Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Emigracioni arrow Petrit Alliu: I madh ėshtė malli i atdheut...
Petrit Alliu: I madh ėshtė malli i atdheut... PDF Print E-mail
09 Janar 2007

nga Sabit Abdyli, Auckland

Petrit Alliu hynë në radhën e mërgimtarëve të parë shqiptarë, të ardhur në Zelandën e Re, që në vitin 1951. Njohës i shumë gjuhëve të huaja: anglisht, turqisht, italisht, intelektual e  sportist, me shumë sukses ka luajt volejboll për ekipin e parë të Tiranës /1947-1948, më vonë edhe  për shkollën amerikane “Robert College” 1948-1951/, kurse në qytetin e Aucklandit futboll /1952-1954/. Ka të kryer gjimnazin në Tiranë, shkollën amerikane “Robert College” në Stamboll. Sot edhe pse i shtyrë në moshë, gëzon shëndet të mirë. Është i martuar. Ka një djalë e dy vajza:  djali, Kerimi, infermier, jeton në Sydney /Australi/, vajza Jasmina, arkitekte, jeton në Adelaide /Australi/ dhe Shpresa, kontabiliste, jeton në Zelandë. Djali, Kerimi  për ta plotësuar zbrazëtirën,  boshllëkun që e ndjente për Shqipërinë,  me emër e mbiemër të falsifikuar, anëtarësohet në parti majtiste, në Londër. Në vitin 1985 shkon në Shqipëri, por i njëjti nuk ka mund t’i vizitojë xhaxhallarët, nënëloken, shtëpinë, në Tiranë, për të cilët i kish folur i ati me aq mall, sa e sa herë.

“Unë, në prill të vitit 1992, me të zbritur nga avioni, në aeroportin e Rinasit, pas 44 vjetëve, e putha tokën nënë, u çmalla, u kënaqa me familjarët, miqtë, shokët, por edhe u mërzita kur pashë Shqipërinë më keq se që e kisha lënë në vitin 1948” – na tha Petrit Alliu,  me një shqipe të rrjedhshme, derisa po pinim kafe në shtëpinë e xha Zenelit. 
“Në shtator 1948, vazhdoi z. Alliu, e kreva liceun në Tiranë. Mua dhe shokëve të gjeneratës po atë vit na ndan bursa për të vazhduar shkollimin jashtë shtetit. Mua bursa m’u nda pak më vonë se të tjerëve. Pushteti  nuk na shihte me sy të mirë neve që ishim me prejardhje nga familjet me mirëqenie të mirë ekonomike. Po atë vit, na nisin me vaporin rumun “Transilvanija” për në Stamboll, për të dalë pastaj në Detin e Zi përmes grykës së Bosforit.  Duhej të shkonim rrotull nga se marrëdhëniet me Jugosllavin qenë prishur. Në vapor ishim 400 të rinj, që shkonim për të vazhduar shkollimin në shtetet e kampit socialist, si:  Çekosllovaki, Rumani, Poloni, Rusi, Hungari. Lundronim  natën.
Me të arritur në Stamboll u hodhëm nga pjesa e prapme e vaporit në det,  bashkë me një shokun tim nga Tirana, Skënder Muka e quanin, kështu ishim marrë vesh fshehtas në kuvertën e vaporit. Natën, dritat e qytetit reflektoheshin në sipërfaqen e ujit dhe kishim bindjen se jemi krejt afër, bile me dukej se dritat mund  t,i prekja me dorë. “Drejt dritave... Jepi!” – më tha Skënderi, që ishte më i fuqishëm, më notar i mirë se unë.  Në terrin e asaj nate, u ndamë me Skënderin...  Medet! Kurrë më, nuk e pashë. Duke notuar e vëreja se dritat ishin tepër larg, kurse unë gjithnjë e më shumë  ndjeja lodhje. U ktheva në shpinë dhe me lëvizje të ngadalta të këmbëve e duarve arrija të qëndroja në sipërfaqen e ujit. Me shpresa të humbura, fillova të bërtisja me atë pak zë që më kish mbetur për ndihmë, shqip e italisht. Dhe mrekullia ndodhi. Dy peshkatarë turq me barkë, më kapën  për krahësh...
Pas hetimeve të policisë turke se kush jam, prej nga vij, m’u pranua statusi i refugjatit. Me ndihmën e Organizatës për refugjat u regjistrova në shkollën e njohur amerikane “Robert College” në  Stamboll. Kolegjin e kreva më 1951. Aty mësova gjuhën angleze dhe turke. Po atë vit  /1951/ u njoha me Mazhar Krasniqin. Me Mazharin vendosëm  që edhe ne t’i bashkangjitemi refugjatëve, në mesin e të cilëve përveç  shqiptarëve kishte edhe  bullgarë, grek, rumun e të tjerë që bëheshin gati  për në Zelandë të Re. Me vaporin “Goja” pas 35   ditësh lundrimi, më 1 maj 1951, mbërrimë në Wellington, kryeqytetin e Zelandës së Re. Prej aty me tren  na çuan në kampin “Pahiatua”.  Në kamp për 6 javë punova si mësimdhënës. Refugjatëve, jo vetëm shqiptarëve, por edhe turqëve, bullgarëve, rumunëve etj. ua mësoja gjuhën angleze. Në pjesën e dytë të muajit qershor na shpërndajnë gjithandej Zelandës jugore. Pas një viti, unë, Mazhar Krasniqi, Shaban Kryeziu, Shaqir Seferi, Fadil Kasteli etj. u vendosëm në Auckland. Më duhet t’ju them se ne shqiptarët fituam shumë shpejt simpatinë e vendasve, si njerëz punëtor, të përgjegjshëm e sportista të mirë. Unë me Fadilin kemi luajt futboll /1952 – 1954/ me shumë sukses në  ekipin “Grey Lynn Comrades”  ligën e parë. Jetonim me mall e me shpresë se një ditë do të kthehemi. Me punë që të gjithë kishim krijuar kushte për jetë normale. Ne, për shqiptarët e kam fjalën, nuk kalonte java pa u takuar. Kështu arritëm ta mbajmë gjallë frymën shqiptare. Formuam Lidhjen e Qytetarëve Shqiptarë në Zelandë dhe kurdoherë kryetari i Lidhjes, Mazhar Krasniqi e kishte mbështetjen tonë. Diku pas vitit 1970, këtu në Zelandë u mbajt një tubim i të kuqve /partive marksiste-leniniste/. Erdhën përfaqësues të partive komuniste nga e gjithë bota, në mesin e tyre edhe dy shqiptarë, përfaqësues të PPSH. Me iniciativën e  Komuniteti shqiptar, kryetarit të saj, z. Krasniqi u organizua një demonstratë kundër tubimit të të kuqve. Protesta bëri jehonë të madhe. Media e këtushme: si ato elektronike ashtu edhe ato të shkruara /gazetat/ i dhanë publicitet të madh.
Kur erdhëm /1951/ në këtë Ishull të largët, gjetëm një femër shqiptare, e  ardhura para nesh në Zelandë. Dikush prej nesh ka kontaktuar me të. Dimë se ishte e  ardhura nga Egjipti dhe e fliste mirë gjuhën shqipe. Ku gjendet, çka u bë me të, nuk kam informata.
Malli i atdheut është  i madh. Këtë mall edhe ju tani po e ndjeni, por sot e kemi më lehtë. Komunikojmë me telefon sa herë të na teket, informohemi rregullisht, rrugën drejt Shqipërisë e kemi të hapur. Atëherë,  kur shkruaja letër,  nuk shkruaja gjë, e dija se letrat lexoheshin prej njerëzve të sigurimit, po shkrove më shumë se “jam mirë...” ajo nuk arrinte kurrë për ku e ke adresuar.
Desha t’ju them edhe këtë, kur u kthye djali, Kerimi nga Shqipëria, më solli shumë fotografi, incizime, bile  edhe kompletin e veprave të Enver Hoxhës,  /qesh me zë/ të cilat  ende nuk i kam lexuar.

Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-01-16 11:54:32
Duhet te shkruhat ma teper per personat e hekur keq (pa buke ...)

Koment nga GUEST më 2007-01-16 11:56:21
Si shume refugjate shqiptare edhe Z.Petrit e ndjen teper mallin per Atdheun dhe paste jete te gjate. Por me cudit fakti qe kur Z.Petrit ka vizituar Atdheun ne v.1992 eshte cmallur e merzitur pasi "Atdheu" s'paskesh ndryshuar e ishte njelloj si ne vitin 1948??? Eshte absurditet! Shqiperia e vogel dhe e bukur ka ndryshuar faqen e saj dhe po zbukurohet saqe nje nga Gazetat e medha te Amerikes Nju Jork Times, shkruan se tani shkohet per pushime ne Shqiperi e vendet turistike jane nga me modernet...Une mezi pres ta shohe vendin tim dhe kudo qe jane shqiptaret emigrante ta duan e mbrojne vendin e tyre. As edhe nje emigrant i tjeter kombi nuk flet kurre keq per vendin e vet por vec me mall e dhimbsuri e jetojne neper zona se bashku, vec shqiptaret jane si kudo si kokra e te ndare??? Z.Petrit ka mendimin e vet ashtu sic do tjeter mund te kete tjeter opinion si psh une. Me respekt Bena.

Koment nga GUEST më 2007-01-16 11:59:16
Kujtimet e z. Alliu jane nje copez e vogel e mundimeve e rropatjeve te medha te shume e shume shqiptareve te tjere qe ndodhen sot ne kater anet e botes dhe ndjejne dhimbjen e papershkruar me fjale te mallit per vendlindjen e atdheun. Te jetuarit larg dheut tend eshte tortura me torturuese e zemres e mendjes, te pakten per mua, personalisht. Bile, do te shtoja se mallkimi me i keq qe mund t'i besh dikujt eshte " Te pafsha ne dhe' te huaj." 
Mallkuar qofshin ata qe na bene e na bejne te leme atdheun tone per cfaredo lloji arsyeje!

Koment nga GUEST më 2007-05-29 10:37:11
z.Bena. Jemi nga Kosova e jetojmė nė Evropė. E kemi pritur me padurim shkuarjen tonė tė parė nė Shqipėri dhe nuk ishim aspak nė dyshim se ne tani e tutje tė paktėn pushimet verore do i kalojmė nė Shqipėri. Fatkeqėsisht kaluam aq keq nė Durrės, sa qė na humbi jo vetėm dėshira pėr ta vizituar Shqipėrinė, por edhe njė pjesė e madhe e krenarisė qė jemi shqiptarė. Ne kuptohet qė shfaqim mirėkutpim duke patur parasyshė varfėrinė qė atje kishte pas mbretėruar me vite tė tėra, por gjithashtu jemi plotėsisht nė gjendje ta kuptojmė z.Petrit, se edhe ne jemi shumė tė zhgėnjyer, e ne kot iu themi evropianėve se ėshtė bukur nė Shqipėri, kur pėrjetimet atje jan nė kundėrshtim me pėrshkrimet tona. Pėrshėndetie nga fam. H.

Koment nga GUEST më 2009-02-27 00:17:54
une e dua shum e atdheun tim

Koment nga GUEST më 2010-12-30 13:07:06
Z. ALLIU ESHTE NJE NDER NJEREZIT ME TE NDERUAR DHE TE RESPEKTUAR NGA E GJITHE SHOQERIA DHE FAMILJA E TIJ QE E DUAN DHE QE E KANE VUAJTUR SHUME LARGIMIN E TIJ.AI SI GJITHE TE TJERET E DUAN DHE 
VENDIN E LINDJES. E KUSH NUK E DON SHQIPERINE TE JETE VENDI ME I BUKUR DHE TE NEEJHESH MIRE NE VENDIN TEN. POR SIGURISHT KUR AI KA ARDDHUR PER HERE TE PARE MBAS 50 VJETESH 
KA PARE SHUME SHKATRRIME QE NE TE GJITHE I KEMI PARE E I KEMI JETUAR. 
PRANDAJ EDHE DUHET TA PRANOJME NJE MENDDIM TE TILLE.SOT SIGURISHT QE SHIKOJME NRYSHIME E NJEHEMI KRENAR PER TOKEN KU KEMI LERE E RRITUR.


International
English
Faqe interaktive