve të kohës. Qytetarët amerikanë, mërgimtarët e shteteve komuniste dhe mjetet e informimit i kanë dhënë rëndësi të veçantë këtij manifestimi, sepse në mënyrë masive  kanë marrë pjesë në te.  Prej  vitit 1959 , nëpër disa qytete kryesore të SHBA-ve, kryesisht, ku kanë qenë të koncentruar mërgimtarët e ardhur nga shtetet komuniste çdo vit, në javën e tretë të korrikut, në vende të caktuara kanë protestuar mërgimtarët e shteteve komuniste për bashkëvendësit  e tyre që kanë jetuar në robërinë e sistemeve moniste. Në këto manifestime, mërgimtarët me prejardhje nga shtetet komuniste, në mënyrë të organizuar, me veshje dhe me flamuj kombëtarë, kanë defiluar para pjesëmarrësve dhe mjeteve të informimit. Organizatorët e kombeve pjesëmarrëse, në shumicën e rasteve kanë paraqitur dhe kanë shpërndarë raporte dhe komunikata të ndryshme  për pozitën e vështirë dhe shtypëse të bashkëvendësve të tyre nga regjimet komuniste.

Në këto manifestime rregullisht dhe në mënyrë madhështore ka marrë pjesë edhe mërgata shqiptare e organizuar dhe e udhëhequr  kryesisht nga Lidhja Kosovare, si: në’ Çikago, në Detroit, në Nju-Jork, ne Nju-Xhersi e qytete tjera. Rëndësia politike dhe kombëtare e pjesëmarrjes së mërgatës shqiptare në shënimin e Javës të Kombeve të Robëruara qëndron në faktin, se në shënimin e javës në fjalë, nuk kanë marrë pjesë vetëm qytetarët amerikanë, por edhe përfaqësues të lartë të administratës amerikane. Në këto manifestime, pjesëmarrja e mërgatës shqiptare ka zgjuar interesim të veçantë, si për nga masiviteti, veshjet karakteristike kombëtare, ashtu edhe për ka raportet dhe komunikatat e shpërndara mjeteve të informimit, fjalimet e zjarrta të mbajtura para pjesëmarrësve të manifestimit lidhur me pozitën dhe shtypjen e popullit shqiptar nga regjimet e egra komuniste. Pjesëmarrja e mërgatës shqiptare në këto manifestime ka luajtur  rol të rëndësishëm në sensibilizimin dhe në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, trojeve etnike, në veçanti të Kosovës, si  para opinionit, ashtu edhe në administratën amerikane. Për kontributin që ka dhënë mërgata shqiptare në organizimin dhe në pjesëmarrjen masive në Ditën e Kombeve të Robëruara, nga organizatorët është dekoruar Prof. Abas Ermenji dhe Hafëz Jusuf Azemi në emër të mërgatës shqiptare, kurse nga administrata amerikane senatori Viliem Brumfild,  me medaljen  e themeluesit të Kombeve të Robëruara Dejvid Ajzenauer.

Veprimtari të ngjashme politike dhe kombëtare në SHBA-së, kanë  zhvilluar edhe organizatat tjera politike në SHBA-së, përmes organeve të tyre. Organizata e Lëvizjes të Legalitetit, përmes gazetës “Atdheu”, Komiteti Demokrat “Shqipëria e Lire“ , përmes revistës “Qindresa Shqiptare”,Lidhja Kosovare përmes revistës “Përpjekja Kosovare”, Blloku Idepedent, përmes gazetës, “ Shqiptari i Lirë”, Lidhja e Prizrenit në Mërgim, përmes  gazetës “Lidhja e Prizrenit”,   Lidhja Çame, përmes revistës “Në Krahun e Shqiponjës”,  e tjera organizata politike. Vlen të theksojmë se disa organizata politike, si që ishte Balli Kombëtar, përmes degëve te veta në Australi dhe në Turqi ka zhvilluar një veprimtari të denjë politike, si në afirmimin dhe  sensibilizimin e çështjes  mbarëkombëtare, ashtu edhe në ndërkombëtarizimin e copëtimit të trojeve etnike. Në Australi, një veprimtari të tillë kombëtare e ka zhvilluar përmes Buletinit të Shqiptarëve të Australisë, kurse në Turqi, përmes gazetës “Besa” .

Duhet vu në pa, se të gjitha organizatat politike shqiptare në mërgim, të cilat kane zhvilluar veprimtari kombëtare në SHBA-së dhe shtetet tjera, përmes gazetave dhe revistave të tyre, shumë artikuj, por ka pasur edhe shumë raste, kur e tërë gazeta apo revista, është botuar në gjuhen angleze, franceze, gjermane, italiane, ndonjëherë edhe turke, me qëllim, që opinioni vendor të jete i informuar ma për se afërmi dhe drejtë për së drejti  për fatin tragjik të popullit shqiptarë dhe copëtimin e trojeve te tyre etnike.  

Veprimtaria kombëtare e mërgatës shqiptare në SHBA jo vetëm që afirmoi, sensibilizoi dhe ndërkombëtarizoi çështjen mbarëkombëtare, por dha kontribut të veçantë si në rrëzimin e sistemit monist, ashtu edhe në propagandimin e sistemeve demokratike të botës perëndimore, sidomos të atij amerikan.

Pas rënies të komunizmit, në këtë kontekst, kontribute të veçanta kanë dhënë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës me degët e saja në SHBA, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, të cilat, sipas kërkesave të kohës, së bashku me organizatat e tjera politike të mërgatës shqiptare të themeluara më herët, në të gjitha mënyrat dhe format kanë vazhduar luftën politike me mjete demokratike për çlirimin dhe barazinë e popullit shqiptarë me popujt e tjerë të Ballkanit.

Me angazhimin dhe kontributet e të gjithë faktorëve relevantë shqiptarë, në trojet etnike dhe në mërgim, gjatë të gjitha periudhave historike, sot opsioni i Pavarësisë së Kosovës  është përkrahur edhe nga faktori ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili më 17 shkurt 2008 bëhet realitet, kur Kuvendi i Kosovës, shpalli Pavarësinë e Shtetit të Kosovës, e cila deri më sot është pranuar nga shtetet ma të fuqishme të kohës, në krye me ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pa dyshim në këtë kontekst, merita të veçanta ka edhe mërgata shqiptare e Amerikës, të cilin kontribut e vlerëson lartë mbarë populli shqiptarë, në veçanti ai i Kosovës.

Zonja dhe Zotërinj, të nderuar pjesëmarrës,

Sot, sipas mendimit tim, duke mos e nënçmuar as pak faktorin  brendshëm shqiptar, sakrificën dhe flijimin e atyre idealistëve për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, gjatë të gjitha periudhave historike, veprimtaria kombëtare e organizatave politike në mërgim, respektivisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka luajtur një rol jashtëzakonisht  të madh si në afirmimin, sensibilizimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes mbarëkombëtare, jo vetëm në Administratën Amerikane por në të gjitha organizatat ndërkombëtare, dhe fal një veprimtarie të tillë të faktorit të brendshëm dhe të jashtëm shqiptar, kur si deri më sot, në organizatat vendimmarrëse në bot, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka qenë ma i aktualizuar ribashkimi i trojeve Etnike Shqiptare, andaj të gjithë intelektualët e ndërgjegjshëm, me fakte dhe argumente me mburrje dhe krenari ta kërkojnë dhe me mjete demokratike ta mbrojnë ribashkimin e trojeve etnike shqiptare dhe bashkimin kombëtar.




Kukës, 11 shtator 2010

Referatin e përgatiti :
Dr.  Prof.  Riza   S a d i k u  
Këshilltar në Muzeun e Kosovës
Emaill:  


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?