Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Aktualiteti arrow Fatos Lubonja dhe internacionalizmi komunist
Fatos Lubonja dhe internacionalizmi komunist PDF Print E-mail
21 Korrik 2013

Para disa ditësh Fatos Lubonja ka shkruar një artikull  te titulluar "Nen qiejt e Europes" ne te cilin midis të tjerash thotë se "shqetësimi kryesor i artikullit është që si është e mundur që politikanët shqiptarë, intelektualët shqiptarë, bota gazetareske shqiptare pret në mënyrë triumfale një njëri që gjithsesi ka qenë i akuzuar për krime lufte dhe e pret në mënyrë triumfale ndërkohë që ka bajagi të dhëna, nëse jo për të qenë i bindur, për të pas dyshime se mjaft nga ato akuza qëndrojnë."

Bëhet këtu fjalë për lirimin e Ramush Haradinajt dhe kthimin e tij në Kosovë. Sigurisht që ky shkrim ka ngjallur një debat në opinionin shqiptar.  Sepse Ramush Haradinaj është një figurat kryesore të UÇK-së dhe gjyqi ndaj tij kishte një simbolikë të fortë.

Lubonja merr si të mirëqena akuzat për krime lufte ndaj Haradinajt. Por z. Lubonja duhet ta dijë se Ramush Haradinaj ështe shpallur i pafajshëm nga gjyqi i Hagës për ish-Jugosllavinë në nëntorin e vitit 2012. Të akuzohesh për një krim nuk do të thotë se je fajtor. Edhe nëse një ish-prokurore si Karla Del Ponte mendon se je fajtor, dhe është e bindur për këtë.

 

Ish-prokurorja Karla del Ponte ishte me sa duket e bindur për fajësinë e krerëve të UÇK-së, madje  kundër çdo etike profesionale shkroi edhe një libër për këtë, ku i akuzon shqiptarët si trafikantë organesh. Por ku i kishte marrë këto informacione Karla del Ponte? Tek autoritetet serbe, të cilat pak vite më parë kishin lëshuar ushtrinë dhe bandat serbe për të vrarë e shfarosur gratë, fëmijtë pleqtë dhe rininë e Kosovës  në kuadrin e operacionit famëkeq "Patkoi". A mund të kenë ndonjë kredibilitet ato që thonë autoritetet serbe duke ditur këtë fakt? Këto akuza nuk mund të jenë veçse shpifje të qëllimshme, ashtu sikurse shpifjet e serbëve në vitet 1910 ku në shtypin perëndimor i paraqesnin shqiptarët si "njerëz me bisht që jetojnë majë pemëve".

Është për të ardhur keq që z. Lubonja merr si të mirëqena deklaratat dasha-keqëse, të njënashme  dhe të pabazuara të Karla del Pontes. Zëdhënsja e Gjyqit të Hagës për ish-Jugosllavinë Florence Hartmann i ka thënë gazetës zvicerane "Le temps" se Karla del Ponte nuk kishte "as provën më të vogël për të vërtetuar akuzat e saj" dhe se "ishte e papërgjegjshme dhe e padenjë për ish-prokuroren të paraqeste si fakte  të pakundërshtueshme diçka për të cilën nuk kishte prova".  

Z. Lubonja duhet ta kuptojë se gjyqi i Hagës nuk janë gjyqet e Enver Hoxhës, ku mjaftonin dy dëshmitarë dhe disa kritika për të dënuar një të pafajshëm. Mungesa e provave për akuzat nuk do të thotë gjë tjetër përveçse pafajësisë.

Prandaj akuzat ndaj Ramush Haradinajt nuk mund të merren si të mirëqena dhe ne si shqiptarë që jemi duhet të gëzohemi për vendimin e Gjyqit të Hagës për pafajësinë e tij, dhe jo ta vëmë në dyshim atë siç bën z. Lubonja, pa asnjë bazë por thjesht sepse ka lexuar një libër ku persona nën influencën e  autoriteteve serbe përpiqen të njollosin luftën për liri të shqiptarëve të Kosovës, me qëllime të caktuara politike.

Nga ana tjetër Fatos Lubonja shqetësohet nga "heronjtë" sepse mendon se ata mund "të abuzojnë me pushtetin e tyre". "Këtë e kemi provuar në kurriz e përsërit në kohën e Enver hoxhës" - thotë ai.

Edhe këtu gabohet Fatos Lubonja. Nuk mund të krahasohet revolucioni komunist në Shqipëri në vitet 1942-1944, i pasuar nga një nga diktaturat më të egra të shekullit të kaluar, me luftën për çlirim të Kosovës në vitin 1999.


Revolucioni komunist në Shqipëri filloi si luftë "nacional-çlirimtare" por u shndërrua shpejt në një luftë civile vëlla-vrasëse midis komunistëve dhe nacionalistëve. Dhe më pas u shndërrua në një luftë të pështirë brenda llojit e cila nxorri në krye jo heronj por kriminelë të cilët me anë të "diktaturës së proletariatit" persekutuan për dekada me radhë shqiptarët.

Kurse lufta e Kosovës ishte një luftë për liri kundër një pushtuesi të huaj, Serbisë, rreziku i së cilës është ende i ndjeshëm edhe sot. Lufta e Kosovës motivohej nga ndjenja kombëtare dhe jo nga gënjeshtra ideologjike  si ajo e komunizmit.

Por Fatos Lubonja nuk mund ta kuptoje idene e nje lufte kombetare, sepse, megjithe persekutimin qe ka patur nga regjimi i Enver Hoxhes, ai vjen nga ish-nomenklatura komuniste ( i ati Todi Lubonja ka qene funksionar i larte komunist, i denuar me vone nga regjimi). Per fat te keq pasardhesit e familjeve komuniste ne pergjithesi jane te brumosur me internacionalizmin dhe kane alergji ndaj nacionalizmit.

Por sot duhet kuptuar se pa nacionalizëm dhe pa ndjenjë kombëtare nuk ka të ardhme as Kosova dhe as Shqipëria. Dhe shpresojmë që kjo të kuptohet nga të gjithë, sepse vetëm të bashkuar mund të arrijmë në zgjidhjen e çështjes shqiptare në këtë moment të veçantë që na ofron Historia.

 Xhemil Meco

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive