Ismail Qemali dhe Isa Boletini "vijnë" në Nju Jork |
|
|
|
07 Dhjetor 2011 |
Nga Pierre-Pandeli Simsia
99 vjetori i lavdishëm i Pavarësisë së Shqipërisë festohet madhërishëm në Nju Jork
28 Nëntori i lavdishëm 2011 festrohet me madhështi në Maestro's Caterers në Bronx të Nju Jorkut.
Në një mbrëmje të ngrohtë pranverore edhe pse jemi në stinën e vjeshtës, temperatura e ditës shënonte 68 grad me të Amerikës, Komuniteti Shqiptar në Nju Jork dhe shtetet rreth tij, Connecticut, Masachutes, Rodhe Island, Philadelphia, Nju Xhersi u mblodhën në një nga sallat e mëdha dhe luksoze në Maestro's Caterers për të festuar ngjarjen e lavdishme, më të rëndësishme të vitit për mbarë Kombin Shqiptar, 99 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, e njohur Dita e Flamurit.
Çdo aktivitet ku mblidhen bashkatdhetarët për të festuar, për të kënduar, për të vallëzuar... kanë të bukurën e tyre, por aktiviteti i ditës së diel, 27 nëntor, 2011 kishte të veçantën dhe të bukurën e tij, sepse shqiptaria, organizatat, shoqatat e ndryshme shqiptare në Sh. B. A. u mblodhën së bashku në Bronx, Nju Jork për të festuar ditën e shenjtë të ngjarjes së lavdishme për mbarë kombin tonë Pavarësinë e Shqipërisë.
U mblodhëm atë të diel të 27 nëntorit në Maesto’s Caterers, të bashkuar, rreth flamurit tonë të shenjtë kuq e zi: Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” , Komuniteti shqiptar i Qendrës Islame në Nju Jork dhe Nju Xhersi, i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” i Kishës Ortodokse “Shën Kolli” , Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, Konsullata e Republikës së Kosovës, Albanian American Society Foundation, Albanian American Community Association, APN, Fondi Humanitar Malësia, Këshilli Kombëtar Shqiptaro- Amerikan, Lidhja Demokratike e Dardanisë, Lidhja Demokratike e Kosovës, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Organizata e Gruas Shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”, Partia Lëvizja e Legalitetit, Shkolla Shqipe në Bronx, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Shoqata Dedë Gjo Luli, Shoqata Drenica, Shoqata Kulturore Artistike Bashkimi Kombëtar, Shoqata Shqipatro-Amerikane “Çamëria", Shoqata “Rugova” në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë në Nju Jork dhe Konsullatën e Përgjithshme të të Kosovës në Nju Jork.
Morën pjesë personalitete të larta, përfaqësues të shtetit shqiptar në Sh.B.A, Ambasadori i Shqipërisë në Amerikë me seli në Washington D.C. , zoti Gilbert Galanxhi, ish ambasadori i Shqipërisë në OKB me seli në Nju Jork, zoti Adrian Neritani, Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” Dr. Gjon Buçaj, Kryetari i Shoqatës Çamëria, zoti Sali Bollati, Famulltari i i Kishës Katolike Shqiptare të Amerikës "Our Lady of Shkodra" me qendër në Hartsdale, Nju Jork, i përndershmi Pjetër Popaj, i përndershmi nga Qendra Islamike Shqiptaro-Amerikane për Nju Jork dhe Nju Xhersi, Imam Rifat Halili, Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë, poeti Adnan Mehmeti, Presidentja e Organizatës së Gruas Shqiptaro-Amerikane, Dr. Anna Kohen, shkrimtari i mirënjohur, z. Naum Prifti, Pedagogu i Universitetit të Nju Jorkut, Ilir Hysa, Përfaqësuesja e degës së Vatrës në Washington D.C. poetja Merita McCormack, Kryetari i Organizatës Shqiptaro-amerikane Çamëria, Endri Mergjushi, Presidenti i Organizatës "Rrënjët Shqiptare" Marko Kepi, bashkatdhetari Ylvi Buza, nënkryetari i Vatrës, Agim Rexha, nënkryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë, poeti Mhill Velaj, administratorja e Organizatës së Gruas Shqiptaro-Amerikane, aktivistja e mirënjohur Elmira Muja, aktivistët e mirënjohur në komunitet, bashkëshortët Rita dhe Adem Saliu, Zef Bala, Gjergj Dedvukaj, Edmond Ismailati, Bule Bollati, Vilma Mehmeti, Zoje Velaj, shkrimtarët Ramiz Mujaj, Ilir Spata, Qazim Rushaj, Dedë Elezaj, Muhamet Omari, ... njerëzit e nderuar të mediave, të palodhurit, të papërtuarit Dalip Greca, Beqir Sina, Halil Mula, Adem Belliu, Qazim Doda, ... e shumë e shumë të tjerë bashkatdhetarë..
Siç dihet për raste të tilla të gëzuara edhe salla e madhe ishte zbukuruar si për festë.
Në sfond të sallës ishin portretet e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe burrit të madh të Kombit Shqiptar, flamurngritësit, Ai, që shpalli edhe pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor, 1912, Ismail Qemali.
Tavolinat e shtruara me mbulesë të kuqe bashkë me balonat në ngjyrën e flamurit kuq e zi, veshjet e fëmijëve me kostumin tonë kombëtar, të folurit shqip... bënë që të ndjeheshim për disa orë në Shqipërinë tonë.
Në hyrje të sallës, ishte improvizuar skena për orkestrinën dhe këngëtarët pjesëmarrës.
Fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i Federatës Panshqiptare “VATRA” në Amerikë, Dr. Gjon Buçaj.
Pasi përshëndeti pjesëmarrësit, Dr. Buçaj, ia dha fjalën drejtueses së programit, znj. Adriana Elezaj.
Grupi i fëmijëve të shkollës shqipe me qendër në Bronx, Nju Jork, veshur me kostume kombëtare shqiptare ekzekutuan himnet e Amerikës dhe të Shqipërisë të shoqëruar edhe nga pjesëmarrësit, të çuar në këmbë me dorën e djathtë përpara gjoksit në shenjë nderi, interpretuam njëzëri dy himnet kombëtare.
Moderatorja e programit Ariana Elezaj ftoi të pranishmit të mbanin një minutë heshtje për dëshmorët e kombit shqiptar dhe amerikan.
I përndershmi, Imam Rifat Halili bëri lutjen fetare të mbrëmjes.
Nënkryetari i Vatrës, z. Agim Rexha, lexoi mesazhin përshëndetës dërguar nga Kryepeshkopata Ortodokse Shqiptare në Amerikë.
Ishte njoftuar, se në mbrëmje do të na nderonte me pjesëmarrjen e tij edhe Princi Leka , por, në pamundësi të mosardhjes së tij, siç edhe dihet këto ditë, për arsyen e gjendjes së rënduar shëndetësore të babait të tij, përshëndetjen e lexoi Dr. Gjon Buçaj.
Fjalën e rastit e mbajti Ambasadori i Shqipërisë në Amerikë me seli në Washington D.C. , zoti Gilbert Galanxhi.
Përshëndeti ish i burgosuri politik, Kryetari i Shoqatës së ish të burgosurve dhe ish të përndjekurve politikë, zoti, Simon Mirakaj.
Përshëndetje nga Ministri i Diasporës së Qeverisë së Kosovës, z. Ibrahim Makolli, nga kandidati për Senator i shtetit Connecticut, z. Pjerin Lumaj.
Nën tingujt e ëmbël të orkestrinës së mirënjour "ALBA" me drejtues Edi Xhani, kitarë, Maksim Vathi, saks, klarinetë, Ilir Dangëllia, organo, Edi Kushi, bateri, në skenë u ngjit superylli shqiptar, këngëtarja me zë të kthjellët dhe voluminoz, një Vaçe Zela tjetër e muzikës shqiptare, e mirënjohura Morena Reka.
Superylli shqiptar Morena Reka shpërthen në skenë me këngët e saja, ashtu siç e mbaj mend para 25 vjetëve kur këndonte në moshën e saj të re në skenat shqiptare, në festivalet e këngës në radiotelevizion dhe në aktivitetet e tjera artistike edhe sot, ajo vazhdon të jetë e tillë, dinamike, shpërthyese, voluminoze me zërin e saj timbrik dhe të pastër. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur ka shoqërues artistët e njohur të Grupit ALBA.
Saksi, nën interpretimin e Maksim Vathit, sa nuk "çahet", ndërsa Morena "udhëton" me këngët e saja nga Veriu në Jug, në të gjitha trojet shqiptare ku këndohet kënga shqipe, kënga jonë e bukur, popullore, e lehtë, polifonike qoftë ajo.
Morena Reka këndon, tingujt e këngëve na ftojnë edhe ne të ngrihemi të gjithë së bashku, të vallëzojmë, të këndojmë bashkë me të. Gëzimi dhe hareja ndihen në sallën e bukur të mbushur plot me bashkatdhetarë.
Një tjetër këngëtar i mirënjohur në komunitet, Vasil Marku, na mrekullon me zërin e tij, me interpretimin e këngëve që, ashtu si edhe Morena edhe Vasili i bën "udhëtim" këngëve nga të gjitha trevat shqiptare.
Këngët shkodrane, çame, kosovare, korçare... të duetit Morena Reka-Vasil Marku, na ftojnë edhe ne t'i këndojmë së bashku ato këngë perla.
Në kulmin e gëzimit që po jetonim në ato çaste gazmore, ndodhi edhe e papritura e këndshme. Në sallën e madhe hyjnë "Ismail Qemali" dhe "Isa Boletini"
Dy bashkatdhetarë të nderuar, kishin improvizuar dy të pavdekshmit e Kombit tonë. Duartrokitje gazmore, vallëzim, dalje fotografi.
Kënga dhe vallja na shoqëroi gjatë gjithë kohës, me një menu ushqimi tepër të pasur dhe të shijshme. Personeli i shërbimit në restorant ishte i gjithi shqiptar.
Grupi i fëmijëve i Shkollës Shqipe në Bronx, "pushtoi" sallën me vallëzimet e tyre.
Nuk po e përshkruaj me njgjyra poetike, atë ç'farë pamë, sepse vetë mosha e tyre e njomë, veshjet e tyre, të gjithë me kostume kombëtare shqiptare, lëvizjet e shkathta, interpretimet e tyre, flasin shumë, më shumë...
E ndërsa vogëlushët vallëzonin të gëzuar, të gjithë ne u çuam në këmbë, u mblodhëm rreth tyre, duke i shoqëruar me duartrokitje.
Çaste vërtet emocionuese, gazmore; çaste festive.
Sa shpejt ikën ora në ambiente të tilla gëzimi e dëfrimi. Edhe pse kishim kaluar mbi pesë orë festim e dëfrim, nuk na bëhej të iknim.
E përsëri, si në takimin e parë të hyrjes edhe në atë orë të ndarjes u takuam, u përqafuam, u shmallëm, rrokëm duart me njëri tjetrin me urimin:
Gëzuar dhe për shumë vjet Festën e Ndritur të Flamurit tonë Kombëtar.
Mirutakofshim në takime të tjera të gëzueshme në komunitet.
|
|