Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Letersia arrow "Toka e re" estetike e shqiptarëve
"Toka e re" estetike e shqiptarëve PDF Print E-mail
09 Janar 2007

nga Nazire Veizi ,  Tirane

Rreth veprave të shkrimtarëve Pierre-Pandeli Simsia, Ilir Borova dhe  Skifter Këlliçi që jetojnë e punojnë në SH B A.

Të tre këta shkrimtarë, me botimet e tyre gjatë kohës së qëndrimit në  SHBA, sjellin një përvojë të re jo vetëm në qëmtimin e materialit bruto,  por dhe në përpunimin e strukturimin e tij, duke shkrirë në një  përjetimet individuale në këtë vend kampion të lirisë e të vlerave, me  kujtesat e trashëguara ideoemocionale nga prej kah vijnë.  Është e njohur ideja se ridimenisonimi psiko-gjeografik i shkrimtarit,  në rrethana të reja të vëzhgimeve dhe eksplorimeve të tij, fiton mjaft  në raport me kredon e tij artistike, aq sa mund të thuhet se  tjetërsohet në kuptimin e pasurimit dhe përsosjes së epërme tharmi estetik.

Vetë Niçja pohonte si ky ridimensionim, në kuptimin e lëvizjes fizike  dhe transhendentale në kohë dhe hapësirë, është një pasurim i spektrit  vëzhgues dhe meditativ të krijuesit të vërtetë, të cilin e ndihmon ta  shohë “lëndën e parë” estetike në një raport të ri, me struktura dhe  afeksione të reja rrëfimtare.
Në këtë kuptim, shkrimtarët shqiptarë, të rinj e të vjetër, që për  arsye ekonomike u larguan nga vendi i tyre në kërkim të një eldoradoje të  re poetike, ata që përbëjnë të ashtuquajturën diasporë të re të letrave  tona, e pasuruan kamerën e tyre vezhguese e meditative me ndjesi e  raporte të reja, duke i bërë një vend të dukshëm mungesës së kujtesës  premordiale të vendlindjes, duke e kthyer atë në një kujtesë të re, që shkon  nga miti historik deri te metafizika e kulluar.
Veçanërisht shkrimtarët që punojnë, jetojnë e krijojnë në SHBA, në këtë  “tokë të re” planetare, siç e ka quajtur dikush, në këtë tokë të lirisë  shembullore, që përmbledh në vetvete lirinë fizike, lirinë ekonomike,  lirinë morale e mendore, lirinë e plotë të lulëzimit të ndërgjegjes dhe të prehjes së trupit, në tokën frytdhënëse të talentit e të punës  njerëzore, kanë gjetur në veten e tyre mundësi të reja shprehjeje e afirmimi, kanë rrokur tema e motive të begata artistike, të cilat i kanë përpunuar e ngritur në sistem velarsh estetike të mirëfillta. Kushtet e reja ekonomike, çlirimi nga barra e mbijetesës së sëmurë shqiptare, mundësia financiare për t’i vetësponsorizuar veprat e tyre, dhe mbi të gjitha liria e aplikuar në sistemin e vlerave të mirëfillta, i kanë vënë këta shkrimtarë në kushte të reja pune e krijimi, i ka pasuruar në kuptimin shpirtëror të fjalës, duke iu ofruar tema e motive të reja, që nën shtresimet e motiveve të së kaluarës, kanë fituar vlera polivalente shprehjeje e meditimi, që nga narrativja deri te dramatikja e lirikja (poezia)

Tre shkrimtarë, tre prirje në “Tokën e Re”

Në këtë ese do të flasim për tre shkrimtarë, që të tre banues në SHBA, por që në artin e tyre ruajnë gjurmët e pathosit të vendlindjes,  problematikën shqiptare.
Pierre-Pandeli Simsia, me origjinë nga Berati, tregimtar dhe romancier befasues.
Ilir Borova, poet që me tharmin e tij alegorik e sarkastik të bën menjëherë për vete dhe të ‘detyron’ që t’iu rikthehesh ndjesive që të  përcjell poetika e tij. I treti është i mirënjohuri Skifter Këlliçi, i njohur e, deri diku, i afirmuar, autor i shumë prozave kualitative, midis të  cilave mund të veçonim romanin “Atentat në Paris”, aq të njohur e aq të  mirëpritur nga lexuesi shqiptar e më gjerë.
Të tre këta shkrimtarë, me botimet e tyre gjatë kohës së qëndrimit në  SHBA, sjellin një përvojë të re jo vetëm në qëmtimin e materialit bruto,  por dhe në përpunimin e strukturimin e tij, duke shkrirë në një  përjetimet individuale në këtë vend kampion të lirisë e të vlerave me kujtesat  e trashëguara ideoemocionale nga prej kah vijnë.
Pierre-Pandeli Simsia, pas botimit mjaft të suksesshëm të vëllimit me  tregime “Le të jem unë Zamira”, libër që u prit shumë ngrohtë nga  lexuesi dhe qarqet letrare në Shqipëri e në diasporën shqiptare në Amerikë,  vjen me romanin “Një dashuri e vrarë”, botim i Shtëpisë Botuese  “Arbëria”, Tiranë 2006.  Tendenca për të mos anashkaluar problemet e theksuara sociale të  tranzicionit shqiptar, këtij tranzicioni primitiv shekullor, është i spikatur  në rrëfimin e autorit, i cili këtë temë e përcjell edhe në librin e tij  të parë.
Romani “Një dashuri e vrarë” nuk është një histori sentimentale,  përkundrazi, është një dramë e gjallë për shumicën e personazheve të tij, një tragjedi e dhimbshme, aspak e merituar e heroinës. Te kjo e fundit  përplaset ëndrra me realitetin, meskiniteti i rrethanave provinciale dhe  mentaliteti idiot me botëkuptimin e një idealisteje moderne, në kërkim të  vizionit të kulluar për jetën e saj sociale dhe dashurore.  Dorina engjëllore, duke ëndërruar fluturimin drejt qiellit të  lumturisë, fluturon në të vërtetë drejt vdekjes më të zezë, drejt një humnere të  pakthyeshme.
Historia e saj nuk është një histori e shkëptur, por pjesë e një  realiteti dramatiko-tragjik që prodhon një shoqëri ende në krizë, e cila nuk  vlerëson vlerat njerëzore dhe morali kallp i së cilës ushqen rrënjët e  tragjedive dashurore dhe të gjithëfarshme.
Proza është një akuzë për klasën e papërgjegjshme politike shqiptare, e  cila dashje pa dashje, është motivuesja e kësaj strukture kriminale, që  vret që në embrion ëndrrat dhe nxit tutorët, banditët, mafiozët, llumin  e shoqërisë për të uzurpuar të drejtat legjitime njerëzore, ku padyshim  bashin e vendit, e mban dashuria e lirë.
Në vëllimin e tij peotik “Me respekt për...”, autori Ilir Borova na  përcjell një suprizë të këndshme lirike, plot befasime e situata të  freskëta, ku zotëron një humor i hollë, që e përshkon çdo varg të poezive të  tij. Relacioni mes shijes poetike dhe relativitetit me kohën dhe vendin e  duhur, raporti mes unit të trazuar e plot thyerje të epërme me relacionet  meditative lirike, shkrihen në një me strukturat e vargjeve të punuara  me kujdes, të lëmuara deri në përsosje. Ai, duke u rrotulluar në  balonat e orëve, nuk mund të bëjë dot pa to, në në mënyrë që herëpashere t’i  shpojë e t’i sjellë në një formë sa më reale. Domethënë, nuk mund të  shkel atë frymë respekti për frymën e harxhuar dikur. Relativiteti i tij  me kohën dhe njerëzit kthehet në metaforë të kërkimit të lirisë  inidividuale dhe kolektive.
Sfondet e pasura figurative, të veshura me qyrkun e ngrohtë të  alegorisë e sarkazmës, i bëjnë poezitë e tij të lexohen me një frymë, duke mos  t’u ndarë nga fytyra një buzëqeshje e ngrohtë, rrëzëllitëse.  Komunikimi i tij, disi virtual, ku pëzihet ironia e hollë me filozofinë  dhe deduksionin që shkon drejt metafizikës, krijon përveç leximit  tekstual dhe një lexim tjetër të nënkuptuar, leximin nëntekstual që e  përzgjedh vetë lexuesi sipas botëformimit dhe shijeve psiko-etike të botës së  tij.
Në një vendosje tjetër rrëfimtare, në një lëndë mitiko-historike, i  vendos ngjarjet e tij shkrimtari Skifter Këlliçi në romanin e tij me  titull “Dashuri e gdhendur në shkëmb”, sipas motiveve të romanit të famshëm  “Përtej largësive” të shkrimtarit disident Bilal Xhaferi. Kërkimi në të  kaluarën thuajse prehistorike, në kohën e kryengritjeve ilire të Batos,  është një pretekst për të hequr një paralele të nënkuptuar me  realitetin aktual, ku edhe pse në kushtet e një ekzistence të dyzuar e  problematike, te shqiptarët nuk është bjerrë arketipi i lirisë.  Stili i tij i mirënjohur lakonik, pa teprime, lajle e lule të tepërta,  pa retorikë e patetikë, sjell në sytë e lexuesit pamje të virgjëra të kujtesës historike.
Në arketipin historik të luftëtarit të etur për liri e drejtësi  sociale, Këlliçi, kërkon rrënjët e kujtesës së deformuar historike si rezultat  i pushtimeve nga jashtë e nga brenda, që kanë pasuar njëra –tjerën në  këtë vend.

E përbashkëta


E përbashkëta e këtyre tre shkrimtarëve me prirje, tendenca e format të  ndryshëm estetik është ndjesia e çlirimit nga tabutë dhe kërkimi në  zonat heshtjes njerëzore, duke u vetëçliruar nga autocensura dhe makthi i  opinionit, që herë-herë e mbërthen shkrimtarin në një grackë fatale.
Si Simsia, ashtu dhe Borova e Këlliçi, përjetojnë një revolucion  psiko-estetik, pasi jo vetëm në tematikën e përzgjedhur, por dhe në ndërtimin  e ngrehinës estetike të veprave të tyre ndihen komodë e të  përgjegjshëm.
“Toka e re”, psikolgjia e re e një komuniteti që ka qindra vjet që  kërkon në rrugën e lirisë e të progresit, i ka bërë ata më kërkues në  shpalosjet e tyre.
Në lëndën e përzgjedhur prej tyre ka një prirje për të depërtuar në  “zonat latente”: Simsia në tabutë dhe makthet ekzistenciale dashurore,  Borova në alegorinë që e shikon deri te shfaqjet më serioze njerëzore,  Këlliçi në tabutë historike, ku zbulon mekanizmin e mistifikimit dhe  keqkuptimit historik.
Të tre e dinë mjaf mirë se çfarë kërkojnë dhe, në këtë kërkim,  procedojnë me mjete të begata estetike: me struktura moderne rrëfimi e lirizmi,  me thyerje të epërme të situatave e të rrethanave ku i vendosin ngjarjet, personazhet dhe objeksionet e tyre poetike.


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-04-27 10:14:29
BILAL XHAFERI ME PELQEN SHUM SI SHKRIMTAR DHE ME PELQEJN SHUM POEZIT E TIJ. NGA MARIGO BELEGU 

Koment nga GUEST më 2007-05-29 10:31:57
Bilal Xhaferi eshte nje talent i ralle.Ai diti te shendroi ne art tragjedin came dhe asnje krijim artistik i deritanishem per camet e perndjekur nuk e ka fuqin artistike-gjeniale te shkrimtarit Bilal Xhaferi. 
Kur u njoha me fatin tragjik te Bilal Xhaferit u trondita aq shume sa qe shkrova nje poezi kushtuar ketij talenti te rralle te letrave shqipe. 
Albert Shala,shkrimtar nga Gjakova.email:

Koment nga GUEST më 2007-10-31 16:13:26
bilal xhaferi me pelqen dhe eshte shkrimtar shum i mir 

Koment nga GUEST më 2008-01-18 14:25:22
bilal xhaferi eshte shkrimtar me bote, te cilen e ka fituar mes te bardhes dhe te zezes, si qytetar shqiptar nuk duhet vetem pena por guximi bashkpunimi per te punuar per token shqiptare 

Koment nga GUEST më 2009-03-05 16:58:24
eshte nje shkrimtar shum i mir me pelqejn shum veprat e tij dhe me endje i lexoj

Koment nga GUEST më 2009-12-22 13:15:57
veprat e billall xhaferit jon shum te mira i prefroj shum


International
English
Faqe interaktive