Faqe kryesore arrow Çeshtja Kombetare arrow Arroganca e egër e okupatorit dhe servilizmi i pështirë i viktimës
Arroganca e egër e okupatorit dhe servilizmi i pështirë i viktimës PDF Print E-mail
19 Shtator 2011

Nga Valon Kurtishi

Para ca kohësh Prishtinën e vizitoi ministri turk i arsimit kombëtar, Omer Dincer. Pjesë e agjendës së tij, përveç takimeve të ndryshme me elementë tashmë të njohur, të çekuilibruar mendërisht, pa identitet të formësuar kombëtar dhe antishqiptarë si Shefqet Krasniqi, Fuad Ramiqi apo Mahir Jagcillar në Kosovë, ishin edhe dy propozime ose thënë më drejt dy ultimatume  që ai ia parashtroi qeverisë kosovare. Sipas ministrit të arsimit kombëtar të Republikës së Turqisë i cili sa për informacion në vendin e vet në vitin 2005 është dënuar për plagjiaturë, librat e historisë në sistemin edukativo-arsimor të Republikës së Kosovës përmbajnë pjesë të shkruara ku fyhen ndjenjat e kombit turk si dhe harta të caktuara politike të cilat janë të papranueshme për këtë vend. Kërkesa e dytë e ministrit të arsimit kombëtar të Turqisë ishte hapja e një universiteti turk në Kosovë. Të dyja kërkesat i paraqiti në fillim ministri i arsimit, për ti artikuluar disa ditë më vonë me një arogancë të egër dhe plotësisht jodiplomatike ministri i jashtëm turk.
Ministri shqiptar i arsimit, shkencës dhe tekonologjisë i Republikës së Kosovës, Ramë Buja, me një servilizëm të pabesueshëm, i mirëpriti të dy kërkesat dhe u zotua të punonte në realizimin sa më të shpejtë të tyre. Ministri shtoi se tashmë janë formuar komisione dypalëshe , ”profesionale” “ që do të punojnë në spastrimin e historisë shqiptare. Sipas tij, “është formuar një komision i veçantë i cili ka vizituar edhe Turqinë dhe është duke verifikuar faktet historike mes Kosovës dhe Turqisë”.

 

Media tiranase kanë zbuluar se edhe në Tiranë, Turqia e paska bërë tashmë në rrugë zyrtare një kërkesë të ngjashme. Sipas informacioneve të atjeshme, në dy vizitat e tij më 2005 dhe 2008 kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan ka kërkuar nga qeveria shqiptare rishkrimin e historisë në lidhje me periudhën e gjatë të okupimit otoman. Në këtë drejtim, në Tiranë në prezencë të dy kryeministrave, Genc Pollo dhe homologu i tij turk kanë nënshkruar një marrëveshje e cila parasheh formimin e komisioneve dypalëshe për të korigjuar historinë shqiptare. Korigjimi (në fakt falsifikimi) kërkohet të bëhet me qëllim që të ndryshohet “përceptimi” i shqiptarëve për Perandorinë osmane!!!. Pra, shteti turk e ka marrë shumë seriozisht këtë çështje duke mbledhur madje edhe historianë të shumtë turq dhe të tjerë që paguhen nga shteti turk por që vijnë nga shtete tjera, që të punojnë për rishkrimin e historisë shqiptare sipas këndvështrimit nacionalist turk.
Në Kosovë, opinioni publik mëse i vetëdijshëm për rreziqet e tmershme që kanë për identitetin tonë kombëtar këto kërkesa ka reaguar fuqimisht. Një shumësi e gazetarëve shqiptarë mbetën të shokuar nga aroganca dhe mungesa totale e taktit diplomatik me të cilën e kërkojnë këtë falsifikim zyrtarë të lartë neootomanë. Shkencëtarë të njohur shqiptarë si Hakif  Bajrami, Frashër Demaj, Kristo Frashëri e shumë të tjerë kanë reaguar ndaj kësaj furtune antishkencore dhe antikombëtare. Me forcën e argumenteve dhe fakteve të pakundërshtueshme historike, historianët tanë kanë shpalosur edhe njëherë para opinionit publik periudhën e errët të okupimit osman, që nga luftërat shqiptaro-osmane të shekullit të XV, përgjatë kryengritjeve të shumta (reth 57) të kombit tonë gjatë kësaj periudhe pushtimi, e deri te kryengritjet e mëdha të popullit shqiptar gjatë viteve 1878-1912, që kulmuan me realizimin e endrës historike - shtetit të pavarur shqiptar. Një numër shumë i madh i publicistëve dhe veprimtarëve të dëshmuar shqiptar kanë reaguar me shkrime të shumta në lidhje me këtë absurditet të padëgjuar në botë të rishkrimit të historisë nga një shtet me kërkesë të një shteti tjetër. Dy personalitete të njohura të intelektualizmit shqiptar, Arbën Xhaferi dhe Veton Surroi kanë bërë thirje që moti për seriozitet në trajtimin e kësaj politike të re neotomane në raport me shqiptarët, pasi kjo rezikon thelbin e identitetit kombëtar shqiptar: gjuhën, kulturën, traditën dhe historinë.
Nga ana tjetër,  një aleancë  e çuditshme, shumëngjyrëshe, pa identitet të sqaruar kombëtar e qytetar, e përbërë nga fundamentalistë të sëmurë islamikë, ish punëtorë të UDB jugosllave, ish pjesëtarë të kombit “jugosllav në Kosmet”, gjoja kosmopolitë dhe sorosistë, dolën në mbrojtje të kërkesave nacionaliste turke. Cfarë ironie, kosmopolitanët kosovarë në mbrojtje të nacionalizimit turk?! Flasin gjithë kohës kundër nacionalizmit shqiptar, kurse nga ana tjetër dalin në një vijë me qëndrimet falsifikuese të nacionalizimit modern turk. Njëri madje ngatëronte konceptin për kombformim e shtetformim, revolucionin e qershorit të vitit 1924 në Shqipëri si një ngjarje e brendshme politike shqiptare dhe momente tjera të historisë së brendshme shqiptare me kërkesat absurde, të ulëta, shoviniste dhe krejtësisht antishkencore të dy ultranacionalistëve turq si Dincer dhe Davutoglu për falsifikim të historisë shqiptare.
Kërkesat turke në fakt nuk kanë të bëjnë aspak me heqjen e termave fyes apo hartave të caktuara gjeografike, pasi të tilla nuk gjenden askund në curiculat shqiptare as për turqit dhe për ndonjë popull apo shtet tjetër të rajonit. Këto kërkesa kanë të bëjnë me ndryshimin e historisë kombëtare në mënyrë që okupimi turk në librat tanë historikë të paraqitet si një “administrim paqësor” dhe jo si një pushtim klasik. Edhepse në shikim të parë këto kërkesa duken të pabesueshme dhe krejtësisht jashtë kategorisë së të mundshmes, përsëri duhet pranuar se nëse realizohen do të çojnë paevitueshmërisht në asmilimin dhe uljen e numrave të shqiptarëve etnikë në trojet e tyre në Ballkan.
Falsifikimi i historisë kombëtare dhe shndërimi i turqve otomanë nga okupatorë dhe pushtues siç ishin realisht, në “administratorë miqësorë që paskan ardhur me ushtri nga Anadolli në Ballkan për ti shpëtuar shqiptarët nga sërbët dhe grekët”!!!, i shërben strategjisë së re megalomane turke të neoosmanizmit. Sipas kësaj strategjie në pajtim me forcimin ekonomik të vendit, duhet të shfrytëzohet “fuqia e butë’ (soft power) që të sigurohet ndikimi turk në disa rajone të caktuara gjeografike që njëherë ishin nën sundimin e këtij shteti. Kjo arihet edhe me forma të këtilla të presionit të butë ndaj shteteve të dobëta si Kosova, me kërkesa të kësaj natyre për ndryshime të historisë, por edhe me ndikime të tjera të natyrave ekonomike, politike, diplomatike etj. Sa do të realizohet në plan global kjo strategji e re imperialiste turke mbetet të shihet. Megjithatë, gjasat janë që në periudha afatmesme kjo të dështojë në pajtim me parashikimet e Huntington për Turqinë si një “shoqëri e copëtuar” (Torn Society),e  cila gjendet diku mes orientit dhe perëndimit. Këtë “Torn society”  as në lindje as në perëndim, përpiqet ta shpëtojë doktrina e re neootomane, duke hequr dorë nga perëndimi dhe duke u rikthyer në origjinën e vet orientale.
Në gjithë këtë lojë të madhe gjeopolitike, elementi etnik shqiptar në Ballkan shihet nga Turqia si material human, si mish njerëzor, i cili mund të përdoret në konfrontimet e ardhshme me perëndimin. Me një fjalë, shqiptarët shihen si jeniçerët modernë të Republikës së Turqisë në Ballkan. Për të aritur synimin që shqiptarët ta pranojnë me vetëdëshirë këtë rol, së pari duhet mjegulluar identiteti kombëtar i këtij kombi. Kjo arihet me falsifikimin e historisë (sipas Dincer: për Turqinë ka shumë rëndësi kultura dhe historia e përbashkët”!!!); me sulm frontal ndaj sistemit edukativo-arsimor në Kosovë duke hapur sa më shumë shkolla turke në zona shqiptare të Kosovës ku nuk ka asnjë turk etnik (kërkesa për Universitet turk  në Lipjan ku ska minoritet turk); me investime të ndryshme politike të cilat i vënë pasuritë publike dhe resurset natyrore të Kosovës, në duart e personave të caktuar që vetëshpallen si turq etnikë (Ziraat bank, Halk bank, Banka “kombëtare”  ndërtimi i autostradave nga firma turke); me dhënien e bursave për studentë shqiptarë që të studiojnë në Turqi ku ta ndryshojnë botëkuptimin e tyre duke u shndëruar në zëdhënës të këtyre ideve nacionaliste turke (rreth 2000 studentë shqiptarë momentalisht në Turqi!!!); duke publikuar libra të rinj në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni ku mbrohet dhe afirmohet pikëpamja falsifikuese turke mbi historinë shqiptare (shtëpia botuese Logos – A, Shkup, prin në këtë drejtim si botuese zyrtare e tezave të nacionalizmit turk tek ne); duke propaguar nëpër disa media të blera në lidhje me ndihmën e madhe që ajo jep në njohjen e Kosovës (asnjë shtet i vetëm në botë nuk e ka njohur Kosovën si rezultat i lobimit turk); keqpërdorimi apo shfrytëzimi i fesë islame për të sulmuar figura qëndrore në historinë kombëtare si dhe për të turqizuar shqiptarët apo organizimi i iftareve masive në qendrat e qyteteve shqiptare që marin kështu pamje aziatiko-afrikane..etj…etj.
Plani parasheh që në një periudhë afatmesme elita  politike, financiare dhe shkencore e krijuar nga kapitali dhe shkollat turke në Kosovë, ta përkthejë këtë fuqi reale në pushtet politik i cili do të realizonte fazën finale të eliminimit të botëkuptimit shqiptar mbi jetën. Me këtë, Kosova nga shtet shqiptar do të shpallet shtet pa konfiguracion të qartë kombëtar-etnik, me një prezencë të fuqishme turke dhe gjoja islamike e cila do të ishte tmeruese për Bashkimin Europian. Kjo nuk është gjë tjetër pos një strategji antishqiptare e cila ka rrezik të çojë në shpërbërjen dhe zhdukjen e shtetit të Kosovës dhe eliminimin e shqiptarëve nga gadishulli ballkanik. Elitat tona drejtuese duhet ta kenë parasysh këtë fakt të pakundërshtueshëm në përpilimin e politikave tona kombëtare në raport me këtë shtet aziatik.
Kërkesat zyrtare të qeverisë turke për ndryshimin apo thënë më drejt falsifikimin e historisë dhe për hapjen e një universiteti turk në Lipjan (ku ska asnjë turk të vetëm etnik),  shpalosin fytyrën e qartë armiqësore të këtij vendi ndaj të ardhmes shqiptare të Republikës së pavarur të Kosovës. Këto  kërkesa jonormale vërtetojnë më së miri tezën se Republika e Turqisë nuk është mik i sinqertë i Republikës së Kosovës. Një shtet i cili mohon haptazi identitetin kombëtar të shqiptarëve nuk është dhe nuk mund të jetë mik i Kosovës. Shoqëria shqiptare duhet të jetë në vijimësi një vigjilente dhe kundërshtuese e prerë e këtyre kërkesave absurde për falsifikimin e së kaluarës tonë kombëtare. Nëse qeveria aktuale e Kosovës e cila karakterizohet nga një paaftësi proverbiale, korrupsion i nivelit të lartë dhe manipulime të shumta me çështjen kombëtare, i pranon këto dy kërkesa turke, atëherë shoqëria civile dhe opinioni përparimtar në Kosovë duhet të kërkojë që me forma demokratike nëpërmjet referendumit të bllokojë falsifikimin e historisë dhe absurditetin e hapjes së një universiteti turk në Republikën e Kosovës.
 Këto janë dy propozime të papranueshme që po të realizohen rrezikojnë krijimin e dyshimeve serioze për të ardhmen shqiptare të qytetarëve të Kosovës. Nëse turqit si komb me shtrirje gjeografike në Azi dhe me origjina kulturore mongoloido-lindore kanë më tepër opcione orientuese dhe mund ti thonë edhe jo integrimit europian, shqiptarët si popull europian, me kulturë europiane dhe me shtrirje gjeografike në Europë nuk duan dhe nuk munden të refuzojnë konceptin apo opcionin europian. Këtë duhet ta dijë edhe qeveria e tanishme e Kosovës bashkë me ministrat e saj. Qeveritë bashkë me bartësit e funksioneve publike shkojnë e vijnë, kurse kombi dhe shteti kombëtar mbeten aty ku janë. Të mos turpërohemi para historisë.


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?