Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Emigracioni arrow Ish luftëtarja e UÇK-s dhe deputetja e Kosovës midis nxënësve të shkollës Shqipe "Alba Life"
Ish luftëtarja e UÇK-s dhe deputetja e Kosovës midis nxënësve të shkollës Shqipe "Alba Life" PDF Print E-mail
03 Shkurt 2014
Nxënësit e shkollës Shqipe "Alba Life" në Brooklyn dhe Staten Island filluan plot gëzim semestrin e dytë të pranverës për vitin 2014.   Ishte një fillim i mbarë, klasat në mjediset e shkollës publike amerikane gumëzhinin nga cicërimat shqip.  Pas disa ditësh nga pushimet dimërore në sytë e tyrë gjatë takimit me shokët dhe shoqet e klasës ndihej mall, dashuri fëminore, gëzim ngase ishin midis shqiptarësh.  
Edhe pse gjithë Amerika u përfshi nga i ftohti i akullt polar, në këto dy ditë në New York të premten dhe të shtunën, i ftohti kryeneç ra dhe solli nje klimë të butëz, që dukej sikur merrte pjesë në gëzimin e nxënësve që duan të mësojnë SHQIP.
 
Nxënësit në ditën e parë të shkollës përjetuan dhe një gëzim të veçantë, midis tyre ishte ish luftëtarja e UÇK-s dhe deputetja e Parlamentit të Kosovës zonja Time Kadrijaj.  Në dërrasat e klasës si në Brooklyn dhe Staten Island ishte shkruar urimi: 
Mirë se erdhe zonja deputete e Kosovës, Time Kadrijaj!  Pasi nxënësve iu tha se sot midis nesh do të jetë deputetja e Parlamentit të Kosovës disa prej tyre ngritën dorën dhe pyetën se çdo të thotë deputete?  Meqënse jetojnë në Amerikë iu sollëm shembullin me Shtepinë e Bardhë, kongresmenet dhe senatorët që janë zgjedhur, ose ju kujtuam dhe senatorin amerikan z.Martin Golden i cili para pak kohësh vizitoi nxënësit e shkollës shqipe në Brooklyn.  Po ja pyeti një nxënëse prej disa vitesh që vjen në shkollë a mund ta krahasojmë përshembull me Hillari Clinton, meqense dhe është e njohur dhe shumë e dashur për shqiptarët?
Pyetjet dhe bota e tyre aq e pasur gjithmonë më kanë magjepsur në jetën time dhe seç të japin një frymëzim të pashterrur duke të hequr lodhjen dhe stresin e ditës rutinë.  Ardhja e deputetes së Republikës së Kosovës u mirëprit me gëzim dhe duartrokitje.  Deputetja simpatike, një grua e gjatë, me thjeshtësinë që e karakterizon u ul në bangat e klasës me dy shoqërueset me origjinë nga Kosova zonjat Servije dhe Valbona Alaj.  
Themeluesi i shkollës Shqipe z.Qemal Zylo i uroi mirëseardhjen zonjës deputete Time Kadrijaj dhe e falënderoi atë që ndodhej midis nxënësve të shkollës shqipe.  Z.Zylo e prezantoi znj.Time Kadrijaj jo vetëm si deputete grua të Kosovës për të cilën ndihemi krenarë, por dhe si një luftëtare trime që luftoi me pushkë në dorë kundër bishës serbe.  Zonja Time Kadrijaj është një intelektuale me profesion mjeke gjinekologe.  Gjuhën dhe Historinë shqiptare që u mësojmë nxënësve janë gjithmonë në sherbim të tyre për t'u njohur sa më shumë traditat dhe kulturën tonë nga më të lashtat.  Unë ju shpreh mirënjohjen time dhe të gjithë stafit të shkollës për ardhjen tuaj, si dhe lidhjet e vazhdueshme që kemi pasur me përfaqësues dhe personalitete të Kosoves në New York të cilët kanë ardhur pranë nxënësve në emër të qeverisë së Kosovës e cila na ka mbështetur vazhdimisht.  Shkollat shqipe janë një urë që lidhin fëmijët e Diasporës me Kombin, ndaj këto lidhje duhen të forcohen dhe të mendohet shumë seriozisht për t'i thënë: 
Stop asimilimit të gjuhës shqipe në Diasporë!
Më pas Z.Zylo ia dha fjalën deputetes së Parlamentit të Republikës së Kosovës zonjës Time Kadrijaj.  
Zonja Kadrijaj falënderoi nxënësit e shkollës shqipe që vinë dhe mësojne Shqip dhe që nuk e harrojnë gjuhën e të parëve të tyre dhe i frymëzoi ata që të vazhdojnë për tërë jetën se Gjuha nuk ka fund.  Ajo sugjeroi dhe ftoi të gjithë prindërit për një bashkëpunim më të ngushtë me shkollat shqipe dhe gjithashtu në shtëpitë e tyre  është krejtësisht e nevojshme të flitet shqip, pasi kështu fëmijët që lindin dhe rriten jashtë Atdheut e mësojnë dhe përfitojnë më shumë.  Është tejet emocionante t'ju takoj sot, të ulem bashkë me ju dhe t'ju dëgjoj se si flisni shqip në orë të mësimit apo në bashkëbisedim me njeri-tjetrin.  Të gjitha organizatat duhet të bashkërendojnë punët e tyre për mësimin e gjuhës shqipe pasi vetëm bashkëpunimi sjellë frutet e veta.  Unë i shpreh mirënjohjen time gjithë Diasporës që ka qëndruar në këmbë për problemet dhe situatat që ka kaluar Shqipëria dhe Kosova vazhdoi midis të tjerash deputetja e Kosovës.  
Prof. Petrika Melo që ndihmon mjeshtërisht në programet artistike e ka falënderuar zonjën Time Kadrijaj për ardhjen e saj dhe i ka bërë një prezantim të shkurtër për punën dhe aktivitetet e ndryshme kulturore që ka organizuar shkolla me nxënësit.  Z.Melo i ka uruar punë të mbarë znj.Kadrijaj në shërbim të Kombit.  Në nderim të deputetes së Kosovës nxënësit e kanë përshëndetur me këngë dhe poezi të ndryshme.  Artistja e vogël e Diasporës që po shkëlqen në skena të ndryshme Kristina Melo recitoi poezinë: Edhe unë si Marigoja" e cila në strofën e fundit fton të gjithë shqiptarët të bashkohen në një.  Recituan poezi aq bukur dhe nxënësit Edije Greva si Manushaqja, Aurora Rusi, Daut Palevic, Marvi Kostrista, Alba Ujkashi, Aaron dhe Aurora Suka të cilët u mirëpritën me duartrokitje.  Vëllezërit Ulaj kishin udhëtuar nga Nju Xhersi dhe interpretuan të tre në violinë për t'i uruar mirëseardhjen deputetes së Kosovës znj.Time Kadrijaj.  Programi vazhdoi me Kristina Melon e cila këndoi himnin e shkollës shqipe "Gjuha Jone" shoqëruar nga gjithë nxënësit, ndërsa Dea Watkins këndoi: Ja na erdhi Viti i Ri"!   Pas programit Mësuesja e shkollës znj.Valbona Kostrista ka përshëndetur deputeten dhe ka ftuar qeveritarët, bashkatdhetaret për një përkushtim më të madh për mësimin e gjuhës shqipe në Diasporë.  
Në fund të përshëndetjeve nxënësit janë përqafuar të gjithë me Deputeten dhe kush e kush të bënte fotografi për ta pasur si një kujtim të bukur.  
Pas përfundimit të mësimit për TV Alba Life ish luftëtarja e UÇK-s, deputetja e Parlamentit të Kosovës znj.Time Kadrijaj me profesion mjeke gjinekologe dha një intervistë mbresëlënëse ku do të veçoja takimin e saj me bashkëluftetarët e UÇK-s në Amerikë, ku disa prej tyre kanë humbur gjymtyrët në luftë.  Ndërkohë që e kishja përballë mikrofonit kur fliste për bashkëluftetarët e saj më dukej sikur pranë nesh ishte ulur Shote Galica. Takimin me nxënësit dhe intervistën do ta transmetojmë së shpejti në kanalet televizive në New York dhe në paketën digitale TV Alb.


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive