Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Çeshtja Kombetare arrow Balli Kombëtar në 100 vjetorin e Pavarësisë
Balli Kombëtar në 100 vjetorin e Pavarësisë PDF Print E-mail
28 Nentor 2012
Balli Kombëtar u krijua në vitin 1939 nga Mit'hat Frashëri si një organizatë politiko-ushtarake e mbështetur në ndjenjat më të pastra të nacionalizmit shqiptar në rrjedhën e krijuar  nga Lidhja e Prizrenit (1878). Dhe jo rastësisht. Mit'hat Frashëri vinte nga familja e Frashërllinjve, apostujve të shqiptarizmit. Ai ishte i biri i Abdyl Frashërit, njërit prej drejtuesve kryesorë të Lidhjes së Prizrenit. Mit'hati vetë pati zhvilluar një aktivitet të madh dhe të pareshtur për kombin shqiptar. Në vitin  1908  Mit'hat Frashëri ishte  Kryetar i Kongresit të Manastirit i cili  përcaktoi alfabetin e gjuhës shqipe,  kurse në 28 Nëntor të vitit  1912  ishte firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë.

Qëllimi  kryesor i Ballit Kombëtar ishte çlirimi i të gjitha trojeve shqiptare dhe ribashkimi i tyre në një shtet të vetëm, në Shqipërinë Etnike. Rreth tij u mblodhën patriotë nacionalistë të cilët i bashkonte ndjenja kombëtare.  Balli Kombëtar u përpoq të tërhiqte edhe partinë komuniste në luftën për Shqipërinë Etnike në mbledhjen e Mukjes, por pa sukses.
Balli Kombëtar në përmbushje të misionit të tij për çlirimin e trojeve shqiptare zhvilloi një mori betejash të rrepta të armatosura kundër pushtuesve italianë në Vlorë, Mallakastër, Berat, Gjirokastër  etj. Megjithë hapjen e Luftës Civile nga partia komuniste,  Balli Kombëtar kreu disa beteja kundër pushtuesve gjermanë në zonën e Korçës, të Prezës, në aksin Tiranë-Shkodër etj. Batalioni "Besnik Çano" i Ballit Kombëtar zhvilloi luftime në zonën e Pejës  kundër çetave çetnike.  Forca lokale të Balli Kombëtar kanë vepruar gjithashtu në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Maqedoni kundër pushtuesve sllavë.

I ndodhur përballë revolucionit të mirë-organizuar dhe tashmë të sprovuar komunist, në vitin 1944 Balli Kombëtar u mund dhe antarët e tij u ekzekutuan burgosën ose u persekutuan për 50 vjet me radhë nga diktatura komuniste që u vendos në Shqipëri.

Megjithatë disa mijëra antarë të Ballit Kombëtar mundën që të kalojnë në Perëndim, me shpresën se do të ktheheshin së shpejti në një Shqipëri të lirë.

Balli Kombëtar e vazhdoi veprimtarinë e tij në mërgim kryesisht në formën e Komitetit Kombëtar Demokrat "Shqipëria e Lire" i cili ka bashkëpunuar ngushtë me "Lidhjen Kosovare".
Veprimtaria e Ballit Kombëtar në mërgim u përqendrua tek denoncimi i shtypjes së regjimit komunist dhe tek sensibilizimi i opinionit ndërkombëtar për çështjen e Kosovës. Ky aktivitet pati një rëndësi shumë të madhe, sepse pakkush ishte në dijeni të problemeve të Kosovës në botën e jashtme dhe askush tjetër në atë kohë nuk kujdesej për fatin e shqiptarëve të Kosovës.

Me përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri, Balli Kombëtar mundi të rikthehet në Shqipëri në formën e një partie politike: Partia Balli Kombëtar (PBK) e krijuar nga Prof. Abas Ermenji i cili kishte qenë komandant ushtarak i Ballit Kombëtar në Berat gjatë Luftës, anëtar i Komitetit Qendror të tij dhe më pas kryetar i Komitetit Kombëtar Demokrat "Shqipëria e Lirë" në mërgim. Prof. Ermenji dhe Balli Kombëtar në vitet 1995-1997 ndërmorën një fushatë sensibilizimi të opinionit shqiptar për çështjen kombëtare dhe veçanërisht çështjen e Kosovës e cila po shtrohej për zgjidhje çdo ditë e më shumë. Këtë e realizuan nëpërmjet mbledhjeve dhe konferencave të mbajtura në shumicên e madhe të qyteteve dhe qendrave të Shqipërisë.

Gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, forcat lokale të Ballit Kombëtar u inkuadruan në radhët e UCK-së dhe kanë marrë pjesë aktivisht në  luftën për liri. Në Shqipëri Partia Balli Kombëtar  ka përkrahur vazhdimisht përpjekjet e Kosovës për liri dhe pavarësi.

100 vjetori i Pavarësisë e gjen Ballin Kombëtar gjithmonë aktiv dhe në luftë për të realizuar pikën kryesore të programit të tij, Shqipërinë Etnike. Sigurisht që Balli Kombëtar e ka kryer si përherë detyrën, duke flijuar në altarin e kombit bijtë e tij më të mirë.

Por në këtë Përvjetor të madh, Balli Kombëtar iu kujton të gjithë Shqiptarëve se kjo Pavarësi nuk është e plotë as në Shqipërinë politike dhe as në Kosovë, sepse  kombi shqiptar ende nuk është i bashkuar. 100 vjet më parë Ismail Qemali nuk e shpalli pavarësinë vetëm për atë Shqipëri që u njoh nga Konferenca e Londrës, por e shpalli për të gjitha trojet Shqiptare, nga Kosova deri në Cameri, nga Ulqini deri në Manastir.

Prandaj për sa kohë të gjitha trojet shqiptare nuk janë bashkuar, Balli Kombëtar do të vazhdojë punën e tij për Shqipërinë Etnike.

 

A.M

 

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive