Faqe kryesore arrow Çeshtja Kombetare arrow Abas Ermenji - apostull i bashkimit kombëtar
Abas Ermenji - apostull i bashkimit kombëtar PDF Print E-mail
20 Mars 2015

Abas Ermenji Sot , në datën 10 mars 2015, bëhen 12 vjet që nga dita kur u nda prej nesh një atdhetar që ia kushtoi të gjithë jetën e tij çështjes kombetare: Profesor Abas Ermenji. Ai lindi në Ermenj të Skraparit më 12 dhjetor 1913, në kohën kur Shqipëria sapo ishte copëtuar dhe Kosova e Camëria iu ishin bërë dhuratë fqinjëve tanë serbë dhe grekë  nga Konferenca e Londrës. Në fëmijërinë  e tij ai ndjeu revoltën e të rriturve ndaj kësaj padrejtësie historike dhe që në atë kohë pati dëshirën për ta korrigjuar atë padrejtësi duke ia ribashkuar krahinat e ndara trungut mëmë. Kjo dëshirë fëmijnore do të merrte një formë konkrete më vonë në angazhimin në Ballin Kombëtar.

Studimet fillore Abas Ermenji i kreu në Berat, kurse ato tê mesme në Gjimnazin e Shkodrës. Në vitin 1934 shkon me studime në Francë ku regjistrohet në Sorbonë në Fakultetin e Letërsisë  me specializim Historinë. Pasi përfundon me sukses studimet, kthehet në Shqipëri dhe emërohet Profesor në liceun francez të Korçës.
Këtu do të fillonte konkretisht aktiviteti i tij atdhetar. Në momentin e pushtimit fashist të Shqipërisë më 7 prill 1939 merr pjesë në organizimin e trupave vullnetare në përgatitje të rezistencës. Në 28 nëntor 1939 është një nga organizatorët kryesorë të manifestimit të rinisë korçare kundër pushtimit italian.
Për këtë arësye italianët e arrestojnë dhe së bashku me patriotë të tjerë e internojnë në ishullin e Ventotenes, nga ku lirohet pas dy vjetësh.
 

 


Lufta

Sapo kthehet në Shqipëri i vihet punës për të krijuar një forcë të armatosur në zonën Berat-Skrapar e cila i bashkohet Ballit Kombëtar të krijuar dhe drejtuar nga Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mit’hat Frashëri, një nga apostujt e shqiptarizmit, kishte patur një aktivitet të gjatë për çështjen kombëtare. Kishte qenë kryetari  i  Kongresit të Manastirit më 1908 si dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912.  Rreth Mit’hat Frashërit u mblodhën shumë patriotë shqiptarë duke krijuar një organizatë politike dhe ushtarake të fuqishme e cila u quajt Balli Kombëtar. Në Vlorë forcat e Ballit drejtoheshin nga Hysni Lepenica i cili ishte edhe komandant i përgjithshëm ushtarak i organizatës. Në Korçë ato drejtoheshin nga Safet Butka, kurse në zonën Berat-Skrapar nga Abas Ermenji.
Në vitet 1942-1943 goditjet e armatosura të Ballit Kombëtar ndaj italianëve u intensifikuan.  Në disa raste në to morën pjesë edhe forcat partizane në aksione të koordinuara. Abas Ermenji i sulmoi me sukses forcat italiane në Berat në qershor 1943, por komunistët nuk morën pjesë, madje tentuan ta sabotonin sulmin. Nga ana tjetër nuk ngurruan të hedhin edhe një trakt ku lavdëronin "Profesorin patriot".  Forcat e Abas Ermenjit arrinin në atë kohë nga 1 mijë vetë (të përhershme) deri në 4 mijë në rast mobilizimi të përgjithshëm.
Ishte koha kur populli shqiptar, ndoshta duke e ndier të keqen që po i vinte,  kërkonte  bashkimin e të gjitha forcave kundër pushtuesit të huaj. Si rezultat i këtij presioni popullor, në fillim të gushtit 1943 u mbajt Konferenca e Mukjes e cila rezultoi me një marrëveshje midis Ballit Kombëtar dhe partisë komuniste për luftë të përbashkët kundër okupatorit të huaj deri në çlirimin e Shqipërisë Etnike. Menjëherë filluan aksionet e përbashkëta  në një atmosferë entuziazmi të përgjithshëm. Por kjo situatë nuk zgjati shumë. Më pak se një muaj më pas,  forcat partizane morën urdhër që të ndërprisninin bashkëpunimin. Rifilluan përplasjet midis dy organizatave, sabotimet deri edhe  lufta e hapur. Sepse « shokët » jugosllavë të partisë komuniste tmerroheshin kur dëgjonin fjalën  « Shqipëri Etnike » dhe prandaj i detyruan drejtuesit shqiptarë të partisë komuniste ta prishnin marrëveshjen me Ballin Kombëtar dhe ta godisnin atë. Ishte fillimi i luftës vëllavrasëse në jug të Shqipërisë, luftë e cila zgjati rreth një vit. Komunistët i përdorën të tëra mjetet dhe eksperiencën e revolucionit bolshevik në Rusi: atentatet, propagandën, gënjeshtrat, shpifjet, prapaskenat, inskenimet dhe terrorin.
Balli Kombëtar u gjet në një pozicion shumë të vështirë, sepse u luftua nga të dy krahët: nga pushtuesit gjermanë që kishin zënë vendin e italianëve si dhe nga komunistët që përgatisnin një  revolucion komunist. Për më tepër që komandanti i Ballit Kombëtar, Hysni Lepenica në shtator 1943 u vra nga italianët në Grihot të Gjirokastrës, së bashku me 36 komandantë të tjerë, duke ia prerë kështu krahët ushtarakisht Ballit Kombëtar në Shqipërinë e Jugut. Kurse në Korçë vdekja e Safet Butkës ishte një goditje tjetër e rëndë për Ballin Kombëtar.
Abas Ermenji vazhdoi të qëndronte me trupat e tij në Berat, por ndodhej nën presionin e forcave komuniste që po përqendroheshin aty. Megjithatë ai arriti t’iu qëndrojë, madje në janar të vitit 1944 në Berat u organizua në fshehtësi edhe një kongres i Ballit Kombëtar i drejtuar nga Mithat Frashëri ku u tentua të merreshin disa masa dinamike për riorganizmin e Ballit Kombëtar.  Me këtë qëllim Abas Ermenji bëri edhe një udhëtim të vështirë në Vlorë ku drejtimin e Ballit Kombëtar e kishte marrë Skënder Muço, një veprimtar i shquar i Ballit Kombëtar i cili për fat të keq u kap dhe u ekzekutua nga gjermanët në  gusht të vitit 1944.
Balli Kombëtar mundi t'iu qëndrojë komunistëve në jugun e Shqipërisë deri në gushtin e vitit 1944. Më pas qëndresa përballë brigadave komuniste u bë e pamundur, dhe Abas Ermenji me forcat e tij u detyrua të lërë Beratin dhe  të zhvendoset drejt Tiranës dhe zuri vend në fortesën e Prezës duke e bërë bazën e tij. Prej aty u bënë disa sulme ndaj autokollonave gjermane. Por komunistët të cilët ishin vendosur në Krujë, në fund të tetorit e rrethuan dhe e sulmuan fortesën e Prezës nga të gjitha anët për t'i dhënë grushtin e fundit Ballit Kombëtar. Pas një luftimi të rreptë prej 12 orësh, Abas Ermenji e çau rrethimin dhe i tërhoqi forcat e tij drejt Ishmit dhe Bregut të Matit.
Tashmë rezistenca frontale ndaj komunistëve ishte bërë e pamundur. Prandaj në fillim të nëntorit 1944 Abas Ermenji i shpërndau forcat e tij në çeta të vogla të cilat u kthyen drejt jugut nën komandën e Muharrem Kapllanit, Mailiq Dusharit, Tefik Sfirit dhe Haxhi Mirakës. Kurse vetë Abas Ermenji shkoi drejt veriut me qëllimin për të organizuar forca të reja.
Në janar të vitit 1945 Abas Ermenji dhe vëllezërit Kazazi ngritën në këmbë trupa të armatosura dhe u përpoqën të çlironin Shkodrën, si hapi i parë drejt një kryengritje të përgjithshme të armatosur. Për fat të keq kjo tentativë nuk pati sukses.
Në shkurt të vitit 1945, duke parë se në veri nuk mund të behej më gjë, Abas Ermenji u kthye në jug për t'u bashkuar me çetat e shpërndara. Për luftëtarët e çetave ishin vrarë ose kapur gjysmë të ngrirë në dëborë gjatë atij dimri shumë të ashpër.
Abas Ermenji qëndroi në malet e vendlindjes rreth një vit duke shpresuar në organizimin e një kryengritje të përgjithshme anti-komuniste, sepse shqiptarët e kuptuan shpejt se çfarë ishte komunizmi dhe pakënaqësia ishte shumë e madhe. Por komunistët e kishin mbërthyer dhe e kontrollonin mirë Shqipërinë me anë të terrorit, duke e bërë të pamundur çdo rezistencë.
Në këto kushte Abas Ermenji vendosi të largohet nga Shqipëria bashkë me çetën e tij duke kaluar kufirin grek.

Në emigracion

Në Greqi Abas Ermenji dhe bashkëluftëtarët e tij u burgosën në burgun e Pireut. I identifikuar si përkrahës i idesë së Shqipërisë Etnike nga vorio-epirotët ndodhej në rrezik jete, por, me ndërhyrjen e Mithat Frashërit, u shpëtua nga Komanda Aleate anglo-amerikane , e cila e ndihmoi të largohej për në Itali. Në fakt anglo-amerikanët kishin filluar të interesoheshin tashmë për forcat nacionaliste në Shqipëri.
Por edhe në Itali nuk mbaruan problemet për Abas Ermenjin, sepse u arrestua nga autoritetet italiane pasi fashistët e akuzuan që kishte vrarë italianë në Shqipëri. U desh ndërhyrja energjike e ambasadorit amerikan në Romë që ai të lirohej. Pas këtij incidenti Abas Ermenji u vendos në Paris.
Ndërkohë në gusht 1949 ishte krijuar në emigracion Komiteti "Shqipëria e Lirë" me në krye Mithat Frashërin dhe me pjesëmarrjen e forcave kryesore politike të emigracionit të ri shqiptar të asaj kohe. Qëllimi i këtij komiteti ishte çlirimi i Shqipërisë nga regjimi komunist dhe vendosja e një regjimi demokratik. Balli Kombëtar mori pjesë në këtë komitet edhe për dy arësye të tjera: kishte informacion të besueshëm se ishte përgatitur një skenar i ndarjes së Shqipërisë midis Greqisë dhe Jugosllavisë. Dhe në fakt Shqipëria komuniste po bënte bashkimin doganor me Jugosllavinë, kurse Greqia kishte nisur një sulm ndaj Shqipërisë me "provokacionet e  gushtit" për të mos mbetur pa « pjesën e saj ». Nga ana tjetër Balli Kombëtar shpresonte që nëse Komiteti do të kishte sukses, do të ishte në një pozicion të mirë për të vepruar për Kosovën. Për këtë arësye që në prezantimin e parë, Mithat Frashëri e ngriti çështjen e Kosovës si një nga qëllimet e Komitetit.
Drejtimi ushtarak iu ngarkua Abas Ermenjit nga Balli Kombëtar dhe Abaz Kupit nga Legaliteti. Grupe luftëtarësh të Ballit Kombëtar u përgatitën në Maltë me ndihmën e oficerëve anglezë që kishin qenë në Shqipëri gjatë luftës dhe u dërguan në Shqipëri me anije të vogla kryesisht në zonën e gadishullit të Karaburunit, me qëllim që të merrnin kontakt me ish-luftêtarë të Ballit Kombëtar dhe të nxisinin një kryengritje të armatosur kundër regjimit komunist. Por u pa shpejt se kjo ishte e pamundur. Në radhë të parë komunizmi e kishte mbërthyer mirë Shqipërinë dhe kontrollonte edhe lëvizjet më të vogla. Nga ana tjetër një pjesë e mirë e luftëtarëve të dërguar në Shqipëri u kapën dhe u ekzekutuan apo u burgosën. Ata që ktheheshin thoshin se forcat komuniste dukej se i prisnin dhe se i dinin pak a shumë vendin dhe kohën e zbarkimit. Një oficer anglez mik i shqiptarëve bëri një natë një provë: nuk e informoi qendrën në Londër për nisjen e një grupi luftëtarësh. Si për çudi askush nuk i priste në Shqipëri dhe u kthyen të gjithë shëndoshë e mirë. Që në atë moment u kuptua se kishte diku një rrjedhje të informacionit.
Menjëherë Abas Ermenji vendosi që asnjë luftêtar tjetër të mos dërgohej në Shqipëri. Më vonë u mor vesh tradhëtia e oficerit anglez Kim Filbi, i cili çdo informacion për zbarkimet ua transmetonte sovjetikëve të cilët ia përcillnin komunistëve të Tiranës.
Në 3 tetor 1948 Mithat Frashëri vdiq në Nju Jork nga një goditje në zemër. U shuan atëherë shpresat e emigrantëve të Ballit Kombëtar dhe të tjerëve për një kthim të shpejt në Shqipëri. Filloi periudha e gjatë dhe në shumë raste pa kthim e emigrimit për mijëra antarë të Ballit, të cilët kishin lënë familjet dhe shtëpitë e tyre në Shqipëri. Ishte kjo një vuajtje e dyfishtë, sepse ata jo vetëm që nuk do t’i shikonin më familjet e tyre, por e dinin se ato persekutoheshin keqas nga regjimi i egër dhe i pamëshirshëm komunist. Megjithatë ata nuk u ligështuan, sepse e dinin se po sakrifikonin për Shqipërinë dhe çështjen kombëtare dhe se një ditë martirizimi i tyre dhe i familjeve të tyre do t’i shërbente çlirimit të Shqipërisë Etnike. « Pa Kosovë e Camëri nuk ka Shqipëri » ka qenë motoja  e tyre për dekada me radhë, sa herë që mblidheshin për të festuar Ditën e Flamurit, në manifestime, në aktivitete politike apo përkujtimore.
Si të gjithë antarët e emigruar të Ballit Kombëtar, edhe Abas Ermenji kishte lënë familjen e tij në Shqipëri. Të atin, Fejzon, komunistët e morën në burg me gjithë moshën e tij të madhe dhe e lanë të  vdiste atje. Të motrat dhe të afërmit e tjerë u persekutuan pa mëshirë nga komunistët që hakmerreshin primitivisht  tek njerëz të pambrojtur. Madje në një rast gjyqet komuniste dënuan edhe 17 vetë në Skrapar që në një darkë kishin ngritur një dolli për Abas Ermenjin. Kjo tregon se edhe pas shumë vitesh, megjithë propagandën dhe terrorin komunist, Abas Ermenji kishte dashurinë dhe respektin e vendlindjes së tij.
Pavarësisht nga kjo situatë shumë e vështirë, Abas Ermenji me kurajo dhe vendosmëri e vazhdoi luftën për të cilën i kishte dhënë besën Mithat Frashërit së bashku me Hysni Lepenicën,  Safet Butkën, Skënder Muçon etj. etj. : luftën për Shqipërinë Etnike.
Pas vdekjes së Mithat Frashërit, Balli Kombëtar u largua nga Komiteti « Shqipëria e Lirë » dhe Abas Ermenji mori drejtimin e Komitetit Kombëtar Demokrat « Shqipëria e Lirë » me qendër në Paris. Aktiviteti i këtij komiteti u përqëndrua në sensibilizimin ndërkombëtar për çështjen e Kosovës si dhe për tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Komiteti botoi  rregullisht gazetën e Ballit Kombëtar « Flamuri » e cila shpërndahej në Europë, Amerikë dhe Australi. Abas Ermenji kontriboi rregullisht me shkrime të një niveli të lartë  në këtë gazetë e cila përkëthehej në anglisht dhe frëngjisht.  Për botimin e gazetës kujdesej sekretari i Ballit Kombëtar Vasil Andoni i cili jetonte në Romë. Përveç gazetës u realizuan edhe botime historike, ekonomike, gjeo-politike etj. për Shqipërinë në formë librash në ciklin Albania si dhe u botua në vitin 1968 vëllimi historik i Abas Ermenjit « Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë » me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar.
Një kujdes të veçantë Komiteti i kushtoi fatit të shqiptarëve të Kosovës të cilët ndodheshin nën sundimin brutal të Serbisë, duke iu shkruar dhe kërkuar ndihmë organizatave ndërkombëtare si për shembull Parlamentit Europian apo Zyrës së OKB në Gjenevë në lidhje  me shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë pas demonstratave të vitit 1981, por edhe më herët.
Por një nga pikat më kulminante të aktivitetit të Komitetit dhe Ballit Kombëtar ka qenë pjesëmarrja në organizimin e Kongresit të Lidhjes Kosovare në Detroit në vitin 1970.  Ky kongres i zhvilloi punimet gjatë dy ditëve dhe pati të ftuar organizata shqiptare dhe miq nga e gjithë bota. Mori pjesë edhe kryetari i bashkisë së Cikagos si dhe përfaqësues të tjerë amerikanë. Në këtë kongres  të organizuar nga drejtuesit e Lidhjes Kosovare z. Luan Gashi,  Jusuf Azemi, Ajet Rushiti etj. Abas Ermenji mbajti fjalimin e kongresit, një fjalim të zjarrtë i cili i ngriti peshë zemrat e pjesëmarrësve. Lidhja Kosovare  iu dha zemër e shpresë shqiptarëve jo vetëm në emigracion por edhe në Kosovë e troje të tjera shqiptare.
Abas Ermenji vazhdoi pareshtur punën e tij në mbrojtje të kombit shqiptar në Komitetin Kombëtar Demokrat "Shqipëria e Lirë" por edhe në organizata të tjera si Lëvizja Europiane, Organizata e Kombeve tê Robëruara etj. ku në çdo rast që i jepej e ka prezantuar çështjen kombëtare shqiptare si një çështje për t'u zgjidhur.

Rikthimi në Shqipëri

Megjithë Luftën e Ftohtë dhe Perden e Hekurt që ndante vendet e bllokut komunist nga Perëndimi, shpresat e rikthimit në atdhe nuk ishin shuar.  40 e ca vjet pas ikjes nga Shqipëria, u dukën shenjat e para se Perdja e Hekurt po binte. Rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989 ishte dëshmia më qartë e këtij procesi që u pasua me ngjarjet në Rumani dhe rënien e komunizmit me një efekt domino në të gjitha vendet e Lindjes.
Në Shqipëri ky proces u krye më me vështirësi, sepse komunizmi kishte qenë më i egër, e kishte mbajtur vendin në izolim të plotë dhe  ishte kujdesur që të zhdukte që në rrënjë çdo opozitë të brendshme dhe të mos lejtonte asnjë kontakt me opozitën e jashtme. Si përfundim në dhjetor të vitit 1990 edhe në Shqipëri lindi një lëvizje studentore e cila kërkonte liri dhe demokraci. Kjo lëvizje u shndërrua në parti një parti politike: Partia Demokratike e cila arriti të fitojë zgjedhjet e marsit 1992 duke i dhënë fund de fakto sistemit mono-partiak në Shqipëri. U bë tashmë i mundur pluralizmi politik, pra krijimi i partive të tjera.
Balli Kombëtar gjatë luftës kishte qenë një organizatë politiko-ushtarake ilegale, sepse vendi ndodhej nën një sundim të huaj. Në emigracion nuk mund të ekzistonte si parti politike, prandaj e ushtroi veprimtarinë e tij në formën e komiteteve (Komiteti Kombëtar Demokrat "Shqipëria e Lirë", Lidhja Kosovare etj). Kishte ardhur tashmë koha që Balli Kombëtar të rikthehej në Shqipëri si një parti politike.
Balli Kombëtar në emigracion vendosi kontakte në Shqipëri që në fillim të viteve '90 me qëllimin e krijimit të një partie politike. Por organizimi kërkonte kohë. Në zgjedhjet e vitit 1991 dhe 1992 Balli Kombëtar udhëzoi përkrahësit e vet të votonin për PD-në me qëllim përmbysjen e komunizmit.  Dhe më në fund në vitin 1993 u krijua Partia e Ballit Kombëtar ose shkurt PBK. Në vitin 1994 u mbajt kongresi i PBK në Tiranë i cili zgjodhi Abas Ermenjin kryetar dhe i bëri thirrje të kthehej në Shqipëri. Abas Ermenji u kthye në Shqipëri më 22 tetor 1995 dhe u prit me madhështi në aeroportin e Rinasit nga mijëra antarë të Ballit Kombëtar, nacionalistë, familjarë të bashkëluftëtarëve të tij dhe simpatizantë.
Fjala e parë që iu tha gazetarëve që e pyesinin për qëllimin e kthimit të tij ishte "të bashkoj Kosovën me Shqipërinë në këtë moment të vështirë për kombin tonë".
Në ditët e para të qëndrimit të Tiranë me mijëra njerëz nga e gjithë Shqipëria si dhe nga emigracioni kanë ardhur ta takojnë në një klimë entuziazmi të madh. Profesori, siç e thërrisnin tashmë, iu vu punës të përgatiste zgjedhjet parlamentare që do të zhvilloheshin pas disa muajsh. Me gjithë moshën 82-vjeçare, Abas Ermenji ndërmori  një seri konferencash në të gjithë Shqipërinë, që nga Shkodra e deri në Sarandë, që nga Korça e deri në Kukës e Tropojë. Kudo u prit shumë mirë, fjalimet e tij u pritën me shumë interes dhe entuziazëm. Në keto konferenca ai fliste kryesisht për historinë e Shqipërisë, për Ballin Kombëtar dhe për nevojën e mobilizimit dhe përgatitjes së shtetit shqiptar për mbrojtjen e Kosovës  e cila ndodhej ende nën pushtimin e ushtrisë dhe policisë serbe dhe po jetonte disa nga ditët e saj më të vështira. Qëllimi i Abas Ermenjit ishte fitorja e një shumice deputetësh që do t'i mundësonte të zbatonte programin e tij në mbrojtje të Kosovës.
Balli Kombëtar ishte përgatitur seriozisht për zgjedhjet, kishte ngjallur entuziazmin e shqiptarëve dhe shpresonte një rezultat shumë të mirë. Por gjërat nuk do të shkonin sipas parashikimeve, sepse zgjedhjet e 26 majit u fallcifikuan duke krijuar një traditë të keqe që me sa duket vazhdon akoma. Balli Kombëtar nëpër qendrat e votimit e denoncoi vjedhjen e votës dhe Abas Ermenji bëri një deklaratë ku thoshte se nuk i njihte ato zgjedhje. Pas disa javësh, megjithëse i "zgjedhur" në Kuvendin e ri, Abas Ermenji u largua nga Shqipëria drejt Parisit. 1996-a ishte momenti kur Balli Kombëtar kishte mundësi reale të bëhej një forcë e madhe politike në Shqipëri, sepse kishte një bazë të gjerë dhe ishte në ngritje. Për fat të keq, politikanët e dalë nga komunizmi, me sa duket i druheshin një force politike nacionaliste,  të pakompromentuar dhe me karakter perëndimor. Prandaj bënë ç'është e mundur për ta eleminuar.  

Abas Ermenji, me një optimizëm dhe vendosmëri të pamasë, do të kthehej edhe 3 herë të tjera në Shqipëri: në mars-korrik 1997 për zgjedhjet e qershorit, në korrik-shtator 1998 për një kongres të Ballit Kombëtar ku u rizgjodh në krye të PBK dhe në qershor 2001 për zgjedhjet parlamentare. Të tre herët personalisht u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë, por asnjë herë nuk e pranoi mandatin e deputetit sepse nuk dëshironte të shkonte në Parlamant sa për figuracion, por dëshironte të kishte një grup parlamentar të fuqishëm të aftë që "të bënte punë".
Në vitin 1999 Abas Ermenji bëri një vizitë në Kosovë, ku takoi Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin, kryesinë e LDK-së, Rexhep Qosen etj. Ishte i kënaqur sepse "kosovarët ishin në një mendje dhe në drejtimin e duhur". Në hotelin ku rrinte Abas Ermenji, erdhi një kosovar e takoi dhe i tha: "atë që filluat ju e mbaruam ne". Ishte kjo fjalë një mirënjohje e vogël për atë  sakrificë dhe punë kolosale që kishte bërë Abas Ermenji dhe Balli Kombëtar për Kosovën dhe çështjen kombëtare.
Por koha kalonte dhe Profesori po iu afrohej të '90-ave. Problemet shëndetësore po shtoheshin dhe mjekët i këshillonin pushim dhe ndërprerje të aktivitetit. Por ishte kjo e pamundur për një njeri si Abas Ermenji që gjithë jetën kishte punuar për Shqipërinë dhe çështjen kombëtare. Deri në fund u përpoq  të punonte, të organizonte,  të motivonte për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Megjithatë, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore nuk mundi të merrte pjesë në kongresin e PBK të shtatorit 2002, ku u zgjodh kryetar nderi.
Zemra e Abas Ermenjit pushoi së rrahuri duke u gdhirë 10 marsi i vitit 2003. Varrimi i tij u bë në Tiranë pas homazheve ku morën pjesë me mijëra shqiptarë nga e gjithë Shqipëria, Kosova dhe troje të tjera shqiptare. Në fjalën e tij në ceremoninë varrimit publicisti Luan Myftiu e quajti Abas Ermenjin "apostull të bashkmit kombëtar" dhe tha se "Dashuria e zjarrtë për Shqipërinë nuk e la t'i dorëzohej moshës, ndaj askush nuk e besoi se mund të ndahej nga kjo jetë. Se burrat si Abaz Ermenji nuk mund të vdesin: edhe kur ligjet e natyrës na detyrojnë të vendosim sot trupin e tij pajetë në këtë tokë që ai e deshi aq shumë, mbeten gjallë e të paharruar."

Sot, 12 vjet pas vdekjes së Abas Ermenjit, shohim se çështja kombëtare shqiptare ka përparuar, por nuk ka përfunduar. Do të duhen akoma burra të tjerë si Abdyl Frashëri, Ismail Qemali, Isa Boletini, Mithat Frashëri, Adem Jashari dhe Abas Ermenji, luftëtarë dhe mbrojtës  të paepur të kombit shqiptar dhe të Flamurit Kuq e Zi, të cilët do të mund ta realizojnë ëndrrën e madhe të bashkimit kombëtar, Shqipërinë Etnike.

Xhemil Meço


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2015-12-29 12:19:20
E kam patur ndere te kem qene njeri nga bashkepunetoret me te ngushte te kryetarit Ermenji. Kishte cilesi te ralla ne shume fushe. Prandej, Ai ka lene mbrapa shume gjera me vlere ne cdo fushe. Donte me cdo kusht qe te gjithe shqiptaret te mblidheshin nen krahet e fuqishem te shqipes dy-krenare!

Koment nga GUEST më 2015-12-29 12:21:05
Eshte lavdi per cdo shqiptar, te shkruaje e te lexoje reth veprave patriotike te Prof. Abas Ermenjit, Te ketij nacionalisti GJIGAND "Te Shqiperis Ethnike" Qe si me pushke dhe me pende, me pare kundra aukopatorve dhe ideollogjise krejtfallco sllavokomuniste te Enver Hoxhes, qendroj dhe luftoj trimerisht ne Shqiperi deri me 1946 kur e pa qe qendrimi i me tejshem ishte i pa mundshem, bashke me ceten heroike te perbere nga Hekurani me Azizin, Vebiun me Fevziun etj.duke care rethime komuniste dhe male me debore, qe nga shkodra dollen ne Greqi. Artikulli i Z. Xhemil Meco qe pershkruan me hollesi veprat e jeten e Prof. Abas Ermenjit ne emigracion eshte fort i cmuarshem dhe nga neve dy veterane nga Australia, te quajtur, Refat Hyseni dhe Petrit Kello.

Koment nga GUEST më 2015-12-29 12:17:02
Me 27 Mars te vitit ne vazhdim "2015" mbusha 65 vjet nga dita qe jam aratisur nga sketera komuniste, sketere kjo, e themeluare ne Shqiperi nga xhelatet e kuq sic ishin Enver Hoxha me shoke.Gjate ketij emigracioni te pa deshiruar e kam ndjekur me kujdes qendrimin e shume intelektualve shqiptare dhe si nje antar i thjeshte i Ballit Kombetar dhe ish ushtar i KKSHL qejam e thom me mburje se Prof. Abas Ermenji si ner kampet i internimev nga fashistat italian, si ne kodrat dhe malet e shqiperise si nje nga udheheqsat e denje te nacionalizmit shqiptar qe me pushke dhe me pene na ka orjentuar drejt rruges per nje "Shqiperi Ethnike" E shume cmoj artikullin e me siperm nga Z. Xhemil Meco dhe ftoj dhe shqiptare te tjere te shkruajne per kujtime te se ndjerve Profesora Ermenji, Andoni,Pali etj qe si ne Shiperi ashtu edhe ne emigracionin e gjate kane qene pasardhes te denje te Midhat Frasheri. Nga Australia, Petrit Kello..


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?