Faqe kryesore arrow Kulturë arrow Apolineri per Konicen
Apolineri per Konicen PDF Print E-mail
06 Shkurt 2007

Nga Astrit Lulushi, SHBA

Me dy fytyresine e tij, Janus (Janari), kjo Perendi etrusko-romake, perfaqesonte diellin dhe henen. Ai simbolizonte kalimin nga nje vit ne tjetrin, nga e kaluara ne te ardhmen. Midis dy vizioneve, ai ishte perfaqesues i ndermjetem midis dy boteve, barbarise dhe qyteterimit.

Faik Konica, nje nga figurat me te medha intelektuale shqiptare te dekadave te para te shekullit 20, njihet edhe si nje nga personalitetet me karakterin me te komplikuar. Parimi “miku i mikut tim eshte miku im” per Konicen nuk funksiononte; mikun e sotem e sulmonte te nesermen, dhe  kundershtarin e djeshem e lavderonte. Ishte kjo nje dobesi e Konices, apo ishte perpjekje e natyreshme drejt rritjes dhe pasurimit te karakteri?. Dihet se ndryshimi ne pergjithesi s’eshte gje tjeter vecse dalje nga status-quoja, perpjekje per t’u rritur, zgjeruar, pasuruar, persosur.

Per keto arsye si dhe fale perfshirjes ne listen e figurave te ndaluar per rreth 5 dekada nga ana e ish-regjimit komunist, mund te thuhet se Faik Konica do të vazhdojë të mbetet një figurë e debatueshme. Kjo jo per te vene ne dyshim vlerat e tij, por per t’i vertetuar ato bazuar ne thenien se “vetem ata që kerkojne te lavdërohen nga të gjithë ka të ngjarë te mos kene ndonje vlerë”.

Zyrtarisht ose jo Konica gjate gjithe jetes se tij sherbeu si ambasador i kombit te vet. Shpesh eshte folur per natyren e tij cinike e inatcore, por edhe karizmatike e miqesore, ndersa pak dihet rreth jetes se tij private. Nje drite te terthorte mbi kete aspekt te jetes se Konices duket se ofron libri APOLLINAIRE Poet Among the Painters, nga  Francis Steegmuller. Nje pjese e librit mbi poetin e njohur francez Gijom Apolineri i kushtohet edhe Faik Konices, mik i ngushte i poetit ne fillim te shekullit 20. Pjesa e librit ku flitet per Konicen bazohet ne kujtimet e vetë poetit shkruar aty nga viti 1912.

Apolineri tregon: “Nga të gjithë njerëzit që kam njohur dhe i kujtoj me  kënaqësinë më të madhe, Faik Beg Konica është njëri prej të vecanteve. Ai lindi në Shqipëri, rreth 40 vjet të shkuara (1875) nga një familje që i kishte qëndruar besnike besimit katolik.” Apolineri e cileson Faikun “katolik”. Duket se Apoloneri arrin vete ne kete perfundim  ndoshta i nisur  nga fakti se Konica gjatë bisedave mund t’i ketë treguar atij historinë e pushtimit shumë shekullor turk, para të cilit shqiptarët kishin qene kryesisht të krishterë.

“Kjo Shqipe" vazhdon Apolineri "u rrit në Francë dhe rreth moshës 20 vjeçare ishte mjaft fetar sa qe nje here kishte shfaqur idene per te hyre  ne Grande-Chartreuse, manastir katolik ne veri te Grenobles. Megjithatë ai nuk hodhi asnjë hap në këtë drejtim. Gradualisht perkushtimi ndaj fese u shndërruar jo në indiferentizëm, por në një lloj anti-klerizëm si ai i Merimesë.”

“Shqipe”, tekstualisht "Chkipe" e quan Apolineri Konicën. Biografi i Apolinerit, Francis Stegmuller thotë se Apolineri u përpoq ta shkruante fjalën "Chkipe", thjesht për të thënë “shqiptar”. Por Apolineri ndoshta ka dashur të shprehë admirimin e madh për Konicën duke e quajtur atë "Chkipe" me kuptimin Shqipojnë.

Lidhur me ceshtjen fetare, miqësia dhe bashkëpunimi i mëvonshëm me Fan Nolin klerik tregojnë se Faik Konica nuk kishte asgjë kundër fesë si ushqim shpirtëror. Duket se mosdashja e tij drejtohej më tëpër ndaj fesë si insititucion apo si fe-shtet. Apolineri e bën këtë krahasim të Konicës ne fushen fetare me Prosper Merimenë (1803-1870  shkrimtar e historian). Por keto dy figura perkojne edhe ne fusha te tjera. Në vitin 1827, Merime shkroi "Illyrian Ballads, La Guzla". Ai
ishte i njohur edhe si linguist, kritik arti dhe mjaft skrupuloz në përdorimin e fjalëve. Madje konciziteti i tij në të shkruar permendej si legjendë që kur ai ishte gjallë. Karakteristika te ngjashme vihen re edhe tek Konica, si ne shkrimet e tij qe dallohen per nga perzgjedhja e fjaleve, ashtu edhe kur kritikonte e satirizonte ata qe perdornin "barbarizma" ne shkrimet e tyre.

Apolineri tregon: “Faiku vazhdoi studimet, por pasi ishte i mbushur plot dashuri për vendlindjen Shqipëri u kthye në Turqi, ku u angazhua në veprimtari anti qeveritare, dhe u dënua dy herë me vdekje në mungesë. Ai u kthye perseri në Francë, për gjuhën dhe letërsinë e së cilës kishte njohuri të shkëlqyera. Në Francë, Faiku krijoi lidhje të ngushta me çdo njeri që kishte të bënte me Shqipërinë. Megjithatë, ai pa se shkalla e lirisë së individit që lejohej në Francë ishte e pamjaftueshme, dhe shkoi në Bruksel, ku në Rue d’Albanie themeloi revistën Albania, e cila fillimisht trajtoi çështje politike dhe pastaj edhe më gjërë duke përfshirë çeshtjet e letërsisë, historisë dhe filologjisë. Me këtë Faiku e rigjallëroi jashtëzakonisht lëvizjen shqiptare. Duke pastruar gjuhën shqipe nga fjalët e huaja e parazitare që kishin vërshuar në të, Konica arriti brenda pak vitesh ta shndërrojë ate nga një dialekt te ngushtë në një gjuhë të bukur, të pasur e mjaft shprehëse”, thote Apolineri.

Ketu mund te vihet re shume mire ndikimi i Prosper Merimese. Thuajse të gjitha vetite e tij pasqyrohen edhe tek Konica. Nga ky aspekt ndoshta duhet parë edhe krahasmi apo afrimi i ketyre dy figurave.

Apolineri vazhdon tregimin e tij: “Megjithatë, liria ashtu siç kuptohej ajo në Bruksel, nuk e kënaqi Faikun më shumë se sa liria që kishte provuar në Paris. Një ditë ai e pati punën keq kur një polic e ndaloi në rrugë. “Nga jeni?”, e pyeti polici. “Albania”, u përgjegj Faiku. “Adresa?”, e pyeti perseri polici. “Rruga Albania”, ia ktheu Faiku. “Profesioni?” “Redaktor i Albanias.” thote Faiku.  “Po talleni me mua?”, reagoi polici i zemëruar. Dhe patrioti shqiptar e kaloi atë natë në stacionin e policise derisa ceshtja u sqarua".

Apolineri tregon se Faik Konica mundohej dhe shpenzonte shume per botimin e revistës Albania. “Në kapakun e revistës, si emblemë, ishin armët e mbretërisë së ardhëshme të Shqipërisë, krijuar nga një skulptor i talentuar francez emri të cilit nuk më kujtohet dhe i cili vdiq rreth vitit 1909 në rrethinat e New Yorkut gjatë një aksidenti me balonë.”

Apolineri nuk e permend emrin e ketij skulptori.

“I ngopur me Brukselin, Faik Beg Konica u nis për në Londër. Ai e braktisi shtypshkronjën e tij të mrekullueshme, e përbërë vetëm nga gërma platini me të cilat ai vetë hartoi dhe shtypi një numër librash të formatit të vogël, libra jashtëzakonisht të rrallë. Kjo veprimtari pati jetë të shkurtër pasi punëtori i tij i vetëm në shtypshkronjë u tregua i pakujdesshëm dhe pllakat me gërmat e rralla u prishën.”

Megjithëse kishte kohë që kishte dëgjuar për të, Apolineri u njoh personalisht me Faik Konicën në Londër në vitin 1903. Faiku banonte në Oakley Crescent, City Road, EC.

 Apolineri tregon: “Unë nuk e kisha takuar ndonjëherë. Ai më kishte ftuar për të kaluar disa ditë me të, dhe pati premtuar të më priste në stacionin e trenit. Ndonjë shenjë ishte e nevojëshme nga e cila unë mund të dalloja se ishte ai. U morrëm vesh që Faiku të vendoste në jaken e xhaketës një lule. Treni me të cilin po udhëtoja arriti shumë vonë, dhe në stacionin Viktoria unë pashë se të gjithë zotërinjtë në platformë mbanin lule në jakat e xhaketave të tyre. Si do ta dalloja une mikun tim shqiptar?, pyeta veten. Atehere mora një taksi dhe mbërrita në shtëpinë e Faikut pikërisht në kohën kur ai po dilte për të blerë lulen.”

Apolineri duket se nuk e njihte mire “korrektesine” ballkanase.

 “Faik Beg Konica kishte një pasion për klarinetën dhe oboen. Në dhomën e ndenjes ai kishte një koleksion të vjetër të këtyre instrumenteve. Para dite, ndërsa prisnim të vinte koha e drekes, e cila gjithmonë shtrohej me vonesë, Faiku  uante melodi të vjetra, ulur pranë tryezës me sy gjysmë të mbyllur e me pamje mjaft serioze. Dreka ishte “a l’albanise”, me fjalë të tjera, e bollshme e pafund. Çdo dy ditë për ëmbëlsirë kishim qumështor, që unë nuk e pëlqeja aspak. Faiku e donte shumë. Ditët e tjera kishim një lloj keku që unë e pëlqeja shumë. Faiku nuk donte as ta shikonte me sy. Drekat zgjasnin aq shumë sa unë nuk pata mundësi të vizitoja qoftë edhe një muzeum në Londër – ne arrinim atje pikërisht në kohën kur dyert mbylleshin. Megjithatë, ne bëmë shetitje të gjata dhe une pata rastin të njihem me  intelektin e lartë e të përkryer të Faik Konicës.”

 Apolineri duket se dëgjoi të flitej për herë të parë për Faikun nga Annie Playden, një guvernante angleze me të cilën Apolineri kishte rënë në dashuri kur ajo jepte mësime në Paris. Por dashuria nuk ishte e ndersjellte, Playden tregohej indiferente ndaj poetit. Gjatë banimit të Konicës në Londër, Annie Playden, e cila ishte kthyer në Londër, takohej shpesh  me Konicën. Prej këndej duket se e ka burimin edhe miqësia e Apolinerit me  Faikun. Për Konicën duket se kishte respekt të madh edhe familja e zonjushës Playden. Stegmuller thotë se kur Apolineri shkoi në Londër, ai zgjodhi të shoqërohej me Faikun për të bërë përshtypje të mirë para familjes së vajzës që Apolineri kishte rënë në dashuri dhe donte të martohej.

“Mua më bënte gjithnjë e më shumë përshtypje miqësia që Faiku tregonte për mua. Unë isha në gjendje t’a kuptoja se ajo ishte një ndjenjë e pastër që rridhte natyrshëm prej tij. Thuajse si të gjithë shqiptarët me prejardhje nga familje te njohura, Faiku kishte prirjen për t’u pushtuar nga mania e persekutimit, shqetësimi i madh deri në dëshpërim. Dhe shqetësimet e tij merrnin forma nga më të çuditëshmet. Pasi blente diçka në dyqan, Faiku gjithmonë largohej me frikën se shitësi do të vraponte pas tij per t’a  akuzuar se e kishte vjedhur mallin. “Si do t’ja provoja se nuk e kisha vjedhur?” thoshte gjithmonë Faiku. Kur e takova në Londër, Faik Beg Konica sapo e kishte përmirësuar bibliotekën e tij. Ai i kishte shitur të gjitha librat që kishte patur, dhe i kishte zëvëndësuar ato me botimet anglisht në të cilat teksti është shtypur me shkronja aq të vogla sa duhet lente zmadhuese për ta lexuar. Në këtë mënyrë ai kishte formuar një bibliotekë të re mjaft te plote dhe që zinte shumë pak vend. Nga librat e tij të vjetër kishte mbajtur vetëm dy fjalorë me autorë Bejl(1) dhe Darmesteter(2). Faiku e konsideronte Bejlin mësuesin e tij. Admirimin më të madh në letërsi Faiku e kishte për  M. Remy de Gourmont (3), dhe më vonë kur unë gjeta një portret të shkrimtarit dhe ia dërgova, ai më shprehu  një mirënjohje mjaft të madhe. Faik Beg Konica, ashtu si edhe Bejli, kishte një pasion të madh për pseudonimet. Ai i ndryshonte ato shumë shpesh. Në kohën kur e njoha, ai e quante veten Thrank-Spirobeg,  nga emri i heroit të një romani historik të shkrimtarit Leon Cahun, në vetvete një kryevepër dhe libri më i mirë ne anglisht i frymëzuar nga historia shqiptare.”

Ndoshta ishte ky liber qe e nxiti dhe frymezoi Konicen per te shkruar pas disa vitesh librin  e tij "Albania: the Rock Garden of Southeastern Europe".

Me pseudonimin Thrank-Spirobeg, Konica shkroi edhe dy artikuj në te permuajshmen kritiko-letrare franceze Le Festin d’Esope. Revista  pati një jetë të shkurtër. Botimi i saj filloi në shtator të vitit 1903 dhe u ndërpre pas 9 numrash në gusht 1904. Biografi i Apolinerit, Francis Stegmuller, thotë se artikujt e nënshkruar nga Thrank-Spirobeg janë; "Outline of a Method of How to Succeed in Winning Applause from the Bourgeois"  dhe "The Most Colossal Mystification in the History of the Human Species". Stegmuller nuk flet gjë mbi përmbajtjen e tyre, por thotë se krahas Konicës në të njëjtin numër te revistes  kishin kontribuar me shkrimet e tyre edhe Henry Vernot, Rudyard Kipling, Andre Salmon, Alfred Jarry, Jean de Gourmont  dhe Apolineri. Revista botohej në Paris dhe duket se Konica i shkroi artikujt e tij për Le Festin d’Esope gjatë periudhës që banonte në Londër, pra mes muajve janar - gusht te vitit 1904.

Apolineri thotë se me pseudonimin Thrank-Spirobeg, Konica shkroi vetëm për 2-3 vjet. Pastaj ai mori tjetër pseudonim, Pyrrhus Bardyli, me të cilin nënshkroi një libër mjaft të fuqishëm e të shkruar me mjeshtëri me titull "A Treatise on Artificial Languages".

Gjatë vizitës së tij të dytë në Londër, në muajin maj të vitit 1904, Apolineri qëndroi përsëri ne shtepine e mikut te tij shqiptar.

“Në një rast tjetër unë përsëri kalova një farë kohe në Londër me Faik Beg Konicën, i cili ishte martuar dhe banonte në Chinford. Ishte pranverë dhe ne bëmë shetitje të gjata dhe kaluam shumë orë duke parë njerëzit që luanin golf. Pak para arritjes time në Londër, Faiku kishte blerë disa pula për të patur vezë të freskëta; por ai vuri re se e kishte të pamundur t’i hante vezët. “Si mund të hash vezët e pulave që ti i ushqen vetë?” pyeste ai. Pulat shpejt filluan të hanin vezët e veta, dhe kjo e tmerroi Faikun deri në atë pikë sa filloi t’i shikonte ato me neveri; ai nuk i la më pulat të dilnin jashtë kotecit, ku ato filluan të hanin njëra tjetrën, me përjashtim të njërës e cila mbijetoi. Fitimtare por e vetmuar. Pula ishte bërë si egërsirë: ishte dobësuar dhe meqë ishte e zezë shpejt filloi të dukej si një korb; kur unë ika, pula e Faikut kishte humbur edhe puplat dhe ishte transformuar në një lloj miu.”

Ky tregim, ne formen e nje fabule klasike sherben si nje metafore e asaj qe do t’i ndoshte atdheut te Konices rreth 40 vjet më vonë. Apolineri vdiq në vitin 1918, dhe Konica më 1942. Asnjeri prej tyre nuk arriti të shihte shpërfytyrimin që njeriu apo një popull, mund te pesoje kur mbahet i mbyllur per nje kohe te gjate në kushtet e izolimit  te plote.

Në përfundim të kujtimeve Apolineri shkruan: "Kur ndodhi revolucioni Xhonturk në Turqi, Faiku mendoi të kthehej në vendin e tij. Por ngjarjet nuk u zhvilluan siç dëshironte ai, dhe ndërsa kryengritja në Shqipëri sapo kishte filluar, Faik Beg Konica papritur u nis për në Amerikë.”

Shumë pak dihet për jetën intime  të Faik Konicës. Apolineri thotë se kur beri viziten e tij ne Londer me 1904, Konica ishte i martuar. Por një dritë të zbehtë mund të hedhi edhe nje tjeter fakt. Në një intervistë në në vitin 1951, Annie Playden, mikesha e Konices,  thotë: “Në maj të vitit 1904, Apolineri erdhi në Londër dhe vazhdonte të ishte shumë këmbëngulës për t’u martuar me mua. Më në fund, për ta hequr qafe i thashë se më duhej të shkoja në Amerikë ku më priste i dashuri. Sigurisht kjo ishte një gënjeshtër, por që të mos dukej e tille, unë shkova në një agjenci punësimi e cila më gjeti punë si guvernante në Shtetet e Bashkuara.”

Ky ishte edhe takimi i fundit i Playdenit me Apolinerin,  por jo me Konicen. Biografi Stegmuller thote se Konica dhe Anne Playden njiheshin qe ne fillim te viteve 1900  ne Paris. Ne vitin 1903,  Playden le Parisin dhe vendoset ne Londer. Edhe Konica  ben te njejten gje. A ishte kjo nje shperngulje  e rastesishme, e lidhur me zhvillimet politike, apo dy te rinjte ndiqnin njeri tjetrin? Apolineri thote me 1908 ose-1909, Konica papritur le Londren dhe niset per ne Shtetet e Bashkuara, ku Anne Playden ishte vendosur pak kohe me pare. A ishte kjo perseri një rastësi, apo vazhdimi i historisë së një dashurie? A ishte Apolineri i magjepsur nga intelekti dhe personaliteti i Faikut dhe vendosi të takohej me të, apo ishte natyra e një të riu xheloz që e shtyu për të parë se çfarë cilesish kishte ky shqiptar që e bënin atë tërheqës për zonjushën Playden dhe familjen e saj? Sido që të ketë qënë, levizjet e Konicës nga Parisi ne Londer e ne SHBA ne fillim te viteve 1900 përkuan më së miri me nevojat që kishte çështja shqiptare e atyre viteve; çështje të cilës Faik Konica iu përkushtua gjatë gjithë jetës së tij.

-------

Shënime:

1 - Pierre Bayle (1647-1706), filozof francez. Vepra e tij kryesore është  nje fjalor biografish, botuar në vitin 1697. Mendimet e tij patën një ndikim të thellë në iluminizmin francez dhe atë gjerman. Prej ideve të tij veçanërisht u ndikuan autorët e enciklopedive të ardhëshme.

2 - Arsene Darmesteter (1846-1888)  leksikograf francez, me prejardhje hebraike, autor i veprave mbi historinë e gjuhës frëngjishte. Njohuritë e tij mbi hebraishten i krijuan atij mundësinë për studime mbi fonologjinë e frëngjishtes nëpërmjet fjalëve të huazuara nga hebraishtja në frëngjisht.
 
3 - Remy de Gourmont (1858-1915),  shkrimtar dhe kritik francez tepër  kontradiktor, i njohur si opozitar i tradicionalizmit dhe mbrojtës i rrymave të reja letrare. Punoi për disa kohë si redaktor i revistës Mercure de France, ku Apolineri botoi edhe kujtimet e tij mbi Faik Konicën.

-----

Disa referenca:

#- "It's Greek to me!: Brush up Your Classics" by Michael Macrone, New York 1991

#- "Janus" by Jona Lendering, Livius.org

#- "Apollinaire Poet Among the Painters" by Francis Steegmuller, New York 1971

#- The Catholic Encyclopedia, Volume III by Robert Appleton Company, 1908

#- "FAIK KONICA" by Prof. Jup Kastrati, Shtëpia Botuese Gjonlekaj, New York 1995

#- The Columbia Encyclopedia, second edition Columbia University Press, New York  1956

#- “Under the empty skies Falkoners weep” reviewed by Stephen Schwartz

#- “To London, for Love” by James Campbel, London 2004

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2008-07-21 23:17:52
jan shenime qe jan te vlefshe shum dhe ket e vlersoj si nje mundim i juaji per te na mesuar per jeten vepren e faik konices si dhe komentet lidhur me te tung tung 

Koment nga GUEST më 2010-02-09 00:04:45
SHUME MIRE


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?