Faqe kryesore arrow Aktualiteti arrow Rilindja Komuniste e Edi Ramës
Rilindja Komuniste e Edi Ramës PDF Print E-mail
01 Dhjetor 2014

Në kontrast të plotë me 28 Nëntorin, Ditën E Flamurit, 29 nëntori i këtij viti u festua me madheshti nga qeveria socialiste e kryeministrit Edi Rama. Ishte kjo diçka e pritshme duke patur paraysh origjinen e tij nga elita komuniste e ish-Bllokut. Por ne fjalimin e tij Edi Rama shkoi akoma më larg duke shprehur  nje qëndrim politik të qartë  në lidhje me periudhën e Luftës së Dytë botërore në Shqipëri.
"…Datën e çlirimit nuk e diskutojnë ata që bënë luftën dhe çliruan vendin por e diskutojnë ata që tradhtuan dhe nuk ishin fare atje" - tha Edi Rama në një drekë të shtruar për veteranët e të ashtu-quajturës "luftë anti-fashiste nacional-çlirimtare".

Me këtë frazë Edi Rama mban ndaj forcave jo-komuniste  të njëjtin qëndrim  si Enver Hoxha në shtator të vitit 1943, kur nën trysninë  e serbo-jugosllavëve sapo kishte prishur Marrëveshjen e Mukjes dhe filloi një fushatë propagande të rreme ndaj të gjitha forcave politike kundërshatare.

 

Meqenëse Edi Rama provokon dhe nga pozitat e pushtetit tenton të vulosë historinë sipas versionit të familjes së tij politike, për hir të së vërtetës na duhet të rikujtojmë disa fakte të historisë së Shqipërisë.

Ideja e një "lufte anti-fashiste nacional-çlirimtare" të drejtuar nga partia komuniste është e rreme sepse kjo parti kreu në realitet një revolucion komunist nën maskën e një lufte çlirimtare. Këtë e thonë vetë drejtuesit komunistë në qarkoret e tyre. Natyrisht në radhët e komunistëve kishte të rinj idealistë që luftonin për liri dhe progres, por ata u neutralizuan shpejt dhe u detyruan ose të mbyllin gojën ose të humbasin jetën.

Qëllimi i komunistëve ishte fitorja e pushtetit, prandaj forcat e tyre u përqëndruan në luftën kundër forcave jo-komuniste duke e sabotuar luftën kundra pushtuesit të huaj italian dhe më pas atij gjerman.  Në shtator 1943 komunistët prishën Marrëveshjen e Mukjes dhe filluan terrorin dhe një propagandë të egër shpifjesh dhe akuzash të rreme ndaj të gjithë atyre forcave që i kundërshtonin, duke u bërë kështu iniciatorët e një Lufte Civile të përgjakshme pasojat e së cilës ndihen edhe sot. Një nga zëdhënësit e asaj propagande të pabazë bëhet sot edhe Edi Rama.


Sabotimi i luftës kundër gjermanëve nga komunistët është denoncuar nga oficerët e misioneve angleze në Shqipëri në vitet 1943-1944,  të cilët në raportet e tyre i ankoheshin Komandës angleze se forcat komuniste të Brigadës së Parë që  ata financuan dhe armatosën nuk goditnin gjermanët, por u ruajtën për të goditur forcat e Ballit Kombëtar.

Komunistët sabotuan çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb në vitet 1944-1945 duke e zgjatur sundimin serb edhe një gjysëm shekulli tjetër. Pasi firmosën marrëveshjen e Mukjes ku parashikohej lufta për Shqipërinë Etnike e cila kishte mundësi reale të realizohej në atë kohë, komunistët shqiptarë nën presionin e këshilltarëve të tyre serbo-jugosllavë Miladin Popoviç, Dushan Mugosha dhe Vukmanoviç Tempo e prishën marrëveshjen dhe hapën Luftën vëllavrasëse Civile. Më pas ndenjën duarkryq dhe shikonin të masakroheshin nga ushtria serbo-jugosllave shqiptarët e Kosovës që kishin ngritur krye kundër rikthimit të trupave serbe. Natyrisht komunistët e justifikonin këtë tragjedi me "vëllazërimin e popujve", por konsideronin vëlla një serb komunist dhe armik nje shqiptar jo-komunist.

Me një cinizëm të pashoq Edi Rama kërkon t'u heq të drejtën e fjalës edhe pas vdekjes atyre që "nuk ishin fare atje". Bëhet fjalë për ata shqiptarë, antarë apo jo të forcave si Balli Kombëtar apo Legaliteti që komunizmi i vrau, i përndoqi apo i detyroi të lënë atdheun, familjet, të afërmit dhe të marrin rrugën e gjatë dhe pa kthim të mërgimit. Natyrisht për ata ardhja e komunizmit ishte njê pushtim nga një diktaturë sllavo-komuniste dhe në asnjë mënyrë çlirim.
Por pesha e këtij pushtimi nga vetvetja ra në radhë të parë mbi ata që jetuan në Shqipëri. Sepse në vend të lirisë që premtonte, komunizmi solli robërinë, diktaturën, burgjet, internimet, ekzekutimet pa gjyq, skllavërimin e një populli të tërë i cili duhet të punonte për lluksin e ish-Bllokut nga vjen edhe Edi  Rama.  

Enver Hoxha kur fillloi fushatën propagandistike ndaj forcave jo-komuniste, kishte një objektiv dhe qëllim të qartë të cilin e realizoi : diskreditimin dhe zhdukjen e tyre nga skena politike.  Sot Shtrohet pyetja: cili është qëllimi i Edi Ramës ? Sigurisht pushteti absolut dhe rikthimi donkishotesk në një formë të re komunizmi.
 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?