Nga Sali Bollati, Nju Jork
I shqetësuar për gjendjen e sotme politike në Shqipëri, si edhe për shantazhet e herëpashershme që i vijnë vendit tonë nga fqinjët përreth, veçanërisht Greqia, Dr. Velaj, u përqendrua edhe për pretendimet e vazhdueshme greke që kanë ndaj Shqipërisë së Jugut, që ata e quajnë Vorio Epir atë tokë shqiptare dhe propozoi që në fund të atij takimi t'i drejtohemi qeverisë shqiptare me një peticion lidhur me shqetësimin tonë, që është shqetësimi i çdo shqiptari.
Restoranti "GIOVANIS" në Arthur Avenue, Bronx, Nju Jork, me pronar bashkatdhetarin tonë të mirënjohur, zotin Gjergj Dedvukaj ka edhe një sallë takimesh, apo vatër shqiptare, siç do ta quaj. Dyert e asaj salle, i nderuari Dedvukaj i ka hapur shpesh për takime mbledhjesh, promovime librash dhe aktivitete të ndryshme në shërbim të komunitetit.
Salla e takimeve në atë reastaurant ka në ballë një hartë shumë kuptimplotë të Shqipërisë së vërtetë nga Mitrovica në Prevezë. Ne faqen tjetër është portreti i Legjendarit Dedë Gjo Lulit. Pjesët e tjera të mbushura me fleta mirënjohje dhe falenderimi nga institucione dhe shoqata shqiptare dhe amerikane për të nderuarin Gjergj Dedvukaj. Vetëkuptohet nuk mungojnë fotot e shumta me personalitete të njohura amerikane dhe shqiptare, presidentë, etj.
Kështu ndodhi edhe këto ditët e fundit, kur ne, një grup bashkatdhetarësh nga të gjitha trojet shqiptare me iniciativën e atdhetarit të njohur dhe të përkushtuar, shumë i nderuari Dr.Selaudin Velaj nga Kanina e Vlorës, u mblodhëm në atë vatër shqiptare për të shkëmbyer mendime mbi Shqipërinë e sotme dhe njëkohësisht shqetësimet mbi gjendjen e saj.
Fjalën e hapjes e mbajti i nderuari Dr. Selahedin Velaj, i cili na njohu edhe me qellimin e atij takimi.
I shqetësuar për gjendjen e sotme politike në Shqipëri, si edhe për shantazhet e herëpashershme që i vijnë vendit tonë nga fqinjët përreth, veçanërisht Greqia, Dr. Velaj, u përqendrua edhe për pretendimet e vazhdueshme greke që kanë ndaj Shqipërisë së Jugut, që ata e quajnë Vorio Epir atë tokë shqiptare dhe propozoi që në fund të atij takimi t'i drejtohemi qeverisë shqiptare me një peticion lidhur me shqetësimin tonë, që është shqetësimi i çdo shqiptari.
Si shkakun më të freskët Dr. Selahedin Velaj, përmendi datën 31 gusht, 2011, kur 16 deputetë grekë të Partisë LAOS, i janë drejtuar qeverisë greke me kërkesën për të bashkuar Shqipërinë e Jugut (ose vorioepir, siç duan ta quajnë ata), me Greqinë ??!!
Shkrimtari nga Berati, zoti Pierre-Pandeli Simsia, midis të tjerash tha, se me shqetësimet e bashkatdhetarëve të diasporës shqiptare për atdheun dhe për çështjet që po diskutojmë këtu, duhet të njihet edhe qeveria shqiptare. Peticionin me shqetësimet dhe mendimet tona që ne po diskutojmë sot t'ia dërgojmë parlamentit evropian, qeverisë shqiptare, që edhe ajo, nëpërmjet eurodeputetëve që përfaqësojnë Shqipërinë në Parlamentin Evropian, ta ngrejë zërin e saj për këto probleme...
Është e pajustifikueshme dhe e papranueshme që në tokën shqiptare të vijnë deputetë dhe politikanë grekë e të ngrejnë flamurin grek... Në se Greqia pretendon se integrimi i Shqipërisë kalon nëpërmjet Greqisë, jam më se i bindur, se asnjë shqiptar nuk e dëshiron integrimin, duke i dhuruar Greqisë ujrat shqiptare...tha midis të tjerash shkrimtari Simsia
Dr.Sulejman Çela nga Kosova, parashtroi kërkesën e drejtë se qeverite e Shqiperisë dhe te Kosovës, veçanërisht ajo e Shqipërise, duhet të hapi shkolla shqipe për fëmijtë e emigrantëve jashtë shteteve, mbi 60.000 fëmijë në Greqi, ne nje kohë që shteti grek i mbytur në borxhe ndaj Europes, mban hapur shkolla greke ne Korçe e Himarë, madje i furnizon edhe me libra tani në sezonin e fillimit shkollor.
Qeveria shqiptare duhet ti kërkojë edhe ajo qeverisë greke të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Greqi. Qeveria shqiptare duhet të vërë në dijeni Parlamentin Evropian për këto shqetësime, sepse janë tragjedi për kombin tonë... tha midis të tjerash Dr. Sulejman Çela.
Unë artikullshkruesi, Sali Bollati, u tregova bashkëatdhetareve se, vitin e kaluar, vetëm në sajë të Pashaportës Amerikane, munda ta vizitoj vendlindjen time Çamërinë. Atje, veç të tjerave u mallëngjeva pa masë kur bisedoja në gjuhën e Perëndisë-shqipe me bashkëatdhetarët çamë të krishterë që jetojnë në tokat e tyre mijëra vjeçare, por që nuk u lejohet të flasin gjuhën e nënës jashtë shtëpisë. Ata kishin shumë gëzim që iu dha rasti të bisedonin me ne, kerkonin që mundësisht qeveria shqiptare të hapte një shkollë atje në Pargë sepse gjithë fshatrat si Shëndjella, Rapëza etj. vetëm shqip flasin në shtëpi. Xha Panua dëshëronte sikur të vinte ndonjë grup folklorik se na ka marrë malli shumë të shohim djemtë duke hedhur valle me fustanellat çame dhe të ndëgjojmë këngët e trimave çamë.
Lidhur me shqetësimin tim për kërkesën e 16 deputetëve grekë të partisë LAOS shpreha mendimin tim se, ata të ashtuquajtur edhe eurodeputetë janë të brymosur me mendime fashiste të bizantizmit mesjetar është më se e qartë, por që i drejtohen qeverisë së tyre me të cilën qeveria shqiptare ka nënshkruar një pakt miqësie dhe që të dyja janë anëtare të NATO-s, është shumë shqetësuese.
Kur i bashkangjitë kësaj “kërkese” edhe qëndrimin e Konsullit grek në Korçë, me paturpësinë më të madhe këmbëngul se Korça është Greqi dhe se korçarët e krishterë (si mund të anashkalohen lufta dhe përpjekjet historike të korcarëve atdhetarë si P.N. Luarasi, Kristo Kirka, Mihal Grameno e Themistokli Gërmenji e tj. që derdhën edhe gjakun për Kishën Ortodokse Shqiptare),duhet të deklarohen si grekë; atëhere me shumë të drejtë, ne që jemi larguar fizikisht, duke jetuar në këtë vend te Demokracisë, nuk harrojmë asnjëherë vendlindjen,duke jetuar me gëzimet por edhe me hidhërimet e te afërmve e bashkatdhetarëve, jemi alarmuar me këto pretendime shoviniste e absurde mesjetare...
Z.Gjekë Gjonlekaj nga Malësia e Madhe, falenderoi iniciatorin e atij takimi Dr. Selahedin Velaj, "Gjatë gjithë jetës së tij në Amerikë Dr. Selahedini ka qenë i preokupuar për mbrojtjen e çështjes shqiptare. Dua t'ju kujtoj që nga vitet shtatëdhjetë Dr. Velaj ka marrë pjesë aktive në organizimin e veprimtarive të tilla atdhetare këtu në NY. E mbështes iniciativën e Dr. Velaj dhe shqetësimin e tij që është i çdo shqiptari, madje edhe dërgimin e një peticioni drejtuar qeverisë shqiptare... tha ndër të tjera zoti Gjekë Gjonlekaj.
Me shumë kurajo ai tregoi eksperiencën e ndjekur nga bashkëatdhetarët për të mbështetur dhe zgjidhur Problemin e Kosovës, se ka ardhur koha që edhe për Çamërinë Shqiptare të veprojmë ashtu e me guxim. Duhet të kërkojmë të njëjta të drejta për shqiptarët autoktonë të krishterë të Çamërisë siç pretendojnë shovinistat grekë për ardhacakët e tyre në Shqipëri. Vetëm me veprimtari të tilla do ti tregojmë Qeverise Amerikane, si shtetas të saj që jemi, por edhe botës mbarë se çfarë “demokracie” ndjek qeveria greke me mohimin e minoritetit shqiptar në Greqi. Pra ata që me paturpësi mohojnë të drejtat elementare të shqiptarëve të Çamërisë, shpallin pretendime shoviniste ndaj territoreve te Shqipërisë së Jugut.
Zotërinjtë Mëhill Velaj, poet ( në Gusht asistoi në përurimin e statujës Nëna Tereza në Pejë) dhe shkrimtari Tomë Mrijaj nga Kosova parashtruan me vendosmëri këkesën që qeveria shqiptare duhet të mos përulet ndaj pretendimeve shoviniste greke, por të marri të gjitha masat që shqiptarët e Diasporës në Mal të Zi, Preshevë , Çamëri e kudo në botë, ta ndjejnë vehten krenarë si Shqiptarë me dorên e ngrohtë të Nënës Shqipëri. Nuk ka Vorio Epir, por ka Shqipëri e jugut... thanë ndër të tjera poeti Mhill Velaj dhe shkrimtari Tomë Mrijaj.
"Ndjehem i lumtur dhe i nderuar që ndodheem sot këtu për të diskutuar këto çështje madhore për kombin tonë... tha ndër të tjera poeti Mhill velaj.
Dr. Namik Shehu nga Berati dhe z.Astrit Tota, skenograf nga Borshi falenderuan Dr.Velajn per këtë inisiativë atdhetare duke treguar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Tiranë per anullimin e Paktit të Detit me Greqinë, tregoi se atje intelektualët atdhetarë nuk mungojnë dhe se qeveria shqiptare nevojitet te konsultohet me atdhetare si Prof.Pëllunb Xhufi etj. Para se të marri vendime që vetëm dëmtojnë imazhin dhe dinjitetin e Shqipërisë. "Diskutimet tona të sotme kanë një vlerë të madhe për çështjen shqiptare... Janë të pavlefshme pretendimet greke për të ashtuquajturin Vorio Epir ajo tokë që ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë shqiptare... tha ndër të tjera Dr. Namik Shehu.
"Vlerësoj shumë pjesëmarrjen time në këtë takim... Problemi nuk është se lindi tani. Ky është një problem i hershëm, që nga Kali i Trojës... tha ndër të tjera zoti Astrit Tota. Madje ai dha edhe dy shembuj nga vendlindja e tij, Borshi i Sarandës.
Z. Muhamet Mjeku. nga Kosova bashkë me Dr. Velaj propozuan një grup pune për hartimin e nje Memorandumi drejtuar institucioneve shqiptare e nderkombetare per problemet e diskutuara ne takim.
Z. Beqir Sina nga Dibra , si gazetar i mirënjohur në Komunitetin tonë, atdhetar, kerkoi që Memorandumi ose Peticioni, me kërkesat shumë të drejta që u parshtruan, të hartohet me profesionalizëm konformë ligjeve ndërkombëtare në fuqi.
Në pamundësi për mospjesëmarrje për arësye shëndetësore, problemeve për çështjet që u diskutuan, i bashkangjitet edhe Dr. Dhorka Dhamo.
Në fund të takimit, Dr. Selahedin Velaj, shtroi një drekë modeste.
Grupi i intelektualëve shqiptarë në SHBA, që e ka aprovuar iniciativën e këtij peticioni, deri tani janë : Prof. Dr. Agron Fico (Gjirokastër), M.D. Namik Shehu (Berat), gazetari dhe publicisti Frank G. Shkreli(Malësi), shkrimtari Pierre-Pandeli Simsia (Berat), poeti Gjeto Turmalaj (Malësi), veprimtari Sali Bollati (Çamëri), publicisti Gjekë Gjonlekaj(Malësi), Skenografi Astrit Tota (Tiranë),gazetar Beqir Sina(Dibër) Avokat Cafo Boga(Malësi), Dr Selahedin Velaj (Vlorë), gazetar Muhamet Mjeku(Prishtinë), publicist Ismer Mjeku (Prishtinë), M.D. Dhorka Dhamo(Tiranë) shkrimtari Mëhill Velaj(Kosovë), M.D Suljeman Çelaj(Kosovë), shkrimtari dhe publicisti Tomë Mirijaj (Kosovë), dhe M.D, Lindita Çoku(Tiranë).
|
Koment nga GUEST më 2011-11-07 18:32:22 Emocione te thella me pushtuan kur mesova reth ketij takimi. Do te doja te jem pjese e grupit tuaj dhe te assistoje ne takimet vijuese. Urime te perzemerta | |